Deri më 5 prill ka kohë pronari i hotelit “Grand”, Zelqif Berisha, t’i paguajë pagat për nëntë muajt e kaluar, 104 punëtoreve të tij, në të kundërtën ata do ndërpresin punën e tyre dhe do marrin masa ligjore siç u takon me ligj. Përveç pagave, ata thonë që pesë vite që është privatizuar hoteli, nuk u janë paguar kontributet pensionale.
Këto i ka bërë të ditura kryetari i Shoqatës Sindikale të Pavarur “Grand Hotel Prishtina”, Mustafë Ahmeti. Shuma që Berisha u detyrohet punëtorëve, llogaritet të jetë rreth 250 mijë euro. “Në ditën e enjte data 5 prill, deri në atë ditë është afat për përmbushjen e obligimeve të pagave të punëtorëve, dhe ardhjen në një marrëveshje me përfaqësuesit e sindikatës për pagimin e obligimeve të tjera pensionale. Por, nëse nuk do të përmbushen deri të premten, do ulemi dhe të vendosim dhe do u japim shpjegim për masat e mëtutjeshme që do t’i marrim”, ka thënë ai.
Ata bëjnë të ditur se përveç disa sallave, një shërbimi tepër të vogël me pije dhe me disa mysafirë që janë vetëm njëshifror, asgjë tjetër nuk ofron ky hotel aktualisht.
Madje Ahmeti pohon që edhe pse kanë ftuar pronarin Zelqif Berisha në takimin që kanë pasur para se të japin këtë ultimatum, ai nuk ka dashur të marrë pjesë. “Në kemi pas kontakt dje me pronarin dhe e kemi ftuar që të merr pjesë në mbledhjen e sindikatës që e kemi mbajtur sot në orën 10 e 30 minuta, mirëpo nuk na është përgjigjur pozitivisht”, ka thënë ai, raporton Kosvapress.

Ahmeti pohon se kjo që po bëjnë tani, vjen si presioni sindikal i grumbullimit të pagave, madje sipas tij, nuk kanë guxuar më herët të themelojnë sindikatë sepse 18 persona vetëm u patën larguar nga puna sapo patën themeluar një të tillë.
Kjo sindikatë që tashmë është zyrtare dhe e vetmja që përfaqëson punëtorët e hotelit “Grand”, është themeluar para një muaji.
Ndryshe të mërkurën në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), hotelit “Grand” i është shtyrë ekzekutimi i vendimit për tërheqje të aksioneve edhe për një muaj, kur do mbahet mbledhja e ardhshme e Bordit.