Draskovic: Kosova si fatamorganë për Serbinë

Qytetarët e Serbisë, tash e 12 vjet, çdo sekondë paguajnë 20 euro për mbajtjen e “sovranitetit të zhvendosur” mbi Kosovën, tha lideri i partisë Lëvizja e Përtëritjes Serbe, Vuk Draskovic.
Në konventën e “Kthesës”, në listën e së cilës Lëvizja e Përtëritjes Serbe(SPO) do të merr pjesë në zgjedhjet e ardhshme, Draskovici pyeti se çka po ndodhë me elitën politike, pasi vetëm “Kthesa” kërkon që të ndërpritet vrasja e Serbisë për shkak të diçka që ekziston vetëm si fatamorganë”, raporton gazeta Blic.
Sipas tij, është për tu çuditur se si Serbia me elitë të tillë politike fare mund të hyjë në Bashkimin Evropian.
“Po ta kishin përfillur ‘Kthesën’, Serbia që në muajin dhjetor të vitit të kaluar do të merrte edhe datën për fillim të bisedimeve me BE-në”, shtoi ai.
Ai vlerësoi se nuk mund të ndërtohet Serbia evropiane mbi themelet e Serbisë miloseviciane.
Ai tha se këto themele të Serbisë së Milosevicit sot shihen në dy parime – në atë që më 2001 u arrestua dhe u dorëzua në Hagë komandanti suprem i krimit (S. Milosevic), kurse vetëm më 2011 edhe magazinieri (R. Mladic), si dhe në atë se pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244 sovranitetin mbi Kosovën regjimi i atëhershëm e zhvendosi në Serbi.

Asgjë prej Udhërrëfyesit

Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Gëzim Kasapolli, ka thënë se ende s’ka asgjë të re lidhur me datën e marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
“Vazhdojmë të jemi me fjalët e njëjta të komisionares Malmstrom, e cila ka thënë se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave do të mund të vijë në Kosovë kah fundi i pranverës së këtij viti”, tha Kasapolli, transmeton “Zëri”.
Vetëm një ditë më parë, ishte ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili përmes një deklarate, për të cilën më pas tha se është keqinterpretuar, pati thënë se udhërrëfyesi do të vijë në Kosovë javën e ardhshme.
“Po, ishte veçse një keqkuptim”, tha njëjtë edhe zëvendësministri Kasapolli, lidhur me deklaratën e Beqajt.

Njësiti i FSK-së në ushtrim fushor në Danimarkë

Njësisë Ndërlidhëse për Reagim të Krizave të Forcës së Sigurisë të Kosovës, që përbëhet nga 40 oficerë dhe nënoficerë udhëtoi sot në Danimarkë, ku do të marrë pjesë në një ushtrim fushor njëjavor.
Në ceremoninë e organizuar, në përcjellje të këtij njësiti, në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore ishte komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së FSK-së, Shkëlzen Syla dhe zëvendës komandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga FSK-ja.
“Sot është një ngjarje e veçantë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, sepse ne para tri ditëve e dërguam një tog të FSK-së, në Republikën e Turqisë, për trajnime Operacione Mbështetëse të Paqes, dhe kjo është hera e dytë, që ne po dërgojmë tani një njësi të plotë (40) jashtë vendit për trajnime për të dhënë kontributin tonë në operacione paqeruajtëse nëpër botë. Njësia për Reagim Krizash shkon në Danimarkë për një ushtrim kolektiv atje dhe unë e falënderoj shumë Danimarkën për këtë donacion dhe për kontributin që po jep në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës”, tha gjeneral Kastrati.
Sipas tij, pas arritjes të kapaciteteve të plota operacionale FSK-ja po tregon dita-ditës që është forcë profesionale, është forcë e cila, jo vetëm për të mirën e Kosovës, por edhe për të kontribuar në operacione të ndryshme nëpër botë.
“Ne po tregojmë, me performancën tonë që FSK-ja, po ecë drejt rrugës së integrimeve në NATO dhe ky është një kontribut i Danimarkës, që për ne është shumë më rëndësi dhe ka vlerë të madhe, për arsye që FSK-ja po tregon çdo ditë se po i përmbush standardet e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Trajnimi i Njësisë për Reagim Krizash, në Danimarkë, është mundësuar falë punës dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me ushtarakët mentorues danezë, nënkolonel Gjon Flarup, majorit Eluf Pedersen dhe nënkolonel Holger Fuglsang, të cilët në mandatin e tyre u angazhuan dhe po angazhohen në ngritjen profesionale të NJNRK-së”.
Në përcjelljen e Njësisë, për në Danimarkë, ishte edhe nënkolonel Holeger Fuglsang, i cili ka merita për këtë trajnim.
“Qëllimi i këtij ushtrimi është përgatitja e njësisë për reagime të krizave, me qëllim, për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës, për raste emergjente, dhe fatkeqësive të tjera natyrore, etj. Besoj se Njësia për Reagim Krizash e FSK-së, gjatë ushtrimit në Danimarkë, do të arrijnë të përvetësojnë shumë, se aty janë procedurat standarde, siç i mësojnë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s”, tha ai.
Njësia Ndërlidhëse për Reagim të Krizave në Danimarkë, do të zhvillojë një trajnim, nga 25 mars deri më 1 prill, në Qendrën e Agjencisë Daneze të Menaxhimit të Krizave Emergjente (DEMA), që udhëhiqet nga Ministria Mbretërore e Mbrojtjes së Mbretërisë së Danimarkës. 

Bilanci i dialogut

Në kohën kur dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit është duke “pushuar”, deri në krijimin e qeverisë së re në Serbi, në skenën politike kosovare janë shtuar pakënaqësitë për ecurinë e deritashme dhe rezultatet që arriti pala kosovare në këtë proces.
Kjo pakënaqësi u shpërfaq së fundi në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën deputetët e opozitës bënë thirrje për ndërprerjen e bisedimeve, kurse kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, kërkoi dorëheqjen e shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri, duke e akuzuar atë për paaftësi negociuese.
Më pozitive, ndërkaq, ishin vlerësimet e deritashme në Serbi sa i takon punës së kreut të delegacionit të këtij shteti në dialogun me Kosovën, Borko Stefanovic.
Vladimir Todoric, nga Qendra për Politika të Reja në Beograd, shprehu bindjen që në vlerësimet e kundërta të kenë ndikuar pritjet e ndryshme që kanë pasur pala serbe dhe ajo kosovare për përfitimet e dialogut.
“Mendoj se në përgjithësi Prishtina e ka bërë një gabim kur ka rritur pritjet nga njerëzit e saj diku dy javë para krijimit të marrëveshjes për përfaqësim rajonal, sepse patën thënë publikisht se nuk do të pajtohen me asgjë më pak se sa denominimin si Republikë e Kosovës”.
“Ky nuk ishte një hap i mençur, ndërsa hapi tjetër edhe më i pamençur ishte dërgimi i letrave te një pjesë e shteteve anëtare të BE-së, me të cilat kërkohej që Serbisë t’i mos jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Serbia, në një farë mënyre, ka fituar, nëse mund ta quajmë ‘garën e bukurisë’ në dialog duke qenë më konstruktive dhe duke ofruar modele e kombinime të ndryshme për një marrëveshje”, theksoi Todoriq për Radion Evropa e Lirë.
Kritikat drejtuar Qeverisë dhe palës kosovare në dialog u ashpërsuan sidomos pas marrëveshjes për bashkëpunim rajonal, e cila parasheh përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale e ndërkombëtare pa fjalën Republikë dhe një asterisk, në fusnotën për të cilin përmendet rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më se një muaj pas arritjes së marrëveshjes në fjalë, kanë nisur të qarkullojnë idetë për rikompozimin e delegacionit të Kosovës.
Mirëpo, Ardian Arifaj, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), i tha REL se problemi i bisedimeve nuk ka të bëjë me përbërjen e delegacioneve.
“Në të vërtetë problem i dialogut nuk është kush po e udhëheq delegacionin e Prishtinës se sa është problem i tërë formati, në të cilin po zhvillohet dialogu, korniza brenda të cilit po zhvillohet dialogu, e ku Kosova e Serbia nuk trajtohen në mënyrë të barabartë prej BE-së dhe ku e tëra duket se po bëhet për ta shpërblyer Serbinë dhe jo për ta shpërblyer Kosovën”, tha Arifaj, për të theksuar rëndësinë që Prishtina të refuzojë kategorikisht hyrjen në dialogun politik enkas për veriun e Kosovës - mundësi kjo e përmendur tashmë edhe nga zyrtarët në Bruksel.
Todoric, ndërkaq, e quajti të domosdoshëm zhvillimin e bisedimeve për veriun me rezultat eventual një autonomi të zgjeruar për atë pjesë. Me zgjidhjen e problemit të veriut, sipas tij, do t’i hapej rruga “marrëveshjes historike” ndërmjet të dyja palëve që do të mund t’i ngjasonte modelit të vitit 1974 ndërmjet të dy Gjermanive.
Por, për të biseduar për veriun, Prishtinës zyrtare, sipas Todoricit, do t’i duhet një qeveri e fuqishme.
“Ne kemi ende mjaft njerëz të luftës në Qeverinë e Kosovës që kanë një sfond të luftëtarëve dhe komandantëve, ndërsa Beogradi ka një gjeneratë të tretë të politikanëve pas 1999-s. E kemi pasur Kostunicën, Gjingjicin, e tani e kemi Tadicin - pra, gjeneratat janë të ndryshme dhe dinamika politike në Beograd është më e gatshme për ndryshime se sa ajo në Prishtinë”, u shpreh Todoric.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian pati nisur në mars të vitit të kaluar për të rezultuar, pas nëntë raundeve të takimeve ndërmjet palëve, me shtatë marrëveshje-në formën e konkluzioneve.
Në raundet e ardhshme të këtij procesi Prishtina e Beogradi pritet të diskutojnë për energjinë dhe telekomunikacionin, por ende nuk është caktuar ndonjë datë për vazhdimin e tij.

Të rinjtë e Kosovës, pro dhe kundër migrimit

Perspektiva ose jo për një jetë më të mirë në Kosovë, i vë para dilemave të rinjtë që të rrinë apo të kërkojnë alternativa jashtë vendit.
Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, VOX, disa të rinjtë thonë se Kosova ka resurse të mjaftueshme për një perspektivë në të ardhmen, ndërsa të tjerët shprehen se për një perspektivë më të mirë do ta braktisin vendin.
Kaltrina Krasniqi, është studente në Fakultetin Ekonomik. Ajo nuk dëshiron të migrojë jashtë vendit. Kosova për Kaltrinën është vendi më i bukur dhe më i pasur në krahasim me shumë vende të botës. Njëjtë mendon Remi, shitës ambulant në qendër të kryeqytetit, i cili edhe pse nuk ka përfitime të mëdha materiale nga puna e tij, nuk mendon ta braktisë Kosovën.
Për Tringa Dançën nuk ekziston ndonjë arsye që e bind të migrojë në vende të ndryshme të botës, njëjtë si për studenten Arbenita Berisha:
“Kur i kemi kushtet e mira këtu, pse të largohem?! Punoj, jam në fakultet dhe nuk mendoj që ta braktisi Kosovën”, thotë Arbenita
Por, ndryshe mendojnë disa të rinj të tjerë. Mungesa e perspektivës për të ardhmen ka ndikuar që disa qytetarë të interesohen që të ikin nga Kosova. Njëri prej tyre është Asllan Bllaca, student në Fakultetin e Edukimit. Ai konsideron se politizimi i popullatës dhe pamundësia për të gjetur një vend pune në bazë të kritereve të caktuara, është arsyeja e interesimit që të migrojë jashtë vendit.
Kosova ballafaqohet me kushte të rënda socio-ekonomike, rrjedhimisht me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, thotë Nevaip Luri, 25 vjeç. Ai do ta lëshonte për një periudhë të shkurtër kohore.
“Varet prej situatës, prej kushteve, nëse më ofrohet diçka të punoj jashtë, do të iki nga Kosova. Edhe jashtë profesionit tim kisha shkuar të punoj”, shprehet Nevaipi.
Asdren Tahiri thotë se po t’i jepej mundësia, me dëshirë do shkonte në Angli për të studiuar, ndërsa Viktor Shala thotë se me dëshirë do të migronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, prej vitit 2000 e deri më tash vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kishin lëshuar në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Parandalimi i migrimit është një ndër parakushtet e Bashkimit Evropian për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon lirinë e lëvizjes në zonën e bardhë të Shengenit. 

HP: Jahjaga dhe imazhi i ri gruas myslimane

Huffington Post e ka përmendur Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, si personalitet që ndryshon pikëpamjet botërore për femrën e besimit mysliman.
Qysh prej fillimit të karrierës së saj si Presidentja e parë e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është përmendur nga media të shumta botërore, si shembull i avancimit të gruas në nivelet më të mëdha vendimmarrëse të politikës.
Jahjaga përmendet në shkrim si gruaja më e re në postin e presidentes në botë.
“Kryeministrat e Bangladeshit (Sheikh Hasina Wazed) dhe të Malit (Cisse Mariam Kaïdama Sidibe) janë gra myslimane. Njëjtë si ato, presidentja e tashme e Kosovës, Atifete Jahjaga, është gruaja më e re presidente në botë, si dhe presidentja e parë myslimane e shtetit të saj”, thuhet në shkrim.
Mediumi amerikan shkruan se përkundër përshtypjes që ekziston, gratë myslimane kanë shërbyer si lidere revolucionare dhe heroike. Megjithatë, thuhet aty, në vitet e fundit, për shkak të klimës globale socio-ekonomike, togfjalëshi “grua myslimane” mund të krijojë një imazh të gruas së ndrojtur dhe të pafuqishme, të fshehur pas një ferexheje.
“Që nga viti 1988, Bangladeshi, Indonezia, Mali, Pakistan, Kosova, Kirgistani, Senegali dhe Turqia janë udhëhequr, në një masë, nga gratë si kryetare apo kryeministre”, shton autorja Fazeela Siddiqui, menaxhere e Iniciativës së Grave Myslimane.
Për nder të Muajit të Historisë së Grave, autorja ka paraqitur listën e 10 grave myslimane, që nga shekulli i VII-të e deri në ditët e sotme, të cilat “duhet t’i njoh secili”.
“Disa nga këto gra kanë qenë të burgosura, të tallura dhe të kritikuara për aktivitetin e tyre. Por, forca dhe besimi i tyre ka mbijetuar gjithmonë”, shkruan Siddiqui.
Lista përbëhet nga këta emra: Nusayba bint Ka'b Al-Ansariyah, Rab'ia al-Adawiyya, Fatima al-Fihri, Sultan Raziyya, Nana Asma'u, Laleh Bakhtiar, Shirin Ebadi, Amina Wadud, Daisy Khan dhe Anousheh Ansari.
Emri i presidentes Jahjaga nuk përmendet në listë, por si shembull në shkrim që përforcon dhe përmirëson imazhin e gruas myslimane në botë.
Javë më parë, revistat Daily Beast dhe Newsweek e kishin radhitur Jahjagën në mesin e 150 femrave më të guximshme të botës. 

Thiago Silva mungon edhe në Camp Nou

Kampioni i Italisë, Milani, ka konfirmuar në faqen zytare se mbrojtësi, Thiago Silva, do të mungojë tri deri në katër javë.
Thiago Silva ishte në rrezik për ndeshjen ndaj Romës, për shkak të një dëmtimi muskulor, por Allegri e rrezikoi dhe braziliani u largua pas vetëm dhjetë minutash.
Pas ndeshjed Allegri deklaroi se Thiago Silva do të mungojë sigurt në ndeshjen e parë ndaj Barcelonës që zhvillohet në San Siro, por ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar se qendërmbrojtësi do të mungojë tri deri në katër javë.
Kjo do të thotë se Thiago Silva do të mungojë edhe në ndeshjen kthyese ndaj Barcelonës në Camp Nou, e që përbën lajm aspak të mirë për Massimiliano Allegrin, i cili duhet të llogarisë në të posa rikthyerin Alessandro Nesta, që shihet si zëvëndsësuesi më i mirë i atij që konsiderohet mbrojtësi më i mirë në botë. 

Dalglish: Ishim të lodhur

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, e ka fajësuar lodhjen si arsyen e paraqitjes së dobët të ekipit të tij ndaj Wiganit të shtunën në Anfield.
“Unë thjesht mendoj se nuk e kemi pasur freskinë që e kemi pasur në shumë ndeshje tjera. Ne tentuam që të luajmë, por thjesht nuk kemi mundur. Ata ishim precizë në pasime”.
“Ne është dashur të përballojmë tri ndeshje për një javë dhe kjo është shumë. Kjo është shumë sepse kemi pasur edhe lëndime, por duhet t’ia dalim disi me këtë kalendar të ngjeshur”, ka deklaruar Dalglish. 

Fitore madhështore e Alonsos në Malajzi

Piloti i Ferrarit, Fernando Alonso, ka arritur që në mënyrë sensacionale të fitojë garën për Çmimin e Madh të Malajzisë, në kushte ekstreme atmosferike.
Shiu i madh në shtegun Sepang ka bërë që gara pas nëntë xhirove të shtyhej për 50 minuta, ndërsa pas rifillimit, gjithçka punoi në të mirë të Alonsos.
Ngasësi i Ferrarit nuk e kishte problem që të okuponte pozitën e parë, teksa paraqitje mjeshtrore kishte edhe piloti i Sauber, Sergio Perez, i cili u rendit i dyti. Leëis Hamilton i McLaren arriti vetëm vendin e tretë, sa për të qenë në pole.
Sigurisht, zhgënjimi më i madh i ditës ishte Sebastian Vettel, i cili pas një përplasje me Karthikeyan u detyrua që të largohej nga gara.
Ishte kjo fitorja e 28-të në karrierë për Fernando Alonson, teksa pas dy garave të zhvilluara në Formula 1, gjithçka na flet për një sezon të jashtëzakonshëm ku titulli do të diskutohet nga shumë pilotë. 

Heynckes komplimenton ekipin

Strategu i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, ka komplimentuar lojtarët e tij për paraqitjen në fitoren prej 2-1 ndaj Hannoverit në Allianz Arena.
“Komplimente ekipit tim. Nuk është e lehtë që të shfaqësh paraqitje fantastike dy ditë pas një ndeshje për Kupë. Ju prisni të jeni nën presion, sidomos pasi keni luajtur 120 minuta në mesjavë”.
“Unë jam shumë i kënaqur. Siç kemi parë të gjithë, Hannoveri nuk është rastësisht në çerekfinale të Europa League dhe në pozitat e larta në tabelë për ndonjë rastësi. Ata janë mirë të organizuar dhe është vështirë të fitosh ndaj tyre. Por, mendoj se merituam fitoren”, ka deklaruar Heynckes.

Toure: Pa panik

Kapiteni i Manchester Cityt, Yaya Toure, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të mos hynë në panik pas dështimit të radhës kur ‘qytetarët’ barazuan te Stoke City të shtunën mbrëma.
“Është vërtet me rëndësi që të mos bëjmë panik. Ne barazuam ndaj një ekipi të mirë. Është gjithmonë e vështirë itë luash ndaj Stoke Cityt, por mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të vvazhdojmë kështu, duke punuar shumë”.
“Shpresojmë që United do të lëshojë pikë. Mendoj se ne duhet të punojmë shumë më shumë dhe t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”, ka theksuar Toure.

Crouch: Goli më i mirë në karrierë

Sulmuesi i Stoke Cityt, Peter Crouch, e ka përshkruar golin e shënuar ndaj Manchester Cityt si golin më të mirë të karrierës së tij.
Sulmuesi shtatlartë e befasoi portierin Joe Hart me një super volej nga 27 metra, për t’i dhënë epërsinë ekipit të tij, ndërsa goli i realizuar duket se do të ngelë në kujtimet e sulmuesit anglez. 
“Është pa dyshim goli më i mirë që kam shënuar ndonjëherë. Unë gjithmonë kënaqem me volej goditjet, por ato jo gjithmonë shkojnë drejt në portë. Çdo ditë në stërvitje ushtroj volej goditjet dhe kur më erdhi topi, provova dhe shënova”, është shprehur Crouch.

Galliani lëvdon Ibrën

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka vuajtur për të gjetur fjalët e duhura për të përshkruar paraqitjen fantastike të Zlatan Ibrahimovic ndaj Romës, pasi suedezi ishte krucial në fitoren prej 2-1 në San Siro.
“Ibra ka pasur probleme në shpinë dhe ishte e pa sigurtë nëse do të luante. Por, më pas ai shënoi dy gola dhe ai është lojtar i jashtëzakonshëm”.
“Dhe si gjithnjë golat e tij janë të veçantë. Ai është fantastik...i jashtëzakonshëm”, ka theksuar Galliani. 

City të mposhtë Unitedin për Martinez

Manchester City është në pole pozicion për të transferuar mesfushorin e Athletic Bilbaos, Javi Marintez, i cili po kërkohet edhe nga Manchester United.
Shuma që City do të ofrojë për mesfushorin spanjoll do të jetë prej rreth 25 milionë funtesh, e që nuk do të mund të përballohet nga Manchester United.
Kështu, sipas mediave angleze Sir Alex Ferguson është duke kërkuar alternativa tjera, pasi City duket ta ketë bllokuar mesfushorin e Bilbaos.

Ronaldo ndjek Messin, thyen rekord

Cristiano Ronaldo është bërë lojtari i parë në histori të Real Madridit që ka arritur të shënojë 100 gola në më pak se 115 ndeshja, pas golit të shënuar nga portugezi ndaj Real Sociedadit të shtunën.
Sulmuesi portugez e shënoi golin e tij të 100-të në vetëm ndeshjen e tij të 92-të, duke thyer rekordin e Ferenc Puskas që ka arritur të shënojë 100 gola për 115 ndeshje. Ky ishte goli i 44 i Ronaldos këtë sezon.
Real Madridi është gjashtë pikë para Barcelonës në renditjen tabelare në La Liga. 

Seveni dhe Vig Poppa thonë “She Got Me”.

Seven Saraqi është rikthyer me një projekt të ri. Kësaj radhe këngëtari i ri vjen me një bashkëpunim me reperin e hip-hop grupit, Kaos, Vig Poppa.
Kënga e punuar nga Vig Poppa titullohet “She Got Me” dhe synon të prekë të gjitha ‘playlistat’ e diskotekave kosovare.
Videoklipin e këngës e ka punuar produksioni PinkMoon Creative, teksa kënga dominohet nga ngjyrat bardh e zi.

“Seh-Dat”, këngë e kopjuar?

Kënga e cila ka rreth gjysmë milionë shikime në YouTube dhe që këndohet nga hop-hop artistët DJ Blunt dhe Real 1 nuk është asgjë tjetër pos një këngë e kopjuar.
Kështu mund të konkludojmë nëse dëgjojmë këngën origjinale “Caan Dun” të kënduar nga Shabba Ranks, një këngëtar xhamaikan ky i stilit reggae.
Kënga e Shabba Ranks është qartë kënga origjinale, pasi është postuar në YouTube në vitin 2007, përderisa nga ana tjetër “Seh-Dati” shqiptar është lansuar në vitin 2011. Pos tjerash, Shabba Ranks ka një karrierë të jashtëzakonshme që daton nga viti 1985 e deri më sot.
Krahasimi përfundimtar ju takon juve...

Tuna: Lorik Cana, shqiptari më i bukur

Këngëtarja seksi, Altuna Sejdiu, sigurisht se ka preferencat e saj edhe sa u përket meshkujve. Dhe jo pikëpyetje të mëdha duhet të vihen në këtë aspekt, pasi këngëtarja seksi nuk ka dyshime – ajo e di se kush është mashkulli më i bukur shqiptar.
Siç raporton Standardi, Tuna mendon se Lorik Cana mund të jetë mashkulli më i mirë shqiptar, por ka disa arsye pse ajo menodn kështu.
“Te meshkujt që më pëlqejnë shoh buzëqeshjen dhe dhëmbët e bukur dhe ndoshta shqiptari më i bukur është Lorik Cana”, ka theksuar Tuna.

70,000 aplikacione në WP Marketplace

Pjesa më e madhe e analistëve pajtohen se pranimin më të mirë të pajisjeve të bazuar në sistemin operativ mobil të Microsoftit deri tani e pengonin dy gjëra – mungesa e telefonave “interesant” dhe numri i vogël i aplikacioneve në dispozicion të shfrytëzuesve.
Derisa Nokia me linjën Lumia arriti të tërheq vëmendjen në këtë platformë, Microsoft po punon në “rekrutimin” e programerëve të rinj dhe pasurimin e ofertës së aplikacioneve.
Sipas fjalëve të presidentit të departamentit të Microsoftit në Kinë, Windows Phone Marketplace numëron mbi 70,000 tituj. Krejtësisht janë regjistruar mbi 100,000 programer të cilët punojnë në aplikacionet për Windows Phone, e Marketplace është në dispozicion në 63 vende të botës. Gjatë dhjetorit ishte publikuar se për Windows Phone janë në dispozicion 50,000 aplikacione, e gjatë janarit kjo shifër u rrit në 60,000 tituj.
Natyrisht, numri i aplikacioneve në dispozicion është i zbehtë në krahasim me gjysmë milioni tituj në Google Play dhe App Store, por ende tregon një lëvizje pozitive për lojtarin e tretë në treg. 

Elvisi dyvjeçar (Video)

Elvis Presley ka vdekur para shumë vitesh, por muzika e tij do të jetojë gjithmonë falë fansave që vazhdojnë të dëgjojnë, ndjejnë dhe vallëzojnë me tingujt e muzikës së Mbretit të rokënrolit.
Një fans besnik i Elvisit është edhe danezi dyvjeçar, William Stokkebroe, i cili nuk turpërohet të tregojë lëvizjet më të mira në pistën e vallëzimit. 

Serbët bëjnë roje në urën e Mitrovicës

Në veri të Kosovës vazhdojnë kujdestaritë e serbëve në barrikada, sidomos në urën e Ibrit.
Kujdestaritë e tyre janë shtuar në barrikadën e Zupçit dhe në Dolan. Serbët thonë se janë të gatshëm të reagojnë për të ndaluar tentimet e EULEX-it që pa përcjellje të KFOR-it e me më shumë se tri makina të qarkullojnë drejtë pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Srna shkruan se serbët po merren me aktivitetet e tyre bujqësore, “por se kjo nuk ndikon në gatishmërinë e tyre që në rast nevoje të mblidhen tek 16 barrikadat” e vendosura në pjesën veriore të Kosovës.

Thaçi dhe Tadici takohen në qershor

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Presidenti i Serbisë Boris Tadic, mund të takohen gjatë muajit qershor në Londër ose në Bruksel.
Burime ndërkombëtare, të cilat kanë folur në kushte anonimiteti për gazetën Express, kanë përjashtuar mundësinë që takimi të ndodhë në Sarajevë, për fatin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Thaçi më herët ka thënë se nuk ka ndonjë problem ta takojë Tadicin, pasi takime me të ka pasur edhe gjatë bisedimeve për statusin në Vjenë. 

PDK zhvendos vëmendjen nga keqqeverisja

Themelimin e “Kabinetit për Qeverisje të Mirë” për Prishtinën, nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi, PDK, disa e shohin si përpjekjen e fundit të tij që ta zhvendosë vëmendjen nga keqqeverisja e Kosovës dhe ta nxjerrë liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili drejton Komunën e Prishtinës, si person që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit.
“Kjo është garë legjitime politike, pra që t’i fshehin mangësitë e tyre dhe t’i publikojnë mangësitë e tjerëve, madje t’i rrisin ato, pse që ta promovojnë veten se janë më të mirë se konkurrentët”, thotë për Zëri, Ardian Arifaj.
Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, thotë se është e pakuptimtë që të krijohet kabinet në hije për Prishtinën, ngase PDK-ja është në qeveri dhe i ka të gjithë mekanizmat për të përkrahur zhvillimin e Prishtinës.
“Thaçi po krijon kabinet në hije për Prishtinën, gjoja se po brengoset për Prishtinën, por ai nuk e ka vizituar asnjëherë Komunën e Prishtinës për të kuptuar nevojat dhe brengat e qytetarëve, edhe pse është vetëm dyqind metra larg Komunës”, thotë a duke pyetur se si ka mundësi që të pretendohet qeverisja e mirë nga një parti e cila di vetëm të keqqeverisë.
“Qeveria Thaçi është cilësuar si më e korruptuar në rajon dhe më gjerë”, thekson Hoti.

Konkluzionet, joobliguese për qeveritë e ardhshme

Çfarëdo ndryshimi në skenën politike të Kosovës apo të Serbisë mund të qesë poshtë gjithë produktin e deritashëm të dialogut të realizuar në Bruksel. Kjo sepse konkluzionet e dakorduara nga palët nuk definohen si marrëveshje ndërkombëtare.
Asnjë obligim kushtetues për të zbatuar konkluzionet nuk ka një pushtet i ri që mund të vijë në Kosovë, i ka thënë Kohës Ditore një njohës i së drejtës kushtetuese.
“Shumë qartë dihet se çfarë janë marrëveshjet ndërkombëtare. Konkluzionet nuk janë të tilla dhe për pasojë kurrfarë obligimi, as kushtetues dhe tjetër, nuk ka për t’i implementuar. As në Kosovë dhe as në Serbi”, ka thënë ky njohës i kushtetueses, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, që ka folur në kushte anonimiteti. “Por, shtrohet një pyetje këtu: cili pushtet, para së gjithash në Kosovë, do të shpërfillte konkluzionet pas të cilave qëndrojnë BE-ja dhe SHBA-ja? Unë them se asnjëri”.
Prej se ka nisur dialogu Kosovë-Serbi rreth një vit më parë, janë arritur disa marrëveshje të emërtuara si “konkluzione”. Ato nuk i kanë firmat e përfaqësuesve të të dyja vendeve, por pas dakordimit nga palët për përmbajtjen, ndërmjetësi i dialogut Robert Cooper, një zyrtar i autorizuar i BE-së në rolin e lehtësuesit të dialogut, i bën publike ato. Ngaqë janë të tilla, nuk janë qitur për aprovim në Kuvend. 

Allegri lëvdon impaktin e Muntarit

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, beson se Adriano Galliani bëri punë të shkëlqyer me transferimin e Sulley Muntarit nga Interi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi ganezi po i përmbush pritjet e strategut italian.
“Siç e njoh unë Muntarin, ai ka mundur të luajë shumë më mirë, por ai nuk ka luajtur që dy vjet. Ai i jep shpejtësi lojës dhe ka teknikë të mirë. Isha i zhgënjyer me kartonin e marrë, por Galliani ka marrë një lojtar shumë të mirë në janar”.
“Ne pranuam një gol të pa fat dhe eipi kërkoi rezultatin deri në fund. Lojtarët ishin në formë të shkëlqyer. Ne duhet t’i fitojmë edhe ndeshjet tjera pasi Juventusi është në formë të mirë dhe të dielën e ka sfidën që mund ta vendosë titullin”, ka thënë Allegri. 

Butragueno: E kemi harruar Villarrealin

Drejtori i Real Madridit, Emilio Butragueno, beson se Real Madridi ka dëshmuar në fitoren prej 5-1 ndaj Real Sociedadit se Los Blancos e kanë harruar ndeshjen kontraverse ndaj Villarrealit të zhvilluar të mërkurën.
“Ndeshja e të mërkurës ishte shumë stresuese. Por, ndeshja ndaj Villarrealit mori fund. Ndaj Sociedadit luajtëm lojë shumë të mirë”.
“Ne fituam një prej tri ndeshjeve të rëndësishme që po na presin, ndërsa tani e kemi edhe sfidën ndaj APOEL-it dhe atë ndaj Osasunës në Pamplona të shtunën”.
“Shumë qartë, ne merituam fitoren ndaj Malagas dhe ndaj Villarrealit, por një gjë e tillë mund të ndodhë. Ne nuk jemi shpërqëndruar, kemi gjashtë pikë më shumë se sa Barcelona. Dhe kjo nuk është keq”, ka deklaruar Butragueno, zyrtari i vetëm që u shpreh pas ndeshjes për shkak të heshtjes mediatike të urdhëruar nga Jose Mourinho. 

Ibra: Sezoni im më i mirë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka deklaruar se ai beson se ndoshta është duke e kaluar sezonin më të mirë në karrierën e tij, pasi ishte vendimtar në fitoren prej 2-1 ndaj Romës në San Siro. P
“Që disa ditë kam pasur fat të keq, por adrenalina në fushë vërtet më ndezi për të shënuar gola”.
“Falë Zotit, gjithçka shkoi mirë. Unë mendoj se ky është sezoni im më i mirë në karrierë. Mendoj se forma ime në kampionat ka qenë më shumë se e përkryer. Unë ndihem mirë fizikisht dhe mentalisht, kam luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet. Është edhe një muaj i tërë për t’u luajtur dhe është fakt se jam i lodhur, por ndihem mirë”, ka thënë Ibra.

Guardiola: Gjyqtarët kanë humbur besimin

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se mbrojtësi Gerard Pique është dashur të suspendohej së fundmi pas komenteve për Carlos Velaso Carballo, por pohon se komisioni i garave i La Ligas dhe komiteti i gjyqtarëve vazhdimisht kanë shfaqur dobësi sa që e kanë humbur totalisht respektin e klubeve.
“Që një kohë komitetet kanë humbur respektin. Ne jemi në një pikë ku gjithçka është dyshuese. Ka aq shumë gjëra që lihen të shojnë pas dhe në fund ata e kanë bërë veten të mos respekthen”.
“Gerard Pique, për atë që ka thënë, ndoshta meritoi suspendimin. Por, ata nuk po e bëjnë, natyrisht, sepse nëse është edhe ndonjë lojtar i ndonjë ekipi tjetër që thotë se është vjedhur, atëherë duhet ta suspendojnë edhe atë. Kjo lojë po luhet që një kohë të gjatë dhe këto komitete duhet urgjentisht ta rigjejnë respektin”, është shprehur Guardiola.

Reali vazhdon heshtjen mediatike

Real Madridi ka vazhduar heshtjen mediatike edhe pas fitores prej 5-1 ndaj Real Sociedadit në Santiago Bernabeu.
Los Blancos shfaqën paraqitje fantastike ndaj Sociedadit për të mbajtur distancën prej gjashtë pikësh ndaj Barcelonës, por as fitorja e thellë nuk mjaftoi që qëndrimi i mbretërve të ndryshonte.
As asistenti Aitor Karanka, i cili u ul në ulësen e trajnerit për shkak të suspendimit të Jose Mourinhos, e asnjë prej lojtarëve tjerë nuk ka dalë për t’u shprehur për rrjedhën e ndeshjes pas përfundimit të saj.
Për ndeshjen e radhës në udhëtim te Osasuna, Real Madridi ka të lirë trajnerin Jose Mourinho dhe mesfushorin Mesut Ozil, përderisa i suspenduar mbetet Pepe.

Luis Enrique nuk kritikon ekipin

Trajneri i Romës, Luis Enrique ka hedhur poshtë zhgënjimin e ekipit të tij pas disfatës prej 2-1 nga Milani në San Siro, duke thënë se ata nuk kanë mundur të luajnë më mirë.
“Nuk kemi pasur probleme, nuk ka nevojë që të kritikoj ekipin. Ishte ndeshje e mirë. Ne pjesën e dytë, Ibrahimovic ishte vendimtar, por ne luajtëm me mundësitë maksimale”.
“Mendoj se dy qendërmbrojtësit tanë luajtën mirë, përderisa Ibra ishte i vështirë për t’u mbajtur. Unë nuk jam i kënaqur me paraqitjen ne pjesën e parë. Pas pushimit, ne luajtëm mirë. Goli erdhi kur ishim në dominim maksimal. Të mos harrojmë se luajtëm ndaj liderëve të Serie A”, është shprehur Enrique.

Gjira godet sërish...dhe atë në shenjë!

Këngëtarja kontraverse, Gjira, ka publikuar projektin e saj më të ri “Muzikë Demonstrata”, këngë në të cilën ka goditur si asnjëherë më parë ato që ajo i quan anti-vlerat e muzikës shqiptare.
Me një tekst të fuqishëm, deri në një masë mjaft kontravers, Gjira ka vënë në qendër të këngës së saj anomalitë e muzikës shqiptare, duke kritikuar ashpër komercialistët dhe përkrahësit e anti-vlerave.
Muzika është realizuar nga Rocko, përderisa për tekstin është përkujdesur vet Gjira dhe LenaZbeat, kurse videoklipin e ka realizuar produksioni LenaZcut, me në krye Albulena Kajtazin.

BBA: Largohet Ermira, Arbri me imunitet

Ermira është larguar nga Big Brother Albania 5, pasi nuk ka marrë votat e mjaftueshme nga publiku shqiptar për të qëndruar në shtëpi.
Banorja e larguar njihet për pasivitetin e saj dhe nuk arriti të lë gjurmë, teksa largimi i saj është i pritur.
Nga ana tjetër, të nominuarit për këtë javë janë Anila, Edi, Lorena dhe Vlashi, që të katërtit jo favoritë absolut deri në këtë moment për finale.
Një imunitet nga nominimet për dy javë kanë fituar disa prej banorëve, duke përfshirë dhe djaloshin nga Prishtina, Arbrin, i cili së bashku me Ermalin, Gentën, Liamin dhe Klaudian, nuk është në rrezik për t’u larguar nga shtëpia më e madhe në Shqipëri. 

Melodia e preferuar e celularit redukton aftësinë e koncentrimit

Meloditë argëtuese, qesharake dhe që mbahen mend lehtë të zileve të telefonit kanë edhe anën e tyre të errët. Hulumtimi i kryer në revistën Journal of Environmental Psychology ka treguar që meloditë e paharrueshme reduktojnë aftësinë e koncentrimit të njerëzve përreth.
Efektin më të fortë negative kanë pop-hitet e njohura, ndërsa studentët të cilët gjatë ligjëratave i janë ekspozuar ziles së tillës kanë mbajtur mend 25 për qind më pak informata për dallim nga ata që kanë dëgjuar në qetësi.
Nëse dëshironi ta shmangni shqetësimin e mjedisit, bëni kujdes që melodia të mos jetë shumë zëshme dhe si zile të telefonit mos vëni këngën e preferuar, por përmbajuni melodive “të mërzitshme” që i keni marrë bashkë me telefon.
Po ashtu, nëse shkoni në takim, por prisni telefonatë të rëndësishme, paraprakisht paralajmëroni njerëzit që do t'ju duhet të lajmëroheni në telefon - nëse e presin cingërimën e telefonit, ajo do t’i pengojë më pak në punë.

Formë e tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve

Organizata Botërore e Shëndetësisë (World Health Organization - WHO), për këtë javë ka caktuar takim të veçantë në të cilin duhet të vendoset nëse lloji i tuberkulozit i cili duket rezistent ndaj të gjitha ilaçeve të njohura.
Nëse përgjigjja do të jetë pozitive, ky do të ishe niveli i ri i evoluimit të tuberkulozit nga forma e zakonshme (e cila shërohet për gjashtë muaj), në “tuberkuloz rezistent në shumë ilaçe” (MDR-TB) dhe në “tuberkuloz rezistent në mënyrë ekstensive ndaj ilaçeve” (XDR-TB).
Ekspertët theksojnë që për të gjitha këto forma të rënda të tuberkulozit fajtorë janë njerëzit - mjekët dhe personeli tjetër mjekësor, si dhe pacientët. Ose nuk janë përdorur ilaçe kualitative tek shërimi i tuberkulozit të zakonshëm, ose dozat e ilaçeve kanë qenë të pamjaftueshme ose pacienti nuk e ka përfunduar terapinë, ku të gjitha këto i mundësojnë bakterit të tuberkulozit që të evoluojë dhe të bëhet gjithnjë e më rezistent ndaj antibiotikëve.
Përveç kësaj, kur antibiotikët janë lehtë në dispozicion dhe pa recetë, pacientët i përdorin pa masë dhe sipas gjykimit të tyre, ata shpesh nuk veprojnë kur janë me të vërtetë të nevojshëm.
Tuberkulozi nuk është më sëmundje vetëm e vendeve të pazhvilluara, çka tregon edhe fakti që Londra është shpallur “kryeqyteti evropian i tuberkulozit”. Lëvizshmëria dhe përzierja e popullatës së sotme të botës mundëson që edhe format më të vështira të tuberkulozit të shfaqen aty ku më së paku pritet. 

Jelly Bean gjatë çerekut të tretë?

Edhe pse janë ende pak pajisje në treg të cilat përdorin versionin momentalisht aktual të Androidit, Ice Cream Sansdwich, versioni i ardhshëm i Android, i emëruar Jelly Bean, sipas pohimeve mund të ndodhë të paraqitet qysh në muajin qershor.
Sipas informatave të pakonfirmuara të cilat transmeton Digitimes, Android 5.0 Jelly Bean pritet të paraqitet në treg gjatë çerekut të tretë. Paraqitja mund të ndodhë të bëhet gjatë konferencës I/O të Google e cila mbahet kah fundi i qershorit.
Momentalisht Android 4.0 Ice Cream Sandwich (ICS) është në dispozicion vetëm në 1.6% të pajisjeve në treg, që me gjasë do të rritet pasi që prodhuesit të paraqesin pajisjet e reja të cilat do ta përdorin atë, por afërsia e paraqitjes së versionit të ardhshëm të Android mund të ndodhë ta komprometoj situatën. Në të vërtetë, qysh tani Android është në kritika për shkak të fragmentimit të platformës, për shkak se, për shembull, ende në mënyrë masive prodhohen pajisjet të cilat përdorin versionet e vjetra të Android 2.x.

Martesa masovike (Video)

Në një martesë masovike në Korenë e Jugut janë kurorëzuar përnjëherë 2.000 çifte nga 54 vende të ndryshme të botës.
Më shumë se 20.000 dasmorë u grumbulluan në ceremoninë e cila u mbajt në stadiumin Gapyeong.
Themeluesi i Kishës së unifikimit, Sun Myung Moon dhe gruaja e tij e kanë bekuar ceremoninë masovike duke i shpallur çiftet të martuar.