Shtëpitë përreth lumenjve dhe ato të cilat përmbyten pas reshjeve të mëdha të shiut, kanë dy javë kohë që t’i bëjnë përgatitjet për mbrojtje nga vërshimet eventuale pas shkrirjes së borës.
Derisa koha kalon, institucionet e vendit ende po presin të kuptojnë shkallën e vërshimeve, që pastaj të bëjnë një plan: që t’i mbrojnë apo në rast nevoje edhe t’i evakuojnë banorët nëpër zonat ku do të ketë vërshime, raporton “kosovapress”.
Rreziku më i madh mendohet se vjen nga Gollaku, si dhe rreth lumit Sitnica, që ka ujë kryesisht të palëvizshëm.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se shkrirja nuk mund të bëhet pa arritur temperaturat në zero gradë, e kjo planifikohet të ndodh pas dy javësh.
Drejtori i këtij instituti, Sylë Tahirsylaj, pohon se do ketë vërshime, por mohon se mund të jenë katastrofike.
“Një pjesë të borës e pranon toka, një pjesë tjetër zbrazet në liqenet akumuluese, e pjesa tjetër në lumenjtë që janë rrekej”.
Sipas tij, rastin e shtëpive që vërshohen kur ka reshje të shiut, e quan problem infrastrukturorë.
“Ato janë probleme të infrastrukturës. Për fat të keq në Prishtinë dhe në qytete të tjera nuk është respektuar mendimi i ekspertëve për ndarjen e ujërave të zeza dhe ujërave të reshjeve. Prandaj, e kemi këtë gjendje. Do të ketë shkrirje, por jo edhe aq të hovshme”, ka thënë ai.
Reshjet e mëdha të kohëve të fundit thuhet se do të kenë ndikim pozitiv, meqë begatojnë kushtet hidrike të tokës, liqenet akumulues mbushen me uji, ndërsa bëhet bartja e papastërtive drejt pellgut.
Nga Ministria e Ambientit po mundohen të përcaktojnë shkallen e rrezikut, që pastaj t’i njoftojnë komunat se ku duhet marrë masa.
Ministri Dardan Gashi thotë se i kanë ekspertët në teren të cilët po e bëjnë monitorimin, dhe se kryetarët e komunave do njoftohen për vendin ku mendohet se do të ketë rrezik.
“Ne në njërën anë jemi të kujdesshëm të mos i shqetësojmë qytetarët pa nevojë me lajme të panikut, që mund të përhapen, por në anën tjetër jemi vigjilentë që të njoftohen kryetarët e komunave dhe shtabet emergjente në kohë, se ku mund të ketë potenciale të rrezikut”, ka thënë ai.
Derisa Ministria e Ambientit me institucionet vartëse të saj po mundohen mos të bëjnë panik tek qytetarët apo edhe fajin t’ia lënë infrastrukturës së dobët, rreziku nga vërshimet duket të mbetet i pashmangshëm.
Disa komuna tashmë kanë filluar përgatitjet. Në lagjet që vërshoheshin nga reshjet e shiut, Komuna e Prishtinës ka filluar me kamionë të largojë borën e ta dërgojë nëpër vendet ku rreziku është më i vogël. Por, kjo masë nga studiuesit e ambientit nuk del të jetë zgjidhja e mirë.
Ata kanë paralajmëruar se nëse toka nuk e pranon borën pasi të shkrihet, uji do të bartet rrugëve dhe do ndalet në zonat më të ulëta.