Kërkesa e kryeministrit Hashim Thaçi, që Bashkimi Evropian ta trajtojë Kosovën njëjtë sikurse shtetet e tjera të rajonit, është pritur me mirëkuptim nga ambasadori i Francës dhe ai i Gjermanisë në Prishtinë, të cilët kanë vlerësuar se ekzekutivi kosovar vetëm po e lyp një vlerësim nëse puna që është bërë deri më tani është në përputhje me kriteret e Brukselit.
Ata kanë bërë të ditur se deklaratën e Thaçit nuk e shohin si kritikë, por më shumë si ambicie e shprehur për rrugëtim më të shpejtë nga aspirata evropiane e Kosovës.
Ambasadori i Francës, Jean-François Fitou, ka përkujtuar se shteti i tij dhe Gjermania që nga fillimi kanë përkrahur perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor që në kohën e duhur të anëtarësohen në BE dhe se ky përkushtim është konfirmuar në Samitin e Selanikut, gjë që vlen edhe për Kosovën, transmeton Koha.net.
"Qëndrimin e Thaçit nuk e shoh si kritikë”, ka thënë ambasadori Fitou, gjatë një ceremonie të përurimit në Kishën e Shën Shpëtimtarit në Prizren.
Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, Ernst Reichel, është pajtuar me konstatimet e diplomatit francez, duke theksuar se ambicia dhe padurimi i shprehur nga njerëzit dhe Qeveria e Kosovës dëshmon përkushtimin për të ecur në binarët e integrimeve evropiane.