Emery: Messi nuk ka rënë nga forma

Trajneri i Valencias, Unai Emery, ka mohuar thëniet se Lionel Messi nuk ka qenë në formën më të mirë në ndeshjet e fundit të Barcelonës.

Analistë të ndryshëm sportivë kanë pohuar se niveli i argjentinasit ka rënë në ndeshjet e fundit, por kështu nuk mendon trajneri i Los Che, skuadër me të cilën Barca do ta zhvillojë ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Mbretit në Camp Nou.
“Ai është lojtari më i mirë në botë, nuk mendoj se ai është në një moment të keq të formës”, u ka thënë Emery gazetarëve në një konferencë për media.
Për më shumë, ai ka kërkuar nga lojtarët e tij që të fokusohen maksimalisht në takimin e të mërkurës mbrëma.
Blaugranët kanë një përparësi, duke qenë se ndeshja e parë e zhvilluar në Mestalla përfundoi me rezultat 1-1.