Mujota në SHBA, kërkon mbështetje financiare për Kosovën

Gjatë vizitës në SHBA, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka realizuar takime në Kongresin amerikan me Kongresistin Eliot Engel, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet, arritjet dhe perspektivën e Kosovës në të gjitha drejtimet, e veçmas në atë të zhvillimit ekonomik e infrastrukturor.
Kongresisti Engel, e siguroi ministrin Mujota që SHBA-të dhe ai personalisht do të vazhdojnë ta përkrahin Republikën e Kosovës, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës.
Mujota u prit në një takim të veçantë në Departamentin e Shtetit edhe nga Raffi Gregorian, zv. Drejtor i Byrosë për çështje Evropiane. Në këtë takim janë biseduar çështje të rëndësishme për Kosovën dhe perspektivën e saj zhvillimore e integruese.
Një takim tjetër ministri Mujota ka realizuar në Departamentin e Transportit, me Ian Saunders në Drejtorinë Federale për Administrimin e Autostradave. Në të gjitha këto takime, Mujota shtroi nevojën e mbështetjes financiare të Kosovës në projektet e saj zhvillimore, që hapin perspektivë zhvillimi për Kosovën dhe rajonin. 

Targat e vjetra, vetëm deri më 1 qershor 2012

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 16/67, të datës 21 mars 2012, të gjithë qytetarët të cilët posedojnë automjete me targa të cilat nuk janë të lëshuara nga institucionet e Kosovës, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa KS ose RKS, në qendrat përkatëse të regjistrimit të automjeteve, në bazë të dokumenteve që posedojnë, deri me datën 1 qershor 2012.
“Pas datës 1 qershor 2012, Policia e Kosovës do të ndalojë automjetet të cilat bartin targa të vjetra (PR, GL, KM, ...), do të konfiskoje targat e vjetra dhe të njëjtat raste do t’i përcjellë në gjykatat kompetente të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndërkohe, targat e reja të Serbisë, me prefikse të qyteteve të Kosovës, sipas MPB-së, janë ilegale dhe do të konfiskohen nga ana e Policisë së Kosovës, kudo që hasen.
MPB po ashtu lut të gjithë drejtuesit e automjeteve që gjatë kësaj periudhe (deri në qershor), të pajisen me letërnjoftim dhe patentë-shofer të Republikës së Kosovës, që të mund të regjistrojnë veturat e tyre.

AI në mbrojtje të Abazit, kundër arrestimeve politike

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), është shprehur thellësisht e shqetësuar, me arrestimin politik të sindikalistit kosovar, Hasan Abazi, nga ana e autoriteteve serbe.
Abazi ishte në rrugë për një konferencë ndërkombëtare në Kroaci, kur është kapur në Konçul të Bujanocit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 1995, për, siç thuhet, “krime kundër kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë”.
AI është po ashtu jashtëzakonisht e shqetësuar me deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Ivica Dacic, se arrestimi është kryer “në shenjë hakmarrjeje” ndaj arrestimeve që u ka bërë policia kosovare katër zyrtarëve serbë të Kosovës, të cilët bartnin material zgjedhor të Serbisë, thuhet në komunikatë.
Organizata thirret në raportet e medieve. Po ashtu, sipas djalit të Hasan Abazit, Hakiut, babait të tij nuk i është lejuar të takojë avokatin. “Në bazë të këtyre deklaratave, Amnesty International thekson se liria individuale e njerëzve nuk mund të vihet në rrezik si një mjet pazarllëku në mosmarrëveshjet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Senati konfirmoi ambasadoren në Kosovë

Senati amerikan të premten ka konfirmuar ambasadorët e rinj të Shteteve të Bashkuara në 16 vende, përfshirë edhe atë në Republikën e Kosovës.
Ambasadore e re e Shteteve të Bashkuara në Kosovë do të jetë Tracey Ann Jacobson, e cila do të zëvendësojë ambasadorin amerikan në largim, Christopher Dell, të cilit i përfundon mandati në muajin qershor.
Jacobson është një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik. Së fundit ajo ka shërbyer si zëvendës/drejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).
Ajo ka shërbyer si ambasadore në Turkmeni dhe në Taxhikistan, si zëvendës/sekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate edhe në Seul dhe Moskë. 

Kurti: Bashkimi kombëtar është i domosdoshëm

Hapi i parë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve duhet të fillojë me Kosovën e Shqipërinë dhe më pas, të ndihmohen edhe shqiptarët që u copëtuan në konferencën e Londrës më 1913.
Kështu vlerësoi lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në një intervistë për televizionin Alsat-M. “Le të fillojmë prej hapit më të domosdoshëm dhe më të rëndësishëm tash për tash, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, më pastaj duhet të ndihmohen shqiptarët në Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë Perëndimore - në Iliridë, duhet të ndihmohen që të organizohen sa më mirë. Ty mund të takojë e drejta, por ajo nuk realizohet nëse s’ke organizim. Nuk po mendoj shqiptarët në Maqedoni pa Shkupin, deri para 30 vjetëve është konsideruar që qyteti me më së shumti shqiptar ka qenë Shkupi”, deklaroi Kurti.
Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, Kurti tha se shqiptarët në Maqedoni duhet të bashkohen dhe të organizohen, si në aspektin kulturor, arsimor, politik, e po ashtu në atë socio-ekonomik, pasi pa organizim, sipas tij, nuk ka të drejta të realizuara dhe ato mbeten formale dhe nuk aktualizohen.
Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria kanë për obligim t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Maqedoni. “Nëse ne lejojmë që shqiptarët në Maqedoni të ballafaqohen me Qeverinë Gruevski ndaras prej Kosovës e Shqipërisë, atëherë do të prodhohen Brodeca të ri. Ne kemi nevojë që të kemi sa më shumë organizim dhe aktivitete, i cili edhe ndihmohet dhe mbështetet prej Tiranës dhe Prishtinës, këtë gjë duhet ta kërkojnë shqiptarët e Maqedonisë edhe më shumë”.
Kurti tha se Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni më shumë ka pasur efekte për të çarmatosur shqiptarët se sa realizimin e të drejtave. “Kur do të shkruhet historia se çfarë bëri kjo Marrëveshje e Ohrit, do të dalë që efekti kryesor ka qenë demilitarizimi i UÇK-së, nuk do të dalë se fituam këtë apo atë të drejtë sepse shqiptarët atje mbeten të diskriminuar në përfaqësim, konkretisht në gjykata, administratë, shërbyesit civil nëpër ministri, polici, nëpër ndërmarrje të ndryshme, në përgjithësi shqiptarët mezi mbërrin në 10 për qind, ndërkohë në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë janë më shumë se çereku i popullsisë”, u shpreh ai.
Kurti tha se ajo çfarë duhet të zhvillohet tek shqiptarët në Maqedoni, është sofistikimi dhe afirmimi i kritikës. Qytetarët shqiptarë sipas tij, me mendje kritike duhet të kundërshtojnë dimensionin nacional shovinist të shtetit maqedonas, i cili po i shfrytëzon dhe po i shtyp shqiptarët.
Lideri i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ tha se nëse Greqia ka arsye që të mos ia njohë emrin shtetit të Maqedonisë, shqiptarët kanë dyfish apo trefish më shumë arsye që të mos ia pranojnë emrin Maqedonisë. Ai tha se shqiptarët duhet t’i bëjnë të qarta kompromiset që kanë bërë, dhe se në çdo kohë t’i tërheqin mbrapsht ato, gjithmonë përmes gjuhës së të drejtave politike civile dhe socio-ekonomike në rrafshin universal të konventave evropiane dhe ndërkombëtare.

Hoxhaj: Me çdo mjet kundër zgjedhjeve serbe në veri

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës përbën rrezik për stabilitetin jo vetëm në veri të Kosovës por në gjithë rajonin
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ansamed, Hoxhaj ka thënë se përpjekjet e Beogradit paraqesin një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe se Qeveria e Kosovës do të përdor të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për t’i ndaluar ato.
Nëse këto zgjedhje do të mbaheshin edhe në veriun e vendit, ministri Hoxhaj ka paralajmëruar pasoja të rënda - afatshkurtra por edhe afatgjata.
“Sjellja e Serbisë është anti-evropiane dhe paragjykon integrimin e serbëve që jetojnë në zonën veriore të vendit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për pritjet që brenda këtij viti të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se Kosova do të zbatojë ende ligje të rëndësishme në temën e integrimit të minoriteteve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe ligje për zhvillim ekonomik dhe social. 

Vazhdon gjykimi ndaj Limajt dhe tre të tjerëve, gjashtë lirohen

Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin për rastin “Kleçka”, sipas të cilit ndaj Fatmir Limajt dhe tre të tjerëve do të vazhdojë gjykimi, ndërkaq gjashtë të tjerë janë shpallur të pafajshëm.
Sipas Trupit Gjykues për shkak të përgjegjësive të tyre komanduese gjatë luftës duhet të shqyrtohen disa dyshime që kanë të bëjnë me veprimet e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës e Naser Krasniqit.
Mbrojtja ka kërkuar tërheqjen e aktakuzës për Limajn dhe të tjerët në mungesë të dëshmive.
Në seancë nuk ka qenë prokurori i EULEX-it, Maurizio Salustro.
Ndërkaq, nga të gjitha pikët e aktakuzës u liruan Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sahit Shala, Shaban Shala, Besim Shurdhaj dhe Arben Krasniqi.
Limaj dhe ish- pjesëtarë të UÇK-së akuzoheshin për krime lufte. 

Biznesi mbështet projektet energjetike

Komiteti i biznesit i ka dhënë mbështetje projekteve energjetike në vend, me theks të veçantë projekteve që sigurojnë furnizim të qëndrueshëm me energji, avancojnë shfrytëzimin e burimeve të ripërtrishme të energjisë dhe rrisin efiçiencën.
Kjo konkluzë doli nga takimi që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj zhvilloi sot me drejtues të bizneseve, ku morën pjesë edhe përfaqësues së Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Odës Ekonomike Turke në Kosovë, Odës Ekonomike Britanike në Kosovë dhe Odës Ekonomike Franceze në Kosovë dhe menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në këtë takim temë qendrore ishin projektet energjetike dhe problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, sa i përket sigurisë së furnizimit me energji me ç’rast KEK u zotua të ulë parapagimin për bizneset në 15 për qind.
Ministri Beqaj ritheksoi se Qeveria e Kosovës e ka prioritet themelor zhvillimin ekonomik dhe ka vu disa projeksione vitin e kaluar për dinamikën e zhvillimit dhe ndër to si çështje e rëndësishme konsiderohet çështja e energjisë.
Ndër prioritetet themelore në fushën e energjisë, Beqaj nënvizoi sigurinë e furnizimit me energji elektrike, si çështje kyçe për ekonominë e qytetarët dhe zhvillimin e projekteve energjetike në vend konform standardeve ndërkombëtare, respektivisht marrëveshjes së Traktatit të Komunitetit të Energjisë (TKE) dhe obligimet që ka marrë Republika e Kosovës.
Kreu i MZHE-së duke iu përgjigjur shqetësimeve të bizneseve, ka theksuar gatishmërinë e institucionit që drejton që në bashkëpunim me KEK-un të adresojë problemet e tyre me qëllim të gjetjes së një zgjidhje optimale.
Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari tha se Qeveria është e përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve energjetike, duke shtuar se pa një furnizim të mirëfilltë me energji asnjë veprimtari nuk mund të zhvillojë normalisht aktivitetin e saj.
“Prandaj unë dua të ju siguroj se është një përkushtim i Qeverisë që të ketë aktivitet në këtë fushë dhe jo vetëm në atë të energjisë, por edhe në atë të minierave në mënyrë që të tejkalohen sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova”, tha Kusari.
Nga ana e tyre në diskutimin që u zhvillua në kuadër të këtij takimi, përfaqësues të biznesit kanë ngritur çështjen e furnizimit të kategorisë (A+) ku hyjnë bizneset, parapagimin dhe dëmet që po u shkaktohen si pasojë e furnizimit të parregullt me energji.

BE-ja, përkrah sektorin e ushqimit

Kujdesi për cilësinë, higjienën dhe sigurinë e produkteve ushqimore është bërë tashmë kulturë e përditshme tek konsumatorët dhe përpjekjet që t’ju garantohen këto vlera ushqyese konsumatorëve janë shtuar viteve të fundit. Në përkrahje të kësaj sfere me rëndësi të veçantë në Kosovë, sot filloj zyrtarisht edhe projekti i binjakëzimit “Mbështetje e mëtutjeshme për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë”, i cili do të financohet prej BE-së me 1.5 milionë euro.
Angazhimi i faktorëve kompetentë për avancimin e pozitës së konsumatorëve dhe për ngritjen e standardit në ushqim, sipas ministrit Stavileci, i cili ishte prezent në hapjen zyrtare të këtij projekti, është jo vetëm shlyerje e një obligimi ligjor dhe institucional, por shlyerje edhe e një obligimi qytetërues dhe human. “Një sistem për menaxhimin e cilësisë së çertifikuar, tregon angazhimin e ndërmarrjes për sigurimin e cilësisë dhe për plotësimin e kërkesave të konsumatorëve. Ndërsa, një sistem i avancuar institucional i kontrollimit të cilësisë, që ne me përkrahjen e zyrës së BE-së në Kosovë po mundohemi ta arrijmë, duhet të nënkuptoj edhe përkushtimin e institucioneve që qytetarët tanë të konsumojnë produkte sa më të sigurta dhe sa më të shëndetshme”, theksoi Stavileci.
Ai tha se sivjet prioritet i Ministrisë së Bujqësisë është edhe reformimi dhe riorganizimi i instituteve që funksionojnë në kuadër të saj, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejt janë të lidhura me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Ndërsa, kryeshefi i kësaj agjencie, Valdet Gjinovci, tha se projektet e tilla e ndihmojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në përmbushjen e shumë kritereve që parashihen me standarde të Bashkimit Evropian. “Është e rëndësishme të theksohet ndërlidhja e këtij projekti me projektet tjera në fushën e bujqësisë dhe sigurisë së ushqimit, në veçanti me grantet investive në bujqësi dhe me zbatimin e standardeve të BE-së në industrinë ushqimore. AVUK-u do të jap maksimumin e vet që të përfitojë sa më shumë nga ky projekt, me theks të veçantë në zbatimin e ligjit të ushqimit, si dhe do të ofrojmë të gjitha kapacitetet në përmbushjen e suksesshme të rezultateve të parapara në planin e punës. Shpresojmë se me implementimin e këtij projekti ne do të mundemi t’i përmbushim këto kritere dhe të jemi në gjendje që t’i përgjigjemi kushteve të cilat BE-ja i kërkon”, ka thënë Gjinovci.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në këtë takim, Artan Osmani, tha se progresi i arritur me projektin e parë të binjakëzimit që është realizuar në sektorin e ushqimit dhe veterinarisë, ka nxitur Bashkimin Evropian të vazhdojë me projekte të reja. “Bashkimi Evropian së bashku me Qeverinë e Kosovës janë duke bërë përpjekje jo veç për shtimin e sasisë së prodhimit, por edhe për mbështetjen e sektorëve të ndryshëm të industrisë dhe mbështetjen e kërkesave të cilësisë dhe higjienës, të nevojshme dhe në përputhje me standardet e BE-së”, tha Osmani, duke shtuar se, BE-ja ka kërkesa të vështira dhe të rrepta për sigurinë e ushqimit dhe përderisa Kosova synon të integrohet dhe të bëhet pjesë e tregut të saj, duhet t’i përmbush këto kërkesa, që prodhimet e Kosovës të jenë të pranueshme për t’u eksportuar në vendet e BE-së.
Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 24 muaj, ndërsa komponentët që do të implementohen përgjatë kësaj kohe kanë të bëjnë me kompletimin e kornizës ligjore për sigurinë ushqimore, çështjet veterinare dhe fitosanitare, me udhëzuesit operacional për procedurat standarde dhe trajnimet për sistemet e HACCP-it, me vlerësimin e përgjithshëm të fermave dhe njësive të biznesit dhe me fushata të ndryshme informative. 

Pavarësisht reduktimeve eksportuam rrymë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) gjegjësisht Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare publikoi të premten publikimin Bilanci i Energjisë TM4 2011. Prodhimi dhe konsumi i thëngjillit për tremujorin e katërt të viti 2011, në Kosovë janë prodhuar rreth 2.2 milionë tonë thëngjill.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2011 kemi rritje të sasisë së prodhuar të thëngjillit për 8.0 për qind. Rritje të sasisë së prodhuar të thëngjillit ka pasur edhe në raport me tremujorin e katërt të vitit 2010, për 3 për qind. Në tremujorin e katërt të vitit 2011 është konsumuar rreth 2.1 miliona ton thëngjill apo 5.9 për qind më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2011. Në raport me tremujorin e katërt të vitit 2010 kemi ulje të sasisë së konsumuar të thëngjillit për 10.5 për qind.
Në tremujorin e katërt të vitit 2011 Kosova ka prodhuar 1.371,9 GW energji elektrike, 98,9 për qind është prodhuar në TC, dhe 1,1 për qind në HC. Në raport me tremujorin e tretë të vitit 2011 ka ulje të sasisë së prodhuar për 0.6 për qind, ulje të sasisë së prodhuar të energjisë elektrike për 10.8 për qind kemi edhe në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar (TM4 2010).
Në Kosovë janë Importuar 373.9 GWh Energji elektrike, dhe janë eksportuar 6.6 GWh energji elektrike.
Kurse Kosova ka konsumuar 968.1 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e kaluar, sasia e konsumuar e energjisë elektrike është rrit 12.9 për qind, kurse në raport me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM 4 2010) rritja është rreth 4.1 për qind.
Faturimi në euro për tremujorin e katërt të vitit 2011. Në tremujorin e katërt të vitit 2011 ne Kosovë janë faturuar 61.70 milion euro apo 49.75 për qind më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2011, dhe 14.14 për qind më shumë se të njëjtën periudhë të vitit 2010 (TM 4). 

Punëtorët, një javë ultimatum Grandit

Deri më 5 prill ka kohë pronari i hotelit “Grand”, Zelqif Berisha, t’i paguajë pagat për nëntë muajt e kaluar, 104 punëtoreve të tij, në të kundërtën ata do ndërpresin punën e tyre dhe do marrin masa ligjore siç u takon me ligj. Përveç pagave, ata thonë që pesë vite që është privatizuar hoteli, nuk u janë paguar kontributet pensionale.
Këto i ka bërë të ditura kryetari i Shoqatës Sindikale të Pavarur “Grand Hotel Prishtina”, Mustafë Ahmeti. Shuma që Berisha u detyrohet punëtorëve, llogaritet të jetë rreth 250 mijë euro. “Në ditën e enjte data 5 prill, deri në atë ditë është afat për përmbushjen e obligimeve të pagave të punëtorëve, dhe ardhjen në një marrëveshje me përfaqësuesit e sindikatës për pagimin e obligimeve të tjera pensionale. Por, nëse nuk do të përmbushen deri të premten, do ulemi dhe të vendosim dhe do u japim shpjegim për masat e mëtutjeshme që do t’i marrim”, ka thënë ai.
Ata bëjnë të ditur se përveç disa sallave, një shërbimi tepër të vogël me pije dhe me disa mysafirë që janë vetëm njëshifror, asgjë tjetër nuk ofron ky hotel aktualisht.
Madje Ahmeti pohon që edhe pse kanë ftuar pronarin Zelqif Berisha në takimin që kanë pasur para se të japin këtë ultimatum, ai nuk ka dashur të marrë pjesë. “Në kemi pas kontakt dje me pronarin dhe e kemi ftuar që të merr pjesë në mbledhjen e sindikatës që e kemi mbajtur sot në orën 10 e 30 minuta, mirëpo nuk na është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë ai, raporton Kosvapress.
Ahmeti pohon se kjo që po bëjnë tani, vjen si presioni sindikal i grumbullimit të pagave, madje sipas tij, nuk kanë guxuar më herët të themelojnë sindikatë sepse 18 persona vetëm u patën larguar nga puna sapo patën themeluar një të tillë.
Kjo sindikatë që tashmë është zyrtare dhe e vetmja që përfaqëson punëtorët e hotelit “Grand”, është themeluar para një muaji.
Ndryshe të mërkurën në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), hotelit “Grand” i është shtyrë ekzekutimi i vendimit për tërheqje të aksioneve edhe për një muaj, kur do mbahet mbledhja e ardhshme e Bordit.

MTI: Prodhimet me "UNMIK/Kosovë", do të konfiskohen

Autoritetet kompetente dhe përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, raportojnë se kompani serbe që importojnë disa produkte në Kosovë, në dokumentet komerciale dhe në ambalazhin e atyre produkteve shënimi për vendin e destinacionit dhe përfaqësimit bëhet me UNMIK/Kosovë.
Naim Hurunglica, drejtor në Doganat e Kosovës, tregon se në dokumentet zyrtare respektohet marrëveshja për Vulat Doganore që është arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, në shtator të vitit të kaluar në Bruksel.
Ndërsa, në dokumentet e ashtuquajtura komerciale dhe në ambalazhet e produkteve, Huruglica thotë se Dogana e Kosovës ka vërejtur që disa kompani importuese serbe, vendosnin mbishkrimin UNMIK/Kosovë.
“Nuk kemi të bëjmë me institucionet e Serbisë apo të Kosovës në zbatimin e marrëveshjes, por kemi të bëjmë me raportet në mes të firmës eksportuese, e cila në dokumentet e veta që i lëshon për nevojat e kompanisë importuese të Kosovës, në disa raste ka përdorur akronimin UNMIK/Kosovë”, bëri të ditur Huruglica.
Sido që të jetë, përfaqësues të subjekteve ekonomike në vend vlerësojnë se importi i produkteve, të cilat përmbajnë këtë mbishkrim, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se kompanitë serbe kanë gjetur partnerë të mjaftueshëm kosovarë për të pranuar produkte të tilla. Në tregun vendor, sipas Shahinit, tashmë ekzistojnë disa produkte ushqimore, medicinale, por edhe prodhime që përdoren për veshmbathje me mbishkrimin “UNMIK/Kosovë”. “Bizneset e Kosovës duhet të vetëdijesohen që të mos përkulen para partnerëve, nga cilido shtet që janë, që për përfitime personale, t’ia humbin vlerën dhe emërtimin shtetit të Kosovës”, thekson Shahini.
Për këtë çështje, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Me anë të një komunikate për media, Oda Ekonomike e Kosovës apelon te të gjithë përfaqësuesit kosovarë të kompanive serbe që importojnë produkte nga Serbia, të mos pranojnë veprime të tilla të kundërligjshme. “Praktika të tilla janë kundër interesave të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe kundër promovimit të vlerave të shtetësisë kosovare në këto momente mjaft sfiduese, me të cilat po ballafaqohet vendi ynë”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Në dyqane në Kosovë, ekzistojnë prodhime të ndryshme të Serbisë, që në paketimet e tyre është i vendosur akronimi UNMIK/Kosovë.
Një ndër prodhimet është lloji i biskotave Plazma, prodhuar në Serbi. Distributor ekskluziv për, siç shkruhet në ambalazh “UNMIK/Kosovë, është “Elkos-Group” Pejë, ndërsa për produktin tjetër ushqimor, të quajtur Smoki, distributor për UNMIK/Kosovë, është “Buçaj SHPK”, Prishtinë.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Ramiz Kelmendi, pronar i ndërmarrjes “ELKOS ” tha se nuk ka njohuri se në paketimet e produkteve të importuara nga kompania e tij, figuron mbishkrimi UNMIK/Kosovë. “Nuk e besoj se ekziston ajo punë - nuk e di, nuk kam njohuri”, thotë Kelmendi.
Lidhur me përdorimin e këtij mbishkrimi në ambalazhet e produkteve të importuara serbe është e njoftuar edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, këtë çështje e quan provokim të panevojshëm nga ana e kompanive serbe. Ajo thotë se importi i produkteve më mbishkrimin UNMIK/Kosovë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me mekanizmat ligjorë në vend.
Për këtë çështje, thotë ajo, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tashmë ka dërguar një letër te të gjitha subjektet ekonomike në vend, në mënyrë që t’i paralajmërojnë kompanitë anëtare të tyre, që veprimet e tilla janë të kundërligjshme.
Në anën tjetër Kusari- Lila, thekson se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i parandaluar këto praktika të importit.
Në javën e dytë të muajit prill, inspektorati i tregut në rast se gjen produkte të tilla me mbishkrimin Kosovo/UNMIK, në dyqanet me pakicë dhe shumicë, do t'i konfiskojë.
“Ne i kemi dhënë afat që deri në muajin prill të ndryshohet ky mbishkrim. Në javën e dytë të muajit prill, inspektorati i tregut në rast se gjen produkte të tilla me mbishkrimin Kosovo/UNMIK, në dyqanet me pakicë dhe shumicë, do të konfiskohen”.
“Kjo për arsye se mbishkrimi i tillë është në kundërshtim edhe me Udhëzimin dhe Ligjin për Paketim dhe Etiketim, por gjithashtu edhe në kuadër të subjektivitetit kjo është një çështje që po ngre një provokim që nuk është i nevojshëm”, theksoi Kusari-Lila.
Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, ka vendosur masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që janë ndërprerë më 16 shtator, pasi që Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në Bruksel për tregtinë e lirë dhe njohjen reciproke të vulave doganore.

Nafta në veri 0.99 euro për litër

Çmimet e naftës në Kosovë nuk kanë të ndalur ato për çdo ditë janë duke u shtrenjtuar. Aktualisht një litër naftë shitet për 1.30 deri 1.36 euro. Ky çmimi është i shtrenjtë sipas qytetarëve të cilën dyshojnë edhe për cilësinë e naftës që shitet tek ne.
Por një konkurrencë të madhe pompave të cilat shesin naftë dhe derivate të saj sidomos për komunat Vushtrri, Mitrovicës dhe Skenderaj janë duke i bërë pompat e naftës të cilat shesin naftë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Taksistë të cilët punojnë në këtë anë i kanë thënë Lajmenews në kushte anonimiteti se ata janë të detyruar të blejnë naftë në veri për shkak se çmimi atje është shumë më i lirë se në pjesë të tjera të Kosovës.
Aktualisht në veri të Mitrovicës një litër naftë sitet me 0.99 euro për deri sa këndej shkon deri në 1.36 euro për litër. 

Guardiola: Bilbao nuk vjen i lodhur

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka hedhur poshtë zërat se Athletic Bilbao do të jetë i lodhur pas ndeshjes të zhvilluar të enjtën, për sfidën që zhvillohet në Camp Nou të shtunën mbrëma.
“Koha është ajo që është. Më mirë të kesh tri-katër ditë pushim, por ekipet që duan të arrijnë në finale të kompeticioneve duhet të luajnë shumë ndeshje dhe kjo është situata në këtë rast”.
“Sigurisht, nuk mendoj se se ata do të jenë të lodhur, por shpresoj që të luajmë mirë. Jam në dijeni se Bielsa është mjeshtër taktik dhe duhet të jemi të kujdesshëm për formacionin”, ka thënë Guardiola.

Marcelo: Vështirë të fitosh në Pamplona

Real Madridi i shkon të shtunën mbrëma Osasunës në stadiumin e nxehtë në Pamplona, teksa tashmë ka filluar të ndihet presioni mbi lojtarët e Real Madridit, me mbrojtësin Marcelo i cili ka deklaruar se nuk do të jetë aspak e lehtë për Los Blancos që të fitojnë në atë terren të vështirë.
“Është gjithmonë e komplikuar të fitosh në Pamplona. Ne kemi respekt për Osasunën, por duhet të luajmë lojën tonë dhe të fitojmë”.
“Do të jetë e vështirë sepse është vend i vështirë, por ne do të japim gjithçka për t’i marrë tri pikët. Ronaldo ka bërë histori me Realin. Ai ka shënuar 35 gola në La Liga këtë sezon dhe kanë mbetur edhe nëntë ndeshje në kampionat. Shpresoj që ai të shënojë më shumë dhe të na ndihmojë të fitojmë titullin”, është shprehur Marcelo.

Aguero nuk luan ndaj Sunderlandit

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka konfirmuar se sulmuesi Sergio Aguero, nuk do të luajë në sfidën e rëndësishme ndaj Sunderlandit, për shkak të një dëmtimi të pa pritur.
Aguero është dëmtuar në ndeshjen ndaj Stoke Cityt të shtunën e kaluar dhe Mancini ndihet i nervozuar për natyrën e lëndimit.
“Është një lëndim palidhje. Nuk ishte gabimi i tij, por ai nuk mund të luajë me këtë lëndim, për një ditë, dhjetë ditë, apo dy javë. Nuk e di. Shpresoj që ai mund të kthehet për ndeshjen ndaj Arsenalit fundjavën e ardhshme”, ka deklaruar Mancini.
Manchester City ka tri pikë më pak se sa Manchester United që është lider, tetë javë pa përfunduar sezoni në Ligën Premier. 

Mourinho: Gjithmonë kritikohemi

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se ai ka vendosur që të mos flasë për mediat pas ndeshjes ndaj Villarrealit për shkak të kritikave të vazhdueshme në rast të deklaratave, por u shpreh i befasuar për përsëritjen e kritikave, tani për heshtjen mediatike.
Real Madridi ishte viktimë e referimit skandaloz në ndeshjen ndaj Villarrealit ku u shpërndanë disa kartonë të kuq, teksa të pakënaqur me referimin, Los Blancos vendosën të bojkotojnë mediat. Kjo ka hasur në kritika të ashpra, e për arsyen e bojkotit më në fund është shprehur Mourinho.
“Heshtja ishte një vendim i përbashkët me klubin. Ne vendosëm të mos flasim para mediave për arsye se çdo herë kritikohemi. Në ndeshjen kthyese kundër Barcelonës në Copa del Rey në Camp Nou, gjyqtari i takimit na dëmtoi shumë dhe ne kemi folur para mediave, ndërsa përsëri u kritikuam ashpër. Në ndeshjen ndaj Villarrealit u dëmtuam po ashtu nga gjyqtari dhe vendosëm të mos flisnim para mediave dhe çuditërisht përsëri u kritikuam. E tillë është kjo botë, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Kjo ishte arsyeja përse vendosëm të mos flisnim”, ka deklaruar Mourinho. 

Chelsea në bisedime për Hulk dhe Cavanin

Chelsea besohet se ka hapur bisedimet për dy transferet që synohen të realizohen gjatë verës, ato të dy sulmuesve super në formë, Edinson Cavani dhe Hulk.
Guardian raporton se ish-menaxheri Andres Villas Boas kishte aranzhuar bisedimet për Edinson Cavanin si zëvëndësues të Drogbas, dhe këtë po e ndjek edhe Roberto Di Matteo, i cili është tejet i interesuar për uruguaianin.
Nga ana tjetër, Hulk është po ashtu temë e nxehtë në Stamford Bridge, me një ofertë të jashtëzakonshme të cilën është duke e menduar Abramovich për të, e cila pritet të thyejë çdo rekord. 

City, 500 mijë në javë Ronaldos?

Manchester City është i gatshëm që t’ia bëjë një ofertë sensacionale superyllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo, vetëm e vetëm që ai të luajë për klubin e sheikëve sezonin e ardhshëm.
City sipas Goal do t’ia ofrojë një pagë prej 500 mijë funtesh në javë Ronaldos, vetëm që të bindet për të nënshkruar me klubin nga Liga Premier.
Besohet se ka ekzistuar kontakt javëve të fundit mes agjentit të Ronaldos dhe zyrtarëve të Cityt, të cilët kanë biseduar për detajet kontraktuale.
“Shenjat nga kampi i Ronaldos janë befasisht më pozitive. Kontakti ka ekzistuar për disa javë dhe ka seriozitet në Ettihad Stadium, njëjtë sikurse kur City e kërkoi Kakan nga Milani disa vite më parë”, është shprehur një burim i Goal.
Problem nuk do të jetë për Manchester Cityn as shuma të cilën mund ta kërkojë Real Madridi, e që sigurisht mund të kalojë shumën prej 100 milionë eurosh. 

Robson: Mourinho zëvëndësues i Ferguson

Legjenda e Manchester United, Bryan Robson, do të ishte i lumtur po që se do ta shihte trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, në pankinën e Sir Alex Ferguson, kur ky i fundit të pensionohet.
“Sa jam në dijeni dhe nga çfarë kam lexuar nëpër gazeta për Manchester Unitedin, ata nuk e kanë shqyrtuar fare çështjen se kush do të jetë zëvëndësues i Sir Alex Ferguson”.
“Si do ta zëvëndësojnë Sir Alex Fergusonin? Është pothuajse e pamundur kjo. Por, ata duhet ta bëjnë këtë dhe Mourinho është njeriu ideal për këtë. Vet statistikat e tij flasin më shumë”, është shprehur Robson. 

Pirlo e kërkon Nestan te Juventusi

Mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, besohet se është duke tentuar që të bindë ish-bashkëlojtarin e tij te Milani, Alessandro Nesta, që t’i bashkohet atij te Zonja e Vjetër.
Nestës i skadon kontrata në fund të sezonit dhe ish-reprezentuesi italian, i cili ishte prekur nga problemet me lëndimet në vitet e fundit, thuhet se është duke e shqyrtuar të ardhmen e tij.
Il Corriere dello Sport shkruan se mbrojtësi legjendar tani është kontaktuar nga Pirlo, në tentim për ta bindur që të kalojë te Juventusi si transfer i lirë në fund të sezonit, një hipotezë mjaft reale kjo duke marrë parasysh hezitimin e zyrtarëve të Milanit për t’ia rinovuar kontratën.

Chiellini: Nuk kam pasur oferta nga Reali ose City

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka zbuluar se ai kurrë nuk ka marrë një ofertë konkrete nga Manchester City dhe Real Madridi.
Italiani është lidhur me një transferim te lideri i La Ligës dhe skuadra e Ligës Premier në të kaluarën, por Chiellini ka thënë se ai kurrë nuk ka qenë afër të largohet nga Bianconerët.
“Real Madridi ose Manchester City? Është e qartë se kur je futbollist emri juaj do të përmendoret për një tregim transferues çdo gjashtë muaj. Megjithatë, unë kurrë nuk kam pranuar ndonjë ofertë konkrete”, ka thënë italiani.

Shqiptarët e Luginës s’i pyet askush

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skender Destani, ka thënë se deklarata e fundit e ministrit të Brendshëm serb Ivica Dacic - se për arrestimin e serbëve do të marrë masa reciproke për “arrestimin e shqiptarëve që kërcënojnë rendin juridik të Serbisë" - ndikon negativisht në gjithë rajonin.
Destani ka thënë për mediat e Beogradit se deklarata e Dacicit ka shqetësuar të gjithë shqiptarët në Preshevë dhe në Bujanoc.
I pyetur nëse arrestimet e fundit të serbëve në Kosovë dhe shpallja e masave të ndërsjella mund të ndikojë negativisht në marrëveshjet e arritura në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Destani thotë se pa asnjë komplikim të ri këto marrëveshje janë kundër interesave të shqiptarëve nga Lugina.
"Është vetëm një pjesë e marrëveshjes nga e cila do të përfitojnë shqiptarët që jetojnë në Preshevë dhe Bujanoc, e kjo ka të bëj me njohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës. Çdo gjë tjetër është kundër interesave të shqiptarëve, sidomos tarifat për hyrje në Kosovë. Por, për këtë askush nuk na ka pyetu, as Beogradi e as Prishtina”, ka thënë Destani, për të cilin këto tarifa pothuajse i kanë izoluar shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“E njëjta vlen edhe për bizneset të cilat më herët ishin të drejtuara në tregun e Kosovës, e tash nuk mund të shkojnë përtej Vranjës”, thekson Destani.

Naim Ferati kandidat i AAK-së për kryetar të Ferizajt

Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që Naim Ferati të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës së Ferizajt.
Në një konferencë për media, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala theksoi se “...Naim Ferati duke qenë kandidat për kryetar të Ferizajt ka nderuar AAK-në dhe padyshim ofron një alternativë shumë e fuqishme për një qeverisje të mirë në Ferizaj”.
Më tej ai tha se Ferati si kryetar i ardhshëm i Ferizajt do të bashkëqeverisë me qytetarin dhe vetëm për interesin e qytetarit.
Ndërkaq, në fjalën e tij para Këshillit Drejtues, Ferati falënderoi Këshillin Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për besimin e tyre dhe njëherësh shprehu kënaqësinë e tij që iu ka bashkangjitur partisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Ai tha se do të jetë plotësisht i përkushtuar që të shërbej vetëm për zhvillimin dhe avancimin e komunës së Ferizajt, duke pasur në qendër të vëmendjes qytetarin.
Po ashtu u tha se në ditën në vijim, kandidati për kryetar të Ferizajt do të konsultohet me qytetarët e Ferizajt dhe me ekspertët vendor për të përpiluar një program që do të jetë udhërrëfyes për zhvillim e komunës.
Në këtë konferencë Ferati poashtu e bëri publik edhe njëherë kalimin e tij nga AKR-ja në AAK. 

Dell: Të gjitha partitë politike, të korruptuara

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell ka shfrytëzuar ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të suksesshëm të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë për të mbajtur një fjalim 20 minutësh dhe goxha të ashpër për çështjen e korrupsionit në vend. Ai qysh në fillim të fjalimit të tij tha se kësaj radhe ka vendosur të flas seriozisht për këtë çështje.
Dell ka akuzuar spektrin politik në vend se nuk po bëjnë asgjë për ta luftuar këtë dukuri, madje sipas tij disa nga ata edhe po e fshehin korrupsionin për të thënë se edhe janë vetë pjesëmarrës në këtë çështje duke punësuar familjarët e tyre dhe duke dhënë tenderë për interesa personale.
“Qëndrimi ndaj korrupsionit duhet të ndryshojë. Nuk mund të qëndrojë botëkuptimi se ‘Është korrupsion vetëm kur e bën dikush tjetër’. Të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri tjetri duke thënë se ata janë të korruptuarit. Por, disa prej tyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve të tyre ndonjë vend të mirë pune në Qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të leverdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre. Më lejoni të jem i qartë nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim”, ka thënë Dell, transmeton Indeksonline.
Sipas tij, asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte që të investojë në një vend që, sipas tij, korrupsioni po bën kërdi. Ai nuk la pa akuzuar edhe mediat duket thënë se shpesh ka praktika kur gazetarët marrin para për të shkruar një artikull të caktuar.
“Të gjithë kemi dëgjuar për raste kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj të cilët promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në ndjekje të agjendave të tyre private. Për më tepër gazetat dhe mediat tjera shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale dhe përdorin mjetet e tyre të shtypit për ta shpërndarë çfarëdo ngjarje sensacionale që do të çojë përpara kauzën e tyre dhe jot ë vërtetën. Përveç kësaj dëgjojmë shpesh që ndërmarrjet mediatike në Kosovë kanë shmangur pagesën e tatimeve”, ka thënë Dell.
Ndërkaq, edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, mbajti një fjalim para të pranishmëve në këtë ceremoni diplomimi.
Jahjaga tha se vlerëson lart dhe çmon aspiratat dhe përkushtimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’i shërbyer vendit, sundimit të rendit dhe ligjit.
“Kjo ngjarje ёshtё e rёndёsishme pёr arritjet tuaja, por edhe pёr vendin pasi konsolidimi i kapaciteteve profesionale tё gjyqёsorit dhe prokurorisё ёshtё njё nga elementet kyçe pёr njё shtet tё sё drejtёs”, ka thënë Jahjaga, duke shtuar se vetёm njё gjyqёsor i paanshëm, i pakorruptuar dhe i pandikuar, “do tё sigurojё fuqizimin e njё shteti funksional dhe demokratik qё ёshtё nё shёrbim tё nevojave dhe mbrojtjes sё qytetarёve tё tij”.
Ajo tha se Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm pёr tё përmbushur, siç tha ajo, “ёndrrёn tonё tё integrimit nё Bashkimin Evropian”. 

E shtuna ditë mësimi

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, dita e nesërme do të jetë ditë mësimi.
Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës dhe pas kontakteve me Drejtoritë Komunale të Arsimit, Ministria e Arsimit kishte marrë vendimin që të ndërpritet mësimi në tërë territorin e Kosovës më 26-27 janar 2012, më 6-10 shkurt, për ta vazhduar pastaj edhe më 13-16 shkurt.
Meqë janë humbur 11 ditë mësimi, MASHT-i ka marrë vendim për kompensimin e këtyre ditëve të humbura të mësimit si në vijim:
1. Përfundimi i vitit mësimor shtyhet edhe për 5 ditë pune në vitin shkollor 2011/2012.
- Më 18 maj 2012, klasat 12-13 (maturantë)
- Më 8 qershor 2012, klasat 9-12 (jomaturantë)
- Më 22 qershor 2012, klasat 1-8 dhe fëmijët parafillorë
2. Propozimi për kompensimin e ditëve të humbura të mësimit do të organizohet si në vijim:
Gjatë ditëve të parapara të pushimit pranveror, sipas kalendarit të vitit shkollor 2011/2012 - prej datës 10-13 prill - me katër ditë mësimi do të punohet për të kompensuar ditët e humbura dhe kjo vlen për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Përveç kësaj, duhet të punohet edhe 2 të shtuna.
Për klasat 12 dhe 13 (maturantët), për klasat 9-12 (jomaturantët dhe 1-8, duke mos i përfshirë klasat parafillore):
- Në muajin mars punohet më 31.3.2012 (e shtunë).
- Në muajin prill punohet më 28.4.2012 (e shtunë).
- Komunat, të cilat kanë më shumë ditë të humbura të mësimit, duhet të planifikojnë kompensimin e mësimit edhe ditë të tjera. 

Serbia nuk ia dërgoi Cooperit Marrëveshjen për kufijtë

Serbia ka injoruar zyrtarët e Brukselit, duke mos ia dërguar Marrëveshjen e nënshkruar për menaxhimin e integruar të kufijve ndërmjetësit evropian Robert Cooper.
“Sot dëgjova se Serbia ende nuk i ka dërguar ndërmjetësit evropian Robet Cooper, Marrëveshjen e nënshkruar për menaxhimin e integruar të kufijve, marrëveshje e arritur më 24 shkurt gjatë dialogut me Prishtinën. Kjo marrëveshje ka qenë një nga arsyet kryesore përse Serbia mori statusin e kandidatit më 1 mars”, tha raportuesi për Serbinë Jelko Kacin.
Ai kujtoi se Prishtina ka dërguar versionin zyrtar të marrëveshjes së nënshkruar, dhe ftoi Beogradin që ta dorëzojë dokumentin.
“Marrëveshja për menaxhimin integruar të kufijve është me rëndësi të madhe dhe Beogradi patjetër duhet të veprojë. Ftoj Qeverinë e Serbisë që ta dorëzojë këtë dokument dhe kështu të mbajë kredibilitetin dhe të tregojë përcaktimin ndaj implementimit të marrëveshjes”, është shprehur raportuesi për Serbinë, Jelko Kacin, dje në Parlamentin Evropian.

Degert: BE nuk e ka shpikur problemin e Kosovës

Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, ka thënë sot se çështja kryesore në rrugën evropiane të Serbisë është dialogu me Prishtinën.
Në konferencën për pasojat politike dhe ekonomike të vendimit që Serbisë t’i ndahet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, ai shton se vetëm përmes dialogut mund të gjenden zgjedhjet.
BE-ja, siç thotë ai, nuk mund ta injorojë “problemin e Kosovës”, që ta “ngrijë” atë dhe të thotë se nuk ekziston.
"Problemi i Kosovës ka ekzistuar edhe më parë në histori dhe nuk u shpik nga BE. Ne kemi nevojë për ta filluar një proces që do të çojë deri te një zgjidhje", ka thënë ai, duke shtuar se pret që Serbia ta zgjidhë këtë çështje para anëtarësimit të saj në BE. 

BE: Arrestimet, pasoja negative për dialogun

Arrestimet e qytetarëve kosovarë në Serbi, por edhe të atyre serbë në Kosovë, kanë nxitur reagimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Sipas zyrtarëve evropian zhvillimet e tilla mund të kenë pasoja negative për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Zemërimi më i madh i tyre, megjithatë, thuhet të jetë me autoritetet e Serbisë, për sjelljen e të cilave dyshojnë se ka të bëjë me fushatën zgjedhore në shtetin serb.
Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’u përmbahen obligimeve që kanë marrë në dialog, transmeton Rel.
“Marrëveshjet duhet të zbatohen. U bëjmë ftesë të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi. Mendojmë se problemet politike duhet të zgjidhen me dialog dhe negociata dhe jo me përdorim selektiv të ligjit”, ka thënë Cooper.
Policia e Kosovës, të martën në mbrëmje, ka arrestuar katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e tyre kryetarin ilegal të Vitisë, pasi në automjetin e tyre është gjetur material zgjedhor i Serbisë.
Ndalimet kanë pasuar arrestimin e dy shtetasve kosovarë nga ana e autoriteteve serbe te Dheu i Bardhë, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestimet e, siç thuhet, Gjykatës së Qarkut në Gjilan dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd. 

Nëse mbahen zgjedhjet në Kosovë rrezikohet dialogu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerësoi të premten se nëse lejohen të mbahen zgjedhjet serbe në veriun e Kosovës atëherë do të dëmtohet dialogu, duke rrezikuar edhe dështimin e plotë të tij.
Në prezantimin e një analize lidhur me zgjedhjet lokale të Serbisë në veri, GSJP thekson se mbajtja ose jo e zgjedhjeve serbe në veriun e Kosovës përbëjnë testin për suksesin ose dështimin e politikës së zgjerimit të BE-së përballë Serbisë.
Sipas tyre, mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në veri, gjithashtu, do të mundësoj që veriu i Kosovës të shndërrohet në pjesë të agjendës së dialogut.
Po ashtu theksojnë se është e dukshme që për BE-në, nëse jo në mënyrë eksplicite, është më i rëndësishëm ruajtja e qeverisë pro-evropiane në Beograd, sesa status quo-ja në veri të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka dështuar që të shfrytëzonte dialogun për të detyruar Serbinë, përmes presionit të BE-së, që të mos organizonte zgjedhjet lokale në Kosovë. Qeverisë së Kosovës vazhdon t’i mungoj një sjellje më racionale, afatgjate dhe praktike në rikthimin gradual të autoritetit në veriun e Kosovës”, shprehet ndër të tjera Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Lunacek: Dialogu politik për veriun, i nevojshëm

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek e cila po qëndron për një vizitë në Prishtinë ka vlerësuar se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Prishtinën, në të kundërtën nuk do ta marrë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.
Lunacek në një takim me gazetarët në Prishtinë tha se e sheh si të nevojshme nisjen e një dialogu politik për veriun e Kosovës, por pas formimit të qeverisë së re në Serbi, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 6 majit atje.
Sipas saj opsioni më i mirë do të ishte që ky dialog të zhvillohet ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve lokalë të veriut të Kosovës, por në rast të nevojës, të përfshihet edhe Beogradi zyrtar.
Ndërmjetësimin e këtij dialogu, sipas eurodeputetes, do ta bënte Bashkimi Evropian, i cili aktualisht po ndërmjetëson edhe në dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë.
Lunacek është në Prishtinë pas miratimit të një rezolute në Parlamentin Evropian mbi Kosovën, në të cilën pos tjerash u bëhet thirrje pesë vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Rezoluta po ashtu i bën ftesë komitetit Olimpik Ndërkombëtar që të mundësojë pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në Lojërat Olimpike në Londër këtë vit.
Mirëpo, Rezoluta ka edhe detyra për autoritetet e Kosovës, në marrjen e masave ndaj përgjegjësve për mashtrimet në procesin zgjedhor dhe në shtimin e përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pesë ditë fushatë për zgjedhjet në Ferizaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kujdeset që organizimi i zgjedhjeve lokale në Ferizaj në kuptimin teknik të tyre të bëhet në përputhje me Ligjin për zgjedhjet lokale, por përgjegjësia në rast të manipulimit të tyre, sipas këtij institucioni, u takon partive politike.
Kështu ka njoftuar udhëheqësja e këtij institucioni, Valdete Daka.
“Ne si KQZ do të bëjmë gjithë ç‘është e mundur që teknikisht t’i organizojmë zgjedhjet ashtu siç parashihet me Ligjin mbi zgjedhjet lokale në fuqi. Por natyrisht që subjektet politike kanë përgjegjësinë e tyre lidhur me ditën e zgjedhjeve dhe ne si KQZ do të kujdesemi vetëm nga ana teknike e zgjedhjeve”, është shprehur Daka, raporton Koha. Sipas Dakës, periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike do të fillojë më datën 3 prill për të përfunduar në orën 24, ndërsa periudha e fushatës zgjedhore do të jetë pesë ditë, do të fillojë nga 23 prilli dhe do të zgjasë deri më 27 prill.
Daka gjithashtu ka njoftuar se afati për aplikim për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve do të jetë dhjetë ditë para ditës së zgjedhjeve, të cilat do të organizohen me Ligjin aktual të zgjedhjeve lokale, i cili gjithashtu do të preket nga ndryshimet që i janë bërë Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Opozita sërish e bojkoton seancën e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur t’i vazhdoj punimet e seancës plenare, për shkak të mungesës së kuorumit.
Tri partitë më të mëdha opozitare edhe sot bojkotuan seancën për shkak të mënyrës së votimit të ligjit të RTK-së dhe ligjit për bankat.
Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka theksuar se këto procedura nuk janë shkelur, raporton Kosovapress.
“Opozita është dashur ta arsyetoj daljen nga salla dhe jo të thirret në procedura, sepse asnjë procedurë nuk është shkelur”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka paralajmëruar një mbledhje të re të Kryesisë së Kuvendit për të hënën, e cila do të vendosË për mbajtjen e seancës së ardhshme parlamentare.

Canak i druhet konflikteve në Kosovë

Kryetari i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Canak, ka thënë se koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike (DS) të Boris Tadicit mund t’i humb zgjedhjeve vetëm nëse ndizen vatrat e luftës, në veçanti Kosova!
"Vetëm në këtë histeri është e mundur që një koalicion i udhëhequr nga Partia Demokratike t’i humb zgjedhjet", ka deklaruar Canak për të përjavshmen "Novine novosadske ".
Ai tha se konflikti në Kosovë mund të prodhohet me paramendim, gjë që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për Serbinë.
"Nëse nuk ka prodhim të qëllimshëm i konflikteve në Kosovë, unë mendoj se është mjaft e mundshme që një grup i partive të mbledhura rreth DS-t t’i fitoj zgjedhjet në nivel kombëtar", tha Canak, i cili në zgjedhje merr pjesë në koalicion me DS-në. 

UEFA suspendon Wengerin për tre ndeshje

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është ndëshkuar me rreth 30 mijë euro dhe është suspenduar për tre ndeshje nga UEFA për shkak të sjelljeve të tij në fitoren 3-0 ndaj Milanit në Ligën e Kampionëve.
Skuadra e tij kishte nevojë për një fitore 4-0 për të çuar ndeshjen në kohë shtesë, por nuk ishte e aftë të shënojë golin e katërt vendimtare, pavarësisht se shënoi tre gola në pjesën e parë.
“Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është suspenduar për të ushtruar funksionin e tij për tre ndeshje në garat e UEFA-së nga Trupa Kontrolluese dhe Disiplinare e UEFA. Wenger po ashtu është ndëshkuar me 40 mijë euro.”, shkruhet në faqen e UEFA-së.
Francezi ishte suspenduar për dy ndeshje nga UEFA edhe më herët gjatë këtij sezoni, pasi Topçinjtë u kualifikuan për në fazën grupore duke eliminuar Udinesen.

Marchisio: Mund ta fitojmë titullin

Mbrojtësi i Juventusit, Claudio Marchisio, beson se Zonja e Vjetër mund ta fitojë titullin e Serie A këtë sezon, dhe mendon se javët e ardhshme do të jenë vendimtare.
“Ne ende besojmë në titullin. Ne ende jemi të pamposhtur, dhe Juve kurrë nuk ka pasur një seri të ngjashme si i pamposhtur më herët. Ne duhet të besojmë në Scudetton”.
“Nëse e ruajmë këtë, ne do të luajmë për titull deri në fund. Disa ndeshjet e radhës do të jenë të rëndësishme. Sidoqoftë, pavarësisht se çfarë ndodh, ne të gjithë mendojmë se Juve është në fillim të një cikli të rëndësishme”, ka thënë Marchisio për La Gazzetta dello Sport.
Juve të dielën do të përballet me Napolin në ndeshjen derbi të kësaj jave në Serie A. 

Edhe Adebayor drejt Anzhit?

Sulmuesi i Tottenhamit, Emmanuel Adebayor, raportohet se mund të transferohet në rusi gjatë afatit kalimtar të verës.
Paga prej 170 mijë funte në javë e Adebayor paraqet një pengesë të madhe që Spurs ta bëjnë të përhershëm qëndrimin e sulmuesit nga Togo në White Hart Lane, ku ai është i huazuar nga City.
Trajneri i Anzhit, Guus Hiddink, është në kërkim të një sulmuesi të ri të qendrës dhe është duke menduar për Adebayor. Në listën e Hiddink raportohet se janë edhe dyshja e Chelseat, Didier Drogba dhe Fernando Torres.

Huntelaar i zhgënjyer me disfatën nga Bilbao

Klaas-Jan Huntelaar mendon se Schalke ka luajtur shumë mirë pavarësisht disfatës 4-2 ndaj Athletic Bilbao në çerekfinalen e parë të Europa League.
“Ne nuk kemi luajtur mirë gjatë gjithë 90 minutave. Ne nuk i shfrytëzuam shanset tona. Neve na mungoi vendosmëria. Pastaj u shpartalluam ca dhe nuk mund ta aplikonim më lojën tonë”, ka thënë Huntelaar për Sat1.
Por pavarësisht deficitit të madh, 28-vjeçari ende ka shpresa se ata mund ta përmbysin rezultatin në Spanjë javën e ardhshme.
“Mbase ata mendojnë se tashmë janë kualifikuar. Nëse ne vazhdojmë të bëjmë presion, ne mund të shënojmë një gol të shpejtë dhe pastaj të shohim. Ne të gjithë duhet të luajmë mirë, përfshi veten”, ka shtuar holandezi. 

Simeone: E merituam fitoren

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, thotë se skuadra e tij meritoi fitoren 21 ndaj Hannoverit në ndeshjen e parë çerekfinale të Europa League.
Një gol i vonshëm nga Eduardo Salvio i dha fitoren skuadrës spanjolle pasi Mame Biram Diouf kishte neutralizuar golin e parë të Radamel Falcao.
“Nëse do të isha tifoz i Hannoverit, do të isha i kënaqur me rezultatin. Ata do ta kenë mbështetjen e tifozëve të tyre në Gjermani dhe goli u jep atyre një shans”.
“Ata e kanë shënuar golin e tyre që në shansin e parë. Rezultati është si është nuk mund të bëjmë asgjë për të, por ne e merituam fitoren”, ka thënë Simeone. 

Maicon të largohet nga Interi

Mbrojtësi i majtë brazilian, Douglas Maicon, pritet të largohet nga Interi gjatë verës.
Corriere dello Sport thotë se Maicon i ka thënë fund qerasë në apartamentin tij në qytetin italian të modës.
Maicon, i cili do të jetë 31-vjeçar gjatë verës, ka qenë me Nerazzurrët që nga vitit 2006 kur u transferua nga klubi francez Monaco.
Dy klubet e pasura, ai francez Paris Saint-Germain dhe ai rus Anzhi, janë lidhur me një transferim të lojtarit.

Të mërkurën “Kosova Fashion Week”

Pas përgatitjeve mujore, spektakli tradicional “Kosova Fshion Week 2012” është gati të startojë.
Ngjarja më e madhe e modës në Kosovë, e cila ka për qëllim prezantimin e vlerave të kreatorëve shqiptarë, do të organizohet nga data katër deri më tetë prill.
Për pesë net me radhë do jenë disenjatorët më të mirë shqiptar si dhe shtëpitë më të mëdha të modës në vend që do të prezantojnë kreacionet e tyre.
Përveç kreatorëve që do të paraqesin kreacionet e tyre, gjatë këtyre pesë netëve do të perfermojnë edhe këngëtarë të ndryshëm si Genta Ismaili, Dafina Zeqiri, Blero, Nora Istrefi, Hekuran Krasniqi, Tuna, Astrit Mulaj, Zanfina Ismaili, Njomza Hyseni, Ryva Kajtazi, Adrian Gaxha etj.
Po ashtu “Kosova Fashion Week” për të pranishmit ka organizuar afer-party që do të mbahet natën e parë në Prime Club e më pas duke vazhduar në Sheshin 21. E në kuadër të after-partyt do ketë edhe lojë shpërblyese.
Ky spektakël tash e katër vite me radhë organizohet nga ‘Gecjan Fashion Group’ dhe ‘Rtv 21’

Jim Carrey të martohet?

Jim Carrey raportohet se planifikon të martohet me të dashurën e tij ruse, Anastasia Vitkina.
Aktori i filmit “Ace Ventura” aktualisht është në lidhje me studenten 30-vjeçare dhe raportohet se ka marrë vendim të martohet në ditëlindjen e tij të 50-të në janar.
“Jim do t’i propozojë! Ai është absolutisht i çmendur pas Anastasia dhe nuk mund të jetë më i lumtur”, ka thënë burimi për revistën amerikane Star.

“Gillespie” gati për turneun ballkanik

Për njëmbëdhjetë ditë do të mbajnë nëntë koncerte në vende të ndryshme të Ballkanit. Rock grupi prishtinas “Gillespie” do të dalë për herë të parë në një turne ballkanik, që do të prekë shtetet e rajonit, Shqipërinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Në secilin qytet ata do të performojnë në shqip për rreth dy orë.
Koncertin e parë ata do ta mbajnë në Tiranë më 4 prill, pastaj në Shibenik të Kroacisë më 6 prill, për të udhëtuar menjëherë të nesërmen drejt Kninit, të po këtij shteti. Më 8 prill nikoqir i katërshes “Gillespie” do të jetë qyteti Murska Sobota i Sllovenisë, e dy ditë më vonë ata do t’i presë edhe Kranj. Më 11 prill grupi do të performojë në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, ndërsa një ditë më vonë në kryeqytetin kroat, Zagreb. Ata do të kthehen sërish në Slloveni, në qytetin Skofia Loka në koncertin e 13 prillit, teksa fund do t’i japin me koncertin e 14 prillit që do ta mbajnë në Rijekë të Kroacisë.
“Ka shumë rëndësi për skenën urbane të Prishtinës për shkak se është turneu i parë ballkanik që ndodh nga një grup yni dhe është një mundësi që t’u tregojmë këtyre vendeve që çka ndodh në skenën tonë urbane”, ka thënë për “Koha Ditore” bas-kitaristi i bendit, Isah Mustafa.
Sipas tij, kjo do të ketë edhe një tjetër efekt.
“Në të njëjtën kohë kjo do të na ndihmojë të vëmë kontakte të reja, nga të cilat besojmë se do të dalin bashkëpunime të reja, përfshirë edhe bende tjera nga vende të ndryshme të rajonit”, ka thënë Mustafa.
“Gillespie” vitin e kaluar kishte organizuar një turne dyditor nëpër fshatra, kryesisht të rrafshit të Kosovës. Me një kamion ata qenë ndalur në shumë fshatra, si pjesë e kampanjës për mbrojtje të ambientit.

Yllka Kuqi u rikthehet festivaleve

Këngëtarja e njohur nga Gjakova, Yllka Kuqi u është rikthyer festivaleve dhe këtë herë ka zgjedhur festivalin e muzikës Top Fest për të sjellë realizimin më të ri në karrierën e saj muzikore.
Kënga është punuar nga Flori Mumajesi dhe Kledi Bahiti në studion Threedots, me të cilën ajo do të paraqitet gjatë javës tjetër në Top Fest, ka pohuar vet këngëtarja për portalin Zhurnal.
Yllka, e cila shquhet si këngëtare me cilësi të veçanta muzikore do të performojë “live” në skenën e Top Festit dhe kjo duhet të ketë qenë një shtysë më tepër për të.

Pijet dietetike na trashin

Kur duam të humbim në peshë, shpesh konsumojmë pije me kalori të pakët, mirëpo një hulumtim dhjetëvjeçar ka treguar se këto pije përkundrazi na trashin, sidomos në regjionin e belit.
Shkencëtarët gjatë një periudhe dhjetëvjeçare kanë përcjellë 500 njerëz, të cilët konsumojnë pije me pak kalori dhe kanë ardhur në përfundim se ato i kanë trashur.
Ata të cilët kishin pirë nga dy pije të tilla në ditë, ishin zgjeruar pesë herë më shumë në regjionin e belit, në krahasim me ata që asnjëherë nuk kanë pirë lëngje me më pak kalori.
Këto të dhëna i kanë nxitur shkencëtarët amerikanë që tashmë rekomandojnë vetëm konsumimin e ujit, i cili është më i shëndetshëm se çfarëdolloj pije tjetër.
Ndërsa nëse dikush nuk mund t’u ikë lëngjeve, atëherë mjekët rekomandojnë që të konsumojnë pije me sasi normale të sheqerit, dhe kurrsesi dietetike.
Duke qenë se trashësia e belit është e lidhur me sëmundjet e zemrës, diabetin dhe kancerin, ky studim ka treguar se të gjithë njerëzit duhet të zvogëlojnë konsumimin e pijeve me kalori të pakët.

Antibiotikët nuk shërojnë inflamacionin e sinuseve

Sinuset në kuptimin e plotë të fjalës janë vrima në kafkën tonë të cilat tajitin sekrecion. Nëse ata pezmatohen sekrecioni mblidhet dhe në kushte të tilla krijohen bakteret. Nëse “kalimet” mbahen të pastra, sinuset do të shërohen më shpejtë.
Rreth 14 për qind e njerëzve çdo vit kanë infeksion të sinuseve dhe mjekët kryesisht i shërojnë me antibiotikë. Megjithatë shkak i 90- 98 për qind të infeksioneve janë viruset që janë rezistentë në antibiotikë - pohon asociacioni amerikan për sëmundje infektive.
Ata paralajmërojnë që përdorimi i tepruar i antibiotikëve, veçanërisht në rastet kur ato nuk janë efikase, mund të çojë deri te krijimi i superbakterit i cili është rezistent ndaj këtyre ilaçeve.
“Nuk ekziston test i thjeshtë me të cilin mund të përcaktohet nëse infeksioni i sinuseve është virusal ose bakterial dhe prandaj shumë mjekë përshkruajnë antibiotikë për çdo rast”, thotë dr. Anthony Chow. “Megjithatë, është supozuar që infeksionet e sinuseve në masë të madhe janë virusale dhe që antibiotikët nuk mund t'i shërojnë, por përkundrazi, mund të bëjnë më shumë dëme se dobi.”
Rregullorja e re rekomandon që tek inflamacionet bakteriale të sinuseve antibiotikët konsumohen për një periudhë më të shkurtër kohore (5-7 ditë).
Ndihmë mund të japin edhe steroidet nazale te personat që kanë histori të alergjive. Këto steroide vijnë në formë të sprejit, pikave ose lëngjeve dhe ndihmojnë në lehtësimin e disa simptomave.
Kur është fjala për dekongjestantët, ata po ashtu rekomandohen për lehtësimin e simptomave, por edhe për preventivë që infeksionet virusale të mos shndërrohen në baktere. 

iPhone ose iPad 5-inçësh?

Sipas thashethemeve të fundit në lidhje me iPadin më të vogël, ose iPhone-in më të madh, Apple prapë po shqyrton paraqitjen e pajisjes me diagonale prej 5 inç, e cila do të duhej vendosur diku në mes të iPadit dhe iPhoneit.
Sipas shkrimit të faqeve japoneze Macotakara, që citon burimet e besueshme kineze, Apple po punon me furnizuesit e ekraneve LCD për të marrë ekranet 5-inçësh të cilët do të përmbushin specifikat për marrjen e titullit Retina. Pajisjet të cilat do ti përdorin pritet të paraqiten gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa do të përkrahin rezolucionin prej 1,600 x 960 ose 1,280 x 960 pikë.
Natyrisht, nga Apple nuk ka kurrfarë komenti zyrtar për këto thashetheme.

Më shumë Kindle Fire këtë vit

Amazon gjatë këtij viti do të paraqes së paku edhe dy modele të tabletit, shkruan DigiTimes. Qysh gjatë qershorit pritet të fillohet me dërgesat e Kindle Fire me ekran 10.1-inç me çmimet prej në mes 249 dhe 299 dollarë, thonë burimet jozyrtare.
Krahas modelit ekzistues 7-inçësh të Kindle Fire dhe atij të ardhshmit 10.1-inç, flitet edhe për pajisjen me ekranin me diagonale prej 8.9 inç çmimi i propozuar i të cilit ende nuk është i ditur. Burimet flasin edhe për një tablet tjetër 7-inçësh për segmentin e poshtëm të tregut me çmim prej 169 dollarë – rikujtojmë se për Kindle Fire aktual duhet ndarë 199 dollarë.
Me zgjerimin e familjes Kindle Fire Amazon gjatë këtij viti mund të ndodhë të ris dërgesat e tabletëve në 20 milion copë, derisa vitin e kaluar këto shifra ishin në mes 5 dhe 6 milion tablet.

Google, dyqan online për shitjen e tabletëve

Gjatë ditës së djeshme është raportuar se Google është duke punuar të lansojë një dyqan online për shitjen e kompjuterëve tablet, natyrisht të sistemit operativ Android, me qëllim të popullarizimit të tyre të mëtejshëm, dhe konkurrimit më të denjë me iPad.
Sipas WSJ, dyqani i ri i dedikuar për shitjen e tabletëve Android do të mbajë emrin e njohur për publikun, Nexus, ndërsa lansimi i këtij dyqani online pritet të bëhet më vonë gjatë vitit.
Në këtë adresë pritet të shiten një numër i madh i tabletëve Android, duke përfshirë tabletët e Samsung, Asus, dhe modelet tjera nga prodhues më pak të famshëm në treg.
Edhe pse ende nuk ka shumë detaje për dyqanin e ri të Google, pritet që aty do të ofrohen edhe tablet të subvencionuar për përdoruesit.