Ministria e Shëndetësisë, Qendra Klinike Universitare dhe institucionet shëndetësore në Kosovë, vazhdojnë të jenë arenë e interesave të grupeve politike, parapolitike dhe ekonomike, ndërsa korrupsioni dhe kaosi është thelluar edhe më shumë, thonë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas AAK-së, statuti i QKUK-së shërben vetëm për përshtatje të nevojave të grupeve caktuara.
“Një pako e barnave, që në barnatoret komerciale shitet për 1.5 euro, Ministria e Shëndetësisë e llogaritë me çmim shumëfish më të lartë”, u tha në konferencën për shtyp, të deputetes Time Kadriaj.
Sipas saj, furnizimi i barnave nga lista esenciale është i dobët, ndërsa “tenderët e kësaj fushe po e bëjnë furnizimin e rregullt të grupeve të caktuara të interesit brenda QKUK-së, me paranë publike”.
“Është e patolerueshme që edhe më tej sektori i shëndetësisë të jetë çerdhe e korrupsionit, dështimit dhe kaosit”, tha ajo.