Të rinjtë e Kosovës, pro dhe kundër migrimit

Perspektiva ose jo për një jetë më të mirë në Kosovë, i vë para dilemave të rinjtë që të rrinë apo të kërkojnë alternativa jashtë vendit.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, VOX, disa të rinjtë thonë se Kosova ka resurse të mjaftueshme për një perspektivë në të ardhmen, ndërsa të tjerët shprehen se për një perspektivë më të mirë do ta braktisin vendin.
Kaltrina Krasniqi, është studente në Fakultetin Ekonomik. Ajo nuk dëshiron të migrojë jashtë vendit. Kosova për Kaltrinën është vendi më i bukur dhe më i pasur në krahasim me shumë vende të botës. Njëjtë mendon Remi, shitës ambulant në qendër të kryeqytetit, i cili edhe pse nuk ka përfitime të mëdha materiale nga puna e tij, nuk mendon ta braktisë Kosovën.
Për Tringa Dançën nuk ekziston ndonjë arsye që e bind të migrojë në vende të ndryshme të botës, njëjtë si për studenten Arbenita Berisha:
“Kur i kemi kushtet e mira këtu, pse të largohem?! Punoj, jam në fakultet dhe nuk mendoj që ta braktisi Kosovën”, thotë Arbenita
Por, ndryshe mendojnë disa të rinj të tjerë. Mungesa e perspektivës për të ardhmen ka ndikuar që disa qytetarë të interesohen që të ikin nga Kosova. Njëri prej tyre është Asllan Bllaca, student në Fakultetin e Edukimit. Ai konsideron se politizimi i popullatës dhe pamundësia për të gjetur një vend pune në bazë të kritereve të caktuara, është arsyeja e interesimit që të migrojë jashtë vendit.
Kosova ballafaqohet me kushte të rënda socio-ekonomike, rrjedhimisht me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, thotë Nevaip Luri, 25 vjeç. Ai do ta lëshonte për një periudhë të shkurtër kohore.
“Varet prej situatës, prej kushteve, nëse më ofrohet diçka të punoj jashtë, do të iki nga Kosova. Edhe jashtë profesionit tim kisha shkuar të punoj”, shprehet Nevaipi.
Asdren Tahiri thotë se po t’i jepej mundësia, me dëshirë do shkonte në Angli për të studiuar, ndërsa Viktor Shala thotë se me dëshirë do të migronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me gjithë faktin se qytetarët interesohen të lëshojnë Kosovën, prej vitit 2000 e deri më tash vendet e Evropës perëndimore kanë kthyer me detyrim mbi 52 mijë kosovarë, të cilët Kosovën e kishin lëshuar në vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Parandalimi i migrimit është një ndër parakushtet e Bashkimit Evropian për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, pasi Kosova është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon lirinë e lëvizjes në zonën e bardhë të Shengenit.