Themeluesit e TPB-së përfundojnë në burg

Gjykata supreme e Suedisë refuzoi ankesën e themeluesve të The Pirate Bay. Treshja është dënuar me gjoba financiare dhe me burgim në kohëzgjatje të ndryshme.
Prapëseprapë, në krahasim me vendimin e mëparshëm, vuajtja e dënimit do të shkurtohet në 12 muaj, derisa dënimet financiare do të rriten. Fredrik Neij do të vuaj dhjetë muaj dënim, Peter Sunde tetë muaj, e Carl Lundstrom morri katër muaj burg. Dënimi total financiar, sipas vendimit të ri është 6.8 milion dollarë. Ndërsa për Gottfrid Svartholm i cili për shkaqe shëndetësore nuk ishte i pranishëm në dëgjim, u konfirmua dënimi me 12 muaj burg.
Duke pasur parasysh praktikën e gjykatave suedeze, ekziston shpresa se djelmoshat e TPB-së prapëseprapë nuk do të përfundojnë në burg. Në të vërtetë, për rastet më të vjetra se pesë vite dënimi shkurtohet edhe deri në 12 muaj. Është paralajmëruar ankesë pranë gjykatës Evropiane për drejtësi, por vendimi nuk do të ndryshoj atë të marrë nga gjykata supreme e Suedisë. 

Hakerët shqiptar sulmojnë faqen “travel.rs”

Hakerët shqiptarë kanë sulmuar faqen serbe travel.rs, duke lënë një porosi dhe flamurin shqiptar në ballinën e uebfaqes.
Personat që besohet se qëndrojnë pas këtij sulmi kanë emrat e koduar, si respawN, Pow3rHacK, Cinzo, doctor, MendY.
Përveç sulmit, hakerët kanë vendosur edhe një këngë e cila i ka “çmendur” serbët, pasi që teksti i kësaj kënge thotë se Mitrovica nuk do të shitet, se ajo është shqiptare, siç ka qenë gjithmonë, dhe se 28 nëntori po afrohet, dita kur të gjithë shqiptarët do të bashkohen.

Për grafitin në Facebook nga viti 2005 sot do të fitoj 200 milion dollarë

Mjeshtri për grafite David Choe fitoi në punë me Facebookun 200 milion dollarë.
Në vitin e largët 2005, në fillimet e Facebookut David pati pikturuar një mur në zyrat e sot rrjetit më të popullarizuar shoqërorë në botë. Mark Zuckerberg asokohe i pati ofruar: ose të ia paguaj disa mijëra dollarë në para të gatshme, ose të marr sasinë e njëjtë të aksioneve të Facebookut kur ai të dal në bursë.
Edhe pse nuk pati besuar në suksesin e Facebookut David ka vendosur për posedimin e aksioneve. Vlerësimi që pati bërë asokohe u tregua të ketë qenë shumë i mirë duke pasur parasysh se kompania sot vlen rreth 100 miliard dollarë. Siç raporton Times, pjesa e Davidit tani vlen 200 milion dollarë.
Bashkëpunimi i mirë i David dhe Facebookut po vazhdon edhe sot, e në videon e shfaqur më poshtë mund të shihet një nga takimet me Mark Zuckerbergun i cili edhe vet u provua në vizatimin e grafiteve. 

DMX rivendos datat e turneut europian

Reperi legjendar amerikan, DMX, ka rivendosur datat e reja për turneun evropian, i cili ishte planifikuar në janar, por që ishte shtyrë për arsye se reperi nuk ishte i gatshëm.
Në fakt, kjo shtyrje nga DMX erdhi për shkak të mos përfundimit të albumit të ri, “Undisputed” i cili lansohet në mars dhe bashk me të ai do t’i çmend fansat anë e mbanë Europës në atë që është turneu i tij i parë evropian.
Menaxhmenti i DMX sipas mediave amerikane ka konfirmuar datat e reja për turneun evropian që mbahet nga 29 mars deri më 8 prill, ndërsa ende nuk kemi marrë ndonjë konfirmim për koncertin në Prishtinë dhe datën kur do të mbahet.

Nicki: Barbie model për vajzat

Nicki Minaj mendon se lodra Barbie është shembull i mirë për vajzat e reja, sepse kukulla ka disa angazhime dhe kjo ka ndikim pozitiv.
Reperja e jashtëzakonshme amerikane thotë se kukulla shpeshherë e kritikuar për ndikimin ndoshta negativ mbi vajzat e reja, në fakt ka ndikim krejtësisht pozitiv, varësisht nga perceptimi.
“Unë ndjej se Barbie është e mrekullueshme sepse nuk fokusohet vetëm në bukuri – keni Barbika që punojnë dhe që bëjnë disa punë të ndryshme. Dhe ato vijnë në forma të ndryshme, me stile të ndryshme të flokëve, kjo më pëlqen”, potencoi Nicki. 

Lopez: Debutim i tmerrshëm

Sulmuesi i ri i Milanit, Maxi Lopez, ka pranuar se ai kurrë nuk e ka pritur një debutim aq të keq, pasi ekipi i tij pësoi disfatë prej 2-0 nga Lazio në Olimpico mbrëmjen e kaluar.
“Debutim i hidhur? Fatkeqësisht po, por secila ndeshje do të jetë ndryshe, ne e dimë se duhet ta harrojmë këtë dhe të fokusohemi për të dielën”.
“Ekipet shpeshherë luajnë në mënyrë defensive, ne duhet të jemi të mirë në mundësitë që krijojmë. Pas tri ditësh kemi ndeshjen tjetër dhe duhet të ringjallemi shpejtë”.
“Jam i kënaqur që jam në listën e Litës së Kampionëve dhe shpresoj se do të jem në formën më të mirë për këtë garë”, u shpreh Lopez.

Arteta: Vështirë të hymë në top katërshe

Mesfushori i Arsenalit, Mikel Arteta, beson se do të jetë e vështirë për Topçinjtë që të sigurojnë pozitën e katërt të tabelës në Ligën Premier.
“Do të jetë shumë vështirë të përfundojmë në top katërshe, por varet nga ne. Ne kemi talentin dhe cilësinë për të bërë këtë, por ne duhet ta tregojmë këtë ditë pas dite. Unë jam i bindur se për shkak se ne stërvisim çdo ditë e shoh se mund të arrijmë rezultate më të mira çdo javë jo vetëm një herë në dy-tri javë”.
“Jam i sigurtë se Chelsea do të fillojë ecuri të mirë dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për të fituar ndeshjet ashtu sikurse një muaj më parë. Por, jam ende optimist, janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe shpresoj se mund të arrijmë synimet tona”, tha Arteta.

Novi Pazar: Bënë kurban një dem në fushë të stadiumit

Klubi i futbollit nga Novi Pazari shënoi fillimin e punimeve për ndërtimin e tribunës veriore të stadiumit në këtë qytet. Djemtë vendosën të nisin punimet në mënyrën tradicionale.
Ata bënë kurban një dem të madh në mes të fushës së futbollit dhe kështu filluan punët në objektin e stadiumit. Në aktin e therjes së kurbanit morën pjesë udhëheqësit e klubit të cilët në mënyrë simbolike paralajmëruan fillimin e punimeve.
Ata kishin njoftuar paraprakisht edhe adhuruesit e tyre në Facebook. “Sapo kanë filluar punimet në tribunën veriore me therjen e kurbanit! Na qoftë për hair!” kishin shkruar në faqen zyrtare të klubit.

Mjeshtrit e bilardos (Video)

Në këtë rast gjithçka ju nevojitet është njohuri nga lënda e fizikës, gjeometrinë, pak fat dhe magji.
Disa të rinj provuan teknika të pabesueshme me topat e bilardos. E tërë kjo është xhiruar në dhomën e njërit prej magjistarëve me shkop bilardoje.

Nokia – prodhuesi më i madh i celularëve

IDC publikoi rezultatet e hulumtimit të tregut të celularëve gjatë çerekut të fundit të vitit të kaluar. Përkundër rënies së dërgesave prej 8.2-përqind, Nokia me krejtësisht 113.5 milion celularë të shitur zuri vendin e parë në shkallëzën e prodhuesve.
Posedimi i Nokias në tregun global gjatë çerekut të fundit ishte 26.6%. Vendi i dytë me 22.8% i takoi Samsungut. Prodhuesi Korean në krahasim me rezultatin e vitit të kaluar shënoi rritje prej 20.9%, e gjatë çerekut të fundit Samsung për të parën herë shiti më shumë se 90 milion celularë (më saktë 97.6 milion copë).
I treti me posedimin prej 8.7% është Apple, por interesant është fakti se kompania kryesisht shet pajisje smartphone që sjellin profit të lartë. Shumë interesant është edhe rritja e dërgesave të Apple e cila në krahasim me vitin e mëparshëm ishte 128%. Vendi i katërt për nga dërgesat me posedim prej 4.1% i takoi LG-së i cili shënoi rënie të dërgesave – madje 42.4%.
Në tregun e smartphonëve, tregimi është krejt tjetër. Sipas rezultateve nga Strategy Analytics, Apple gjatë çerekut të fundit nga Samsung morri pozitën e parë në shkallëz – 23.9% në krahasim me 23.5% të Samsungut. Posedimi i Nokias ka rënë në 12.6%, e krejtësisht gjatë çerekut janë shitur 155 milion smartphone. 

Mbi 700 mijë Samsung Galaxy Note në Korenë e Jugut!

Samsung është i interesuar të shtyjë sa më shumë shitjet e modelit të ri të kombinimit tablet-telefon i mençur, përkatësisht modelit Galaxy Note, të cilin ajo do ta prezantojë në ndeshjen më të famshme të futbollit amerikan, SuperBoël, ngjarje kjo e cila mbahet këtë të diele.
Së fundmi, Samsung ka njoftuar se ka shitur mbi 1 milion Samsung Galaxy Note në vende të ndryshme të botës, ndërsa kompania tani ka thënë se ka arritur të shpërndajë më shumë se 700 mijë modele të reja të Note vetëm në Korenë e Jugut.
Me lansimin e këtij modeli në SHBA, Samsung po shpreson se do t’i rrisë këto shifra edhe më shumë, mirëpo ekspertët e teknologjisë në Amerikë dyshojnë se Galaxy Note do të jetë i famshëm në këtë treg.
Samsung Galaxy Note ka ekranin e ndjeshëm në prekje me 5,3 inç, në teknologjinë Super AMOLED me rezolucion prej 1280 x 800 pikselëve, Android 2.3 Gingerbread, plus dy kamera.
Kamera e përparme e cila përdoret për video-komunikim posedon 2 mega-piksel, ndërsa ajo në anën e pasme ka kapacitet me 8 mega-piksel, LED ndriçues, ndërsa pajisja inovative e Samsung mbështetet edhe nga një procesor dual core me 1.4GHz dhe 1GB RAM. 

Timberlake pranon: “Cry Me A River” ishte për Britneyn

I janë dashur dhjetë vjet për të konfirmuar se kënga “Cry Me A River” ishte realizuar për të atëbotë dashurën e tij, Britney Spears.
Justin Timberlake ka pranuar se kënga e realizuar në vitin 2002 pasqyron ndarjen e çiftit dhe jo rastësisht në klipin e këngës ishte përdorur një vajzë me ngjashmëri në Britney Spears. Timberlake gjithmonë ka mohuar se kënga është për Britneyn, por në një episod të True Hollywood Story, miku i tij Timbaland konfirmoi se ishte ish e dashura e tij ajo që e inspiroi.
“Ai shkoi në koncert dhe e kishte parë Britneyn, ndërsa Britney foli për të gjatë koncertit e kështu ai u nervozua”, theksoi Timbaland para se vet Timberlake të sqarojë:
“Isha në telefon dhe nuk ishte ndër bisedat më të mira. Menjëherë shkova në studio dhe ai (Timbaland) më tha më vonë se isha tepër i nervozuar. Unë e kam dashur me gjithë zemër, por ajo më la pa ndonjë arsye”, përfundoi Timberlake. 

Pajtohen Rezarta Shkurta dhe Afroviti Goge

Pas disa përleshjeve që kishin me njëra tjetrën, këngëtarja nga Shqipëria, Rrezarta Shkurta, dhe modelja Afroviti Goge, raportohet se janë pajtuar.
Sherri mes tyre kishte filluar qysh nga “VIP Shpija 1” kur ato ishin të ftuara. Por si duket gjithçka është rregulluar mes tyre.
Në rrjetet sociale para pak ditëve është publikuar një foto e dy vajzave, foto kjo e realizuar në Kosovë nga fotografi Avni Selmani.
Rrezarta Shkurta përveç me modelen Arfoviti Goge gjithashtu është në ‘luftë’ me këngëtaren tjetër nga Shqipëria, Rozana Radi. 

Rob Kardashian konfirmon lidhjen me Rita Orën

Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora, e cila jeton dhe kultivon muzikën në Amerikë nën markën e Jay-Z, dhe Rob Kardashian, kanë konfirmuar lidhjen e tyre.
Në xhirimet e reja të shou-programit të motrave të tyre, “Keeping Up with Kardashians”, Rob ka prezantuar Ritën me familjen e tij, raportojnë mediat shqiptare.
I njohur si një person shumë privat, kjo është e dashura e parë që ai prezanton para familjes në këtë program që prej vitit 2006. Dhe tani gjërat duken më serioze.

Baia: Mourinho do ishte i suksesshëm me Barcën

Ish-portieri i Barcelonës, Vitor Baia, ka lëvduar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, teksa ndjen se tekniku portugez do të ishte opsion shumë i mirë për klubin Blaugran.
“Ai është trajneri më i mirë në botë për mendimin tim dhe është njeri i veçantë. Mourinho do të ishte shumë i suksesshëm me Barcelonën. Ai ka aftësinë për t’u adaptuar me secilën kulturë”.
“Mourinhon që e kemi parë te Chelsea ishte një trajner tjetër nga ai që ishte te Porto. Dhe ai që ishte te Interi ishte një tip tjetër trajneri. Mourinho që po e shohim tani te Reali është edhe një tip tjetër më ndryshe”, tha 42 vjeçari Baia. 

Terry nuk do ta largojë shiritin e kapitenit

Kapiteni i Anglishë, John Terry, nuk do ta heqë shiritin e kapitenit të Anglisë, përkundër faktit se e pret proces gjyqësor për abuzim racist ndaj mbrojtësit të QPR-së, Anton Ferdinand.
BBC raporton se Terry refuzon të largojë shiritin e kapitenit dhe se ai do të luajë pa problem në Kampionatin Evropian, Euro 2012, pasi procesi gjyqësor është shtyrë për 9 korrik.
“Ai nuk do të dorëhiqet nga roli i kapitenit. Ai është i sigurtë për pa fajësinë e tij dhe kështu ndjen se do të ishte gabim të bënte kështu”, theksoi Terry.

Sneijder deklarohet i gatshëm për Romën

Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se ai është i gatshëm për sfidën ndaj Romës dhe se dëmtimi i pësuar ndaj Palermos nuk është serioz.
Holandezi pësoi një lëndim të lehtë gjatë pjesës së dytë të ndeshjes ndaj Paleroms në San Siro me ç’rast ishte dashur të zëvëndësohej, por si duket nuk keim të bëjmë e asgjë serioze dhe Sneijder do të jetë i gatshë mpër Romën.
“Fatmirësisht nuk është asgjë serioze. Tani shpresoj të jem në gjendje të luaj në Romë. Ju faleminderit për gjithë përkrahjen. Ju dëshiroj ditë të mirë”, ka shkruar Sneijder në Twitter. 

Wenger: Do të përfundojmë në top katërsh

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mbetet i bindur se ata do të arrijnë ta mbyllin sezonin në top katërs, pavarësisht barazimit të fundit pa gola ndaj Bolton Wanderers.
“Ka ende shumë deri në fund dhe jam i bindur se ne mund të rikthehemi. Është rrugë e gjatë. Ne kemi kaluar nëpër një periudhë të vështirë, kemi humbur tre ndeshje në ligë (para kësaj ndeshje), por ne mund t’i kishim fituar të tria”.
“Ne kemi vetëbesim, por duhet ta tregojmë këtë ndeshje pas ndeshje – për ne çdo ndeshje në kampionat është si një finale e kupës tash”, ka thënë Wenger. 

Ferguson vendimtar në transferimin e Veselit

Agjenti i Frederic Veseli thotë se Sir Alex Ferguson ishte kyç në vendimin e lojtarit për t’iu bashkuar Manchester United.
“Freddie ka biseduar me disa klube, këtu dhe jashtë vendit. Por ai dëshiron të bëhet një top lojtar në Angli dhe kur Sir Alex foli me të, kjo i bëri shumë përshtypje atij”.
“Ai është një person të cilit është vështirë t’i thuash jo dhe rekordi i tij ishte i mjaftueshëm që Freddie të mendojë se vendimi për t’iu bashkuar United është i duhuri”, ka thënë agjenti i lojtarit, Adam Bouskouchi, për mediat angleze. 

Mascherano: Sfida është në duart tona

Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, mendon se barazimi 1-1 ndaj Valenmcias në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit është një rezultat i mirë.
“Është një rezultat i mirë, por mund të kishte shkuar edhe më mirë duke marrë parasysh lojën që ne bëmë. Ne luajtëm kundër një rivali të shkëlqyeshëm dhe ne kishim shanse të mira. Ndonjëherë topi thjesht nuk shkonte në rrjet”.
“Gjëja më e rëndësishme është se ne luajtëm një ndeshje të mirë dhe krijuam shanse shënimi. Sfida tash është në duart tona dhe kjo është më e rëndësishme. Kjo varet ekskluzivisht nga ne”, ka thënë Mascherano. 

Pique: Ishim dominues ndaj Valencias

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, thotë se ata ishin dominues në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Valencias, pavarësisht se nxorën vetëm një barazim 1-1.
Mysafirët kontrolluan ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit në Mestalla dhe madje kishin edhe një penalti të humbur.
“Ne dominuam ndeshjen, ata ishin të fuqishëm në mbrojtje por gjithmonë është vështirë të fitosh këtu. Ne kishim shanset tona, por është një rezultat i mirë për ndeshjen e kthimit [në Camp Nou]”, ka thënë Pique.

Ranieri: Ndeshja ndaj Palermos, reklamë për futbollin

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, thotë se barazimi 4-4 ndaj Palermos ishte rezultat i një futbolli argëtues.
Diego Milito shënoi katër gola dhe Fabrizio Miccoli u përgjigj me hat-trick, derisa dy rivalët e mbrëmshëm u ndanë me barazim.
“Ishte një ndeshje spektakolare dhe dua t’i falënderoj të gjitha ata që me punën e tyre të fuqishme lejuan që kjo ndeshje të zhvillohet. Mendoj se ndeshja i shpagoi ata për mundin”.
“Jam i zhgënjyer me barazimin, por rezultati ishte i drejtë, duke marrë parasysh shanset që krijuan të dyja ekipet. Kjo ishte një reklamë për futbollin”, ka thënë Ranieri. 

Guardiola: Barazimi më i mirë se fitorja

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se barazimi 1-1 ndaj Valencias është një rezultat më i mirë se sa fitorja, pasi kjo do të bëjë që skuadra të kërkojë fitore në ndeshjen e kthimit.
Blaugranët patën rastin të shënojnë fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit të zhvilluar në Mestalla, por Lionel Messi nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.
“Është mirë të shkojmë në Camp Nou me këtë rezultat, pasi kjo na detyron neve ta fitojmë ndeshjen. Kur ju keni avantazh 2-1, siç kishim kundër Real Madridit, ju duket sikur e keni fituar sfidën”.
“Ne do të llogarisim në mbështetjen e tifozëve për të arritur në finale. Ajo çfarë gjithmonë përpiqemi është të gjejmë fitoren”, ka thënë Guardiola pas takimit të mbrëmshëm. 

Reja i kënaqur me fitoren ndaj Milanit

Trajneri i Lazios, Edy Reja, ka qenë plot lëvdata për lojtarët e tij pas fitores 2-0 ndaj Milanit në San Siro.
“Ne luajtëm një ndeshje të mirë dhe dhamë shumë pak në mbrojtje. Jam shumë i kënaqur me djelmoshat të cilët treguan një vendosmëri të madhe në një situatë emergjence”.
“[Senad] Lulic dhe [Alvaro] Gonzalez që të dy na kanë dhënë shumë sonte, edhe në sulm edhe në mbrojtje. Ata luajtën një ndeshje të përkryer, po ashtu duke u rreshtuar mirë në mesfushë”.
“Ne deshëm ta fitojmë këtë ndeshje dhe u kthyem në fushë për pjesën e dytë të vendosur për të nxjerrë rezultat. Ky grup ka karakter dhe një mentalitet të shkëlqyeshëm”, ka thënë Reja. 

Moti i ligë, KEK shpall gjendje të jashtëzakonshme

KEK-u njofton se është duke bëre të pamundurën që të ketë furnizim sa më të mirë me energji elektrike. Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie moti i ftohtë që nuk mbahet mend gjatë 3 dekadave të fundit ka vështirësuar prodhimin e energjisë elektrike në blloqe, sikurse kërkesa është në maksimumin e sajë.
Zëdhënësi i KEK-ut Viktorë Buzhala ka njoftuar nëpërmjet një komunikatë se në sistem janë pesë blloqe, por disa stabilimente kanë vështirësi të funksionimit si pasojë e acarit.
Në anën tjetër, opsioni importit është i kufizuar pasi ka pengesa nga Serbia, gjegjësisht kompania EMS, në linjat e transmisionit që nuk janë përgjegjësi e KEK-ut.
“Përpos pengesave nga Serbia, ka mungesa të theksuara të energjisë elektrike edhe në rajon që është duke u ballafaquar me situatë të ngjashme atmosferike dhe atë të furnizimit me energji. Pavarësisht kësaj, KEK ka arritur të sigurojë import shtesë, por është e pamundur të mbulohet e tërë kërkesa që ka arritur në 1300 megavatë/orë”, theksohet në njoftim.
“Në një situatë të tillë KEK-u ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe të gjithë punëtorët e korporatës në të gjitha divizionet janë në gatishmëri gjatë 24 orëve dhe po japin maksimumin e tyre aty ku është e nevojshme që gjendja të jetë sa më stabile”, ka treguar Buzhala.
Sipas tij, është duke u intervenuar në çdo problem që po paraqitet në kohën më të shkurtër të mundshme, por kushtet atmosferike dhe rrethanat tjera të përmendura më lartë po e vështirësojnë gjendjen e furnizimit”, tha ai. Përkundër këtyre rrethanave, falë angazhimit maksimal te punëtorëve, KEK-ut zotohet se situata me furnizim të energjisë do të mbahet stabile. Sido që të jetë, për ta tejkaluar këtë gjendje sa më shpejtë dhe sa më lehtë, KEK apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike.

Diaspora fuqia më e madhe investuese në Kosovë

Kontributi i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendit është tepër i rëndësishë, u tha në konferencën me temë “Tërheqja e investimeve të Diasporës në Kosovë” e organizuar nga Ministria e Diasporës.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se objektiv i kësaj ministrie do të jenë identifikimi, inkurajimi dhe përkrahja e investimeve të diasporës.
Kurse ministrja, Mimoza Kusari–Lila, tha se Agjencia për Regjistrimin e Biznesit do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Diasporës në hapjen e qendrave për regjistrim të bizneseve në Zvicër, Gjermani, Amerikë dhe Turqi. “Biznesmenët kosovarë të diasporës sot mund të shohin se regjistrimi i biznesve në Kosovë është më i lehtë, më i lirë dhe merr më pak kohë sesa muaj më parë; procedurat e eksportit dhe importit për mallrat në Kosovë janë reduktuar dukshëm, një numër i konsiderueshëm i licencave të ndërtimit është eliminuar ndërkohë që në fushën e zbatimit të kontratës janë bërë përmirësime të dukshme përmes ligjeve të cilat rregullojnë procedurat përmbarimore, noterisë dhe kadastrës”, theksoi ajo.
Ndër të tjera Ministrja Kusari – Lila përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjeve për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve, ku deri tani janë nënshkruar disa marrëveshje me vendet ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i kosovarëve.
Në vitin 2010 remitancat në Kosovë ishin 511.6 milion euro ndërsa 30% e investimeve të huaja direkte janë nga diaspora. 

Për mashtrim në zgjedhje akuzohen 1343 persona

Prokuroria e Shtetit ka publikuar të enjten raportin lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me keqpërdorimet në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë.
Sipas raporteve të pranuara nga Prokuroritë Komunale të Republikës së Kosovës, deri tani thuhet se janë akuzuar 1343 persona, që kanë të bëjnë me veprën penale të Mashtrimit në votime nga neni 180 i KPK-së dhe me veprën penale Keqpërdorimi i të drejtës së votimit nga neni 178 i KPK-së.
Bazuar në lëndët akoma të papërfunduara në Prokurorinë Komunale në Prishtinë dhe në Prizren, llogaritet që në të ardhmen të akuzohen edhe 931 persona.
Sipas statistikave të pranuara, lëndët që kanë përfunduar me aktgjykime kryesisht kanë pasur dënime me kusht dhe dënime me gjobë, si dhe në 3 raste dënime plotësuese, ku komisionarëve iu është shqiptuar Ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

NATO: Ministrat e mbrojtjes diskutojnë edhe për Kosovën

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, në takimin dyditësh, i cili ka filluar të enjten do të diskutojnë edhe për situatën në Kosovë, ku “gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje të tensioneve, por gjendja momentale është e pandryshueshme”, thanë burime të aleancës në Bruksel, para takimit.
Ministrat e shteteve anëtare të NATO-s dhe të vendeve partnere në misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë, pritet të fokusohen në zhvillimet në Kosovë edhe nesër paradite.
Megjithatë, temë kryesore e takimit dyditësh, do të jenë operacionet e NATO-s në Afganistan.

Thaçi i gatshëm të takohet me Tadicin

Kryeministri Hashim Thaçi i ka deklaruar televizionit privat maqedonas “Alfa TV”, se është i gatshëm të bisedojë me kryetarin serb Boris Tadic me qëllim të shqyrtimit të gjithë gamës së problemeve që i rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë të drejta dhe ne dëshirojmë që njëherë e përgjithmonë ta vëmë në rend dite gjithë situatën. Serbia duhet të ndryshojë qëndrimin jo vetëm ndaj Kosovës por edhe vendeve të tjera të Ballkanit. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe së bashku, si rajon, të hyjmë në strukturat euroatlantike. Unë dhe Boris Tadic, si liderë, kemi për detyrë që t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Unë jam i gatshëm të ulem me zotin Tadic për të biseduar për këto çështje. Dua të theksoj se për politikën e brendshme të Kosovës do të vendosim ne e jo Serbia”, transmeton korrespondenti i Kohës Ditore deklaratën e kryeministrit Thaçi për televizionin maqedonas.
Ai i ka vlerësuar pozitivisht marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni duke nënvizuar se e pret kryeministrin Nikola Gruevski për vizitë zyrtare në Kosovë. 

Grabovci: Pyetjet janë për Kurtin, jo për Selimin

Partia Demokratike e Kosovës është kundërpërgjigjur menjëherë pas deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci ka thënë se pyetjet e Bekim Haxhiut nuk i janë drejtuar Rexhep Selimit, por Albin Kurtit. 
“Pyetjet tona janë për Kurtin e jo Selimin. Deputeti Haxhiu e ka mbështetjen e plotë të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ne do të presim deri më 8 shkurt, nëse jo do t’i publikojmë dëshmitë. Selimi me këto deklarata po synon të bëjë shantazh ndaj PDK-së”, është kundërpërgjigjur Grabovci. 

GNK: Veriu rrezik për dialogun Kosovë – Serbi

Në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK), pos tjerash, theksohet se situata e dhunshme në pjesën veriore të Kosovës, rrezikon ndaljen e dialogut të ndjeshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe e kërcënon stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe procesin kandidues të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Mëtutje në rekomandimet e grupit theksohet se përpjekja e Prishtinës për ta kontrolluar gjithë territorin e shtetit të ri, e veçanërisht kufijtë e vet me Serbinë, dhe vendosmëria e serbëve të veriut të Kosovës për të rezistuar, mund të prodhoj më tepër viktima.
Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta inkurajojnë Beogradin, që ta pranoj qeverinë në Prishtinë si të barabartë, bile edhe pa njohje formale, por nuk duhet të pritet që kjo do ta detyronte bashkëpunim lokal në veri të Kosovës, thuhet në raportin më të ri të GNK-së, transmeton Evropa e Lirë.
Të gjitha palët duhet të synojnë gjetjen e mënyrave për minimizimin e rrezikut të konfliktit të mëtejmë, duke u fokusuar në implementimin e çështjeve për të cilat është arritur pajtueshmëri në dialogun teknik dypalësh.
Raporti thotë se tensionet ishin shtuar më 25 korrik të vitit 2011, kur Prishtina e kishte dërguar policinë në dy pika doganore përgjatë kufirit me Serbinë. Serbët lokalë e kishin rrethuar policinë dhe i detyruan ata që të tërhiqeshin; një oficer ishte vrarë nga një pritë, ndërsa pikës kufitare i ishte vënë zjarri.
Mëtutje, GNK thekson se të gjitha rrugët që çonin në pikat doganore ishin barrikaduar nga serbët e Kosovës, me qëllim që të pengohet vendosja e zyrtarëve të Kosovës.
Përderisa bllokada e rrugëve në përgjithësi ishte paqësore, dhuna shpërtheu në së paku tri raste, gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar, kur misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ishte përpjekur t’i demontoj barrikadat dhe i kishte shtyrë prapa serbët e Kosovës.
Mospajtimi për dogana është vetëm simptomë i mospajtimeve të Serbisë dhe Kosovës lidhur me sovranitetin, veçanërisht sa i përket pjesës veriore, thuhet pos tjerash, në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Serbia ta njohë Kosovën

Mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicholas Burns, ish nënsekretar amerikan i Shtetit, aktualisht profesor në “Harvard Kennedy School”.
Ish-nënsekretari amerikan, Burns, theksoi se është pozitive që Kosova dhe Serbia të bisedojnë, pasi që, sipas tij, kjo gjithmonë është një gjë e mirë, marrë parasysh historinë tragjike midis dy palëve, është gjithmonë mirë që të përkushtohen për zgjidhje paqësore mbi cilatdo dallime që ekzistojnë mes tyre.
“Megjithatë, mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Mua kjo më duket si hapi i parë elementar që duhet të ndërmerret”, ka theksuar më tej profesori Nicholas Burns.
Burns bëri me dije se nëse Serbia dëshiron ta shohë veten në BE dhe në NATO, atëherë ajo “duhet ta pajtojë veten me faktin se Kosova është e pavarur dhe me faktin se çfarëdo dallimi që ekziston midis dy vendeve, duhet të adresohet me mjete paqësore, negociata, kompromise dhe assesi me kërcënime”.
Ai e vlerësoi si pozitive faktin që Kosova ka arritur deri në pikën e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar.
Megjithatë, sipas Burns, “situata në veri të vendit është shqetësuese”.
“Është shqetësuese në kuptimin që ka ende disa qarqe që u japin merita atyre, të cilët ende mendojnë për Kosovën në mënyrën e vjetër dhe nuk do ta pranonin pavarësinë e Kosovës. Prandaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë përgjegjësi për të vazhduar që të jenë të angazhuar në nivelin e mbështetjes së pavarësisë së vërtetë të Kosovës dhe të mbështesin përfshirjen e këtij shteti në sistemin ndërkombëtar”, ka theksuar ish nënsekretar amerikan i Shtetit.

Borë edhe në Pejë

Pas një periudhe relativisht të gjatë pa borë, edhe pse qytetet tjera të vendit ka kohë që kanë “shijuar” të reshurat e mëdha të borës, mëngjesi i sotëm ka zbardhur edhe Pejën.
Trashësia e borës në këtë komunë është nga 20 deri në 25 cm, njofton TV Dukagjini.
“Ekipet komunale nga ora 07:00 kanë filluar pastrimin i rrugëve në qytet. Janë operatorët, të cilët ndodhen në terren dhe po pastrojnë sipas dinamikës që kemi planifikuar. Pronarët apelohen të pastrojnë trotuaret para dyqaneve dhe objekteve të tyre afariste”, ka thënë Naim Sahit, drejtor për punë komunale në Pejë.
Zëdhënësi i Policisë rajonale, Xhevat Ibraj ka konfirmuar se rrugët magjistrale, Pejë-Kullë-Rozhajë janë të kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve, si dhe ajo në drejtim në Rugovës, ndërkaq vështirësi në qarkullim po paraqiten në magjistralen Pejë-Deçan-Gjakovë, si pasojë e mos pastrimit dhe mirëmbajtjes së duhur.

Selimi: S’ua ka frikën askush spiunëve

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpreh i ashpër lidhur me shantazhimet që sipas tij, po i bëjnë pjesëtarë të SHIK-ut, duke theksuar se nuk do të arrijnë t’i fshehin të vërtetat dhe të ngjallin frikë.
“Kohëve të fundit janë ngritur disa dilema, janë bërë disa pyetje, janë dhënë afate për përgjigje, madje ka pasur edhe konferenca shtypi për këtë! ...Por jo vetëm kaq. Qeveria dhe SHIK-u kanë nxjerr sërish edhe agjentët në skenë për të bërë presione e shantazhe ndaj qytetareve dhe personaliteteve. Ne nuk flasim me gjuhë spiunesh e agjentësh, madje nuk flasim fare me ta. Por ne, kemi një mesazh për Qeverinë dhe për SHIK-un të cilët po bashkëjetojnë në pushtetin me vota të grabitura: Mjaft me këso shantazhe e me këso presione ndaj opinionit”, u shpreh Selimi.
Ai më tej tha nëse mendojnë se mund t’i bëjnë dikujt presion e t’i shantazhojnë me afatizime e kanë gabim.
“Nëse doni që t’i frikësoni të tjerët me presione, prapë e keni gabim, s’ua ka frikën kush... Por tek e fundit, kush ua jep juve këtë të drejtë, kush jeni ju që angazhoni spiunë e agjentë për ta terrorizuar sërish opinionin, për të shantazhuar njerëz e personalitete, për të ngritur mjegull dhe për ta shmangur opinionin nga ngjarje më shumë rëndësi për të ardhmen e vendit? Kush jeni ju që i jepni vetes të drejtën për të shpifur e të ngritur teori konspirative , për të hutuar opinionin, pikërisht para asaj që ju po bëni në dëm të vendit dhe të ardhmes së tij?”, u shpreh deputeti nga radhët e Vetëvendosjes.
Ai po ashtu doli edhe për atë se a është shuar apo jo SHIK-u, duke thënë “pse e keni mashtruar opinionin se e keni shuar SHIK-un e tash na dilni me aktivitete subversive ndaj të tjerëve?
Deputeti i Vetëvendosjes, ish udhëheqës i lartë i UÇK-së, foli edhe rreth dilemave të ngritura se kush pranoi e kush jo ta vishte uniformën e UÇK-së.
“Në mesin e dilemave të ngritura nga ju kohëve të fundit se, kush pranoi e kush nuk pranoi ta vishte uniformën e UÇK-së, se kush luftoi e kush iu dorëzua Serbisë, se kush luftoi e kush tradhtoi kur ishte koha! E nëse doni t’ua heqim dilemat u tregoj unë se kush e veshi e kush e zhveshi uniformën e UÇK-së dhe kush e ka përlyer madje. Mund t’ua tregoj një-për-një cilitdo prej jush, që pretendoni të jeni “tregtarët e historisë”, ta bleni e ta shisni historinë e Luftës së UÇK-së. Por, sot duket që se keni këtë kërkesë. Tani keni dalë me kërkesa spiunësh të SHIK-ut”, u shpreh Selimi.
Ai tha se nuk do t’i përgjigjen as SHIK-ut as Qeverisë, pasi sipas tij pikërisht këta janë që duhet t’i përgjigjen qytetarëve dhe drejtësisë.