HP: Jahjaga dhe imazhi i ri gruas myslimane

Huffington Post e ka përmendur Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, si personalitet që ndryshon pikëpamjet botërore për femrën e besimit mysliman.

Qysh prej fillimit të karrierës së saj si Presidentja e parë e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është përmendur nga media të shumta botërore, si shembull i avancimit të gruas në nivelet më të mëdha vendimmarrëse të politikës.
Jahjaga përmendet në shkrim si gruaja më e re në postin e presidentes në botë.
“Kryeministrat e Bangladeshit (Sheikh Hasina Wazed) dhe të Malit (Cisse Mariam Kaïdama Sidibe) janë gra myslimane. Njëjtë si ato, presidentja e tashme e Kosovës, Atifete Jahjaga, është gruaja më e re presidente në botë, si dhe presidentja e parë myslimane e shtetit të saj”, thuhet në shkrim.
Mediumi amerikan shkruan se përkundër përshtypjes që ekziston, gratë myslimane kanë shërbyer si lidere revolucionare dhe heroike. Megjithatë, thuhet aty, në vitet e fundit, për shkak të klimës globale socio-ekonomike, togfjalëshi “grua myslimane” mund të krijojë një imazh të gruas së ndrojtur dhe të pafuqishme, të fshehur pas një ferexheje.
“Që nga viti 1988, Bangladeshi, Indonezia, Mali, Pakistan, Kosova, Kirgistani, Senegali dhe Turqia janë udhëhequr, në një masë, nga gratë si kryetare apo kryeministre”, shton autorja Fazeela Siddiqui, menaxhere e Iniciativës së Grave Myslimane.
Për nder të Muajit të Historisë së Grave, autorja ka paraqitur listën e 10 grave myslimane, që nga shekulli i VII-të e deri në ditët e sotme, të cilat “duhet t’i njoh secili”.
“Disa nga këto gra kanë qenë të burgosura, të tallura dhe të kritikuara për aktivitetin e tyre. Por, forca dhe besimi i tyre ka mbijetuar gjithmonë”, shkruan Siddiqui.
Lista përbëhet nga këta emra: Nusayba bint Ka'b Al-Ansariyah, Rab'ia al-Adawiyya, Fatima al-Fihri, Sultan Raziyya, Nana Asma'u, Laleh Bakhtiar, Shirin Ebadi, Amina Wadud, Daisy Khan dhe Anousheh Ansari.
Emri i presidentes Jahjaga nuk përmendet në listë, por si shembull në shkrim që përforcon dhe përmirëson imazhin e gruas myslimane në botë.
Javë më parë, revistat Daily Beast dhe Newsweek e kishin radhitur Jahjagën në mesin e 150 femrave më të guximshme të botës.