Dialogu me Serbinë pengon njohjet

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 Shkurt të vitit 2008, është njohur nga 88 shtete. Ky numër i njohjeve, brenda katër vjetëve, vlerësohet në mënyra të ndryshme.

Katër vjet më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati deklaruar se Kosova do të njihet brenda një kohe të shkurtër nga rreth 100 shtete.
Skender Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, aktualisht deputet në Kuvend, thotë se pas dështimit - katër vjet më parë - për ta kaluar në Këshillin e Sigurimit rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për pavarësi të mbikëqyrur të Kosovës, ka qenë e ditur se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës do të jetë i ngadaltë.
“Vetëm ata që nuk kanë pasur njohuri të duhur në këtë fushë, kanë bërë premtime kuturu, se do të ketë kaq njohje në këtë periudhë, e kaq në këtë tjetrën. Sido që të jetë, pas mendimit shumë pozitiv të GJND-së, me të drejtë Kosova ka pritur më shumë njohje dhe do të ndodhnin më shumë njohje, sikur të mos ishte ky dialog që po vazhdon me Serbinë. Është ky dialog që shumë vende po i bën të hezitojnë akoma, sepse në shumë vende perceptohet si dialog për statusin e jo teknik çfarë pretendon ta paraqesë Qeveria”, thotë ai për “Radio Evropa e Lirë”.
Analisti i çështjeve politike, Shenoll Muharremi, thotë se në një varg raportesh, institucionet ndërkombëtare kanë dokumentuar se në Kosovë tolerohet krimi dhe korrupsioni, e që korrupsioni në Kosovë është i ndërlidhur me politikën dhe që politika i ndikon organet e drejtësisë.
“Ky është defekti kryesor”, vlerëson Muharremi.
Ndryshe, ish-ministri i Jashtëm thekson se do të nevojitet shumë kohë që vendi ta arrijë numrin e njohjeve që siguron aplikimin e sigurt për pranim në Kombet e Bashkuara.
“Me këtë ritëm është shumë larg. Ju po e shihni se gjatë vitit të kaluar ka pasur nëntë njohje gjithsej. Do të thotë, më pak se në vitet paraprake. Këtë vit, deri më tani, kemi një njohje... Nuk jam shumë i sigurt për Nigerinë, sepse të gjitha informacionet që kam, flasin se Nigeria nuk e ka njohur Kosovën”, shton Hyseni.
Muharremi mendon se për të përfituar njohje të reja, Kosova duhet t’i përkushtohet zhvillimit të brendshëm. Ndërsa, shton se edhe diplomacia serbe ka qenë faktor i cili ka sabotuar shtetin e Kosovës, qoftë brenda në veri, qoftë duke lobuar kundër pavarësisë së saj.
Ndryshe, njohja e fundit për Kosovën, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, ka ardhur të premten, më 17 shkurt, nga Uganda, në ditën kur u shënua përvjetorit i katërt i pavarësisë së vendit.