Kosova renditet në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës kanë marrë përmasa alarmante dhe gjendja po keqësohet çdo ditë e më shumë, thonë ekspertë të çështjeve mjedisore.
Kosova nuk ka një industri funksionale, por ato pak kapacitete prodhuese që funksionojnë, janë shndërruar në ndotësit kryesorë të mjedisit.
Padyshim, sipas ekspertëve të ambientit, ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në Kosovë janë Korporata Energjetike e Kosovës, “Ferronikeli”, pastaj fabrika çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit dhe si sektor që ndikon mjaft shumë në ndotjen e ambientit është sektori i transportit.
Drejtori i Qendrës Rajonale të Mjedisit në Kosovë, Zeqir Veselaj, thotë se parametrat mjedisor janë larg standardeve të cilat do të mundësonin një jetë të shëndetshme në Kosovë.
“Shumica e parametrave janë shumë larg standardeve që kërkohen edhe nga ligjet vendore, por edhe nga direktivat e BE-së”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë.
“Sektori energjetik është duke prirë në përkeqësimin e gjendjes së mjedisit, duke pasur parasysh se 97 për qind e nevojave të energjisë të këtij vendit plotësohen nga djegia e qymyrit dhe atë të një qymyri me cilësi mjaft të dobët, siç është linjiti (i cili përveç që ka vlerë kalorifike të vogël, duhet djegur shumë për të prodhuar sasi të vogël të energjisë)”..
Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në përqindje shumë të madhe janë në harmoni me kërkesat dhe direktivat e BE-së, por zbatimi i tyre ende nuk ka filluar dhe nuk ka gjasë të fillojë në një të ardhme të afërt.
“Nëse e shohim buxhetin për mjedisin, në vend të rritjes ka pësuar një zvogëlim, që do të thotë se nuk është në linjë me atë që kërkohet në ligje... Kryesisht, ato investime që janë bërë në mjedis, janë bërë nga investitorët të jashtëm”, thekson Veselaj.
Në bazë të matjeve për tremujorin e parë të këtij viti të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, ndotësi më i madh i mjedisit në Kosovë, Korporata Energjetike e Kosovës, ka shënuar rritje të normës së ndotjes.
Drejtori i kësaj agjencie, Ilir Morina, thotë se në bazë të të dhënave, Termocentrali “Kosova A” tejkalon me grimca pluhuri normat deri në 14 herë, ndërkaq Termocentrali “Kosova B” deri në 3 herë.
“Problematike është trashëgimi i mbetjeve, trashëgimi i industrisë nga e kaluara, ku asnjëherë nuk është intervenuar në mjedis, ku asnjëherë këto kompani të mëdha që ndotin ambientin nuk janë përkujdesur për mjedis... Është e paarritshme që për një kohë shumë të shkurtër të përmirësohet kjo gjendje”, shprehet Morina.
Sipas projeksioneve qeveritare, mbyllja e Termocentralit “Kosova A” është paraparë të bëhet në vitin 2017. Ndërsa, termocentrali i ri, ndonëse parasheh prodhimin e energjisë nga linjiti, pritet të jetë sipas standardeve evropiane.
Për përmirësimin e kësaj gjendjeje, sipas Morinës, janë duke u bërë investime të shumta nga qeveritë e shteteve të ndryshme të botës. Morina thotë se vetëm Banka Botërore është duke investuar miliona euro në përmirësim e gjendjes së mjedisit.
Po ashtu, ai thekson se janë duke u investuar mjete të mëdha në ndërtimin e filtrave në Termocentralin “Kosova A” dhe sipas tij, brenda 7 muajve secila njësi e termocentralit do të lirojë gazra në nivelin e lejuar evropian.
Çështjen e ndotjes së mjedisit nga termocentralet e ka ngritur në vazhdimësi Partia e të Gjelbërve në Kosovë. Kryetari i kësaj partie, Daut Maloku, thekson se sfida kryesore për Kosovën në 5-10 vjetët e ardhshëm do të duhej të ishte përafrimi dhe integrimi i vendit në BE. Në këtë kuadër, sipas tij, ngritja dhe plotësimi i standardeve mjedisore do të jenë faktor kyç për integrim evropian të Kosovës.
Çështjen e ndotjes së mjedisit nga termocentralet e ka ngritur në vazhdimësi Partia e të Gjelbërve në Kosovë. Kryetari i kësaj partie, Daut Maloku, thekson se sfida kryesore për Kosovën në 5-10 vjetët e ardhshëm do të duhej të ishte përafrimi dhe integrimi i vendit në BE. Në këtë kuadër, sipas tij, ngritja dhe plotësimi i standardeve mjedisore do të jenë faktor kyç për integrim evropian të Kosovës.
“Ne kemi legjislacion me standarde ndërkombëtare, por nuk zbatohet dhe jemi këtu ku jemi - me një gjendje kaotike të mjedisit”, potencon Maloku.
Sipërfaqja e Kosovës është rreth 1.1 milion hektarë, 53 për qind e së cilës është tokë e punueshme, ndërsa 47 për qind është e mbuluar me pyje. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mesatarisht një familjeje i takojnë 3 hektarë tokë. Por, kjo tokë është ngulfatur me ndërtime të shumta.