Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se është çështje javësh emërimi i ambasadorëve të rinjë.
Ai ka thënë se presidentja Jahjaga është në fazën e formësimit të vendimit të saj për marrjen e pëlqimit nga ato shtete në të cilat duhet të emërohen ambasadorët e rinj.
“Tani, presidentja, sipas mandatit të saj, mund të kërkojë pëlqimin dhe pastaj t’i dekretojë ambasadorët. Jam shumë i sigurt se kjo çështje është punë javës, kur edhe do t’i kemi reagimet pozitive nga shtetet e caktuara për emërimin e ambasadorëve të rinj”, ka thënë Hoxhaj për “Epoka e re”.
Edhe këshilltarja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e presidentes, Garentina Kraja, ka thënë se presidentja është duke punuar në këtë drejtim, sipas procedurave ligjore.
“Ne kemi marrë raportin prej Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme. Ky raport është në shqyrtim e sipër. Jemi duke e shikuar raportin dhe paralelisht me të jemi duke i shikuar edhe procedurat ligjore. Pra, ende jemi në këtë fazë. Në ditët në vijim besoj se do të marrim qëndrim përkitazi me shqyrtimet që do të bëhen prej raportit dhe procedurave ligjore”, ka thënë Kraja.
I pyetur rreth vlerësimeve negative të cilat i ka dhënë kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Alib Kurti, rreth kandidatëve për ambasadorë - duke përjashtuar në këtë rreth vetëm kandidatin për ambasador në Shqipëri, Sylajman Selimi - Hoxhaj ka thënë se është përtej mandatit të tij që të jap vlerësim për ato që kanë deklaruar deputetët.
Por, siç thotë ai, Ministria ka bërë përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë të mundshëm për ambasadorë.
“Ne si Ministri e Punëve të Jashtme kemi sjell në propozim kandidatët të cilët kanë përgatitje të mirëfilltë profesionale, në përputhje me gjuhën, përvojën dhe me kontaktet që i kanë me vendet e caktuar”, ka thënë ai.