Mirëpritet miratimi i ligjit për RTK-së dhe atij për KPM-në

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, mirëpret miratimin, së fundmi, të Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Këto ligje, sipas kësaj zyre, ofrojnë një bazë të mirë ligjore që siguron funksionimin e këtyre dy institucioneve të pavarura, të cilat do t’i shërbejnë interesit publik të Kosovës, pa u prekur nga ndikimet politike dhe në përputhje me praktikat më të mira të BE-së.
Ligji për RTK-në, i mundëson transmetuesit publik të mbrojë pavarësinë editoriale, si dhe përgjegjësinë publike, e që njëkohësisht parasheh një zgjidhje të qëndrueshme të financimit.
Ligji mbi KPM-në, garanton që ky organ rregullativ do të jetë në gjendje të ushtroj kompetencat e tij, promovimin e standardeve etike dhe teknike tek mediat transmetuese të Kosovës, në përputhje me standardet e BE-së për profesionalizëm dhe paanësi gjatë raportimit. Gjithashtu, ligji ruan edhe pavarësinë e nevojshme të KPM-së, me gjithë evoluimin e mandatit të tij.
“Kuvendi ka përfituar asistencë përmbajtjësore nga BE-ja, jo vetëm për tu siguruar që këto dy ligje janë në përputhje me standardet e BE-së, por edhe praktikat më të mira në këtë drejtim. Është me rëndësi kritike që këto ligje të implementohen, dhe me këtë rast i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës të angazhohet drejt nisjes së procesit për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur të Mediave”, thuhet në një komunikatë për media.

Përvoja irlandeze për veriun

Përfshirja e të gjitha palëve në proces, vlerësohet si forma më e mirë për të tejkaluar problemet në veri të Mitrovicës. Kështu tha të enjten në Mitrovicë, kryetari i Kuvendit të Irlandës së Veriut, Willaim Hay, gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Hay, i cili gjatë vizitës shoqërohej nga deputetë të Kuvendit të Irlandës së Veriu dhe përfaqësues të qytetit London Derry, theksoi se Kosova dhe Irlanda e Veriut kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi. Ndërsa si fusha më të përshtatshme për bashkëpunim përmendi projektet zhvillimore ekonomike, mandej shkëmbimin e përvojave politike.
Biseda u fokusua edhe në shkëmbimin e përvojave të mira të qytetit London Derry, që ka pasur rrethana përafërsisht sikur të Mitrovicës. U theksua se “Forumi i Mitrovicës” që funksionon sipas modelit të London Derryt, ku përfaqësohen të gjitha komunitetet duhet të vazhdojë aktivitetet meqë mund të arrihen rezultate të mira.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, duke folur për gjendjen aktuale në Mitrovicë, përmendi problemet me barrikada, mosfunksionimin e rendit dhe ligjit, mungesën e lëvizjes së lirë. “Problemi kryesor është funksionimi i strukturave ilegale që financohen dhe dirigjohen nga Beogradi”.
Kryetari Kastrati, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i prerë dhe t’ia bëj me dije Beogradit se zgjidhja e vetme për veriun e Kosovës është integrimi dhe bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës. Ai potencoi se financimi i strukturave ilegale në veri nga Beogradi, ndikon në mbajtjen e një gjendjeje të pandryshueshme.
“Beogradi shantazhin qytetarët në veri nëpërmjet financimit dhe kërcënimeve për të sabotuar institucione e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ose Mourinho, ose Casillas...

Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, është duke u bërë pika kyçe për të ardhmen e trajnerit portugez në Bernabeu, Jose Mourinho.
Mourinho është i pakënaqur me rolin e Casillasit si kapiten i klubit, duke preferuar më shumë një luftëtar se sa një paqeruajtës, ashtu siç dhe njihet për karakterin e tij portieri spanjoll.
Sport shkruan se Mourinho e ka bërë të qartë se Casillas është duke influencuar në mentalitetin e ekipit, të cilin vazhdimisht Mourinho e ka inspiruar ndryshe, një mentalitet ‘të gjithë kundër nesh’.
Sidoqoftë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, nuk dëshiron të humbasë ndonjë prej ikonave të klubit edhe pse vet ka pranuar para miqve të tij se nuk ka qenë shumë i kënaqur me paraqitjet e Casillas.
Nga ana tjetër, bordi i Real Madridit është tejet i brengosur me situatën dhe është i vetdishëm se duhet që në fund të sezonit të bëjë një zgjidhje – ose largohet Mourinho, ose largohet Casillas dhe kjo nuk varet as nga titujt të cilët mund t’i fitojnë Los Blancos në muajt në vijim.

Juventusi refuzoi Hamsik

Ish-presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, ka pranuar se Bianconerët e kishin hedhur poshtë rastin për të transferuar mesfushorin sllovak, Marek Hamsik, derisa ky i fundit mbronte ngjyrat e Brescias.
Skuadra nga Serie B ia ofroi sllovakun Zonjës së Vjetër, por Juventusi ishte i pa sigurtë nëse do t’ia vlente transferimi i Hamsik, kështu që ky i fundit kaloi te Napoli në vitin 2007.
“Ne jemi takuar me presidentin e Brescias, Gino Corioni, pas një ndeshje kampionati. Ai na informoi se ai ka një diamant në posedim dhe ai ishte Hamsik. Unë e refuzova, por këtë nuk e bëri De Laurentiis, i cili ishte më i shpejtë”, ka thënë Gigli.

Suarez në planet e Romës?

Roma i është bashkuar betejës së shumë skuadrave të mëdha evropiane për transferimin e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Suarez.
Il Tempo shkruan se bordi i ri ambicioz i Romës ka në plan që të bëj transferime të mëdha këtë verë për të ngritur profilin përreth botës, ndërsa Suarez është në krye të agjendës së romakëve.
Giallorosët tashmë kanë lënë menjëanë 25 milionë euro për të bindur Liverpoolin që të heqë dorë nga uruguiani, teksa në kërkim të tij janë edhe Juventusi dhe Real Madridi.

PDK e hapur për hetimin e SHIK-ut

Kërkesa e deputetit të “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, për themelimin e një komisioni për të hetuar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), nga shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci shihet më shumë si një çështje që ngrihet për të shkaktuar një krizë. Kurse partitë opozitare LDK, AAK nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me çështjen.
Deputeti Grabovci ka thënë se Grupi Parlamentar është i hapur për ngritjen e çfarëdo komisioni për hetimin e luftimit të dukurive negative.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka pas qëndrime shumë të qarta. Të njëjtat qëndrime i kemi edhe sot. Absolutisht ne nuk jemi kundër ngritjes së komisionit për hetimin e nevojshëm për luftimin e dukurive negative që kanë ndodhur dhe po ndodhin në Kosovë, për këtë e kanë mbështetjen çdo deputet, çdo grup parlamentar kushdo qoftë, por edhe shoqëria civile nëse kërkon një gjë të tillë”, ka thënë Grabovci, transmeton Kosovapress.
Por ai ka kërkuar që hetimi të shtrihet më gjerë dhe të hetohet vërtetë në gjitha nivelet dhe aty ku konstatohet që ka shkelje të ligjit, ata persona të sillen para drejtësisë.
Ai ka shtuar se nuk është e vërtetë se është e korruptuar çdo pore e jetës në Kosovë, duke shtuar se Kosova ka ecur dhe po ecë çdo ditë me hapa të sigurt përpara.
Grabovci ka thënë se nuk e lejon veten që të ulet në nivelin e deputeti Florin Krasniqi për të fyer njerëz, duke thënë se i respekton të gjithë qytetarët e Kosovës.
Por, i pyetur nëse deputeti Krasniqi ia ofron kërkesën dhe a do të nënshkruaj, Grabovci nuk ka thënë se nënshkruan, por ka thënë se PDK mbështet luftimin e gjitha dukurive negative.

Opozita braktis seancën, shkaku i Projektligjit të RTK-së

Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke vlerësuar se miratimi i Projektligjit për RTK-në ka shkelur procedurat dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kanë vendosur që të lëshojnë seancën e Kuvendit të Kosovës, duke bërë që ajo të ndërpritet nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Shefi Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se në pjesën e parë të seancës është shkel kushtetuta dhe LDK për këtë qëllim nuk dëshiron të vazhdoj seancën.
“Me punimet që janë duke u bërë në këtë seancë, duke u shkel kushtetuta, ne si Grup Parlamentar do të lëshojmë seancën”, ka thënë Beqiri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se janë shkel procedurat dhe edhe ky grup parlamentar do ta lëshoj seancën.
“Me shkeljen e këtyre procedurave, ne nuk pajtohemi dhe do të lëshojmë sallën”, ka thënë Ymeri.
Atyre iu është bashkangjitur edhe Grupi Parlamentar i AAK-së. Shefi i këtij grupi, Ardian Gjini ka thënë se për këtë që po ndodh dikush duhet të vë gishtin në kokë dhe të mendoj.
“Me miratimin e shpejt të këtyre projektligjeve në mënyrë kaq të shpejt ne nuk dëshirojmë të vazhdojmë kështu dhe për këtë duhet të vë dikush gishtin në kokë”, ka theksuar Gjini.
Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi nuk i ka mbetur tjetër, pos ta mbyll seancën dhe ajo të vazhdojë punimet të premtën nga ora 10:00, raporton Kosovapress.
Në pjesën e parë të seancës, me 42 vota për, 36 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës. Deputetët miratuan një nga një 21 amandamentet e propozuara, duke përfshi edhe amendamentin 6, propozim ky i Grupit Parlamentar 6 plus, pa përkrahjen e Komisionit funksional, i cili parasheh hapjen e kanalit të tretë për pakicat.
Ndonëse nuk e kishte përkrahjen e komisionit funksional, atij për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, amendamenti 6 i Projektligjit për transmetuesin publik është votuar nga ligjvënësit. Pati reagime të deputetëve se kishin votuar gabim, por kryeparlamentari, Jakup Krasniqi nuk lejoi rivotim. 

Plan për parandalimin e zgjedhjeve serbe

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar konsideron se përpjekjet e Serbisë për të organizuar zgjedhjet lokale në territorin e Republikës se Kosovës janë ilegale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore për të penguar këtë agresion të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë drejtim, Policia e Kosovës është duke përgatitur planin operativ për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Veprimet operative të Policisë së Kosovës, përkatësisht arrestimi i personave dhe zyrtarëve të institucioneve ilegale serbe është në përputhje të plotë me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me këto zgjedhje ilegale. Personat e arrestuar të cilët po bartnin material zgjedhor kanë shkelur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë do të ballafaqohen me organet e drejtësisë”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se Policia e Kosovës ka arrestuar këta persona për shkak të fakteve dhe dëshmive që posedon, se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në veprime ilegale në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe jo si rezultat i bindjeve të tyre personale, apo pse janë pjesë e një komuniteti etnik. 

Imami: Kosova të jetë prezente në NATO

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku e vlerësuan të rëndësishme konferencën “Sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e bashkuara”, të ministrave të Mbrojtjes “SHBA– Karta e Adriatikut”, e cila po mbahet në Shkup.
“Konferenca është e rëndësishme për disa tema dhe probleme të cilat janë në fokus të vendeve anëtare po ashtu edhe të vendeve kandidate. Shqipëria është në mbështetje të plotë të Kosovës në të gjitha integrimet, kemi gjithashtu bashkëpunim të ngushtë ushtarak i cili do të vazhdojë dhe që do të jetë edhe një nga premisat kryesore të integrimit të Kosovës në rajon, NATO është prezent në Kosovës, tani duhet plotësuar edhe krahu tjetër, Kosova të jetë prezent në NATO”, ka deklaruar Imami në një konferencë të përbashkët shtypi me Çekun.
Ndërsa, Agim Çeku e vlerësoi si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim.
“Kjo është hera e tretë që Kosova merr pjesë në Ministrat e Mbrojtjes së Kartës së Adriatikut dhe kjo është një dëshmi që Kosova gradualisht e zë vendin e vet në rajon, atë që i takon dhe është e barabartë në tryezën ku bisedohen çështje të rëndësishme siç është siguria, stabiliteti dhe bashkëpunimi në fushën e Sigurisë”, tha Çeku.
Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, nuk ka marrë pjesë në Samitin ministrave të mbrojtjes të rajonit dhe përfaqësuesve të SHBA-ve, pasi në këtë samit ishte i pranishëm edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, Agim Çeku.
Çeku shprehu keqardhje që Serbia për shkak të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik nuk pati guximin të marrë pjesë në konferencë.
“E rëndësishme është që të gjitha vendet tjera të rajonit e mirëpresin prezencën e Kosovës, e mirëpresin anëtarësimin e Kosovës në strukturat rajonale të sigurisë, ne ishim të përfaqësuar absolutisht të barabartë si të gjitha vendet tjera, si të gjithë ministrat tjerë dhe patëm prezencën e dy vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, Bosnja e Hercegovinën dhe Greqinë dhe ata nuk patën asnjë vërejtje më të vogël në përfaqësimin dhe prezencën për mënyrën e përfaqësimit të cilën ne e kishim këtu”, ka deklaruar Çeku.
Ministri Çeku tha se ka njoftuar kolegët e tij se Kosova ka kapacitete që mund të ndihmojë dhe kontribuojë, ka vullnetin dhe mbështetjen publike edhe të institucioneve edhe të qytetarëve që të jetë jo vetëm konsumator, por edhe kontribuues i sigurisë.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë ministri Çeku ka realizuar edhe shumë takime bilaterale me përfaqësues të NATO-s dhe të vendeve anëtare.

Kosova dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshje gjithëpërfshirëse

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Dell kanë nënshkruar Marrëveshjen e parë gjithëpërfshirëse bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, as Presidentja Jahjaga dhe as Ambasadori Dell nuk janë prononcuar për media për të sqaruar më në detaje se çka përmban kjo marrëveshje, njofton KosovaPress.
Marrëveshja përcakton procedurat për planifikim dhe implementim të bashkëpunimit diplomatik, politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.

Serbët do ta braktisin Kuvendin e Kosovës?

Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Vesna Mikic, ka thënë se ekziston mundësia që “deputetët serbë ta lëshojnë Kuvendin e Kosovës, nëse nuk ndahen arrestimet e serbëve të Kosovës”.
Mikic ka thënë për Radio KiM se arrestimet e reja të serbëve, të punësuar në institucionet e Serbisë, janë “presioni mbi komunitetin serb, synim i të cilit është krijimi i shtetit mono-etnik të Kosovës”.
"Njerëzit vijnë çdo ditë dhe pyesin kujt t’i drejtohen për ndihmë dhe nëse munden të lëvizin lirshëm, pa frikën se policia do t’i arrestojë në çdo hap, apo se do të akuzohen për çfarëdo prishje të rendit kushtetues të Kosovës”, ka thënë ajo.
Sipas fjalëve të saj, deputetët serbë do të reagojnë në Kuvendin e Kosovës për shkak të këtyre arrestimeve, ndërsa do të kërkojnë lirimin e të burgosurve.
"Deputetët e Listës së Përbashkët Serbe do të veprojnë në mënyrë unike, ndërsa deputetët e Partisë së Pavarur Liberale do të propozojnë që në rast të mos ndërprerjes së praktikës së arrestimit të serbëve, të paralajmërojnë për dalje nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Mikic.

Dacic paralajmëron arrestime të tjera

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka thënë sot në Beograd se “kushdo që rrezikon rendin kushtetues të Serbisë në periudhën e ardhshme do të arrestohet, derisa nuk lirohen serbët e arrestuar në Kosovë”.
Në një prononcim për mediat, Dacic ka thënë se në Kosovë arrestohen serbë, të cilët “rrezikojnë të ashtuquajturin rend juridik”.
“Paramendoni sa njerëz në Kosovë rrënojnë rendin kushtetues të Serbi, sepse pjesëmarrja në institucionet e atjeshme, të cilat Beogradi nuk i pranon, është shkelje e rendit tonë juridik. Sa janë të atillë që do të mund të gjendeshin në shënjestër të policisë sonë kur kalojnë Serbinë qendrore”, ka thënë Dacic, citon Rel.
Për dy shqiptarët e arrestuar ditën e mërkurë, ministri serb ka thënë se arrestimet nuk kanë ndodhur si masë reciproke dhe ato nuk kanë qenë arrestime politike, por ato janë kryer në bazë të fletarresteve të lëshuara kohë më parë.
Autoritetet serbe të rendit kanë arrestuar Hasan Abazin, kryetarin e sindikatës së industrialistëve të Kosovës dhe Adem Murselin, nën dyshimet për “spiunazh dhe tregti me drogë”, bazuar në fletarrestet e “gjykatës së qarkut në Gjilan” dhe drejtorisë së policisë serbe në Beograd.
Në Kosovë ndërkaq, të martën, në pikëkalimin Dheu i Bardhë, Policia e Kosovës kishte arrestuar katër serbë, nën dyshimet se kanë shkelur rendin juridik të Kosovës. Tek të arrestuarit, në mesin e të cilëve janë edhe punonjës të strukturave paralele serbe në Viti, autoritetet e rendit kanë gjetur material zgjedhor të Serbisë.

Përkrahje në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës

Proceset e përbashkëta integruese të dy shteteve, me theks të veçantë për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës, pas fillimit të studimit të fizibilitetit, kanë qenë temat për të cilat kanë diskutuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, gjatë takimit në Romë, ku po qëndrojnë në një vizitë të përbashkët.
Haxhinasto ka ofruar përkrahjen e parezervë të shtetit shqiptar për Kosovën në rrugën integruese në mekanizmat e Bashkimit Evropian, si dhe në të gjitha aspektet tjera që lidhen me forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës,thuhet në njoftimin e lëshuar nga MPJ.
Ndërsa Hoxhaj e njoftoi homologun nga Shqipëria për proceset e fundit në Kosovë, si dhe për progresin e vazhdueshëm që po bën Kosova në rrugën integruese evropiane.
Dy ministrat kanë biseduar edhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve.
Ministri Hoxhaj e falënderoi ministrin Haxhinasto dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar, për lobimin që po bëjnë për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës.

Eurodeputetja Lunacek të premten në Prishtinë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën do të jetë të premten për një vizitë zyrtare në Prishtinë.
Pritet që ajo me këtë rast të takohet me zyrtarë më të lartë të vendit, raportojnë mediat.
Ndryshe, të enjten Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën që e kishte sponsorizuar Lunacek.
Në këtë rezolutë u bëhet thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, meqë siç tha zonja Lunacek, “kjo do t’i bënte më efektive përpjekjet e BE-së”.
Amendamenti i propozuar që Kosova në Parlamentin Evropian të përfaqësohet me fusnotë, është hedhur poshtë, ndërsa është miratuar amendamenti, që i bën thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që t’i inkurajojë sportistët nga Kosova, që të marrin pjesë në Olimpiadë.

Rezidenca franceze në Prishtinë testament i miqësisë

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në ceremoninë e hapjes së rezidencës franceze në Prishtinë deklaroi se krahas aleatëve të tjerë Franca ka bërë përpjekje të mëdha diplomatike dhe ushtarake të na ndihmojë ta fitojmë lirinë tonë.
Presidentja theksoi se Franca ka qenë përkrahëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, shtetësisë tonë, sovranitetit e integritetit territorial dhe konsolidimit tonë si shtet.
“Kjo rezidencë, krahas ambasadës tuaj këtu në Kosovë, është me të vërtetë testament i partneritetit tonë dhe miqësisë së çmuar mes dy vendeve dhe popujve tonë... Populli i Kosovës do ta mbajë mend gjithmonë imazhin e Presidentit Sarkozy një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës derisa po u shpjegonte studentëve francezë në hartë krijimin e një shteti të ri demokratik dhe multietnik në zemër të Ballkanit”, u shpreh Jahjaga.
Presidentja më tej theksoi se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, të drejtat dhe liritë e të cilëve respektohen, që jetojnë me dinjitet dhe në paqe.
“...Por, na mbetet shumë për t’u bërë. Ambasador, ne llogarisim në përkrahjen tuaj të vazhdueshme për të na ndihmuar t’ia zbulojmë botës Kosovën e re, për t’i promovuar të talentuarit e ri, si Ditën, për ta treguar rrëfimin e thesarit dhe traditave të pasura që i ka vendi ynë. Ne llogarisim në mbështetjen tuaj tani kur po i ndërmarrim reformat e nevojshme për të përshpejtuar integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, qëllim ky që na bashkon të gjithëve dhe që nuk ka alternativë”, tha ndër të tjera presidentja e vendit.

Shutanovac bojkotoi konferencën në Shkup për shkak të Çekut

Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, nuk ka marrë pjesë në samitin ministror të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të SHBA-së “Sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e bashkuara”, që përfundoi në Shkup.
Në Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë thanë për "Lajm" se Shutanovac nuk ka dhënë sqarime për mospjesëmarrjen e vet në konferencë, e as nuk ka shprehur interesim të caktojë ndonjë tjetër përfaqësues të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Supozohet se shkak për këtë bojkot nga Shutanovac është pjesëmarrja e ministrit kosovar Agim Çeku, në cilësinë e vëzhguesit. Çeku ka shprehur keqardhje për mungesën e ministrit serb, duke vlerësuar se nuk është në frymën e bashkëpunimit të mirë rajonal.
Kosova në këtë samit është përfaqësuar pa emër, por vetëm me emrin e ministrit Çeku dhe me flamurin shtetëror.
Ministrat pjesëmarrës kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët me konkluzionet që kanë dalë nga konferenca. 

Salihaj: Latif Gashi pagoi për të më vrarë

Gjatë ditës së enjte ka vazhduar seanca për të ashtuquajturin procesin “Bllaca 2”, ku ka dëshmuar, Adem Salihaj. Ai gjatë dëshmisë së tij ka drejtuar akuza në drejtim të Latif Gashit, tani deputet i PDK-së, se ka paguar një person nga Shqipëria me emrin Ilirian Halimi, i cili ka ardhur në Ferizaj për ta vrarë atë në vitin 2002.
Salihaj ka thënë se të gjitha këto ja ka rrëfyer një person me emrin Shemsi Bajrami nga Ferizaj , i cili së bashku me Ilirianin nga Elbasani kanë qenë së bashku në luftë në Maqedoni , raporton Express.
Salihaj, po ashtu ka thënë se Shemsi Bajrami, i ka thënë atij se Latif Gashi, nëpërmes deputetit tjetër të PDK –së, Xhavit Haliti, kishin angazhuar edhe një grup tjetër në rajonin e Deçanit me detyrë vrasjen e Tahir Zemajt.
Në këtë seancë, Salihaj po ashtu ka përmendur edhe një rast tjetër, të vitit 2001, ku militantë të PDK-së, sipas tij, kanë tentuar ta ndërpresin fjalimin e tij, me ç’rast janë dëgjuar edhe krisma armësh.
Ai ka akuzuar me këtë rast edhe Burhan Arifin, djalin e kryetarit aktual të Vitisë, i cili vjen nga radhët e PDK-së. 

Parlamenti Evropian hedh poshtë fusnotën

Në Parlamentin Evropian, me shumicë votash, është miratuar rezoluta për Kosovën, që ishte paraqitur nga raportuesja Ulrike Lunacek.
Amendamenti i propozuar që Kosova në Parlamentin Evropian të përfaqësohet me fusnotë, është hedhur poshtë, ndërsa është miratuar amendamenti, që i bën thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që t’i inkurajojë sportistët nga Kosova, që të marrin pjesë në Olimpiadë, raporton REL.
Në këtë rezolutë u bëhet thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, meqë siç tha zonja Lunacek, “kjo do t’i bënte më efektive përpjekjet e BE-së”.
Parlamenti Evropian gjithashtu ka kërkuar nga Serbia që të përmbahet nga organizimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë. 

Thaçi: As autonomi, as ndarje për veriun

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të ketë autonomi për veriun e vendit apo ndarje të kësaj pjese.
Siç njofton KTV, Thaçi në një intervistë për televizionin e Parlamentit Evropian e ka bërë të qartë se pretendimet për ndryshim të kufijve automatikisht sjellë edhe ndryshim e kufijve në gjashtë shtete të rajonit dhe mund të sjellë edhe një konflikt rajonal.

Dervishët e Kosovës dhe vallja e ekstazës

Fëmijët shpojnë faqet me gjilpëra të mëdha, derisa më të moshuarit këtë e bëjnë me shufra metalike. Disa madje fusin shkopinj të trashë në trupat e tyre. Kjo është mënyra se si dervishët e Prizrenit e dëshmojnë besimin e tyre.
Rendi i dervishëve rufai është i njohur përtej kufijve të Kosovës. Ata ishin aty shumë kohë para se ish provinca serbe u përmend në titujt e gazetave në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, pas shpërthimit të gjakderdhjes etnike.
Vallja vjetore e tyre u ndalua në Turqi nëntë dekada më parë, por tradita e vjetër me shekuj vazhdon në Kosovë, si dhe midis vëllezërve të tyre në rajon, në Maqedoni e në Shqipëri.
Me kapela të bardha në kokë dhe të veshur në tunika të zeza, rreth 130 prej tyre grumbullohen për lutje mbi qilimat e një Teqeje të ngushtë - vendi i takimit të vëllazërisë së myslimanëve sufi - në Prizren, në jug të Kosovës, duke pritur shehun Adrihusein Shehu, shruan Thomas Brey për Sapa-DPA.
Kur ai arrin, i flet kongregacionit në shqip, turqisht dhe boshnjakisht, dhe ata mblidhen për të festuar ditëlindjen e themeluesit të rendit të tyre, Aliut. Ceremonia që zgjatë tre orë e gjysmë, përqendrohet në ekstazën e valles rrotulluese dhe vetë-shpimit.
Përmes krahut liberal të myslimanëve sufi, dervishët proklamojnë dashurinë dhe tolerancën për të tjerët, pavarësisht nga fetë e tyre. Ato përbuzin fundamentalistët dhe terroristët.
Gjatë dy orëve të para të kremtimit, shehu dhe pasuesit e tij këndojnë dhe luten pa pushim. Pastaj ai predikon, duke bërë thirrje për tolerancë dhe "dashuri për të gjithë njerëzit". Pastaj bonbonet u jepen të gjithëve, që ta zbusin fytin, para se të kënduarit të filloj.
Një orë më vonë Shehu u thotë dervishëve tjerë të qëndrojnë në këmbë, dhe të gjithë fillojnë të rrotullohen, deri në ekstazë, nën tingujt e daulleve dhe cimbaleve. Në një moment, ai e fton një dervish të ri - ndoshta 10 vjeç – që të afrohet. Pastaj e futë një gjilpërë të madhe përmes dy faqeve të djaloshit.
Nuk ka gjak të dukshëm dhe fëmija nuk tregon asnjë dhimbje në ekstazë e tij të thellë pas së cilës kthehet në radhë dhe vazhdon vallëzimin me gjilpërën në fytyrën e tij. Afro 10 djem tjerë afrohen te Shehu për të shpuar faqet.
Dervishët e vjetër shpojnë vet nofullat dhe pjesët tjera të trupit. Kur ritmi përshpejtohet edhe më shumë dhe vallëzimi edhe më i zjarrtë, disa dervishë madje rrotullohen me shkopin e madh të dalë nga qafët e tyre.
Pastaj shehu i heq gjilpërat nga dervishët e rinj. Pasi shkul gjilpërën, ai shtypë vrimën me gishta dhe liron fëmijën. Ai e përsëritë këtë proces, djalë pas djali.
Vetëm disa pika gjaku mund të shihen te disa, por burrat më të moshuar, që shpojnë veten me shkopinj të mëdhenj, gjakojnë me një vijë të hollë të kuqe.
Pjesa e vetë-shpimit, shpjegojnë ata më vonë, është për të luftuar trupin e për ta çliruar shpirtin.
"Njeriu duhet të kapërcej trupin e tij, funksionet e tij biokimike, për të liruar shpirtin, që të jetë kështu me Perëndinë dhe në Perëndinë", thotë një nga ta.
Shpjegimi mjekësor se rrotullimi i vazhdueshëm shteron disa pjesë të trupit nga gjaku, gjë që lejon shpimin pa gjak, nuk i kënaq shumë ata që e shohin vallëzimin.
Në fund, Shehu fton rendin e tij për çaj. Të veshur me rrobat e përditshme, ata diskutojnë tema të zakonshme: martesën, varfërinë, politikën dhe religjionin.
Çdo anëtar i rendit merr këshilla nga Shehu. Titulli është i trashëguar nga i ati tek i biri, gjeneratë pas gjenerate, dhe djali i Shehut për vite është pjekur me këtë rol që i është caktuar nga lindja. Kur babai i tij vdes, rendi do të jetë në duar të sigurta. 

Zgjedhjet në Ferizaj më 29 prill

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka marrë vendim që zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Ferizajt të mbahen më 29 prill.
Me vendim udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Ferizajt, në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi.
“Vendimi u mor, duke u bazuar në nenin 56, paragrafi 3 pika (c) të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe në nenin4 paragrafi 4 dhe nenin 11 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, duke marrë parasysh njoftimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal numër protokolli 036-354/1, si dhe pas konsultimit me partitë politike dhe Komisionin Qendror Zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Bajgora mohon lidhjet me vehabi

Në një raport të përpiluar nga eksperti, Stephen Suleyman Schvartz, i cili është drejtor ekzekutiv i “Qendrës për Pluralizëm Islamik” me seli në Uashington të SHBA-ve, thuhet se funksionarët fetarë në Kosovë janë vehabi, të korruptuar dhe të pandershëm. Por, ky raport nga drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, vlerësohet shpifës, me tendenca që të dëmtohet imazhi i BIK-ut në Kosovë.
Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjithashtu kanë paralajmëruar edhe aktpadi ndaj atyre që po bëjnë shpifje, të cilët në njëfarë mënyre po mundohet të njollosin punën e ndershme të BIK-ut.
Në raportin e Schvartzit, mes tjerash thuhet se Sabri Bajgora shihet si një shërbëtor i Naim Tërnavës, i cili është koka vehabiste në Bashkësinë Islame të Kosovës që nga viti 2003.
Por,kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, i hedh poshtë të gjitha këto konstatime, duke thënë se emri i Stefan Schvartz nuk është i panjohur për BIK-un, ngase ky person, sipas tij edhe në të kaluarën ka shkruar shkrime të tilla fyese dhe denigruese për komitetin mysliman të Kosovës, raporton Kosovapress.
Për më tepër, Bajgora ka thënë se Schvartz është një person shumë kontrovers, një person i cili vazhdimisht merret me shpifje tendencioze ndaj krerëve të BIK-ut.
“Sigurisht se dikujt i pengon aktiviteti i BIK-ut, i pengojnë reformat që vazhdojnë çdo ditë të bëhen në këtë institucion. Besoj se nuk ja vlen te merremi me raporte të tilla, sepse hulumtimi që e ka bërë Stephen Schvartzi, kryesisht bazohet në shpifje tendencioze, që fatkeqësisht janë të ushqyera nda disa njerëz të pandërgjegjshëm që veprojnë nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës”, ka thënë Bajgora.
Ai ka hedhur poshtë të gjitha ato që thuhen në raportin e Schvartzit, duke cituar edhe një deklaratë të më hershme të myftiut Naim Tërnave, i cili kishte thënë se nuk ka vend për panik, se në vend ekziston ndonjë grup radikal vehabist, apo grupe me tendenca ekstremiste. 

AKP tre milionë euro nga Vala e 54

Në valën e 54 të privatizimit, Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) të enjten ka hapur ofertat për 21 ndërmarrjet. Nga 21 ndërmarrjeve, 19 prej të cilave ofertuesit kanë qenë në rregull me dokumentacion, duke ia hapur rrugën Bordit të AKP-së për të vendosur për privatizim, përderisa dy prej këtyre ndërmarrjeve u anuluan, pasi që ofertuesit e vetëm që ishin në garë për këto ndërmarrje, nuk e kishin të nënshkruar çmimin e ofertës që ata e kishin ofruar. Shuma e përgjithshme e kësaj vale të privatizimit arrin shumën e rreth tre milionë eurove. Për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve i mbetet të vendos Bordi i Agjencionit Kosovar të Privatizimit.
Në këtë valë të privatizimit kishte shumë ofertues që ofertat e tyre u anuluan, pasi, siç vlerësuan zyrtarët e AKP-së, nuk i kishin plotësuar rregullat e ofertimit, gjegjësisht, disa prej tyre nuk i kishin të nënshkruara çmimet e ofertës që ata e kishin ofruar si dhe disa anulime erdhën për shkak të moskompletimit të dokumentacionit.
Kishte edhe një sërë ndërmarrjesh, të cilat kishin vetëm nga një ofertues. Ndërmarrjet të cilat arritën shumën më të madhe në këtë valë të privatizimit ishin ndërmarrja e re Toka Bujqësore Rracaj Sh.P.K, e cila nxori shumën mbi 400 mijë euro, ndërmarrja e re Sharr – Depoja e materialit ndërtimor, e cila kishte ofertën me vlerë afro 350 mijë euro
Ndërsa ndërmarrjet të cilat nuk arritën të futen në procesin e privatizimit për shkak të anulimit të ofertave të tyre, pasi që nuk i kishin përfillur rregullat e ofertimit ishin ndërmarrja e re Rilindja – Shitja Gjakovë, e cila u anuluan për shkak se i vetmi ofertues që ishte për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, nuk e kishte në nënshkruar çmimin e ofertës së tij, si dhe ndërmarrja e re Universal – Depo në Leposaviq, e cila u anulua për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.
Pas hapjes së këtyre ofertave, vlerësimi dhe vendimi për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve i mbetet Bordit të AKP-së.

Raiffeisen International fiton për kundër i krizës financiare

Raiffeisen Bank International (RBI) publikoi raportin vjetor për vitin financiar 2011, sipas së cilit profiti para tatimit arriti shifrën prej 1.373 milionë euro. Në krahasim me vitin paraprak, është shënuar një rritje prej 7 për qind. Mjedisi afarist ka vazhduar të jetë mjaft i vështirë, por edhe përkundër kësaj, profiti para tatimit i RBI ka qenë profiti më i lartë që nga fillimi i krizës financiare në vitin 2008. Kthimi në kapital para tatimit mbetet i pandryshuar, 13.7 për qind.
“Edhe në vitin 2011, ne arritëm të dëshmojmë se jemi në gjendje të arrijmë profit, që ishte një sfidë mjaft e vështirë për bankat në përgjithësi. Fakti që ne kemi arritur profit në çdo periudhë tremujore që nga fillimi i krizës financiare, thekson përparësinë e orientimit tonë strategjik, me fokus në Europën Qendrore dhe Lindore. Përmirësimet e pjesërishme të perspektivës makroekonomike të rajonit më bëjnë të besoj se viti 2012 do të jetë një vit më i mirë”, tha Herbert Stepic, Drejtor Ekzekutiv i RBI.
Në vitin 2011, të hyrat neto nga interesi u rritën për 3 për qind, nga 89 milionë euro në 3.667 milionë euro. Të hyrat nga komisionet mbeten të qëndrueshme nga viti i kaluar duke arritur shifrën prej 1.490 milionë euro. Këto të hyra kanë kontribuar 27 për qind në të hyrat operative të bankës. Shpenzimet e përgjithshme administrative u rritën 4.7 për qind në krahasim me vitin 2010 duke arritur shifrën prej 3.120 milionë euro. Në anën tjetër, provizionet neto për mbulimin e kredive me probleme kanë shënuar rënie të ndjeshme për 11 për qind ose për 131 milionë euro. Pas shumë vitesh, për herë të parë raporti në mes të provizioneve dhe kredive me probleme është përmirësuar, duke shënuar rënie për 0.3 pikë përqindje në 8.6 për qind. Profit i konsoliduar i RBI deri në fund të vitit 2011 ishte 968 milionë euro.
Asetet e përgjithshme janë rritur për 12 për qind ose 15.8 miliardë euro dhe kanë arritur në 147 miliardë Euro. Kreditë dhe paradhëniet për klientë pas provizionimit kanë shënuar rritje prej 5.6 miliardë euro. Depozitat e klientëve po ashtu kanë shënuar rritje duke arritur në 9.1 milionë euro. Ndërsa raporti kredi depozita është përmirësuar për 9 për qind në krahasim me vitin 2010 dhe ka arritur në 122 për qind.
Sipas parashikimeve dhe vlerësimeve të Raiffeisen Research pritet një përmirësim i situatës ekonomike në Evropën Qëndrore dhe Lindore. Raiffeisen Research vlerëson se Bruto Produkti Nacional (BPN) në këto vende do të shënojë rritje për 2.6 për qind. Në krahasim me parashikimet e rritjes së BNP-së në Eurozonë, kjo paraqet një rritje më të shpejtë për 3 pikë përqindjeje. 

Reformat në favor të biznesit

Ndryshimi i reformave ekonomike nga autoritetet kompetente për përmirësim të ambientit biznesor në Kosovë ka qenë i domosdoshëm, edhe pse për këtë çështje nevojiten edhe përmirësime të tjera, thonë ekspertë për çështje ekonomike.
Kohë më parë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, më qëllim të lehtësimit të procedurave të te bërit biznes, ka vendosur që të eliminohet leja e punës për të filluar një biznes, regjistrimi i biznesit të bëhet pa pagesë, kërkesa për kapital është eliminuar apo reduktuar, dhe mbrojtja e investitorëve është më e lartë.
Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin “Riinvest”, thekson se viteve të fundit Kosova është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për një ambient të pafavorshëm të të bërit biznes.
Kështu që, sipas tij, këto reforma kanë qenë të domosdoshme. “Në bazë të raporteve të Bankës Botërore dhe rangimit, reformat biznesore janë domosdoshmëri për përmirësim të këtij rangimi. Por, jo domosdoshmërish, reformimet në mundësinë e të bërit biznes, do të thonë që bizneset kanë mundësi në zhvillim dhe krijim të vendeve të reja të punës, meqenëse, zhvillimi ekonomik është shumë më kompleks dhe kërkon qasje më komplekse. Megjithatë, reformat e tilla janë parakusht për të pasur një ambient të barabartë dhe të drejtë”, shprehet Abdixhiku.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2012, të quajtur “Të bërit biznes në Evropën Lindore”, Kosova është radhitur në vendin e 117, pa asnjë ndryshim nga viti 2011.
Aty ku Kosova duhet të përkushtohet më shumë, sipas raportit, është përmirësimi në nisjen e një biznesi, pasi në këtë aspekt radhitet në vendin e 168, si dhe në mbrojtjen e investitorëve, pasi në këtë fushë renditet e 174-ta.
Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se masat e fundit të vendosura nga autoritetet kompetente, mundësojnë uljen e kostos së regjistrimit dhe shkurtimin e kohës për të regjistruar biznese të reja. “Deri më tani, për shkak të burokracisë në disa komuna, kompanitë e huaja kanë hezituar që të fillojnë operimin e bizneseve të tyre në Kosovë. Nënkuptohet se shumë shtete të rajonit, këto masa i kanë marrë shumë vite më parë, dhe disa nga to, për shembull, Maqedonia, ka pasur sukses në tërheqjen e firmave apo investitorëve të huaj, në shtetin e tyre”, thotë Bektashi.
Krahas këtyre reformave, Kosovës i nevojitet edhe krijimi i një ambienti biznesor më i favorshëm, i drejtë dhe i barabartë për iniciativën private, thotë Lumir Abdixhiku. “Një ambient i drejtë, i favorshëm dhe i barabartë krijohet vetëm nëpërmes luftimit të anomalive, si korrupsioni, informaliteti, evazioni fiskal dhe politikat e rënda fiskale që i ka Kosova. Pra, po them se reformat janë të domosdoshme, janë të mira”.
“Le të shpresojmë se në rangimin e ardhshëm, Kosova do të marrë notë të mirë, dhe nga pozita e tanishme të kalojë më përpara, pasi kemi një rangim shumë të rëndë. Megjithatë, reformat ekonomike të mirëfillta kërkojnë qasje shumë dimensionale në fushat që i përmenda në fillim”, bën të ditur Abdixhiku.
Sipas autoriteteve qeveritare, reformat për lehtësimin e ambientit për biznes në Kosovë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ferronikeli mbi 12 milionë euro për reduktim të ndotjeve

NewCo Ferronikeli në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit, ka nisur zyrtarisht procesin për të marrë lejen për Mbrojtjen e Integruar të Kontrollit të Ndotjes (IPPC). Qëllimi kryesor i direktivave të IPPC është priorizimi i përpjekjeve dhe veprimeve në lidhje me mjedisin në mënyrë sa më efektive.
Gjithashtu javën e kaluar, Ferronikeli ka filluar procedure për të marrë certifikimin për ISO 14001. Rregullat ISO 14000 janë një varg udhëzimesh të krijuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim.
Këto rregulla janë të krijuara specifikisht për kontrollin dhe monitorimin efikas të mbetjeve industriale. Versioni I fundit i ISO 14001 është publikuar në vitin 2004 nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim.
Kompania ka për qëllim që të përfundojë këtë proces deri në fund të muajit Gusht të këtij viti.
Deri më tani, Ferronikeli ka investuar më shumë se 12 milionë euro në fushën e ambientit. Aktualisht janë duke u bërë edhe disa investime tjera që kapin vlerën rreth 3 milionë euro, të cilët kanë për qëllim përmirësimin e filterave, proces ky i cili pritet të përfundojë në maj të vitit 2013.
Ferronikeli është duke funksionuar në përputhshmëri me të gjitha rregulloret dhe ligjet për ambientin, dhe në mënyrë konstante investon në pajisjet e teknologjisë së fundit gjithashtu përmirëson pajisjet të cilat vetëm ndodhen në fabrikë.

Galliani: Barca kishte frikë

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, mendon se Barcelona tregoi frikë në barazimin e mbrëmshëm pa gola në San Siro.
“Është një rezultat i mirë, veçanërisht nëse marrim parasysh lëndimet që kishim dhe se disa lojtarë nuk ishin në formë të mirë, si Alessandro Nesta, Kevin-Prince Boateng dhe Robinho”.
“Barcelona filloi me ashpërsi, pasi ata kanë frikë nga Milani, mendoj. Ne ishim të pafat që barazuam, por Barca mund ta thotë të njëjtën gjë”.
“Ekipi luftoi, tregoi vendosmëri dhe kurajë. Veçanërisht e vlerësoj paraqitjen e Luca Antoninit”, ka thënë Galliani.

City bën gati 42 milionë për Falcaon?

Manchester City raportohet se është duke përgatitur një mega-ofertë për sulmuesin e Atletico Madrid, Radamel Falcao.
The Sun shkruan se City është duke ndarë 42 milionë për të transferuar kolumbianin gjatë verës.
City mendohet se tashmë ka hapur negociata me agjentin e Falcao, Jorge Mendes, për një transferim të mundshëm në Etihad.
Dhe sulmuesi 26-vjeçar mendohet se është i paepur të transferohet në Ligçën Premier për hir të karrierës ndërkombëtare. 

Përfundon finalja e Red Bull Paper Wings

Dje, e mërkurë (28 mars) në Palestrën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë është zhvilluar finalja e Kampionati i Aeroplanëve prej Letre, Red Bull Paper Wings.
Nga rreth 150 studentët nga e gjithë Kosova të cilët morën pjesë në këtë garë me aeroplanë prej letre, janë shpallur tre fitues, secili në njërën nga tre disiplinat konkurruese.
Fituesit janë:
1. Ajet Basholli – në disiplinën “Distanca më e madhe e përshkuar” (32.02 metër);
2. Gëzim Hajrullahu – në disiplinën “Koha më e gjatë në ajër” (8.19 sekonda), dhe
3. Flakron Miftari – në disiplinën “Fluturimi më akrobatik”
Vlerësimi për dy disiplinat e para u bë duke matur saktësisht distancën që përshkon aeroplani prej letre dhe kohën e qëndrimit në ajër. Përsa i përket disiplinës së tretë, “Fluturimi me akrobatik”, vlerësimi u bë nga juria e përbërë nga reperi Fugaa (Ardian Kurtolli), moderatorja Liberta Spahiu dhe përfaqësuesi i Klubit të Aviacionit, Besar Grazhda.
                                                                                       Ky kampionat sportiv dedikuar studentëve zhvillohet për herë të dytë në Prishtinë, pas konkurrimit në vitin 2009, ku fituesit nga Kosova morën pjesë edhe në Finalen Botërore të Red Bull Paper Wings të zhvilluar në Austri.
Edhe këtë vit tre fituesit kosovarë do të konkurrojnë në tre disiplinat e përmendura, duke përfaqësuar Kosovën në mesin e 85 shteteve nga e gjithë bota në Finalen Botërore të Red Bull Paper Wings që do të zhvillohet në Maj në Salzburg të Austrisë. 

Mata: Sigurisht, mund ta fitojmë LK-në

Ylli i Chelseat, Juan Mata, thotë se ata janë mjaft të mirë për ta fituar Ligën e Kampionëve.
Mata është i bindur se ai mund t’i japë fund sezonit të tij të parë në futbollin anglez duke fituar trofe.
“A jemi mjaft të mirë për ta fituar një trofe? Pse jo, pse jo? Nuk do të jetë e lehtë, por ne jemi në garë dhe po luftojmë për Ligën e Kampionëve dhe për Kupën FA”.
“Ne do të përpiqemi të përfundojmë në pozitën e tretë ose të katërt në Ligën Premier dhe do të luftojmë për këtë. Çdo lojtar është i përfshirë për të arritur objektivat tona në Kupën FA, Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier”.
“Ne kemi shumë ndeshje çdo javë dhe mendoj se është një vendim i mençur [ta rrotullojmë ekipin]”, ka thënë spanjolli. 

Bielsa: Raul ndër më të mirët në histori

Trajneri i Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa, ka lavdëruar sulmuesin e Schalke, Raul, në prag të ndeshjes së sotme në Gelsenkirchen në mes të dy skuadrave në kuadër të çerekfinales të Europa League.
“Schalke ka një sulm të fuqishëm. Klaas-Jan Huntelaar tregon se çfarë është në gjendje të bëjë çdo javë, dhe çfarë mund të thoni për Raul? Ai është një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave”.
“Megjithatë, kundër Manchester United ne arritëm të heshtim një sulm të fuqishëm, andaj pse nuk mund ta bëjmë atë sërish? Ajo çfarë është e rëndësishme është që ne të mos shkojmë drejt në grackë. Ne duhet të shmangim këtë me çdo çmim”, ka thënë Bielsa.

Ribery i kënaqur me fitoren ndaj Marseille

Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, është më se i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij, Olympique Marseille, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Francezi u rikthye për herë në parë në ish-stadiumin e tij, Velodrome, ku gjermanët siguruan fitore komforte falë golave të Mario Gomez dhe Arjen Robben, dhe të martën do ta presin skuadrën franceze në fushë të vet.
“Është një situatë e mirë për ne. Rezultati është i përkryer, është më mirë se një barazim pa gola ose fitore 1-0. Ne luajtëm me shumë në dhe merituam të fitojmë”, ka thënë ish-mesfushori i Marseilles.

Ribery i kënaqur me fitoren ndaj Marseille

Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, është më se i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj ish-skuadrës së tij, Olympique Marseille, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Francezi u rikthye për herë në parë në ish-stadiumin e tij, Velodrome, ku gjermanët siguruan fitore komforte falë golave të Mario Gomez dhe Arjen Robben, dhe të martën do ta presin skuadrën franceze në fushë të vet.
“Është një situatë e mirë për ne. Rezultati është i përkryer, është më mirë se një barazim pa gola ose fitore 1-0. Ne luajtëm me shumë në dhe merituam të fitojmë”, ka thënë ish-mesfushori i Marseilles.

Izco: Reali dhe Barcelona më lodhin

Presidenti i Osasunas, Patxi Izco, ka kritikuar Real Madridin dhe Barcelonën për ankesat e tyre ndaj referimeve.
Të dy gjigantët spanjoll janë ankuar për referim të njëanshëm këtë sezon – duke dërguar akuza ndaj njëri-tjetrin.
“Jam i lodhur nga Real Madridi dhe Barcelona që ankohen për gjyqtarët”, ka thënë Isco në lidhje sjelljet e dy gjigantëve spanjoll.
Osasuna këtë vikend do të presë në fushë të vet Real Madridin, dhe Izco mendon se në stadium do të ketë një atmosferë të nxehtë.
“Sigurisht, temperatura do të jetë shumë e lartë”, ka thënë spanjolli.

Puyol: Gjyqtari nuk akordoi penalti

Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, ka qenë kritik ndaj gjyqtarit Joan Eriksson në barazimin e mbrëmshëm pa gola të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit.
Puyol u tërhoq nga Djamel Mesbah brenda zonës së penaltisë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, por gjyqtari dha shenjë që loja të vazhdojë.
Barca kërkoi edhe një penalti në pjesën e parë kur Alexis Sanchez supozoi se ishte ndaluar në mënyrë të parregullt nga portieri Christian Abbiati.
“Çdokush e pa çfarë ndodhi. Derisa unë përpiqesha ta godas topin me kokë, u tërhoqa për fanelle”.
“Gjyqtari nuk dëshironte të akordojë penalti. E pashë në ekrane. Por ne nuk duhet të kërkojmë arsyetime. Ne duhet të luajmë. Referimi është i vështirë. Ne kishim një ndeshje të mirë dhe goli ishte e vetmja gjë që mungoi”, ka thënë spanjolli.

Allegri i kënaqur me barazimin

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është ndarë i kënaqur me lojtarët e tij pas barazimit pa gola ndaj Barcelonës.
“Ne u mbrojtëm në mënyrë shumë të organizuar Ne duhet të jemi të kënaqur me rezultatin, veçanërisht pasi kemi dy nga tre rezultatet të hapura për ne në ndeshjen e kthimit”.
“Barcelona ka shënuar në po thuajse të gjitha ndeshjet e tyre, andaj duhet t’u jap komplimente djelmoshave të mia që ia kanë dalë aq mirë. Do të jetë vështirë në Spanjë, por ky rezultat na jep neve fuqi”.
“Kur Leo Messi depërtonte thellë, Massimo Ambrosini e mbuloi atë. Megjithatë, ne duhet t’ia dalim më mirë nga ndalimet dhe topat e lartë”, ka thënë Allegri.

Deschamps i zhgënjyer me disfatën

Trajneri i Olympique Marseille, Didier Deschamps, ka shprehur frustrimin e tij me disfatën 2-0 ndaj Bayern Mnuichut në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Është e qartë se do të jetë shumë e komplikuar, pas disfatës 2-0. E dija këtë më herët, por ka shumë kualitete në këtë skuadër të Bayernit”.
“Ata i bëjnë shumë gjëra shumë mirë dhe ata kanë një fuqi në sulm që është impresive. Edhe pse ne bëmë gjëra të mira, goli para pauzës na lëndoi pasi ata nuk kishin shumë mundësi”, ka thënë 43-vjeçari për faqen zyrtare të klubit.

NBA: Griffin fluturon në fitoren e Clippers

Blake Griffin ka “fluturuar” gjatë pjesës së dytë të ndeshjes së mbrëmshme, në të cilën Los Angeles Clippers shënoi fitore 103-86 ndaj mysafirëve të Phoenix Suns.
Skuadra vendase filloi çerekun e katërt me avantazh prej 10 pikësh, pjesë e cila u karakterizua me lojë ajrore që u dha Clippersave fitoren e tretë radhazi dhe të 29-tën e sezonit (11 disfata).
Lojtari i All Star përfundoi ndeshjen me 27 pikë, 14 kërcime dhe pesë asistime, duke qenë ylli i mbrëmjes në Staples Center.
Suns (25 fitore dhe 26 disfata) nuk mund të bënin më shumë se sa të shikonin lojën e kundërshtarëve, dhe paraqitja e tyre në pjesën e dytë i la pa shpresa për ndonjë rezultat pozitiv.
Marcin Gortat shënoi 23 pikë dhe Steve Nash 15 kontribuoi me asistime, po aq sa edhe roja e Los Angeles, Chris Paul, i cili shënoi edhe 15 pikë. 

Guardiola kërkon mbështetjen e tifozëve

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se tifozët në Nou Camp do të jenë kyç për ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit.
“Tifozët tanë nuk mund të na lënë neve të martën. Ata duhet të vijnë në stadium dhe të na dërgojnë në gjysmëfinale. Këta lojtarë kanë dhënë aq shumë për t’u braktisur. Këtë të martë ne kemi një finale në stadiumin tonë me njerëzit tonë”.
“Ne kemi nevojë që Camp Nou të jetë i mbushur. Ne kemi një shans për të kaluar më tej dhe në mesin e të gjithëve, edhe unë besoj se është e mundshme”.
“Sfida kurrë nuk përfundon në një ndeshje. Megjithatë, duke pasur parasysh kushtet e fushës, të gjuash 17 herë është meritore. Milani ka shtatë Kupa Evropiane, dhe ne shkuam fyt për fyt me ta”, ka thënë Guardiola. 

Messi: Barazimi, një rezultat i rrezikshëm

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e sheh ndeshjen e kthimit ndaj Milanit si në sfidë shumë të vështirë.
Kampionët në fuqi të Evropës mbrëmë barazuan pa gola në San Siro dhe lojtari më i mirë në botë thotë se italianët mund të triumfojnë në këtë sfidë.
“Ishte një ndeshje e vështirë, por ne duhet të fitojmë. Ne luajtëm lojën tonë por ishte vështirë për shkak të fushës dhe për shkak se ata janë shumë të fuqishëm”.
“Është një situatë e rrezikshme. Secili ekip mund të shkojë më tej, ne shpresojmë se mund të shënojnë ashtu që të jemi ne. Ne merituam të fitojmë”, ka thënë Messi. 

Ibra optimist për ndeshjen e kthimit

Zlatan Ibrahimovic është plot vetëbesim rreth shanseve të Milanit për kualifikim në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas barazimit të mbrëmshëm pa gola ndaj Barcelonës.
“Ne vrapuam shumë sot dhe çdokush e di se Barcelona ka më shumë posedim se çdo skuadër tjetër bë botë”.
“Ne ia dolëm mirë dhe krijuam disa raste shënimi, por nuk arritëm ta gjejmë rrjetën. Sidoqoftë, barazimi 0-0 është një rezultat i mirë dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”.
“Ne tashmë kemi luajtur në Barcelona, edhe pa mua, andaj do t’i japim një shtytje dhe jam shumë optimist”, ka thënë suedezi pas ndeshjes së mbrëmshme. 

Seedorf: Jemi në pozitë të mirë

Veterani i Milanit, Clarence Seedorf, mendon se ata janë mirë të pozicionuar në betejën e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.
Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve do të thotë se Rossonerët mund të shkojnë më tej edhe me një barazim me gola në ndeshjen e kthimit në Nou Camp që zhvillohet të martën e ardhshme.
“Kjo na ofron neve mundësinë të kualifikohemi në rundin e ardhshëm. Ata duhet të luajnë për fitore, derisa ne do të kemi dy nga tre rezultatet në dispozicion”.
“Çdo skuadër ka anët e dobëta dhe ne përfundimisht mund të sjellim në shtëpi një barazim. Skuadrat italiane dinë si të mbrohen, derisa sonte ne i ndërruam anët dhe bëmë presion e të tjerët u mbrojtën”.
“Besoj se ne mund të kalojmë më tej dhe e respektoj Barcelonën. A do të jemi si Interi i Jose Mourinhos? Mos harroni se Milani e ka fituar këtë [Ligën e Kampionëve] i pari...”, ka thënë Seedorf. 

Rita Ora kapet duke u puthur me Rob Kardashian

Këngëtarja kosovare Rita Ora, e cila është spekuluar se ishte në lidhje dashurie me Rob Kardashian, është kapur në disa foto duke shkëmbyer puthje dhe përqafime me të dashurin e saj.
Edhe pse nuk e ka pohuar e as mohuar lidhjen e tyre, Rita Ora e ka shijuar kohën me të dashurin e saj të familjes së famshme Kardashian.
Tashmë po qarkullojnë disa foto të Ritës dhe Robit në Miami, në të cilin ata duken bashkë dhe shumë të afërt. 

Eliza Hoxha: Kam ende kohë për fëmijë

Eliza Hoxha mendon se ajo ende ka kohë për të krijuar familje dhe për t’u bërë nënë.
Sipas këngëtares kosovare çdo gjë vjen në kohë të vet.
“Mendoj që të gjithë në jetë kanë orën e vet. Çdo gjë ka kohën dhe momentin e vet tek secili nga ne”, ka pohuar Eliza për gazetën Shqip.
Këngëtarja mendon se “dashuria perfekte” nuk ekziston, por ekziston “dashuria e sinqertë”.
“Dashuri perfekte nuk ka, por perfeksioni mbështjell një dashuri atëherë kur e adhurojmë dhe e dashurojmë personin tjetër me gjithë anët e mira dhe të këqija që ka. Atëherë dashurojmë sinqerisht”, ka shtuar Eliza.

Snoop incizon album reggae

Snoop Dogg është duke punuar në një album të ri të zhanrit reggae me producentin e Beyonce, Diplo.
Reperi i hitit “Drop it Like it's Hot”, është duke punuar me producenti Diplo, i cili më herët ka punuar në këngë të Beyonce, M.I.A dhe Usher, dhe është duke provuar drejtime të reja muzikore.
“Snoop Dogg është një ikonë, ‘njeri’; ai është më i madh se muzika. Ajo çfarë bëjmë është një incizim reggae. E gjitha është reggae dhe ai këndon dhe ai bën një punë të tmerrshme dhe unë kurrë nuk e kam njohur, por ai e le zemrën në çdo këngë”, ka thënë Diplo
Ai ka zbuluar se së bashku me Snoop kanë filluar 18 këngë së bashku, dhe është i ngazëllyer që do të rikthehet sërish në studio për të vazhduar punën në prill.

Megan Fox shtatzënë?

Aktorja e Hollywoodit, Megan Fox, mund të jetë shtatzënë, raportojnë mediat amerikane.
Sipas revistës Star, aktorja 25-vjeçare është duke pritur fëmijën e parë me burrin Brian Austin Green dhe dyshja janë të ngazëllyer me këtë lajm.
Megan dhe Brian e kanë mbajtur lajmin vetëm brenda familjes dhe miqve të ngushtë, që ka qenë ca e vështirë pasi ata janë të ngazëllyer për foshnjën e ardhshme.
“Ata sapo e kanë kuptuar dhe janë jashtëzakonisht të ngazëllyer. Ende është herët, andaj ata u kanë treguar vetëm miqve të ngushtë dhe anëtarëve të familjes”, ka thënë burimi.

“Çelësi muzikor 6” po troket

Kanë nisur përgatitjet për festivalin “Çelësi muzkior” i cili këtë vit do të organizohet për të gjashtën herë radhazi.
Këtë vit do të ketë emra të njohur dhe këngëtarë të rinj në natën garuese të këtij festivali.
Ashtu si vitin e kaluar, artistët që jetojnë në Evropë do të kenë mundësinë të konkurrojnë në “Rinora 4” më 11 maj, ndërsa edhe artistët që jetojnë në Amerikë dhe Kanada do të jenë pjesëmarrës në këtë garë kënge.
Nata finale parashikohet të mbahet më 30 maj.