Serbia nuk po i përmbush as marrëveshjet e arritura

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë takimit me përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Samuel Zhbogar, ka thënë se marrëdhënie të mira bilaterale janë vënë edhe me parlamentet e vendeve të dala nga ish-Jugosllavia, pos me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Beogradi zyrtar madje e ka instrumentalizuar një numër të qytetarëve serbë të Kosovës dhe po e pengon stabilizimin e gjendjes në veri të Kosovës.
Duke folur për angazhimet e Kosovës për krijimin e raporteve të mira me qytetarët serbë të Kosovës dhe angazhimin serioz të institucioneve për të realizuar standardet më të larta evropiane për të drejtat e komuniteteve pakicë, Krasniqi ka theksuar se pala kosovare ka qenë konstruktive edhe në dialogun teknik me Serbinë, ndërkaq pala serbe nuk po tregon gatishmërinë as për t’i përmbushur marrëveshjet e arritura gjatë procesit të dialogut në Bruksel. 

Reklamat në klientët mobil të Facebookut

Numri i shfrytëzuesve të klientëve mobil për Facebook po rritet vazhdimisht në të gjitha platformat, Windows Phone, Android, iOS dhe të tjera, e të gjithë shfrytëzuesit deri tani ishin të liruar nga reklamat në seksionin e risive. Siç shkruan Financial Times, kjo do të ndryshoj së shpejti.
Edhe pse burimet janë të paemëruara, artikulli i Financial Times citon, se është vetëm çështje e kohës kur edhe brenda klientëve mobil do të shohim reklamat çfarë i shohim brenda ueb shfletuesve. Duke pasur parasysh numrin e madh të shfrytëzuesve dhe daljen në bursë, është krejtësisht logjike që Facebook të jetë i interesuar edhe për këtë të hyrë nga shfrytëzuesit mobil. Titujt e sponsorizuar në News Feed në ueb paraqiten nga fillimi i vitit dhe nuk mund të anashkalohen kështu që supozohet se kjo nuk do të mund të bëhet as në klientët mobil.

Kelly Brook tërheq sërish (Foto)

Modelja Kelly Brook është zhveshur sërish për New Look duke reklamuar koleksionin e ri të veshjeve të brendshme të kësaj kompanie.
Duket se reklama e saj ka pasur efekt, duke qenë se veshjet e reja po shiten për mrekulli.
Kjo është e kuptueshme kur ato i vesh një bukuroshe e tillë. 

Kylie kërcënohet nga një fans

Ikona australiane e muzikës pop, Kylie Minogue, e ka njoftuar policinë se dikush po e kërcënon përmes Twitterit dhe u ka shkruar fansave të saj, se një prej tyre është paksa i çrregullt.
“I dua të gjithë nga 1.033.861 të dashurit e mi, por njërin prej tyre jo, ai i çmenduri që po më kërcënon, prandaj e kam njoftuar policinë”, ka shkruar këngëtarja në Twitter.
Kylie i quan fansat e saj ‘të dashur’, ndërsa me emër të përbashkët i etiketon si ‘armata e të dashurve’.
Ndryshe, para shtatë vitesh, këngëtarja e popullarizuar ka pranuar më shumë se 700 letra kërcënuese nga një fans i obsesionuar. 

VdS: De Gea duhet ta përballojë presionin

Ish-portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar, ka thënë se zëvendësuesi i tij, David de Gea, duhet të mësohet që të përballet me presionin në mënyrë që të bëhet i suksesshëm në Old Trafford.
Pas pensionimit të holandezit 41-vjeçar në verën e kaluar, Djajtë e Kuq shpenzuan 21 milionë euro për ta sjellë De Gean nga Atletico Madridi.
“Është gjithmonë vështirë kur vjen në një klub të ri dhe në një ligë të re, sidomos në atë angleze. Është shumë kërkuese, mund të jetë shumë e vështirë”.
“Ai duhet të përballet me të. Ata kanë paguar shumë para për të dhe ai duhet ta tejkalojë (presionin)”, ka deklaruar Van der Sar. 

Emery: Messi nuk ka rënë nga forma

Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka mohuar thëniet se Lionel Messi nuk ka qenë në formën më të mirë në ndeshjet e fundit të Barcelonës.
Analistë të ndryshëm sportivë kanë pohuar se niveli i argjentinasit ka rënë në ndeshjet e fundit, por kështu nuk mendon trajneri i Los Che, skuadër me të cilën Barca do ta zhvillojë ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit në Camp Nou.
“Ai është lojtari më i mirë në botë, nuk mendoj se ai është në një moment të keq të formës”, u ka thënë Emery gazetarëve në një konferencë për media.
Për më shumë, ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të fokusohen maksimalisht në takimin e të mërkurës mbrëma.
Blaugranët kanë një përparësi, duke qenë se ndeshja e parë e zhvilluar në Mestalla përfundoi me rezultat 1-1. 

Pippo: Dënimi ndaj Ibras, i tepruar

Veterani i Milanit, Filippo Inzaghi, konsideron se suspendimi prej tri ndeshjesh i Zlatan Ibrahimovicit, është i tepruar.
Boshnjaku me pasaportë suedeze është dënuar për shkak të sjelljes josportive kundrejt Salvatore Aronicas në takimin e të dielës ndaj Napolit.
“Jam vërtet i pikëlluar për Ibran, sepse përveç që është një bashkëlojtar i imi, ai është po ashtu një mik i afërt”.
“E di sa i rëndësishëm është ai për Milanin dhe do të na mungojë. Kam shpresuar se do të suspendohej vetëm dy ndeshje, sepse tri janë të tepruara, sjellja e tij nuk ishte e dhunshme”, ka thënë Pippo për MilanNews.

Krasic në verë te Chelsea?

Chelsea është duke e monitoruar situatën e anësorit të Juventusit, Milos Krasic, të cilin planifikon ta transferojë gjatë verës.
Serbi ishte pranë kalimit te Tottenhami gjatë afatit kalimtar të janarit, mirëpo transferimi dështoi.
Ndërsa agjenti i tij, Valado Borozan, ka bërë të ditur përcalciomercatio.it se ai mund të kalojë në Ligën Premier gjatë afatit kalimtar veror.
Krasic nuk është nga të preferuarit e Antonio Contes në rolin e mesfushorit të krahut.

Michel trajner i Sevillas

Sevilla ka konfirmuar angazhimin e Michel Del Campos si trajner të ri deri në fund të sezonit aktual.
Mesfushorit të dikurshëm të Real Madridit i është premtuar kontratë afatgjate, nëse ai arrin ta kualifikojë skuadrën në Ligën e Kampionëve
48-vjeçari e ka drejtuar Getafen gjatë viteve 2009-2011, mirëpo u largua në verë, pasi klubi nuk i ofroi kontratë të re.
Sevilla aktualisht gjendet në vendin e 11-të në tabelë, ndërsa Michel do ta drejtojë për herë të parë skuadrën në takimin ndaj Real Sociedadit.

Vialli: Abramovich duhet të vazhdojë me Villas-Boas

Legjenda e Chelseat, Gianluca Vialli, thotë se klubi ka nevojë për stabilitet për të qëndruar në krye.
Menaxheri Andre Villas-Boas është nën presion të shtuar, veçanërisht pasi pronari Roman Abramovich bëri një vizitë befasuese për t’i përcjellë ata në prag të ndeshjes së të dielës.
Por, ish-menaxheri i Bluve, Gianluca Vialli, thotë se pronari rus duhet ta ruajë besimin në portugezin.
“Andre Villas-Boas ka pasur më shumë sukses në tre vitet e kaluara se sa 99 për qind e menaxherëve që kanë arritur në 30 vite. Ai po bën një punë të mirë te Chelsea, dhe vetëm ka nevojë për kohë për të kompletuar projektin e tij”, ka shpjeguar Vialli.

KEK kërkesa enorme, vështirëson furnizimin me rrymë

KEK-u njofton se është duke vazhduar të jep maksimumin në ofrimin e energjisë elektrike për konsumatorët e vet. Gjendja është më e mira e mundshme në këto rrethana ekstreme. Në bazë të planit, janë katër blloqe në sistem të cilat po prodhojnë deri në 800 megavatë për orë, ndërsa importi që është në dispozicion nga rajoni shkon në 250 megavatë për orë.
Zyrtarët e KEK-ut thonë se kërkesa për rrymë ka arritur maksimumin, e cila në orët e pikut po arrin deri në 1300 megavatë për orë. Kjo kërkesë është e papërballueshme, prandaj KEK apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike.
“Energjia në dispozicion mundëson që kategoria A të furnizohet pa ndërprerje, kategoria B të ketë reduktime eventuale vetëm në orët e pikut me orar 5:1 dhe për kategorinë C 4:2 eventualisht 3:3 në pik”.
“Pavarësisht energjisë në dispozicion, nga kërkesa enorme po krijohen edhe mbingarkesa, sidomos në kryeqytet, të cilat vijnë edhe si pasojë e mosfunksionimit të Termokosit. Mbingarkesat më të theksuara janë në lagjet Dardania, Ulpiana dhe Qendër, ku edhe pse shumica e daljeve janë në kategorinë A, KEK-u për t’i ruajtur asetet nga ndonjë avari po detyrohet të aplikojë për secilën dalje reduktime interne shtesë nga 1 orë, pavarësisht kategorisë”, thuhet në njoftimin KEK-ut.
Bllokimi në lift
Në këto situata, po paraqiten edhe rastet kur qytetarët bllokohen në ashensorë. “Korporata sqaron se kur një dalje 10 kV (kilovolt) është duke u reduktuar dhe në atë dalje kemi më shumë se një ashensor, atëherë atë dalje KEK-u nuk e kyç. Në këto raste qytetarët duhet të nxirren nga lifti mekanikisht nga personi i autorizuar i banesës ku ndodhet ashensori. Në rast se ky person është larg ndërtesës, atëherë KEK-u i udhëzon këta qytetarë të ftojnë zjarrfikësit ose policinë të cilët kanë instruksione se si të veprohet në këto raste”.
Arsyeja pse KEK-u nuk ka mundësi ta kyçë daljen që është në reduktim është se kur ka në atë dalje më shumë se një ashensor, në rast se KEK-u e kyçë daljen për një qytetar, në një tjetër ashensor mund të jetë duke dalë ndonjë qytetar tjetër në mënyrë mekanike. Në këtë rast automatikisht qytetari, që po del në mënyrë mekanike apo kushdo që është afër ashensorit mund të aksidentohet për vdekje. 

Raporti për ndotjen e tokave shumë i mangët‏

Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit, të shqetësuar nga përshkrimi joadekuat që i është bërë komponentit të projektit “EULUP” të KE-së për ndotësit e tokës bujqësore, dalin me qëndrime të përbashkëta se raporti në fjalë nuk pasqyron gjendjen reale në terren, sepse numri i mostrave të marra nuk është barometër i mjaftueshëm për të nxjerrë konkludime.
Po ashtu, për t’ua dëshmuar se askush nuk e ka fshehur faktin se Kosova ka toka të ndotura, ju rikujtojmë lajmin e botuar më dt. 26.04.2011 në media të ndryshme, ku flitet për betonizimin e arave, në të cilin citohen të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë se rreth 12 për qind e tokave bujqësore konsiderohen si toka të pakultivuara, përkatësisht toka djerrinë dhe toka të ndotura.
Për më shumë, për ta pasur të qartë se rezultatet e testuara të këtyre mostrave tregojnë se kemi edhe më pak toka të ndotura, mjafton që raporti të lexohet drejt dhe të kuptohet pjesa ku flitet për rezultatet e analizave, ku nga gjithsej 1000 mostra vetëm 123 kanë rezultuar me efekte negative në rritjen e bimëve në biotest.
“Rezultatet e këtyre mostrave, pasi janë dërguar për analiza kimike në Gjermani, tregojnë që vetëm rreth 50 për qind e këtyre 123 mostrave kanë pasur përmbajtje të metaleve më shumë sesa vlera maksimale e lejuar (nëse i bëhet një përllogaritje e thjeshtë këtyre të dhënave, atëherë del që vetëm rreth 6 për qind e numrit të përgjithshëm të mostrave kanë rezultuar të ndotura me sasi të metaleve mbi atë të lejuar, gjë që dëshmon se nuk ka aspak vend për panik)”.
Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit konkluzionet e këtij raporti i konsiderojnë të mangëta nga ana përmbajtësore dhe i sigurojnë konsumatorët se raporti nuk ndërlidhet me produktet bujqësore, përveçse që rekomandon të bëhen hulumtime të mëtutjeshme për këto, të cilat edhe do të bëhen nga komisioni ndërinstitucional që do të formohet së shpejti.
Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Mjedisit vazhdojnë të jenë të përkushtuara në sigurimin e kualitetit të ujit, ajrit dhe tokës në Kosovë.

EULEX-i ndihmon KEK-un, punon me gjeneratorë

Duke i pasur parasysh kushtet e vështira atmosferike, EULEX-i do të ndërmerr masa për ta zvogëluar konsumin e tij të rrymës elektrike për ta ndihmuar rrjetin elektrik të vendit.
Nëpër objektet e EULEX-it, do të shfrytëzohen gjeneratorët sa më shumë që është e mundur për ta mbajtur në minimum shfrytëzimin e rrymës nga rrjeti elektrik.
Sistemet e EULEX-it për ngrohje dhe ndriçim do të kontrollohen nga personeli teknik në përpjekje për ta kontrolluar dhe minimizuar shfrytëzimin e energjisë elektrike. Gjatë fundjavës, do të ndërpritet e tërë rryma përveç asaj të domosdoshme për punë.
Ky rregull do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar. Kjo do t’u ndihmojë shërbimeve publike në përpjekjet e tyre për ta furnizuar popullatën e përgjithshme me rrymë.
Ftohti i madh që po mbretëron në vend, po vështirëson furnizimin me energji elektrike dhe qarkullimin në tërë vendin. Instituti Meteorologjikë i Kosovës paralajmëron se moti do të jetë më reshje bore deri të mërkurën, e temperaturat minimale deri ditën e enjte do të jenë nga minus 16 deri minus 23 gardë celsiusë.

Kosova dënon vrasjet dhe represionin në Siri

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka përcjellë me shqetësim rrjedhën e ngjarjeve në Siri dhe dënon ashpër vrasjet dhe represionin që po ushtron regjimi sirian mbi popullsinë e pafajshme.
Republika e Kosovës mbështet fuqishëm popullin sirian në zgjedhjen e fatit të vet dhe përkrah pa asnjë rezervë përpjekjet e qytetarëve sirianë kundër regjimit represiv.
Qeveria e Kosovës, po ashtu mbështet masat e Ligës Arabe e të Komunitetit Ndërkombëtar kundër regjimit sirian dhe bën thirrje për të ndalur sa më parë dhunën e skajshme dhe vrasjet në Siri.
“Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të bindur që shumë shpejt populli sirian do të realizojë synimet e tij dhe do të jetojë në paqe e prosperitet”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

AAK do t’i hyjë garës që ta udhëheqë Kosovën

Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të prirë nga deputetët e partisë – nënkryetari Ahmet Isufi dhe Daut Haradinaj si dhe anëtari i Kryesisë, Haki Shatri, zhvilluan të martën një takim me strukturat e Degës së AAK-së në Istog, ku u pritën nga kryetari i saj, Bekë Berisha me bashkëpunëtorë.
Ata bashkëbiseduan për zhvillimet aktuale në strukturat e AAK-së në këtë komunë, rolin e tyre në jetën e gjithëmbarshme në Istog dhe në kuadër të Komunës. Gjithashtu, ndanë së bashku qëndrimin se Komuna e Istogut ka nevojë imediate për angazhim më të madh të strukturave udhëheqëse në përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtij lokaliteti.
Nga ana e tij, deputeti Daut Haradinaj, duke iu dhënë mbështetje angazhimeve të strukturave të AAK-së në këtë komunë, i ftoi të gjithë për mobilizim të shtuar në kuadër të proceseve nëpër të cilat po kalon Istogu, por edhe vendi dhe shoqëria jonë në përgjithësi.
Duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme për Degën e AAK-së, Haradinaj kërkoi angazhim më të shtuar të strukturave për zhvillimin e mëtejmë të partisë, demokratizimin e vazhdueshëm të saj dhe ofrimin e sa më shumë vlerave profesionale politike në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në këtë takim u konkludua se strukturat e AAK-së duhet të jenë më aktive dhe me dinamikë të shtuar të punës, në mënyrë që të jenë të gatshme për t’u sfiduar me zhvillimet politike në vend, në ditët në vijim, dhe me kthimin e shpejtë të kryetarit të partisë, Ramush Haradinajt, t’i hyjnë garës përfundimtare për udhëheqjen e Kosovës, në mandatin e ardhshëm qeverisës, drejt integrimeve të vërteta euro-atlantike dhe zhvillimit të hovshëm ekonomik.

Më 2011 kishte 959 lëndë gjyqësore për korrupsionin

Prokuroritë e Kosovës gjatë vitit 2011, kanë pasur për shqyrtim 959 kallëzime penale kundër 1862 personave, që kanë të bëjnë me korrupsion, ka njoftuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Gjatë kësaj periudhe prokuroritë i kanë zgjidhur 538 kallëzime penale kundër 1038 personave, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur edhe 421 kallëzime penale kundër 824 personave.
Prej rasteve të zgjidhura, Prokuroria njofton se kundër 478 personave janë ngritur aktakuza, kundër 139 vetëve propozim akuza, ndërsa janë pushuar 31 hetime kundër 71 personave. Në kumtesë thuhet, po ashtu se janë hedhur 165 kallëzime penale kundër 216 personave. 

Kuçi: Integrimi evropian është platformë kombëtare

Integrimi evropian i Kosovës është përkushtim dhe platformë kombëtare, është vullneti i qytetarëve të Kosovës, tha të martën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i Drejtësisë.
“Rreth kësaj platforme ekziston një konsensus i brendshëm shoqëror dhe politik, për të cilin qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm”, tha Kuçi në takimin e Nënkomitetit për drejtësi, liri dhe siguri, që zhvillohet në kuadër të dialogut të Procesit të stabilizim asocimit.
“Sot jemi mbledhur këtu për të konfirmuar marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe për ta adresuar nevojën e riafirmimit dhe përkushtimit tonë për perspektivën e qartë evropiane”, tha Kuçi, Sipas tij, ndarja e një pjese të kompetencave në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, me EULEX-in, siguron reforma dhe veprime, që janë në përputhje me standardet evropiane.

Filloi takimi i parë i Dialogut për Stabilizim - Asocim

Në Prishtinë ka filluar takimi i parë i Dialogut të Stabilizim – Asocimit (DSA), për këtë vit, ndërsa temat kryesore do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i kapaciteteve për ri-integrim, përmirësimi i regjistrave civil, siguria e dokumenteve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, njofton se takimi do të zgjasë deri më 9 shkurt.
Samuel Zbogar, përfaqësues special i BE-së, njëherësh udhëheqës i zyrës së BE-së në Kosovë, tha me kwtw rast se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave elementare të njeriut, janë të rëndësishme, jo vetëm për Dialogun e Stabilizim - Asocimit, por edhe për dialogun e liberalizimit të vizave, i cili ka filluar kohët e fundit. Sipas tij, si dhe kur ky proces do të çoj në lëvizjen e lirë pa viza, do të varet nga puna e autoriteteve dhe e shoqërisë kosovare si tërësi.
Nga ana e saj, ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur se aspektet e integrimit evropian, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë treguar si më të vështirat për implementim në këtë proces, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin.
Për këtë arsye ajo tha se pret që ky takim të ndihmoj në identifikimin e çështjeve ku paraqiten vështirësi më të theksuara, me qëllim të identifikimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për progres të mëtejmë në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Takimi i dialogut për Stabilizim – Asocim, konkludimet e së cilit do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit, po organizohet së bashku nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nga Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës.

Duan zgjidhje para marsit

Bashkimi Evropian është i interesuar që brenda këtij muaji ta rikthejë në tryezën e diskutimeve delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë për një zgjidhje rreth bashkëpunimit rajonal.
BE-ja pat paralajmëruar se thirrja e takimit të radhës ndërlidhet me gjetjen e zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Ndërmjetësuesi i këtij dialogu, Robert Cooper, është duke vazhduar kontaktet me qëllim të pajtimit të delegacioneve për një model të paraqitjes dhe pjesëmarrjes së Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.
Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijancic, shprehu bindjen që brenda këtij muaji të mbahet raundi i ri i bisedimeve Prishtinë-Beograd.
“Nuk mund t’ju japë detaje për diskutimet që janë duke vazhduar, por qëllimi kryesor është i qartë: ne duam të shohim një zgjidhje”, theksoi ajo për “Radio Evropa e Lirë”.
Derisa vazhdojnë paqartësitë për atë se si do të duket kjo zgjidhje, në Serbi u deklaruan kundër çdo opsioni që s’do të merrte parasysh rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Autoritetet kosovare, ndërkaq, kundërshtojnë të gjitha mundësitë që flasin për paraqitjen e Kosovës në këtë kuadër.
Këshilltari politik i shefes së delegacionit kosovar, Dren Zeka, tha se para zhvillimit të raundit të bisedimeve, nuk mund të flitet për rezultate rreth kësaj çështjeje.
Njohësit e integrimeve evropiane thonë se Brukseli zyrtar po të përpiqet të gjejë një zgjidhje për këtë çështje para muajit mars, kur dhe pritet të merret vendimi për statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, tha se interesimi për një rezultat konkret për bashkëpunimin rajonal ekziston sidomos te shtetet që mbështesin kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në këtë mekanizëm.
“Andaj, ka një presion për të gjetur një marrëveshje që mund të paraqitej si dëshmi që flet në mbështetje të dhënies të rezultateve në dialog”, tha Knaus, duke shtuar se marrëveshja për bashkëpunim rajonal do të duhej të ishte e qëndrueshme dhe afatgjate.
Me përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale në kuadër të rezolutës 1244, sipas tij, nuk do të zgjidhej problemi, por se do të kthehej prapa procesi dhe arritjet e deritashme.

Kërkohet ndihmë nga jashtë për rastin “Medikus

Prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, thonë se në procesin kundër shtatë personave të akuzuar për trafikim të organeve, në rastin e njohur “Medikus”, kanë kërkuar ndihmë nga disa vende për indentifikimin e viktimave.
“Ne kemi disa kërkesa për ndihmë juridike për shumë vende, përfshirë ato më të rëndësishmet, Federatën Ruse, Izraelin, Ukrainën dhe Turqinë për t’i identifikuar dhe lokalizuar viktimat e donatorëve si çështje urgjente”, i tha agjencisë AFP, prokurori special i BE-së, Jonathan Ratel.
Në rastin “Medikus” janë të akuzuar shtatë persona për trafikim të organeve, si pjesë e unazës së krimit të organizuar.
Ndër të akuzuarit gjendet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së shëndetësisë së Kosovës, Ilir Rrecaj, urologu i njohur prishtinas, Lutfi Dervishi, pastaj mjeku turk Jusuf Sonmez, dhe shtetasi izraelit, Moshe Harel.
Sipas aktakuzës, viktimat ishin rekrutuar nga vendet e varfra të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, transmeton Rel.
Atyre u ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për organe, ndërsa ata që i pranonin këto organe paguanin edhe nga 100 mijë euro secili.
Aktakuza thotë se afro 20 viktimave, që janë identifikuar deri tash, nuk u janë paguar shumat e premtuara, megjithëqë organet u ishin marrë.
Prokurori Ratel thotë se po punohet edhe me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Gjermaninë dhe Britaninë, për të gjetur më tepër viktima.
“Ne po punohjmë në mënyrë intensive me të gjitha këto vende dhe përdorim çdo gjë që kemi për t’i lokalizuar, identifikuar dhe për t’i pasur këto viktima si dëshmitarë”, tha Ratel.

MSH përgënjeshtron deputeten e AAK-së!

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës konsideron se deklaratat dhe opinionet politike të deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, nuk përkojnë me realitetin e punës dhe proceseve reformuese në sistemin shëndetësor të Kosovës.
“Qëndrimet e tilla janë të ndërtuara mbi motive të qarta politike, kanë për qëllim keqinformimin e opinionit publik dhe janë përpjekje për të shkaktuar konfuzion lidhur me sukseset e ministrit Agani”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ministria e Shëndetësisë, po ashtu, është duke bërë një punë të madhe në luftimin e keqmenaxhimit të parasë publike nga personat e pandërgjegjshëm... Përkushtimi ynë për luftë kundër korrupsionit dhe manipulimeve tenderuese brenda sistemit shëndetësor është dëshmuar shumë herë deri më tash”.
Sipas komunikatës, “Ministria e Shëndetësisë është duke punuar maksimalisht në furnizim të rregullt me barna të pacientëve”, ndërsa mohohen pohimet e Kadriajt se MSH ka blerë më shtrenjtë barna se sa çmimi i tregut.
“Furnizimi me rrymë në QKUK tashmë është i pandërprerë. Po ashtu, edhe ngrohja brenda QKUK-së”.

Casillas të barazojë rekordin e Sanchiz?

Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, pritet të barazojë rekordin e legjendës së klubit, Manuel Sanchis, si lojtari me më së shumti paraqitje të kompletuara në La Liga për gjigantin spanjoll.
Sipas AS, Sanchis kishte kompletuar 437 ndeshje në ligë për klubin gjatë karrierës së tij që zgjati nga viti 1983 deri në vitin 2001.
Casillas ka marrë pjesë në 441 ndeshje në La Liga për Real Madridin, por 30-vjeçari është inkuadruar nga karrigia e rezervave një herë, derisa është larguar para fundit të ndeshjes në katër raste, pasi dy herë është përjashtuar dhe dy herë është larguar për shkak të lëndimeve.
Spanjolli do të barazojë rekordin e Sanchiz nëse luan për 90 minuta në ndeshjen e të dielës kundër Levante, dhe mund të bëhet rekord-mbajtës i vetëm në ndeshjen kundër Racing Santander një javë më vonë.
Casillas, i cili ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2017, ka bërë 603 paraqitje për klubin deri tash në të gjitha garat.

Shaqiri nënshkruan me Bayernin?

Bayern Munich raportohet se tashmë ka nënshkruar me shqiptarin Xherdan Shaqiri dhe do ta konfirmojë këtë më vonë gjatë kësaj jave.
Sipas të përditshmes gjermane Bild, dy klubet (Bayerni dhe Baseli) tashmë janë pajtuar që 20-vjeçari të transferohet në Allianz Arena për 9 milionë euro, shumë e cila do të rritet nëse lojtari i arrin të plotësojë disa caqe gjatë viteve të para me klubin bavarez.
Gazeta po ashtu shkruan se kosovari me nënshtetësi zvicerane do të nënshkruajë kontratë me Bayernin deri në vitin 2016 ndërsa transferimi i tij do të kompletohet gjatë verës
Shaqiri do të luajë pikërisht kundër Bayernit më vonë gjatë këtij muaji, kur Baseli do të përballet me gjigantët e Bundesligës në kuadër në 1/8-tës së finales së Ligës së Kampionëve.

Jahjaga: Kosova të trajtohet e barabartë në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Jahjaga theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani Ahtisaari dhe përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën.
“Zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari në tri komunat në veri të Kosovës, është rruga përpara”, tha ajo, për të shtuar se ka vështirësi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, për shkak të pengesave që vijnë nga Serbia.
Presidentja tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ajo duhet të trajtohet dhe të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit.
Zhbogar tha se është i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimeve evropiane, ndërsa thekson se vendi ynë duhet të punojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë.
Ai përshëndeti nismat e Presidentes për një bashkërendim më të mirë të institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit.

Pite me testikuj demi - për Shën Valentin!

Një kuzhinier ka krijuar një afrodiziak për ditën e Shën Valentinit, me përbërës: testikuj demi!
Charlie Bigham po promovon piten me testikuj demi, si një alternativë për ushqimet tjera tradicionale që konsiderohen si romantike.
“Që prej vitit 1996 unë përgatis ushqim të shijshëm. Në fund të fundit, nuk ka mënyrë më të mirë për t’u bërë bashkë sesa një vakt i freskët dhe i përgatitur mirë”, thotë Bigham.
Në instruksionet se si duhet ngrënë pitja, thuhet se njerëzit duhet që “të ndalin telefonat, ndezin qirinjtë dhe të përqendrohen në diçka më të rehatshme”.
Testikujt e demit mendohet se janë “përplot përbërës të stimulimit seksual” dhe kanë një histori të gjatë të përdorimit në mjekësinë tradicionale kineze për këtë qëllim.
Pitja shitet në faqen e internetit Ocado.com, prej ditës së shtunë. 

Krijesa mitike e liqenit (Video)

Islandezi Hjort Kjerulf ia përcolli para disa ditësh një video shumë interesant mediave. Në video shihet një krijesë në formë gjarpri, duke lëvizur nëpër liqenin e ngrirë Lagarfljot.
Krijesa mitike Lagarfljotsormur për herë të parë është përmendur në vitin e largët 1345. Sipas pohimeve, kjo krijesë ka formën e një krimbi gjigant, i cili arrin gjatësinë deri në 90 metra dhe kohë pas kohe është parë duke u zvarritur edhe në tokë.
Sipas tregimeve popullore, Lagarfljotsormur dikur ka qenë krimb i vogël të cilin një grua e futi në rrethin e unazës së artë për ta rritur unazën. Kur u kthye në shtëpi, unaza ishte në madhësinë e njëjtë, por jo edhe krimbi. E tmerruar me pamjen, ajo hodhi në liqe edhe krimbin edhe unazën dhe prej asaj kohe besohet se kafsha jeton aty.
Për fat të keq, në këtë video është vështirë të vërtetohet ekzistimi i Lagarfljotsormurit. 

Borë në Saharë

Banorët e pjesës jugore të Tunizisë, të martën në mëngjes i priti një pamje e pazakontë para shtëpive të tyre - shkretëtira e bardhë!
Në qytetet Tataouine dhe Matmata, që gjenden në pjesën e shkretëtirës së Tunizisë , në Saharë, ra borë disa centimetra në natën ndërmjet të dielës dhe të hënës.
Qytetet e lartpërmendura janë të njohur në mbarë botën si lokacionet e xhirimit të filmave “Star Wars”.
Ky rajon nuk e ka parë borën që prej vitit 1962.
Moti i ftohtë që ka kapluar javën e kaluar Tunizinë, në veri të vendit ka krijuar kaos, ndërsa vende-vende trashësia e borës në këtë shtet mbërrin deri në 80 centimetra. 

Mashtrimi 3D

Në Britaninë e Madhe, në majën e një ndërtese, është vizatuar një vepër artistike e cila në bazë të iluzionit optik ua jep ndjenjën sikur jeni duke rënë nga maja e ndërtesës.
Artisti britanik, Joe Hill, pikturoi këtë vepër artistike tredimensionale në majën e një ndërtese të Londrës. Hill e pikturoi këtë vepër për të shënuar premierën e filmit “Man On a Ledge”.
Gjykuar sipas fotografive, “ta kapërcesh” pikturën në majën e ndërtesës nuk është edhe punë aq e lehtë.

Prova djegëse (Video)

Specat djegës Naga janë afërsisht 400 herë më djegës se sosi tobasco.
Shumë njerëz janë bërë pishman që i kanë prekur me buzë. Ky “trim” sikur deshi t’i bindë të tjerët se sa djeg “shpirti” me një kafshim të vetëm të këtij speci. 

HUD syzet e Google në vozitjen testuese

Sipas shkrimit në faqet e Cnet syzet HUD të Google të cilat janë të ndërlidhura me shërbimet e gjeolokacionit të kompanisë dhe të cilat japin të dhënat për lokacionet afër të cilave jemi duke kaluar, ashtu që lidhen me shërbimet Google Maps/Earth, tashmë ekzistojnë në versionin prototip dhe i ngjanë THUMP syzeve të Oakley të paraqitura në fotografi.
Ato janë të pajisura me Android, Wi-Fi/3G lidhjen pa tela, dhe me një fotoaparat/kamerë jashtëzakonisht të vogël që përdoren për grumbullimin e informatave dhe marrjen e fotografive. Me sistemin e navigacionit në syze menaxhohet me lëkundje të kokës për skrollim të informatave dhe klikim mbi to, ndërsa kanë edhe përkrahjen për komandat zanore. Synimi i tyre është, natyrisht, dhënia e informatave me përdorimin e teknologjisë së realitetit të përmirësuar (augmented reality). Memoria e përdorur do të duhej të ishte ekuivalente me atë në “gjeneratën e kaluar të celularëve me Android”, ndërsa nuk e kemi të qartë se çfarë do të thotë kjo.
Edhe pse më herët ishte paralajmëruar se HUD do të jetë i pranishëm në të dyja xhamat, në të vërtetë ai ndodhet vetëm në njërin nga ta dhe atë pa përkrahjen për konfigurimin 3D.

Lyrical Son: Albumi i ri, “kur të piqen qershiat“

Festim Arifi, i njohur si Lyrical Son, pas disa muajsh do të vijë m me albumin e ri “solo”. Këtë ai e ka thënë gjatë një interviste për mediat shqiptare.
“Albumi do të dalë në qershor kur të piqen qershiat. Shumica e këngëve do të jenë me spote, pasi që e kemi produksionin tonë P.I.N.T. (Për Inati t’Njoni Tjetrit)”, tha Festimi.
Ai ka zbuluar se albumi i ri do t’i përmbajë 25 këngë dhe se nëntë prej tyre janë te përfunduara. Njëra ndër këngët që do të jetë në album është kënga “Qëllimi i jetës tem”, për të cilën shprehet se është kënga që e do më se shumti.
“Kënga ‘Qëllimi i jetës tem’ është kënga që mund ta përshkruajë Festimin prej klasës së parë e deri më tani. Kjo këngë do të dale edhe me spot”, tha Lyrical Son.
Ai shtoi se albumi i kaluar “P.I.N.T.” do të ketë edhe dy spote së shpejti, para se të dalë edhe albumi i ri i planifikuar për në qershor. 

Capello të largohet nga posti i trajnerit të Anglisë?

Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, është duke e menduar të ardhmen e tij pas përjashtimit të kapitenit të Chelseat, John Terry, si kapiten i Tre Luanëve.
The Mirror shkruan se Capello është shumë i frustuar me Federatën Angleze të Futbollit rreth rastit të John Terryt, sa që mund të largohet para finaleve të Kampionatit Evropian.
Dhe Capello po ashtu mund të përballet me pakënaqësi në dhomën e veshjeve pasi mbështetja e tij për Terryn si kapiten ka shqetësuar disa lojtar dhe ka rritur gjasat për përplasje.
Capello pritet të takohet me kryetarin e FA-së David Bernstein këtë javë për të parë se si mund ta qetësojnë situatën. Italiani është zemëruar pasi vendimi për ta shkarkuar Terryn nga detyra e kapitenit është bërë pa e pyetur atë.
Takimi mund të rezultojë edhe me vendimin nëse Capello do të vazhdojë deri në Euro 2012, pasi ka qenë aq haptas kritik ndaj punëtorëve të tij.

Keita: Presioni është në Bregun e Fildishtë

Veterani nga Mali, Seydou Keita, thotë se ai mezi pret ndeshjen e ardhshme të Kupës së Kombeve të Afrikës përballë Bregut të Fildishtë, pasi mposhti Gabonin në çerekfinalen e të dielës.
“Ne nuk jemi Barcelona ose Brazili, ne kemi kualitet dhe dobësitë tona, nuk do të jetë e lehtë kundër Bregut të Fildishtë. Por kundër Gabonit ju patë edhe njëherë se edhe kur ne e kemi të vështirë ne mund të bëjmë atë që të tjerët nuk e bëjnë”.
“Bregu i Fildishtë është favorit, andaj presioni është në ta. Ndryshe nga ta, ne nuk kemi çfarë të humbasim, ne do të japim maksimumin për të shkuar edhe më tej në këtë garë”, ka thënë ylli i Barcelonës. 

Barca vazhdon të përcjellë Silvan

Thiago Silva vazhdon të joshë vëmendjen e Barcelonës pas performancave të tij të mira gjatë sezon 2011/12, shkruan e përditshmja katalanase Sport.
Mbrojtësi brazilian zbuloi verën e kaluar se ai kishte biseduar me klubin spanjoll, por transferimi kurrë nuk ishte realizuar.
Megjithatë, kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve nuk janë dorëzuar dhe shpresojnë të nënshkruajnë me mbrojtësin e qendrës në kërkim për të forcuar vijën e fundit, dhe raportohet se e kanë shndërruar Thiago Silvan në cakun primar për afatin kalimtar të verës.
27-vjeçari ka kontratë me Milanin deri në qershor të vitit 2016, por Barcelona është e gatshme të ofrojë 30 milionë euro për të bindur Rossonerët të heqin dorë nga lojtari.

De Rossi, futbollisti më i paguar italian?

Mesfushori i Romës, Daniele De Rossi, është bërë lojtari më i paguar italian pas vazhdimit të kontratës së tij me Giallorossët, shkruan La Gazzetta dello Sport.
Italiani këtë javë nënshkroi marrëveshje të re me Romën deri në verën e vitit 2017, dhe do të fitojë 6.5 milionë euro sipas kësaj kontrate.
Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, i cili më herët ishte italiani më i paguar në Serie A, aktualisht ka një pagë vjetore prej 6 milionë euro me Bianconerët.
De Rossi nuk është lojtari më paguar në kampionatin italian, pas rritjes së fundit të pagës së Zlatan Ibrahimovic, i cili merr 9 milionë euro nga Milani plus 3 milionë euro bonuse.
28-vjeçari supozohet se ka negociuar edhe me klube të tjera jashtë Italisë si, Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Anzhi Makhachkala, gjatë disa javëve të kaluara, por ka refuzuar ofertat të cilat raportohet se kanë arritur deri në 10 milionë euro në vit. 

Wenger shpreh admirimin për Hazard

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka shprehur admirimin për yllin e Lille, Eden Hazard.
“Vërtet më pëlqen ai dhe për disa arsye. Është fuqia e tij kreative, aftësia për të shmangur kundërshtarin, vizioni i tij në ndeshje dhe aftësitë e tij për adresuar pasimin e fundit, që e bën atë një lojtar shumë interesant”, ka deklaruar francezi.
Por Wenger do të duhet të mbledhë fonte të mjaftueshme për të mposhtur disa prej rivalëve më të mëdhenj evropian, nëse dëshiron të nënshkruajë me Hazard. Për belgun i interesuar është edhe njëri prej klubeve më të fuqishme financiarisht, Manchester City. 

Enti i Statistikave në Maqedoni njeh Kosovën sipas 1244

Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) në Maqedoni vazhdon ta trajtojë Kosovën sipas Rezolutës 1244, dhe kjo evidentohet në raportin e fundit të shkëmbimit tregtar për vitin 2011.
Sipas ESHS, Kosova njihet sipas Rezolutës 1244, derisa shkëmbimi tregtar llogaritet si pjesë e Serbisë, pra bashkërisht me shifrat e shkëmbimit tregtar me Serbinë, pasi që Republika e Kosovës si një nga importueset kryesore të mallrave të Maqedonisë nuk përmendet aspak në komunikatën e ESHS, por vetëm në tabelat ku Kosova llogaritet sipas Rezolutës së OKB 1244.
“Partnerët më të rëndësishme e tregtisë së Maqedonisë janë Gjermania, Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Rusia (44.2% e totalit të huaj tregtar bëhet me këto pesë vende)”, theksohet në komunikatën e ESHS.
Mediat maqedonase dhe raportet e tjera fshehin faktin se Kosova është importuesja më e madhe e mallrave të Maqedonisë dhe kjo sipas raportit të publikuar dje nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas raportit të ESHS, Maqedonia është eksportuesja më e madhe e mallrave në Kosovë edhe gjatë 2011 me mbi 540 milion dollarë, derisa me Serbinë ka 333 milion, Bullgarinë 307 milion dollarë dhe Greqinë 215 milion dollarë.
Kosova radhitet ndër shtetet që Maqedonia ka shkëmbimin tregtar më të larta në rajon, duke arritur shifra rekorde sa i përket eksportit të mallrave në Kosovë. Komunitetet e biznesit në Prishtinë të pyetur lidhur me këtë fakt apelojnë institucionet në Shkup, gjegjësisht ministrinë e Ekonomisë, të bëjë presione për të përmirësuar këtë shkelje, pasi që dy vendet tashmë janë të njohur si dy shtete.

Investo 100 mijë euro në Shqipëri merr pasaportën

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha sot në mbledhje qeverie se çdo shtetas i huaj që investon mbi 100 mijë euro në Shqipëri, mund të marrë shtetësinë shqiptare.
Kryeministri Berisha theksoi se në çështjet më kryesore është ligji për shtetësinë i cili, sipas tij, duhet të rishqyrtohet,dhe të përcaktojë standarde të reja, duke ruajtur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjeje për heqjen e vizave.
”Shqipëria duhet të japë shtetësinë shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që investojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj”, theksoi kryeministri i Shqipërisë në Sali Berisha.

Ndarja e Kosovës: Kufi i ri, urrejtje e re

Diplomati Erhard Busek ka deklaruar se Serbia dhe Kosova duhet të mendojnë për shkëmbim të territoreve. Kjo ide është e rrezikshme dhe do të dështojë, konsiderojnë përfaqësues të serbëve dhe shqiptarëve.
Ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, ka deklaruar së fundi se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë bisedimet për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve, duke “lidhur Luginën e Preshevës me Kosovën, ndërsa veriun e Kosovës me Serbinë”. Sipas Busekut, kjo do të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan.
Randjel Nojkiq, kryetar i Komitetit kosovar të Lëvizjes për Ripërtëritjen Serbe (SPO), thotë se kur është fjala për ndarjen eventuale të Kosovës, duhet të dëgjohet zëri i serbëve nga të dyja anët e lumit Ibër. Deklarata e Erhard Busekut, vlerëson ai, është rezultat i dëgjimit të zërit vetëm të serbëve nga veriu i Kosovës.
“Askush nuk i ka pyetur serbët në jug të Ibrit, se çfarë do të thotë kjo për ata”, ka thënë ai për DW në gjuhën serbe, transmeton “Zëri”.
Duke kujtuar se ndarja e Kosovës është e rrezikshme, sepse ajo hap kutinë e Pandorës dhe mund të shkaktojë një efekt domino, Azem Vllasi, ish zyrtar i lartë i RSFJ-së, thotë se dalja nga kjo situatë ndodhet në planin e Marti Ahtisaarit .
“I vetmi plan i mundshëm është plani i Ahtisaarit dhe ajo çfarë ka përcaktuar dhe paraparë Kushtetuta e Kosovës në përputhje me këtë plan”, tha Vllasi.
Zivojin Rakocevic, njohës i rrethanave politike në Kosovë, ndarjen eventuale të Kosovës e konsideron si hyrje në “kaos, çmenduri dhe vetëvrasje”.
“Ne kemi mjaft kufij në Ballkan të cilët gjenerojnë urrejtje. Një lloj kufiri i ri do të përbënte kulmin e urrejtjes dhe të kësaj çmendurie”, tha ai.

Thaçi: Nuk ka etni të veçantë në Kosovë!

Lidhur me deklarimet e fundit të disa liderëve serbë, të cilët kanë thënë se e pranojnë pavarësinë e Kosovës, në shkëmbim të një statusi special për veriun, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “do t’iu shërbej të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim etnie, në gjithë hapësirën e territorit të Kosovës”.
“Është mesazh i mirë që edhe serbët në veri kanë filluar ta deklarojnë se pranojnë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi. “Nuk ka etni të veçantë në Kosovë. Kosova është vendi i të gjithëve, është atdheu i të gjithëve dhe do të gëzojnë të drejtat afirmative të gjithë”.
Këto komente Thaçi i bëri pas takimit me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, me të cilin bisedoi për reformat e Kosovës drejtë integrimit evropian.
“Përvoja e Zbogar do të jetë shumë e mirëseardhur për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të lëvizim drejt perspektivës së sigurt evropiane”, ka thënë Thaçi.
Për Zbogain, ky vit ka nisë mirë, “me fillimin e procesit të liberalizimit të vizave”.
“Do të ketë më shumë vizita të komisonerëve në Kosovë, dhe më duket se do të ketë një dialog më të intensifikuar”, ka thënë ai. “Shpresoj se në fund të vitit, kur Komisioni Evropian do të përgatis një raport, ai do të jetë më pozitiv”.

Gjermania nuk lëshon pe

Serbia nuk do ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nëse Beogradi javën e ardhshme nuk pajtohet për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
"Ne presim përparim në dialog, prej mesit të shkurtit", tha për agjencinë “Tanjug”, një burim i afërt me misionin gjerman në BE.
“Përndryshe, ne nuk do të jemi në gjendje që në fund të muajit ta mbështesim kandidaturën e Serbisë”.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të takohen në Bruksel në fund të shkurtit, për të diskutuar nëse Serbia i ka përmbushur kërkesat e dhjetorit të kaluar, të Këshillit Evropian.
Në mesin e kushteve kryesore ishte vazhdimi i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe arritja e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Dialogu, megjithatë, është ndërprerë për më shumë se dy muaj, për shkak të pamundësisë së dy palëve për të rënë dakord në lidhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, nën emrin e të Kosovës.
Burimi i agjencisë serbe thotë se ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, gjatë një takimi të kohëve të fundit me homologun serb, Vuk Jeremic, e ka paralajmëruar bashkëbiseduesin se afateve po u afrohet fundi.
Westerwelle ka thënë se nuk do të lejojnë që të përsëritet situata e dhjetorit të kaluar, kur dialogu zhvillohej gjatë takimit të Këshillit, ndërsa marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve u arrit në çastin e fundit.
Burime të tjera diplomatike konfirmuan për “Tanjug” se Serbia ka pak gjasa ta fitoj statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, nëse nuk arrihet marrëveshja e përfaqësimit.
"Praktika e Serbisë që të bëj gjithçka në momentin e fundit, pranohet shumë keq në Bruksel”, ka thënë një zyrtar i lartë i Komisionin Evropian, për të shtuar “se kjo minon besimin reciprok midis BE-së dhe Serbisë".
"Kushtet që Këshilli i ka shtruar për Serbinë janë të qartë të listuara. Nëse nuk përmbushen, edhe ato vende që nuk pajtohen me pozicionin gjerman nuk do të jenë në gjendje që të këmbëngulin për këtë kandidaturë”.
Bashkëbiseduesit kanë thënë se nëse Serbia nuk e fiton statusin në fund të shkurtit ose fillim të marsit, kjo çështje do të diskutohet tek në dhjetor.

E enjtja e akullt

Ftohti i madh që po mbretëron në vend, po vështirëson qarkullimin më tërë vendin.
Instituti Meteorologjikë i Kosovës paralajmëron se moti do të jetë më reshje bore deri të mërkurën, e temperaturat minimale deri ditën e enjte do të jenë nga minus 16 deri minus 23 gardë celsiusë në vendet kodrinore-malore. Të enjten ato priten të jenë edhe më të ulëta.
Drejtori i Institutit Meteorologjikë, Sylë Tahirsylaj, bënë thirrje për kujdes.
“Të premten sërish do të fillojnë reshjet. Do të ketë vështirësi në qarkullim për të gjithë qytetarët... Reshjet e borës do vazhdojnë deri në fillim të javës së ardhshme, kur pritet të rriten temperaturat. Por, kjo do të jetë një rritje e lehtë”, ka thënë Tahirsylaj, i cili ka paralajmëruar edhe për vërshimet e mundshme.
“Kemi lumenj rrëkeje që përshkojnë territorin e vendit tonë. Do ketë shkallë të lartë të degradimit të lumenjve dhe vërshimet janë të pashmangshme”, shton ai.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës pohojnë se rrugët magjistrale janë të kalueshme. Në gjendje më të keqe janë rrugët sekondare, ndërsa të bllokuara vazhdojnë të mbesin rruga Pejë-Kullë-Rozhaj. Po ashtu, është e bllokuar është edhe rruga që shpie për në Rugovë të Pejës, si dhe rruga për në rajonin e Mitrovicës, në Bajgorë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka pohuar se gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur aksident me fataliteti, por se janë shënuar 69 aksidente me lëndime dhe me dëme materiale.
Moti i ligë ka ndikuar edhe në punë e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku është anuluar aterrimi i një aeroplani që vinte nga Bazeli i Zvicrës.

QKUK ka ndërprerë ndërhyrjet kirurgjike

Për shkak të temperaturave të ulëta, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka ndërprerë të gjitha ndërhyrjet kirurgjike
Zyrtarë të Qendrës bëjnë të ditur se gjatë ditës pritet të shpallin gjendje emergjente teknike, si pasojë e problemeve në ngrohtoren e qendrës.
Drejtori i QKUK-së, Njazi Gashi, në Ministrinë e Shëndetësisë po diskuton me ministrin Ferid Agani, për të gjetur mundësitë e tejkalimit të kësaj situate.

AAK: Shëndetësia në kaos

Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare dhe institucionet shëndetësore në Kosovë, vazhdojnë të jenë arenë e interesave të grupeve politike, parapolitike dhe ekonomike, ndërsa korrupsioni dhe kaosi është thelluar edhe më shumë, thonë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas AAK-së, statuti i QKUK-së shërben vetëm për përshtatje të nevojave të grupeve caktuara.
“Një pako e barnave, që në barnatoret komerciale shitet për 1.5 euro, Ministria e Shëndetësisë e llogaritë me çmim shumëfish më të lartë”, u tha në konferencën për shtyp, të deputetes Time Kadriaj.
Sipas saj, furnizimi i barnave nga lista esenciale është i dobët, ndërsa “tenderët e kësaj fushe po e bëjnë furnizimin e rregullt të grupeve të caktuara të interesit brenda QKUK-së, me paranë publike”.
“Është e patolerueshme që edhe më tej sektori i shëndetësisë të jetë çerdhe e korrupsionit, dështimit dhe kaosit”, tha ajo.