Kuçi: Integrimi evropian është platformë kombëtare

Integrimi evropian i Kosovës është përkushtim dhe platformë kombëtare, është vullneti i qytetarëve të Kosovës, tha të martën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe ministër i Drejtësisë.

“Rreth kësaj platforme ekziston një konsensus i brendshëm shoqëror dhe politik, për të cilin qeveria e Kosovës është duke punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm”, tha Kuçi në takimin e Nënkomitetit për drejtësi, liri dhe siguri, që zhvillohet në kuadër të dialogut të Procesit të stabilizim asocimit.
“Sot jemi mbledhur këtu për të konfirmuar marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe për ta adresuar nevojën e riafirmimit dhe përkushtimit tonë për perspektivën e qartë evropiane”, tha Kuçi, Sipas tij, ndarja e një pjese të kompetencave në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, me EULEX-in, siguron reforma dhe veprime, që janë në përputhje me standardet evropiane.