Prokurorët e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, thonë se në procesin kundër shtatë personave të akuzuar për trafikim të organeve, në rastin e njohur “Medikus”, kanë kërkuar ndihmë nga disa vende për indentifikimin e viktimave.
“Ne kemi disa kërkesa për ndihmë juridike për shumë vende, përfshirë ato më të rëndësishmet, Federatën Ruse, Izraelin, Ukrainën dhe Turqinë për t’i identifikuar dhe lokalizuar viktimat e donatorëve si çështje urgjente”, i tha agjencisë AFP, prokurori special i BE-së, Jonathan Ratel.
Në rastin “Medikus” janë të akuzuar shtatë persona për trafikim të organeve, si pjesë e unazës së krimit të organizuar.
Ndër të akuzuarit gjendet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së shëndetësisë së Kosovës, Ilir Rrecaj, urologu i njohur prishtinas, Lutfi Dervishi, pastaj mjeku turk Jusuf Sonmez, dhe shtetasi izraelit, Moshe Harel.
Sipas aktakuzës, viktimat ishin rekrutuar nga vendet e varfra të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, transmeton Rel.
Atyre u ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për organe, ndërsa ata që i pranonin këto organe paguanin edhe nga 100 mijë euro secili.
Aktakuza thotë se afro 20 viktimave, që janë identifikuar deri tash, nuk u janë paguar shumat e premtuara, megjithëqë organet u ishin marrë.
Prokurori Ratel thotë se po punohet edhe me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Gjermaninë dhe Britaninë, për të gjetur më tepër viktima.
“Ne po punohjmë në mënyrë intensive me të gjitha këto vende dhe përdorim çdo gjë që kemi për t’i lokalizuar, identifikuar dhe për t’i pasur këto viktima si dëshmitarë”, tha Ratel.