Serbia nuk e ka ndërmend të ndalojë hakmarrjen ndaj Kosovës dhe kosovarëve, duke përdorur çfarëdo forme të mundshme.
Një prej këtyre formave është lëshimi i urdhërarresteve ndërkombëtare, kryesisht kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së, viktima të të cilave deri më tash kanë qenë edhe jo pak zyrtarë të lartë kosovarë.
Rasti i fundit është ai i Shemsi Nuhiut, i cili ndonëse i lindur në Preshevë, ai kishte vetëm nënshtetësi kosovare. Sidoqoftë, në bazë të kërkesës së bërë nga Serbia, shteti zviceran që është ndër të parët që ka krijuar marrëdhënie diplomatike me Kosovën, e dërgoi Nuhiun në Beograd.
Ai atje u prit në kuadër të një ceremonie të veçantë që më shumë i ngjante një show televiziv, në krye të të cilit ishte ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, që është edhe pasuesi i Slobodan Milloshevicit në krye të Partisë Socialiste serbe.
Avokati i Shemsi Nuhiut, Ludovik Tirelli, i ka thënë “Zërit” përmes telefonit se ka raste të caktuara kur një shtet sado ka marrëdhënie të mira me Kosovën, nuk mund të përgjigjet negativisht në kërkesat për ekstradim nga Serbia. “Zvicra është një vend që e respekton Kosovën si shtet i pavarur, por ka raste kur për shkak të nënshkrimit të traktateve ndërkombëtare për ekstradim, në 98 % të rasteve duhet plotësuar kërkesat për ekstradimin e atyre që i kërkon p.sh. Serbia”, ka thënë Tirelli.
Ai ka sqaruar se shteti kosovar përfshi, edhe Ambasadën e Kosovës në Bernë, e kanë ndihmuar atë si avokat të Nuhiut, por edhe EULEX-i, por prapëseprapë askush nuk ka mundur të bëjë më shumë për të ndryshuar dërgimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Beograd.
Përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim i ka përmendur edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili megjithatë nuk pajtohet në tërësi me avokatin Tirelli.
“Përpjekjet në ndihmë jo vetëm të Shemsi Nuhiut, por edhe të gjithë të tjerëve që përballen me kërkesat për ekstradim në Serbi nuk do ndalojnë. Sidoqoftë, më duhet të them se vendimi për dhënien fund njëherë e përgjithmonë të plotësimit të kërkesave serbe për ekstradim apo arrestim varet nga shtetet dhe institucionet ndërkombëtare, veç e veç”, ka thënë Kuçi.