Turntable.fm tani edhe në Android!

Turntable.fm është një rrjet tjetër social i cili mundëson që përdoruesit e saj të shpërndajnë muzikën e tyre në mënyrë interaktive.
Nëse ju jeni ndër personat që e pëlqeni këtë shërbim në internet dhe njëkohësisht keni një telefon Android, atëherë me siguri se do të jeni të kënaqur ta dini se aplikacioni tani ofrohet edhe në platformën mobile të Google. 
Vitin e kaluar, Billy Chasen kishte filluar shërbimin Turntable.fm, i cili në parim është një dhomë prej 5 DJ’ve që mund të zgjedhin cila muzikë lëshohet dhe më pas këto këngë mund të pëlqehen ose të vlerësohen si të pa rëndësishme.

Ka fjetur me 21 meshkuj – nga secili ka marrë nga një suvenir

Britanikja Kerri Dobson ka bërë një koleksion të gjësendeve nga secili mashkull me të cilin ka fjetur deri më tani.
Edhe pse vetëm 22-vjeçare, ajo ka regjistruar 21 meshkuj në “karrierën” e saj, dhe secilit prej tyre i ka marrë nga diçka. Nga gjësendet që ka rrëmbyer, përmendim rroba, xhel për flokë, fotografi, poezi etj.
Kerri thotë se të gjitha këto, ia përkujtojnë secilin nga meshkujt me të cilët ka kaluar së paku një natë në krevat.
Ajo ka treguar se virgjërinë e ka humbur në moshën 15-vjeçare dhe që atëherë u ka marrë diçka meshkujve për të cilat ka besuar se nuk iu nevojitet.

Lavdërojnë përfaqësimin me kuotë

Grupi i Grave Deputete (GGD) në bashkëpunim Me Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung dhe OJQ "Top Radio" nga Gjakova organizuan një tryezë me gratë nga komuna e Ferizajt, në të cilën është vlerësuar puna e grave deputete.
Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija foli për punën e GGD dhe deputetëve për të përkrahur gratë në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet. Ajo tha se është bërë punë e madhe deri tani nga gratë që nga mandati i parë, kur me insistimin e grave nga partitë politike dhe shoqëria civile është vënë në rregulloren e parë zgjedhore të pas luftës kuota gjinore.
“Kjo kuotë ka bërë që të krijojmë masën kritike të grave, të cilat ngritën shumë çështje lidhur me avancimin e gruas”, tha Sahatqija, transmeton Koha.net.
Ndërsa deputetja Flora Brovina foli për rëndësinë e ngritjes politike dhe profesionale të gruas në mënyrë që ta krijojmë institucione demokratike. GGD ka ndikuar në ligjin për zgjedhje sepse nuk kishte vullnet të mjaftueshëm për ti siguruar gruas vendin që i takon.

Burri i Presidentes nuk merr vizën për asistent

Bashkëshorti i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Astrit Kuçi nuk mund të bëhet asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Pretendimin për këtë pozitë Kuçit ia ka shuar Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë, edhe pse recensionet ishin pozitive dhe në anën e tij.
Mirëpo ajo që ishte pengesë që këshilli të ja jepte një “X” ishte mosha e tij dhe kriteret e tjera të cilat burri i Presidentes nuk arriti që ti plotësonte, siç është rregulluar me statut të UP-së, transmeton Indeksonline.
Edhe pse kërkohet që të ketë të regjistruar doktoratën, Kuçi konkurroi për pozitën e asistenti të ri pa e plotësuar këtë kriter, vlerëson Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë.
Kuçi është 36 vjeç, ndërsa mosha për të qenë asistent i ri, pozitë për të cilën ka konkurruar ai, është 30 vjet, kurse për të qenë asistent kandidati duhet të jetë nën 35 vjeç.

S’ka para për ta blerë unazën – gëlltit atë!

Ka dashur të bëjë dhuratë një unazë floriri të shtrenjtë nuses së tij të ardhshme, por mënyra që ka menduar, ka qenë tejet e veçantë.
I shtyrë edhe nga pamundësitë ekonomike, por me dëshirën e madhe për t’i shprehur dashurinë përmes një unaze të shtrenjte, që do të kurorëzonte lidhjen e tyre, 27-vjeçari Erjon Cërriku ka gëlltitur unazën e përzgjedhur, duke e vjedhur në këtë mënyrë atë.
Sipas News24, ngjarja e pazakontë ka ndodhur të premten mbrëma në një argjendari në Tiranë, kur dy personat janë futur brenda dhe i kanë kërkuar argjendarit që t'iu tregojë unazën më të shtrenjtë të floririt.
Në momentin që partnerja e tij po hutonte argjendarin, Cërriku ka gëlltitur unazën. I alarmuar për humbjen e floririt pronari ka njoftuar policinë për ngjarjen.
Pas ekspertizës dhe grafive të bëra nga ekspertët mjeko-ligjorë u vërtetua që unaza ndodhej në stomakun e 27 vjeçarit me origjinë nga Yzberishti. I arrestuari Cërriku po mbahet nën vëzhgim dhe nën kontroll, derisa nëpërmjet rrugëve gastrointensinale, të nxjerrë unazën e shtrenjtë, të cilën e mban në trup prej më shumë se 20 orësh.
I riu është i njohur për policinë për vjedhje dhe shitje të lëndëve narkotike. Tri ditë më parë ai ishte mbajtur peng për disa orë nga dy persona për shkak se ua kishte vjedhur motoçikletën. 

Fitou dhe Riechel, mirëkuptim për deklaratën e Thaçit

Kërkesa e kryeministrit Hashim Thaçi, që Bashkimi Evropian ta trajtojë Kosovën njëjtë sikurse shtetet e tjera të rajonit, është pritur me mirëkuptim nga ambasadori i Francës dhe ai i Gjermanisë në Prishtinë, të cilët kanë vlerësuar se ekzekutivi kosovar vetëm po e lyp një vlerësim nëse puna që është bërë deri më tani është në përputhje me kriteret e Brukselit.
Ata kanë bërë të ditur se deklaratën e Thaçit nuk e shohin si kritikë, por më shumë si ambicie e shprehur për rrugëtim më të shpejtë nga aspirata evropiane e Kosovës.
Ambasadori i Francës, Jean-François Fitou, ka përkujtuar se shteti i tij dhe Gjermania që nga fillimi kanë përkrahur perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që në kohën e duhur të anëtarësohen në BE dhe se ky përkushtim është konfirmuar në Samitin e Selanikut, gjë që vlen edhe për Kosovën, transmeton Koha.net.
"Qëndrimin e Thaçit nuk e shoh si kritikë”, ka thënë ambasadori Fitou, gjatë një ceremonie të përurimit në Kishën e Shën Shpëtimtarit në Prizren.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, Ernst Reichel, është pajtuar me konstatimet e diplomatit francez, duke theksuar se ambicia dhe padurimi i shprehur nga njerëzit dhe Qeveria e Kosovës dëshmon përkushtimin për të ecur në binarët e integrimeve evropiane.

Shahini: 150 kompani gati për Berzen e Punësimit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), për herë të katërt realizon projektin “Berza e Punësimit Kosova 2012“ nga 17 deri me 31 maj në Prishtinë, Prizren, Ferizaj Gjakovë e Graçanicë. Ky projekt është mbështetur nga Qeveria e Kosovës. Gjatë realizimit të projektit do të punësohen qindra persona të interesuar.
 Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se motoja e kësaj berze të punësimi është “Eja informohu, regjistrohu, trajnohu, eja punësohu”, . Ai thotë se kjo ka për qëllim rritjen e fluksit e të komunikimit në mesë të palëve të interesit me qëllim të uljes së papunësisë. “I ftoj bizneset që me pjesëmarrjen e tyre në këtë projekt tradicional të kontribuojnë me nga një punësim të ri, kurse të pa punët të regjistrohen nëpër zyrat e regjistrimit për punësim që së paku të kemi numrin e saktë të punë kërkuesve, sepse mungojnë këto statistika”, tha kryetari i AKB-së.
Agim Shahini, shtoi se Qeveria e Kosovës, duhet të hartojnë strategji për luftë kundër papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, të hartojë politika aktive për punësim të qëndrueshëm, të hartoj politika për rritje me dinamike për ekonomi dhe investime direkte. “Berëza e Punësimit Kosova 2012”, në një vende do mbledhë punëdhënës-punëmarrës-qeveri dhe do të kenë mundësi të ulën për diskutime të hapura pa ndërmjetësime”, tha Shahini.
Ai tregoi edhe itinerarin e me 17 maj në Prizren, 22 maj në Gjakovë, 25 maj Ferizaj, për herë të parë me 29 maj në Graçanicë që ka për qëllim më shumë se punësim bashkëjetesë e integrim i komunitetit serb dhe të tjerë. Ndërsa me 31 maj do të mbahet në Prishtinë, por këtu nuk do të ndalemi ky projekt do vazhdoj deri me dhjetor 2012.
Deri me tani 150 kompani kanë shpreh gatishmërinë të jenë pjesëmarrëse në berz në tërë Kosovën.

Cavani dëshiron Kupën e Italisë

Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, thotë se finalja e Kupës së Italisë kundër Juventusit është ndeshja më e rëndësishme e sezonit për klubin e tij.
“Ne do të japim gjithçka në këto ndeshje të fundit të sezonit dhe në fund të fundit do të shohim se ku jemi”.
“Ndeshja e fundit kundër Juventusit do të jetë ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe ne ngadalë po përgatisim mentalitetin tonë për ta fituar atë”, ka thënë Cavani.
Uruguaiani është i suspenduar për ndeshjen e fundit të sezonit në Serie A, që Napoli e zhvillon të dielën në San Paolo kundër Sienës.

Llorente: Nuk kemi frikë nga Barca

Fernando Llorente ka deklaruar se Athletic Bilbao është e vendosur të harrojë dhimbjen pas dështimit në finale të Europa League dhe të kërkojë ta fitojë finalen e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës.
“Kishte shumë presion në ndeshje, por Altetico ia doli me këtë. Problemi ishte se ata startuan fuqishëm dhe shënuan një gol të hershëm. Ne kishim shanse të barazojnë, por kur u bë 2-0, zemrat tona u fundosën dhe ata ishin fitues të pastër”.
“Disfata ndaj Atletico do të thotë se ne do të dalim pa frikë. Në këtë rast ne luajmë kundër një skuadre më të mirë, por ekipi më i mirë jo gjithmonë fiton”.
“Ne duhet të jemi optimist, dhe besojmë se nuk ka asgjë për të humbur dhe të japim gjithçka, pasi nëse luajmë 100 për qind ne kemi një shans”, ka thënë Llorente për Sport.

Conte: Kemi folur në fushë

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, i ka thënë Milanit se Bianconerët i kanë thënë fjalët e tyre në fushë dhe jo në media gjatë këtij sezoni.
Zonja e Vjetër mposhti Rossonerët për të fituar titullin e 28-të zyrtar në Serie A, edhe drejtuesit e Milanit vazhdojnë të ankohen për golin e anuluar të Sully Muntarit ndaj Juves në shtator, si edhe për lëndimet e shumta që klubi ka shijuar këtë sezon.
“Mbaj mend edhe Allegrin kur tha në një konferencë shtypi se Milani do ta sigurojë ‘yllin’ e dytë në fanellë. Në atë moment mendova: ‘Dreqin, ata vërtet janë të bindur se mund ta fitojnë Scudetton”.
“Do të thosha se ajo çfarë ndodhi në fushë foli vetë. Ne fituam tetë nga nëntë ndeshjet e fundit, duke dëshmuar se kjo nuk na nxjerr neve nga rruga”.
“Gjithmonë kam thënë se skuadra më e mirë do të fitojë gjatë sezonit, ajo më e qëndrueshmja, më e organizuara dhe ajo e cila luan futboll më të mirë. Mendoj se Juventusi dëshmoi se ishte superior ndaj Milanit në këto aspekte”, ka thënë Conte për Sky Sport Italia.
Juve mund të bëhet skuadra e tretë në histori që kalon gjithë sezonin e Serie A i pamposhtur, nëse ata nxjerrin rezultat pozitiv ndaj Atalantas në ndeshjen e fundit të sezonit që zhvillohet nesër në Torino. 

Ramos dëshiron 100 pikë

Mbrojtësi i Real Madridit, SergioRamos, shpreson të shkruajë histori me Los Blancos duke shënuar fitore ndaj Mallorcas gjatë të dielës për të arritur 100 pikë në La Liga.
Reali aktualisht ka 97 pikë dhe tashmë e ka siguruar titullin e kampionit të Spanjës, por nesër do ta ketë shansin të bëhet skuadra e parë që arrin pikë treshifrore në një sezon.
“Ne duam të bëjmë histori duke mbledhur 100 pikë dhe po ashtu dëshirojmë të përfundojmë sezonin duke festuar titullin në stadium. Ky është synimi jonë pasi është një numër impresiv dhe do t’i bëjë njerëzit ta mbajnë mend këtë edicion të La Ligës”.
“Me ca fat, punë të fuqishme dhe qëndrueshmëri ne mund të nxjerrim tre pikë për të përfunduar sezonin me një shenjë para tifozëve tanë”, ka thënë Ramos për faqen zyrtare të Real Madridit. 

Skrtel të largohet nga Liverpooli?

Martin Skrtel mund të befasojë Liverpoolin këtë verë duke kërkuar të largohet nga Anfield, bën të ditur Goal.com.
Mbrojtësi sllovak, i cili erdhi te Liverpooli në janar të vitit 2008 nga Zenit St Petersburg, ka qenë një prej lojtarëve kyç në skuadrën e Kenny Dalglish gjatë këtij sezoni.
Partneriteti i ti me Daniel Ager ka bërë që Liverpooli të ketë një prej mbrojtjeve më të mira në Ligën Premier, por duket se këtij partneriteti mund t’i vijë fundi.
27-vjeçari mendohet se ka humbur besimin në skuadrën gjatë 12 muajve të fundit. Përveç triumft në League Cup dhe kualifikimit në finale të Kupës FA, Liverpooli sërish është jashtë Ligës së Kampionëve dhe larg të qenit rival për të fituar titullin.
Skrtel ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Liverpoolit, por dëshira e tij për të luftuar për trofe të mëdhenj dhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve mund ta largojë atë nga skuadra. 

Zyrtare: Enrique konfirmon largimin

Luis Enrique ka konfirmuar se i do të largohet nga posti i trajnerit të Romës në fund të sezonit dhe ka përmendur raportin e keq me mediat italiane si arsye kryesore.
“Kritikat ndaj meje të cilat kanë dalë në shtyp, gjithçka që është thënë, është gënjeshtër. Të jem trajner i kësaj skuadre ka qenë privilegj, kurrë nuk jam pendar kur ka pasur ditë të këqija”, ka thënë Enrique gjatë një konference për shtyp.
“Gjithmonë jam respektuar nga tifozët të cilët i kam takuar në rrugë. Largohem pasi nuk mendoj se mund të rikuperohem dhe të pushoj mjaftueshëm gjatë verës. Vitin tjetër nuk jam i sigurt nëse do të drejtoj ndonjë skuadër. E kam harxhuar të gjithë energjinë time duke u përpjekur të kthehem në maje”.
“Puna ime është vlerësuar nga rezultatet, siç është normale. Por kjo është një aventurë, fillimi i një aventurë, dhe deri së fundi ne kemi luftuar për pozitën e tretë. Ne nuk e fituam, por nuk mendoj se ka qenë një sezon i keq”.
“Skuadra është përmirësuar aq shumë. Djelmoshat gjithmonë janë të ngarkuar dhe për këtë duhet t’i falënderoj ata sot siç kam bërë gjithmonë”, ka përfunduar spanjolli.

NBA: Grizzlies barazojnë serinë ndaj Clippers

Memphis Grizzlies i kanë shpëtuar eliminimit duke mposhtur skuadrën e prekur nga lëndimet Los Angeles Clippers me rezultat 90-88 për të barazuar në 3-3 serinë e ndeshjeve dhe për t’i hapur rrugë ndeshjes së shtatë vendimtare në rundin e parë të playoffit.
Edhe pse ishin në disavantazh prej tetë pikësh në çerekun e katërt, Grizzlies luftuan për të pasur një seri 10-0 dhe për të marrë avantazhin me pesë minuta të mbetura deri në fund të ndeshjes, avantazh të cilin më pas e ruajtën deri në fund.
Seria zhvendoset në Memphis për ndeshjen e shtatë që zhvillohet të dielën, fituesi i të cilës do të kualifikohet në rundin e dytë të playoffit, që është edhe gjysmëfinale e Konferencës Perëndimore, ku do të takojë San Antonio Spurs.
Marc Gasol ishte më i miri te Memphis me 23 pikë derisa Zach Randolph kontribuoi me 18 pikë dhe 16 kërcime. Blake Griffin ishte më i mirë te Los Angeles me 17 pikë

Maradona e sheh Guardiolën si trajner të Chelseat

Ish-ylli i Barcelonës, Diego Maradona, mendon se Pep Guardiola do ta kapë shansin për të drejtuar Chelsean.
Guardiola do të largohet nga Barcelona në fund të sezonit, me ndeshjen e fundit që pritet të jetë finalja e Kupës së Mbretit më 24 maj.
“Pep, një trajner i shkëlqyeshëm. Mos u befasoni nëse ai shpejt del në sipërfaqe te Chelsea, nëse Abramovich i bën atij një ofertë të madhe” ka thënë Maradona për Times of India. 

Evra beson se ende mund ta fitojë titullin

Mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, nuk ka hequr dorë nga titulli i 20-të i kampionatit anglez për Djajtë e Kuq.
“Ndoshta njerëzit do të thotë se jam i çmendur ose se vetëm e them këtë pasi jam lojtar i Manchester United, por ende besoj se ne mund ta fitojmë titullin”.
“E di se fati nuk është në duart tona dhe se Sunderlandi nuk është një vend i lehtë për të udhëtuar, por mendoj se ne do të fitojmë par a të gjithë tifozëve”.
“Ne nuk kemi zgjidhje por të besojmë. Nëse ne duam të vazhdojmë të besojmë në mrekulli, duhet ta mposhtim Sunderlandin”, ka thënë francezi.
United është në pozitën e dytë me pikë të barabarta me Manchester Cityn, që mban kreun falë diferencës më të mirë të golave. Djajtë e Kuq nesër udhëtojnë në fushë të Sunderlandit, derisa City do të presë QPR në Etihad Stadoum.

Klopp: Finalja e DFB-Pokal, si ajo e Kupës FA

Menaxheri i Borussia Dortmund, Jurgen Klopp, ka lavdëruar kalibrin e finales së Kupës së Gjermanisë, të njohur si DFB-Pokal, ndaj Bayern Munichut, të cilën e ka krahasuar me finalen e Kupës FA.
Pasi mposhtën bavarezët dy herë gjatë këtij sezoni dhe pasi triumfoi në garën për titullin e Bundesligës, Dortmund do të kërkojë sonte të mposhtë skuadrën e trajnerit Jupp Heynckes edhe për trofeun e Kupës.
“Finalja e Kupës gjithmonë ka qenë e veçantë. Vendi i parë kundër vendit të dytë – për mua kjo është e krahasueshme me Kupën FA në Wembley”.
“Ne jemi në një gjendje të shkëlqyeshme dhe mund përfundimisht të fitojmë dy tituj pa 103 vitesh. Të dyja klubet kanë një respekt të madh për njëri-tjetrin”, ka thënë Klop për Goal.
Ndeshja e sotme zhvillohet në stadiumin Olympiastadion të Berlinit me fillim nga ora 20:00.

Kosova e kontaminuar

Kosova renditet në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës kanë marrë përmasa alarmante dhe gjendja po keqësohet çdo ditë e më shumë, thonë ekspertë të çështjeve mjedisore.
Kosova nuk ka një industri funksionale, por ato pak kapacitete prodhuese që funksionojnë, janë shndërruar në ndotësit kryesorë të mjedisit.
Padyshim, sipas ekspertëve të ambientit, ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë janë Korporata Energjetike e Kosovës, “Ferronikeli”, pastaj fabrika çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit dhe si sektor që ndikon mjaft shumë në ndotjen e ambientit është sektori i transportit.
Drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit në Kosovë, Zeqir Veselaj, thotë se parametrat mjedisor janë larg standardeve të cilat do të mundësonin një jetë të shëndetshme në Kosovë.
“Shumica e parametrave janë shumë larg standardeve që kërkohen edhe nga ligjet vendore, por edhe nga direktivat e BE-së”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë.
“Sektori energjetik është duke prirë në përkeqësimin e gjendjes së mjedisit, duke pasur parasysh se 97 për qind e nevojave të energjisë të këtij vendit plotësohen nga djegia e qymyrit dhe atë të një qymyri me cilësi mjaft të dobët, siç është linjiti (i cili përveç që ka vlerë kalorifike të vogël, duhet djegur shumë për të prodhuar sasi të vogël të energjisë)”..
Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në përqindje shumë të madhe janë në harmoni me kërkesat dhe direktivat e BE-së, por zbatimi i tyre ende nuk ka filluar dhe nuk ka gjasë të fillojë në një të ardhme të afërt.
“Nëse e shohim buxhetin për mjedisin, në vend të rritjes ka pësuar një zvogëlim, që do të thotë se nuk është në linjë me atë që kërkohet në ligje... Kryesisht, ato investime që janë bërë në mjedis, janë bërë nga investitorët të jashtëm”, thekson Veselaj.
Në bazë të matjeve për tremujorin e parë të këtij viti të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, ndotësi më i madh i mjedisit në Kosovë, Korporata Energjetike e Kosovës, ka shënuar rritje të normës së ndotjes.
Drejtori i kësaj agjencie, Ilir Morina, thotë se në bazë të të dhënave, Termocentrali “Kosova A” tejkalon me grimca pluhuri normat deri në 14 herë, ndërkaq Termocentrali “Kosova B” deri në 3 herë.
“Problematike është trashëgimi i mbetjeve, trashëgimi i industrisë nga e kaluara, ku asnjëherë nuk është intervenuar në mjedis, ku asnjëherë këto kompani të mëdha që ndotin ambientin nuk janë përkujdesur për mjedis... Është e paarritshme që për një kohë shumë të shkurtër të përmirësohet kjo gjendje”, shprehet Morina.
Sipas projeksioneve qeveritare, mbyllja e Termocentralit “Kosova A” është paraparë të bëhet në vitin 2017. Ndërsa, termocentrali i ri, ndonëse parasheh prodhimin e energjisë nga linjiti, pritet të jetë sipas standardeve evropiane.
Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, sipas Morinës, janë duke u bërë investime të shumta nga qeveritë e shteteve të ndryshme të botës. Morina thotë se vetëm Banka Botërore është duke investuar miliona euro në përmirësim e gjendjes së mjedisit.
Po ashtu, ai thekson se janë duke u investuar mjete të mëdha në ndërtimin e filtrave në Termocentralin “Kosova A” dhe sipas tij, brenda 7 muajve secila njësi e termocentralit do të lirojë gazra në nivelin e lejuar evropian.

Çështjen e ndotjes së mjedisit nga termocentralet e ka ngritur në vazhdimësi Partia e të Gjelbërve në Kosovë. Kryetari i kësaj partie, Daut Maloku, thekson se sfida kryesore për Kosovën në 5-10 vjetët e ardhshëm do të duhej të ishte përafrimi dhe integrimi i vendit në BE. Në këtë kuadër, sipas tij, ngritja dhe plotësimi i standardeve mjedisore do të jenë faktor kyç për integrim evropian të Kosovës.
“Ne kemi legjislacion me standarde ndërkombëtare, por nuk zbatohet dhe jemi këtu ku jemi - me një gjendje kaotike të mjedisit”, potencon Maloku.
Sipërfaqja e Kosovës është rreth 1.1 milion hektarë, 53 për qind e së cilës është tokë e punueshme, ndërsa 47 për qind është e mbuluar me pyje. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mesatarisht një familjeje i takojnë 3 hektarë tokë. Por, kjo tokë është ngulfatur me ndërtime të shumta.

Që nga paslufta në Kosovë janë ndërtuar ndërtesa të mëdha banimi, të cilat sipas ekspertëve Partisë së të Gjelbërve të Kosovës kanë bërë që hapësirat gjelbëruese të mbesin shumë të pakta

Kundërshtojnë rikthimin e rekomandimeve

Përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve, në një konferencë për media shprehen shqetësimin për ngritjen e mocionit në seancën e djeshme të Kuvendit, nga ana e Grupit Parlamentar të PDK-së, që t’i kthejë në rivotim rekomandimet e miratuara në Kuvend, një prej të cilave parasheh kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Ata përshëndeten iniciativën për trajtimin në mënyrë më serioze të kësaj çështje, por kërkuan që mos t’i kthejnë prapa rekomandimet e votuara në seancën e 10 majit.
Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, tha se nëse vendimi kthehet prapa, atëherë zhgënjimi për familjarët e të pagjeturve do të jetë edhe më i madh dhe çështja e të pagjeturve nuk do të bisedohet më asnjëherë. 

Familjarët e “Shtëpisë së verdhë” kundër EULEX-it

Familjarët e së ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, në Gurrë të Vogël të Matit, deklarojnë se do të kundërshtojnë kontrollin e shtëpisë së tyre nga prokurorët e Task Forcës së EULEX-it për të hetuar në lidhje me akuzat e ish-senatorit Dick Marty për trafik organesh.
Mersim Katuçi, djali i madh i “Shtëpisë së verdhë” aq shumë të përfolur, ka deklaruar për Kohën Ditore se ai dhe familja e tij nuk janë dakord që EULEX-i të rikthehet në shtëpinë e tij për hetime e kontroll, pasi një gjë të tillë ata si familjarë e kishin kërkuar për 8 vjet me radhë. Djali i madh i Katuçëve ka kërcënuar se do të bllokojë hetuesit e EULEX-it, ashtu siç vepruan më 10 gusht të vitit 2009 me reporterët e KE-së.
Deklarata e tyre vjen vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me unanimitet Ligjin për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it. Miratimi i ligjit të posaçëm është bërë me kërkesën e kryeprokurorit të Task Forcës Speciale hetimore të BE-së, ambasadorit John Clint williamson, i cili drejton hetimet e EULEX-it në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt.
Ndërkohë, më 30 të vitit 2011, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është paditur në Gjykatën e Tiranës për dëm moral nga të zotët e asaj që tashmë cilësohet si “Shtëpia e verdhë”. Familjarët kërkojnë nga raportuesi i Këshillit të Evropës të paguajë një shumë prej 10 milionë lekësh si dhe të përgënjeshtrojë raportin i cili bën objekt hetimi shtëpinë e tyre për transplante organesh të ushtarëve serbë nga ana e ish-ushtarëve të UCK-së.

Gac Filipaj, frymëzim për amerikanët

52-vjeçari Gac Filipaj, nga fshati Këllezën i rrethit të Ulqinit, emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 vjet më parë. U vendos në Bronx të New Yorkut, ndërsa nuk e dinte asnjë fjalë anglisht.
Këmbëngulës dhe i qëndrueshëm, Gac Filipaj - nip i Dom Simon Filipajt, priftit patriot dhe përkthyesit të Dhiatës së Re e Dhiatës së Vjetër - nisi të mësonte gjuhën e vendit. Personi që e mësonte e këshilloi që të gjente ndonjë punë në Universitetin Columbia, që të ketë mundësi të regjistrohej në kurse të gjuhës dhe lëndët tjera pa pasur nevojë të paguante gjë. Lehtësira të tilla bëjnë shumë institucione amerikane për punëtorët dhe nëpunësit e tyre.
Gaci ashtu veproi. Merrte kurse në mëngjes e pastaj të fillonte punën e tij të rregullt si pastrues i objekteve të universitetit - prej orës dy pas dreke deri në 11 të mbrëmjes. Filipajt iu deshën shtatë vjet të mësonte anglisht dhe 12 vjet derisa ta merrte diplomën. Ketë të diele, siç njoftojnë gazetat, stacionet radio-televizive dhe interneti, Gac Filipaj do të rreshtohet me qindra të tjerë në Columbia, shumë më të ri se ai, për të marrë diplomën në degën e studimeve klasike, cum laude. Kështu, ai i jep fund udhëtimit 20 vjeçar drejt realizimit të ëndrrës.
''Kjo është një ngjarje me shumë, shumë rëndësi për Universitetin Columbia'', tha dekani i Studimeve të Përgjithshme, Peter Awn, në lidhje me diplomimin e pastruesit shqiptar. ”Ajo që ka gjithashtu rëndësi është se ai konkurroi çdo ditë me të gjithë studentët, shumë më të rinj se ai... Filipaj nuk kishte as kompjuter, por detyrohej t’i shkruante me dorë raportet dhe shkrimet”.
Sipas gazetës “Daily News”, Gaci nuk ka as televizor dhe mund të jetë i vetmi student që nuk posedon një celular. Dekani i tha rrjetit të televizionit ABC se ‘’kur e takon Filipajn, madje edhe kur është duke punuar, ai të jep një të qeshur nga e cila mund të dallosh një ndjenjë krenarie për punën që bënë këtu”.
“Një person që do të ishte shumë krenar për arritjet e tij, do të kishte qenë babai i Gacit, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë tre javë më parë”.
Të gjithë profesorët e tij e dinin çfarë pune bënte Gaci në universitet, ndërsa studentët habiteshin kur e shihnin duke pastruar objektet dhe dyshemenë.
Megjithëse iu deshën shtatë vjet për të mësuar anglishten - që siç thotë ai, nuk ishte e lehtë për të - Filipaj u shpreh se si i diplomuar në degën e studimeve klasike, më e vështira ishte të mësonte greqishten e vjetër.
“Latinishtja ishte pak më e lehtë”, shton ai.
Atij nuk i pëlqen fama që ka tërhequr media dhe shpreson që kjo zhurmë rreth rastit të tij të qetësohet së shpejti. Por, shton se ra dakord të fliste në lidhje me arritjet e tija vetëm e vetëm për t’u treguar të tjerëve se nuk është kurrë vonë për t’u arsimuar.
‘’Unë fillova në moshën 40-vjeçare dhe mbarova në moshën 52-vjeçar. Çdonjëri mund ta bëjë këtë”
Pas diplomimit që do të ndodhë nesër, pritet që Gac Filipaj t’i kthehet fshesës dhe pastrimeve të dyshemeve të Universitetit, pasi ka në plan të regjistrohet për studime pasuniversitare e të vazhdojë të përfitojë nga lehtësitë që universiteti i ofron për këtë.
Ai i tha rrjetit ABC se me diplomën që do të marrë të dielën e ka realizuar gjysmën e ëndrrës. Endrra e plotë, sipas tij, do të realizohet kur të marrë titullin master dhe doktoratën.
“Unë jam gati’’, u shpreh ai për median amerikane. ‘Punoj në pastrim edhe për dy-tre vite të tjera, që ta siguroj diplomën master dhe të gjejë një punë që paguan më mirë”.
Arritjet e Gac Filipajt, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e tij dëshmojnë se kurrë nuk është vonë për të realizuar ëndrrat. Shembulli i tij është frymëzim për të rinj e të moshuar.

Kosova shumë larg OBT-së

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk ka as një ide se kur Kosova, do të bëhet pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Kjo ministri nuk është duke e shfrytëzuar anëtarësimin pata pak kohe të Malit të Zi në këtë organizatë ndërkombëtare. Pengesa për veç mos njohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së po e bëjnë edhe shtetet si Kina, Brazili e India të cilat kanë fuqi të madh në OBT.
Zëdhënësja e MTI-së Arta Istrefi tha për Telegrafin se Kosova është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë e aplikimit për anëtarësim në OBT. Mos anëtarësimi sipas saj, është për shkak të vështirësive që kanë sjellë pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me institucionet tjera qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë është duke shqyrtuar të gjitha modalitetet e aplikimit për anëtarësim në OBT. Ne jemi duke e konsideruar çështjen e aplikimit si vëzhgues në OBT për këtë vit dhe nevojitet paraprakisht të merret vendim politik për shkak të natyrës dhe problemeve që mund të shfaqen me rastin e aplikimit. Sa i përket periudhës së sa ky proces mund të zgjat ne nuk mund të japim një datë apo kohë të caktuar marrë parasysh që rastet paraprake të anëtarësimit në OBT kanë zgjatur deri në shtatë vjet”, tha Istrefi.
Përparësitë e anëtarësimit të Kosovës në OBT sipas zëdhënëses së MTI-së Arta Istrefi janë të shumta siç është familjarizimi me këtë organizatë dhe marrëveshjet e saj. “Përgatitja për hyrjen e mundshme që nënkupton dhënien e udhëzuesit e cila mund të ipet për 5 vjet, mundësia e pjesëmarrjes në takimet e OBT-së me qëllim të shqyrtimit të çështjeve kombëtare, pjesëmarrja në trajnime dhe programe për ngritje të kapaciteteve si dhe mundësi të njohjeve të reja për Kosovën”, theksoi zëdhënësja Istrefi

Ekonomitë e mëdha evropiane nuk po rimëkëmbën

Një raport i ri thotë se tregjet e punës në ekonomitë më të mëdha të botës së zhvilluar nuk janë mëkëmbur ende nga recesioni global që filloi në vitin 2008. Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik tha sot se 528 milionë njerëz në moshë pune ishin të papunë në 34 vendet anëtare në fund të vitit 2011. OECD-ja thotë se kjo shifër është 2 milionë punonjës më pak sesa në periudhën prill-qershor të vitit 2008, kur filloi kriza financiare globale.
Gjatë kësaj periudhe katër-vjeçare, OECD-ja thotë se popullata në moshë punësimi u rrit me 17 milionë njerëz, ndërsa numri i të papunëve u rrit me 13 milionë.
Raporti vjen ndërsa Bashkimi Evropian llogarit se ekonomia e 17 vendeve të bllokut të Euros do të tkurret me zero presje 3 për qind këtë vit si pasojë e krizës së borxheve. Një vit më parë, ishte parashikuar një rritje prej 1 presje 8 për qind, por ekonomia e Eurozonës ka rënë ndërsa një numër qeverish kanë vendosur masa shtrënguese për të frenuar shpenzimet.
Shefi i BE-së për ekonominë, Olli Rehn, parashikoi se recesioni do të jetë i butë dhe për një periudhë të shkurtër. BE-ja parashikon një rritje prej një për qind për vitin 2013.

Blero premton një “klip të paparë”

Blero ka filluar punën në videoklipin e ri të këngës “Ajo apo ti” për të cilin premton se to të jetë “një klip i paparë deri më tani”.
Kënga në fjalë është një kompozim dhe orkestrim i dyshes Chriss dhe Zapp, ndërsa tekstin e ka bërë Bubulina Krasniqi dhe videoja e saj do të lansohet muajin e ardhshëm.
“Kam nisur punën për disa këngë të reja, njëra do të lansohet tani, ndërsa dy të tjerat në muajin qershor. Videoklipin e këngës ‘Ajo apo ti’ jemi duke e përgatitur me produksionin vendor “Asha” dhe do të jetë një klip i paparë deri më tani i realizuar përtej kufijve të Evropës”, ka thënë Blero për të përditshmen kosovare “Zëri”.
Blero është duke punuar aktivisht edhe në menaxhimin e produksionit të Chriss dhe Zapp-it të ashtuquajtur “Blero Entertainment”, ku pritet të aterojnë edhe shumë këngëtarë të skenës muzikore shqiptare

Adele: Dua vetëm të këndoj

Këngëtarja britanike Adele nuk e pëlqen shumë jetën në sytë e publikut.
Fituesja e çmimit Grammy thotë se ajo urren të jetë e famshme dhe nuk është e interesuar të marrë pjesë në zhurmën që shoqëron suksesin e saj.
“Unë isha një fëmijë i adoptuar etiopian... kjo nuk është e vërtetë. Zot, ka aq shumë thashetheme për mua. Unë nuk dua të jem e famshme... nuk dua të jem në fytyrat e njerëzve. Kam arritur të qëndroj jashtë syve të publikut”.
“Një ditë ecja nëpër Sheshin Trafalgar gjatë një të diele pasdite. Isha ca e shqetësuar... isha në pizhame pasi më duhej të punoja një ditë më herët... por askush nuk më njohu. Disa njerëz shikuan rrotull, por... menduan, ‘Çfarë do të bënte ajo duke ecur nëpër shesh me pizhame’”.
“Unë dua vetëm të bëj muzikë. Mendoj, ende shpresoj të kem ca goditje pas dhjetë vitesh. Por e gjitha çfarë gjithmonë kam dashur ishte të këndoj”, ka thënë Adele

I dashuri i Çiljetës, trafikant droge në Itai

Është arrestuar në Itali i dashuri i këngëtares Çiljeta Xhilaga, i akuzuar për trafikimin dhe shitjen e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, kryesisht në San Marino, raportojnë mediat në Shqipëri.
Aleksandër Zaçaj është arrestuar së bashku me 11 shqiptarë të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Criminal Mindes”, i nisur në fillim të muajit janar të këtij viti. Ai dhe shqiptarët e tjerë kanë shitur një sasi prej 3450 gr kokainë dhe një sasi të vogël hashashi.
Emri i Aleksandër Zaçajt u lakua për herë të parë në tetor të vitit 2010, pasi mediat rozë nisën të flasin për lidhjen e tyre.
Më pas emri i tij shfaqej gjithmonë kur kishte një intervistë me Çilin. Madje kjo e fundit pati deklaruar se do shkojë të jetojë në Londër me të. Së fundmi ishte përfolur një ndarje mes tyre, por këngëtarja nuk ka bërë komente. 

Statham: Stallone më i miri i filmave aksion

Jason Statham ka mohuar thëniet se ai është në krye kur është fjala për filmat aksion, duke thënë se Sylvester Stallone ende është mbret i këtij zhanri.
Ylli britanik ka punuar me Stallonen edhe një herë në filmin “The Expendables 2” dhe thotë se ai ka mbetur i befasuar nga përkushtimi i yllit të filmave Rocky e Rambo, i cili tash është 65 vjeçar.
“Sly në fakt është në krye të kësaj pasi ai është një person shumë i vendosur. Nëse dikush e di si ta bëjë, është Z. Stallone. Ai e ka udhëhequr zhanrin aksion për dekada dhe vazhdon ta bëjë këtë. Dhe për këtë arsye ai le prapa secilin - Chuck Norris, Arnie, Bruce Willis. Është mrekulli!”, ka thënë Statham. 

Leonardo konfirmon interesimin për Higuain

Drejtori i Paris Saint-Germain, Leonardo, ka mohuar spekulimet se presidenti i klubit, Nasser Al Khelaifi është takuar sy-më-sy me Kaka dhe Gonzalo Higuain, por ka pranuar se ata shpresojnë të nënshkruajnë me këtë të fundit.
“Nasser kurrë nuk është takuar me Kaka ose me Higuain. Tregimi është shkruar sikur të ishte i vërtetë, por Nasser kurrë nuk është takuar me këta lojtar dhe askush tjetër nga klubi”.
“Sot, ne jemi në diskutime. Jo vetëm me Higuain, por në gjithë tregun global. Ju mund të flisni me 15 mijë lojtarë dhe nuk bëjnë asgjë”, ka thënë Leonardo.

Kompani, Lojtari i Vitit në Ligën Premier

Kapiteni i Manchester Cityt, Vincent Kompany, është emëruar Lojtari i Vitit në Ligën Premier për sezonin 2011/12.
Mbrojtësi belg ka qenë i qëndrueshëm në mbrojtje për liderët e ligës këtë sezon dhe është shpërblyer për paraqitjet e tij, derisa City përgatitet për ndeshjen e fundit të sezonit, e cila mund t’ia sjellë titullin e kampionit.
Kompany ka bërë 30 paraqitje për Cityn, që ka pranuar vetëm 27 gola këtë sezon, dhe ka shënuar në tre raste me golin më të rëndësishëm të shënuar në fitoren 1-0 në shtëpi ndaj rivalit për titull, Manchester United.

Samuel rinovon kontratën

Mbrojtësi i Interit, Walter Samuel, u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij duke nënshkruar një kontratë të re me Interin që vlen deri në vitin 2013.
Kontrata e mëhershme e argjentinasit skadonte në përfundim të këtij sezoni dhe kështu Interi e ka parë të nevojshme që të zgjasë edhe një vit qëndrimin e ‘Murit’ në Appiano Gentile.
34 vjeçari ka qenë ndër figurat kryesore të Interit që prej kalimit të tij nga Real Madridi në vitin 2005 dhe formoi tandemin mbrojtës më të mirë në histori të futbollit në ekipin fitues të tripletës në vitin 2010, që gjunjëzoi superfuqi ofensive si Barcelona.

Heynckes, plot besim para finaleve

Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Henckes, është me plot besim para finaleve të mëdha për ekipin e tij ndaj Dortmundit në fillim në kuadër të Kupës së Gjermanisë dhe më pas edhe ndaj Chelseat në kuadër të Ligës së Kampionëve.
“Në një ndeshje të tillë, shumë faktorë luajnë rol. Ne kemi menduar shumë, natyrisht, për atë se si mund ta mposhtim Dortmundin. Unë kam shumë besim”.
“Do të thoshte shumë për ne fitimi i kësaj kupe. Unë mendoj se duhet të fitojmë ndaj Dortmundit, për të pasur besim për finalen e madhe ndaj Chelseat”, është shprehur Heynckes

“PSG do të tentojë sërish për Paton”

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka zbuluar se ekipi i tij do të tentojë të joshë Alexandre Paton për t’u larguar nga Milani gjatë verës.
Klubi ambicioz francez dështoi të siguronte firmën e Patos në janar dhe Ancelotti ka mbajtur fjalët, duke thënë përsëri se klubi i tij do të tentojë për Paton.
“Ne tashmë kemi biseduar në janar me të dhe duam të bisedojmë përsëri”, ka theksuar Ancelotti përsëri për Sky Sports Italia

Vidal: Jemi më të mirë se Milani

Mesfushori i Juventusit, Arturo Vidal, ka thënë se titulli i fituar nga Bianconerët këtë sezon është dëshmi se Zonja e Vjetër ka skuadër më të fortë se sa Milani.
“Pirlo, Marchisio dhe unë kemi qenë vendimtarë. Për momentin nuk ka mesfushë më të mirë në botë dhe ne kemi dëshmuar se jemi më të mirë se Milani”.
“Unë jam i ngazëllyer dhe nuk mund të them më shumë. Unë vërtet vuaj për të gjetur fjalë për ndjenjën e bukur që po përjetoj te ky klub. Unë erdha në Torino për të fitur dhe këtë jam duke e bërë ashtu siç kam planifikuar”, ka thënë Vidal.

Ferguson shpreson në gabim të Cityt

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, po shpreson që Manchester City të bëjë gabim në javën e fundit të Ligës Premier dhe i ka bërë thirrje ish-lojtarit të tij dhe menaxherit të QPR-së, Mark Hughes, për t’i bërë një favor duke ndalur Manchester Cityn në Ettihad Stadium.
Ekipi i Roberto Mancinit hyn në javën e fundit në vendin e parë para rivalëve lokalë të Manchester United, ndërsa fitorja ndaj QPR-së para tifozëve të vet do të thoshte se City e ka fituar titullin e parë pas 44 vitesh.
“Ne mund të bëjmë vetëm më të mirën tonë duke tentuar të fitojmë ndeshjen ndaj Sunderlandit dhe shpresoj se diçka e çmendur të ndodhë me Cityn. Është fantastike për neutralët, fantastike për mediat, por agoni për të dyja klubet. Kam besim se QPR mund ta befasojë Cityn. Edhe pse bastet janë kundër QPR-së, derisa të kemi të bëjmë me qenie njerëzore, kurrë nuk i dihet”, është shprehur Ferguson. 

Chris Isaak nderohet në New York

Rokeri veteran, Chris Isaak, është nderuar si Artisti i Vitit nga një radio njujorkeze.
Krijuesi i hitit “Wicked Game” është nderuar në një mbrëmje të veçantë të martën dhe kështu ka ndjekur me sukses hapat e fituesve të mëhershëm, të gjithë ikona të muzikës.
“Unë nuk fitoj çmime... unë jam i ngazëllyer që e pranoj këtë çmim pasi shikoj te njerëzit që e kanë fituar atë më parë, njerëz si Los Lobos, Paul Simon, lista e njerëzve të cilët janë larg nivelit tim. Dhe tani mendoj se jam përmirësuar”, është shprehur Isaak. 

Lil Wayne: Kobe Bryant, inspirimi im muzikor

Reperi amerikan, Lil Wayne, thotë se ylli basketbollistik, Kobe Bryant ka inspiruar shumë prej këngëve të tij, ndërsa për këtë reperi ka nderuar basketbollistin e LA Lakers duke e falënderuar për daljen nga kriza jetësore.
Krijuesi i hitit “Mirror”, ka nderuar superyllin e Los Angeles Lakers, për mënyrën se si ai po e lufton lëndimin, që ka shtyrë 29 vjeçarin në krijimin e disa këngëve për sportistin legjendar.
“Ai nuk ka inspiruar vetëm këngët e mia, por ai ka inspiruar jetën time në përgjithësi, me mënryën se si ai i kap gjërat, me mënyrën se si ai kurrë nuk dorëzohet, me mënyrën se si ai po e lufton lëndimin e tij”, ka theksar ‘Weezy’.

Selimi e Çeku në PDK?

Radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pritet t’iu bashkohet edhe gjenerali Sylejman Selimi, ish komandant i FSK-së, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë.
Kështu kanë bërë të ditur një burim i gazetës “Tribuna Shqiptare”, brenda strukturave udhëheqëse të PDK-së.
“Brenda këtij viti do të mbahen zgjedhjet e partisë, ku do të fillojnë prej aktivëve, nëndegëve, degëve e deri në nivelin qendror. Mirëpo, dhjetori më së largu, do të jetë muaji i cili do ta gjejë PDK-në me strukturë apo legjitimitet të ri. Tashmë dihet se në radhët tona do jenë Kadri Veseli, Agim Çeku dhe Sylejman Selimi, profesorë universitarë, përfaqësues të mediave, dhe persona që kanë studiuar jashtë vendit”, thotë ky burim, sipas së cilit mund të ketë mundësi që edhe ndonjë anëtar i tashëm, në të ardhmen mos të jetë pjesë e PDK-së, sepse, pritet që gjatë Kuvendit zgjedhor të zhvillohet një garë e fortë brenda partisë.
Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, i ka thënë gazetës se pas përfundimit të zgjedhjeve për të parin e Ferizajt, pritet që Këshilli Drejtues i partisë të vendos se kur do mbahet Kuvendi Zgjedhor.
“Ende nuk dihet data e saktë, por presim orientimisht pas përfundimit të zgjedhjeve në Ferizaj, me u mbajt një takim i Këshillit Drejtues dhe të vendoset. Por, kemi thënë se do mbahet kah gjysma e vitit, që i bien brenda këtyre dy apo tre muajve të ardhshëm”, ka thënë Stavileci, duke shtuar se secilin vit “ka risi për sa i takon prurjeve të reja në PDK”.

Udhërrëfyesi në rrezik!

Qeveria e Kosovës dhe njohësit e proceseve që kanë të bëjnë me BE-në janë alarmuar nga një takim që është mbajtur të enjten në Bruksel, mes ministrive të brendshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Takimi ka pasur si temë çështjen e regjimit të vizave Shengen dhe aty është folur edhe për udhërrëfyesin apo listën e kushteve që Kosova duhet të plotësojë për liberalizim të vizave, shkruan Zëri.
“Në mbledhje të komitetit punues të enjten, Franca, Suedia, Holanda dhe Belgjika, por kryesisht Franca si më e zëshmja, kanë kërkuar me çdo kusht që udhërrëfyesi të jetë me dy faza. Gjermania e udhëheq bllokun tjetër që kërkon dërgimin e udhërrëfyesit përnjëherë, por komisioni nuk ka mundur të merret vesh mes vete”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë së Kosovës.
Procesi i liberalizimit të vizave do të finalizohej me Kosovën, pasi të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor tashmë përfitojnë nga ky program. Sidoqoftë, disa vende anëtare të zonës shengen rregullisht janë kërcënuar me heqjen dorë nga përkrahja e këtij projekti të BE-së, pasi janë përballur me numër të shtuar refugjatësh, prej të cilave Franca e Nicholas Sarkozy ka qenë më e zëshmja.
Ambasadori i këtij shteti në Prishtinë, Jean François Fitou, thotë se diskutimet në Bruksel nuk kanë të bëjnë me udhërrëfyesin e Kosovës, por me çështje shumë më të mëdha

Pagesa të jashtëligjshme për këshilltarët e jashtëligjshëm

Këshilltarët e tij të jashtëm, Behgjet Pacolli i ka emëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtëligjshëm ua ka mbuluar shpenzimet e bëra jashtë vendit.
Në numër ishin më shumë sesa maksimumi që mund të emëronte, e po kështu u jepeshin shuma parash si avance ndonëse ata nuk gëzonin të drejtën për të zhvilluar aktivitete që mbulohen nga buxheti i shtetit, raporton Koha Ditore.
Nga buxheti i shtetit Behgjet Pacolli ua ka hequr shpenzimet këshilltarëve të tij të jashtëm. Një bashkëpunëtori ia ka dhënë 4 500 euro vetëm për hotel gjatë një udhëtimi, e njërit 717 për telefon. Për një këshilltar ishin tërhequr nga ZKM-ja 3000 euro dhe i ishin dhënë 1000 euro më pak. Për një aktivitet në Mali ishin tërhequr 10 000 euro dhe nuk ishin arsyetuar me ndonjë faturë
Zyra e Kryeministrit, duke u mbështetur në vendime të firmosura nga Pacolli, ka mbuluar shpenzimet, pos të tjerëve, edhe të këtyre këshilltarëve të jashtëm: Mentor Nazarko, Jean Andre Ahipeaud, Amia Gbakre Noel dhe Pierre Andre Sabiton.
Pacolli firmoste vendimet për mbulim shpenzimesh në emër të kryeministrit Hashim Thaçi dhe ato i mbështeste në nenin 145.2 të Kushtetutës dhe në nenin 6.4.1 të Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrave. 

LDK heshtë për atentatorin e Rugovës

Ka disa ditë që gazeta Express publikoi prononcimin e dëshmitarit Agim Hoti, që pretendon se ishte autor i një atentati të dështuar ndaj ish-Presidentit Ibrahim Rugova. Por, LDK-ja, partia që e krijoi ai, ende nuk ka reaguar.
Kosova Sot ka provuar që të marr një përgjigje nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, mbi arsyet e heshtjes së LDK-së, por ajo nuk ka pasur një përgjigje.
“Nuk e di çfarë të them, por besoj që Kryesia e LDK-së do të takohet shumë shpejt për të gjitha këto”, ka thënë Osmani.
Të zëshëm kanë qenë ish presidenti Fatmir Sejdiu e Astrit Haraçia. Derisa Sejdiu ka thënë që duhet të zbardhen të vrasjet dhe përpjekjet për vrasje të ndodhura pas luftës, Haraçia - tash anëtar I Listës “Ibrahim Rugpova” - ka akuzuar njerëzit e ish-partisë se po e përdorin figurën e Rugovës vetëm për përfitime personale.
Për dallim nga LDK-ja, misioni EULEX nuk ka ka ndenjur. Një zëdhënës I këtij misioni ka thënë se EULEX-i është duke vlerësuar deklaratat e Agim Hotit dhe veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultati i vlerësimeve të kësaj deklarate.