Bujanoc, emrat e rrugëve e prishën koalicionin

Në Bujanoc është prishur koalicioni që ishte duke qeverisur për më shumë se dy vite komunën, pasi anëtarët e partive shqiptare miratuan një propozim me të cilin duhet të ndryshohen 17 emërtimet serbe të rrugëve të qytetit.

Propozimi për t’i ndryshuar këta emra është miratuar nga komisioni shtatë anëtarësh, tek i cili katër përfaqësues shqiptarë mbivotuan tre anëtarët serbë.
Me këtë vendim, në Bujanoc hiqen emrat e rrugëve: “Car Lazari”, “Carica Milica”, “Vojvod Misica”, “Vojvod Stepe”, “Radomir Putnik”, “Dimitri Tucovic”, “Dosite Obradovic”, “Svetozar Markovic”, etj.
Këta emra pritet të zëvendësohen me Skënderbeun, Rexhep Hasanin, Naim e Sami Frashërin, Idriz Seferin dhe shkrimtarë dhe luftëtarë të tjerë shqiptarë.
Sipas ditores Blic, emër të një rruge do të ketë edhe dëshmori Fatmir Ibishi, ish pjesëtar i UÇPMB-së, i cili në vitin 2000 ishte vrarë nga forcat serbe në Konçul.
Ndërkohë, sheshi qendror në Bujanoc, që mbante emrin e udhëheqësit të kryengritjes së parë serbe, të Karadord Petrovicit, do ta ketë emrin Sheshi Skënderbeu.
Vendimin përfundimtar për këto ndryshime do ta jep komisioni përkatës i Ministrisë së Administratës Publike, Administratë Lokale, të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.
Menjëherë pas kësaj, përfaqësuesit serbë në Kuvendin Komunal kanë deklaruar prishjen e koalicionit qeverisës me shqiptarët në këtë komunë.
“Që sot, asgjë nuk është si më parë në Bujanoc. Koalicioni më nuk ekziston”, ka thënë zëvendëskryetari i Bujanocit, Stojanca Arsic.