Hamsik qëndron te Napoli

Marek Hamsik nuk planifikon të largohet nga Napoli, sepse beson që skuadra e tij do të garojë për titull në sezonin e ardhshëm – ka thënë agjenti i sllovakut, Juraj Venglos.
Milani është nga klubet që po kërkon shërbimet e Hamsik në dy vitet e fundit, mirëpo presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, e ka bindur lojtarin të qëndrojë pasi ka premtuar forcimin e skuadrës.

“Marek e do Napolin dhe ai mund të bëhet një simbol i ekipit, të cilit i ka shërbyer për shumë vite”.

“De Laurentiis dëshiron të sigurohet se klubi po vazhdon të piqet dhe në sezonin e ardhshëm do të luftojë për Scudetto. Marek e beson këtë dhe ai përfundimisht do të qëndrojë te Napoli”, ka thënë agjenti për Radio Crc.

Kagawa kushton 20 milionë euro

Shefi ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, e ka bërë të qartë se Shinji Kagawa nuk do të largohet për pak para nga kampioni i Gjermanisë.
Mesfushori japonez dëshiron të largohet nga Dormundi këtë verë dhe planifikon të transferohet në Ligën Premier, ndërsa Manchester Unitedi udhëheq garën për transferimin e tij.

“Janë të dukshme kualitetet e Shinjit, mosha e tij (23 vjeç) dhe rëndësia për këtë ekip. Pastaj mendoj për paratë që Bayerni pagoi për Manuel Neuer. Ai gjithashtu kishte edhe një vit në kontratën e tij. Mund të nxjerrësh një shumë nga kjo (analizë)”, ka thënë Watzke për Sport Bild.

Bayerni i pagoi Schalkes një shumë fillestare prej 18 milionë eurosh për Neuerin, ndërsa çmimi i plotë thuhet të ketë arritur shumën prej 25 milionë.

Ancelotti dëshiron tre lojtarë

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, planifikon të transferojë tre lojtarë gjatë afatit kalimtar veror.
PSG dështoi ta fitonte titullin e Francës duke mbetur tri pikë prapa kampionit Montpellier, ndërsa strategu italian kërkon përforcime në mënyrë që në sezonin e ardhshëm të garojë edhe në Ligën e Kampionëve.

Dyshja e Real Madridit, Kaka dhe Gonzalo Higuain, sulmuesi i Anzhi Makhachkala, Samuel Eto'o, sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi dhe më herët sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato – janë emrat të cilët janë lidhur me klubin francez.

“Ende kemi kohë për të gjetur zgjidhjen e duhur. Në mënyrë ideale, do të na duheshin tre lojtarë: një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues”.

“Dua të transferoj lojtarë me përvojë ndërkombëtare dhe me personalitet. Emrat nuk kanë rëndësi, por na duhen lojtarë që përshtaten në skuadër, teknikisht dhe taktikisht”, u ka thënë Ancelotti gazetarëve

Nadal rikthen pozitën e dytë

Rafael Nadal është fitues i turneut të serive ATP Masters në Romë, me vlerë prej 2.95 milionë euro.
Spanjolli në finale e mposhti tenisin numër një në botë, Novak Djokovic, me rezultat 2-0 në sete (7-5, 6-3).
Me këtë fitore, Nadal është kthyer në pozitën e dytë në ranglistën e ATP-së, të cilën ia zuri për disa ditë Roger Federer. 

Veteranët kanë edhe shumë për t’i dhënë Chelseat

Mbrojtësi Gary Cahill mendon se veteranët e Chelseat kanë edhe shumë për t’i dhënë skuadrës.
“Frank Lampard ishte fantastik. Ashley Cole ishte i jashtëzakonshëm dhe ndoshta ka qenë mbrojtësi i majtë më i mirë në botë për shumë vite”.

“Didier sërish u tregua njeri i madh për evenimente të mëdha. Nga këta djem vetëm mund të mësosh, sidomos unë”, ka deklaruar Cahill.

Giovinco ka marrë ofertë nga Barca

Sulmues i Parmës, Sebastian Giovinco, ka marrë një ofertë nga Barcelona – ka bërë të ditur agjenti i tij, Andrea D’Amico.
Italiani, i cili është në bashkëpronësi të Juventusit, pritet të largohet nga Ennio Tardini gjatë verës, ndërsa përfaqësuesi i tij ka thënë se Barca është një nga shumë klubet e interesuara për shërbimet e 25-vjeçarit.

“Ai do të shkojë te një klub që do ta bëjë të ndjehet i rëndësishëm dhe ku do ta ketë mundësinë që të tregojë kualitetet e tij. Ai ka pranuar shumë oferta, nga Italia dhe jashtë vendit, duke përfshirë edhe një ofertë më të re nga Barcelona”, ka thënë D’Amico për Radio Mana Mana.

Megjithatë, agjenti ka sqaruar se klienti i tij do të vendosë për të ardhmen pas Kampionatit Evropian

Gomes: Ronaldo duket si supernjeri

Sulmuesi i Sporting Braga, Nuno Gomes, e ka lëvduar bashkëkombësin e tij, Cristiano Ronaldo, duke e konsideruar si një pjesë madhore të përfaqësueses portugeze.
“Është kënaqësi ta llogarisësh Ronaldon në ekipin tënd, jo vetëm për respektin që kanë të tjerët për të, por edhe për kualitetet e tij, të cilat mund ta vendosin një ndeshje”.

“Nganjëherë ai nuk duket si njeri. Një nga karakteristikat e tij më të forta është se ai gjithmonë kërkon më shumë dhe jep më të mirën”, ka deklaruar Gomes për Radio Renascenca.

Një milion dollarë për një natë!

Gjatë sesionit fotografik në Festivalin e Filmit në Kanë, një milioner ekscentrik ka rënë në gjunjë përpara Kelly Brook dhe i ka ofruar një milionë dollarë që ta kalojë një natë me të.
Modelja dhe aktorja e bukur fillimisht kishte menduar se gjithçka është përgatitur nga kolegu i saj, komiku Keith Lemon, filmin e të cilit po e promovonte.



Mirëpo, kur i panjohuri kishte filluar të bërtasë: “Vetëm një natë! Të lutem, një natë! Kam para!”, ajo ka kuptuar se nuk bëhet fjalë për shaka dhe ka kërkuar ndihmën e sigurimit.

Sipas Mirror, një truproje ka vrapuar drejt bukuroshes dhe e ka larguar “të çuditshmin” jashtë hotelit Majestic Barriere.

Kosova e tronditur nga ngjarja tragjike në Himarë


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve”.

“Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë”, thuhet në telegramin e presidentes.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me student, afër Himarës, ku humbën jetën 11 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata”.

“Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta”.

“Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një jetë më të mirë”, thuhet në telegramin e kryeministrit.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një telegrami ngushëllimi dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka shprehur tronditjen e thellë të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës, pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në Himarë, ku kanë gjetur vdekjen një numër i të rinjve dhe shumë të tjerë janë plagosur.

“Në këto çaste të rënda, ne i bashkohemi pikëllimit dhe dhimbjes së familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në këtë tragjedi. Populli i Kosovës po ashtu i bashkohet lutjeve për shërim sa më të shpejt të të lënduarve në këtë tragjedi”, thuhet në telegram.

Ministri Hoxhaj ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndihmuar me çdo mjet dhe në çdo formë autoritetet shqiptare dhe familjet e të aksidentuarve për tejkalimin sa më shpejtë të kësaj situate tragjike.

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së hënës në aksin Himarë-Sarandë, ku një autobus me rreth 50 studentë në bord ka rënë në humnerë.

Bayerni është ekipi më i mirë në Gjermani

Trajneri i Borussia Dortmundit, Juergen Klopp, ka thënë se Bayern Munichu vazhdon të jetë skuadra më e mirë në Gjermani, përkundër sezonit të dështuar.
Bavarezët e humbën betejën për titullin e Bundesligas dhe u mposhtën në finale të Kupës nga Dortmundi, ndërsa dështuan edhe në finale të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat.
“Statusi i Bayernit (si skuadra më e mirë në Gjermani) nuk do të ndryshojë pas dy vitesh. Me 73 pikë, finalet e DFB Pokal dhe Ligës së Kampionëve, ata patën thuajse një sezon të përsosur”, ka thënë Klopp

Abidal lëshohet nga spitali

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, është lëshuar nga spitali dhe do ta vazhdojë rikuperimin në shtëpi.
Më 10 prill, 32-vjeçari iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjike për transplantimin e mëlçisë, ndërsa pas qëndrimit të gjatë në spital i është dhënë drita e gjelbër që të kthehet në shtëpi.
“Duke pasur parasysh karakteristikat e proceseve të këtilla rikuperuese, Abidal do t’u nënshtrohet kontrolleve të rregullta mjekësore në spital”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Barca.

Mancini nuk ngutet ta forcojë Cityn

Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, mendon se kampioni i Anglisë doemos duhet të forcohet gjatë verës, mirëpo atij nuk i ngutet për sjelljen e lojtarëve.
Pas triumfit në Ligën Premier, City do ta kërkojë suksesin në Ligën e Kampionëve, ndërsa për këtë nevojiten lojtarë të tjerë.
Emra të njohur të futbollit botëror janë lidhur me kalimin në Etihad Stadium, megjithatë Mancini do ta shqyrtojë mirë skuadrën.
“Ka kohë për blerje. Ne duhet ta forcojmë skuadrën, mirëpo nuk do të ngutemi”, ka thënë italiani për Mediaset.

Barcelona pas Isco

Barcelona raportohet se është duke menduar të transferojë yllin e Malagas, Isco.
I riu spanjoll kaloi një sezon të shkëlqyeshëm te Malaga dhe po ashtu ka joshur vëmendjen e Arsenalit dhe Manchester Cityt.
El Mundo Deportivo shkruan se Barcelona do ta kthejë në skuadër mbrojtësin e Sporting Gijon, Albert Botia, dhe ta përfshijë atë në ofertën për Iscon. 

Interi dëshiron shkëmbim Maincon-De Jong

Interi është i gatshëm t’ia ofrojë Manchester Cityt mbrojtësin Douglas Maicon në shkëmbim për mesfushorin Nigel de Jong.
Maicon tashmë një kohë ka pritur negociata për kontratë të re me Interin dhe me gjasa do të shitet këtë verë.
PSG dhe Anzhi janë në mesin e klubeve të interesuara në mbrojtësin brazilian. Megjithatë, Gazzetta dello Sport shkruan se Interi dëshiron ta joshë Cityn me qëllim për ta bindur të heqë dorë nga De Jong.
Ngjashëm si Maicon, edhe De Jong është duke pritur negociata për kontratë të re me Cityn dhe është lidhur me një largim nga Etihad.

Del Piero i zemëruar që largohet si humbës

Alessandro del Piero është i zhgënjyer që largohet nga Juventusi si humbës, pas disfatës në finalen e Kupës së Italisë nga Napoli.
Kapiteni luajti ndeshjen e tij të 705-të dhe të fundit në fanellën Bianconere, duke u mposhtur 2-0 nga Napoli në stadiumin Olimpico të Romës.
“Ka pendime, pasi të humbësh një finale gjithmonë të le shije të hidhur në gojë, por ne duhet të shikojmë përpara”.
“Në këto disa javët e fundit janë përzier së bashku shumë emocione. Këto kanë qenë vite fantastike dhe jam krenar për gjithçka që kam bërë”, ka thënë Del Peiro

Genoa interesohet për Rossin

Genoa ia ka vënë syrin sulmuesit të Villarrealit, Giuseppe Rossi.
Rossi pritet të shitet nga klubi, pas rënies befasuese të Villarrealit në divizionin e dytë të futbollit spanjoll.
Genoa do t’i jepte atij kohë dhe hapësirë për të rigjetur formën në Serie A, derisa ai do të kërkojë të përgatitet për një lëvizje te ndonjë klub më i madh në të ardhmen.
I vetmi problem për skuadrën italiane do të jetë paga e tij prej 3.5 milionë eurove në sezon sa ai aktualisht merr te Villarreali. 

Baboo Darabuka dhe Dj Benity së shpejti me projekte të reja

Grupi i njohur kosovar Baboo Darabuka janë duke u përgatitur për projekte të ardhshme muzikore.

Anëtarët e grupit kanë pohuar se së shpejti do të vijnë me një këngë të re e cila pritet të shoqërohet edhe me videoklip. Kënga është kombinim mes hip-hopit dhe muzikës orientale.
“Kemi përfunduar xhirimet e klipit të këngës më të re. Kënga është punuar në studion e Cekic Beats, është një kombinim mes hip-hopit dhe muzikës orientale. Është në bashkëpunim me një artist amerikan. Klipi është realizuar nga produksioni ASHA Grafic”, kanë thënë grupi Baboo Darabuka për Telegrafi.
Grupi pohon se ata janë të kënaqur me suksesin e tyre që e kanë arritur deri tash, por nuk do të ndalen me kaq.
“Jemi të kënaqur me suksesin tonë, por kjo nuk do të thotë që nuk mundemi më tepër, padyshim që jemi shumë të kënaqur edhe me publikun i cili na përkrah çdo herë me prezencën e tyre në mbrëmjet tona”, kanë thënë më tej anëtarët e grupit.
Baboo Darabuka shtojnë se së shpejti do të vijnë në bashkëpunim me një këngëtar të famshëm kosovar.
“Projektet e radhës priten të jenë edhe dy këngë të reja. Së shpejti pritet të lansohet një bashkëpunim me një këngëtar të
suksesshëm kosovar, dhe një instrumental tjetër solo, d.m.th. vetëm të Baboo Darabuka & Dj Benity, shumë shpejt do u bëhet edhe promovimi i tyre”, ka shtuar grupi Babboo Darabuka. 

U shënua 100-vjetori i Kuvendit të Junikut

Me një manifestim qendror në Junik të hënën u shënua 100-vjetori i të ngjarjes së rëndësishme historike, i njohur si Kuvendi i Junikut. Aktivitetet janë mbajtur nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku, përveç kreu të ekzekutivit, morën pjesë edhe presidentja e vendit, Atifete Jajhaga, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, përfaqësues të institucioneve të tjera nga Kosova e nga Qeveria e Shqipërisë, anëtarë të familjeve Jashari, Lladrovci, Haradinaj etj.
“Sot si kurrë ndonjëherë, shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë, edhe politik, edhe kombëtar, edhe të orientimit euro-atlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Kosova e pavarur, në rrugë të sigurt për të ardhme evropiane dhe anëtare e NATO-s. Kemi besim të plotë se do të ndalet edhe diskriminimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ndërsa Kosova mirëpret çdo deklarim të lirë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për të ardhmen e vetë. Prandaj shqiptarët do të jetojnë të lirë, në frymë evropiane, në frymë euro-atlantike, në një hapësirë të përbashkët, me kufij të hapur, në të ardhmen evropiane”, tha kryeministri Hashim Thaçi, në manifestimin e organizuar në shënimin e 100 vjetorit të Kuvendit të Junikut.
Edhe presidentja Jahjaga, kreu i Junikut Agron Kuçi dhe oratorë të tjerë kanë vlerësuar lartë gjithë veprimtarinë atdhetare dhe sakrificën e periudhës.
Kuvendi i Junikut, në vitin 1912 me programin e tij kombëtar, ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtarë.

Jahjaga: Nikolic të gjejë guximin për raporte të mira me Kosovën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka bërë thirrje presidentit të zgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikolic, ta bëjë atë që paraardhësit e tij nuk e kanë bërë, ta gjejë guximin dhe të ndërmarrë hapa për të vendosur marrëdhënie të mira dhe paqësore me Kosovën.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës konsideron se zgjedhja e një presidenti të ri në Serbi është zgjedhje e popullit të Republikës së Serbisë, zgjedhje e një shteti fqinj, me të cilin Kosova mëton të ndërtojë marrëdhënie korrekte fqinjësore.
“Ne jemi dy shtete të pavarura dhe sovrane që kemi pasur një të kaluar të rëndë, por që shpresojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë... Kjo do të ndihmonte që të dyja shtetet e pavarura, Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, të ecin në rrugën e integrimeve evropiane dhe që popujt e të dyja vendeve të përcaktohen për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet”, thuhet në deklaratën e Jahjagës.

Kocijancic: Presim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Maja Koncijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka thënë të hënën në Bruksel se presin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke aluduar kështu vazhdimin e bisedimeve edhe pas zgjedhjes së Tomislav Nikolicit, president i Serbisë.
Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ishte lansuar në mars të vitit të kaluar, Kocijancic tha “Mendoj se dialogu (Prishtinë-Beograd) gëzon mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, ka mbështetjen e plotë të Këshillit Evropian dhe është futur formalisht në procesin e integrimit evropian të Serbisë. Andaj, presim vazhdimin e dialogut", tha ajo.
Siç njofton Rel, Bashkimi Evropian vlerësoi se me fitoren e kreut të Partisë Përparimtare Serbe, Tomislav Nikolic, në zgjedhjet për president të Serbisë është fituar “një mandat i fuqishëm për vazhdimin e politikave të integrimit evropian”.
Kocijancic u shpreh se BE-ja inkurajon Nikolicin dhe ekzekutivin e ardhshëm në Beograd të vazhdojnë punën në procesin integrues të vendit për në Bashkimin Evropian.
“Serbia ka hyrë në këto zgjedhje vetëm disa javë pasi mori statusin e vendit kandidat (për anëtarësim në BE). Presidenti i ri dhe qeveria që duhet të formohet kanë marrë një mandat të fuqishëm për të vazhduar zbatimin e politikave për integrim evropian dhe për të lëvizur shpejt në hapat e mëtejmë, veçanërisht, në drejtim të nisjes së negociatave për anëtarësim sapo të jenë plotësuar kushtet”, u shpreh ajo.
Fitorja e Nikolicit në zgjedhjet presidenciale serbe, në Prishtinë, u vlerësua të jetë e parëndësishme për procesin integrues të Kosovës në BE.

Ivanovic: Nuk ndryshon politika serbe ndaj Kosovës

i ashtuquajturi Sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka thënë se nuk pret ndryshime drastike të politikës shtetërore serbe ndaj Kosovës, pas zgjedhjes së Tomislav Nikolicit për president të Serbisë.
"Nuk ka indikacione se do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, por është e rëndësishme që në vendimin për formulimin e politikës ndaj Kosovës të kenë ndikim të gjithë aktorët e skenës politike", i ka thënë Ivanovic agjencisë serbe Beta.
Ai ka thënë se qasja e Serbisë ndaj Kosovës, do të varet nga Qeveria e re dhe presidentit të Serbisë, të cilët, sipas tij, do të duhej të krijojnë një politikë të përbashkët.
"Kosova është një problem i madh dhe kërkon angazhim të të gjithë pjesëmarrësve në shoqëri. Prandaj duhet të ekzistojë një konsensus i plotë në strukturën udhëheqëse dhe minimumi i konsensusit me opozitën ", ka thënë Ivanovic, duke shtuar se zgjedhja e presidentit të ri të Serbisë është një rast për krijimin e frontit të gjerë dhe politikës konsistente ndaj Kosovës.
"Dy kandidatët për president, Tadic dhe Nikolic, kanë shprehur qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë, që është një çështje e respektimit të Kushtetutës. Prandaj nuk pres që të vijë deri te ndryshimi drastik i politikës ndaj Kosovës ", ka thënë ai.
Ivanovic ka thënë se është obligim i Beogradit të respektojë marrëveshjet e arritura deri tash me Prishtinën.

Norvegjia vazhdon të mbështesë financiarisht Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, gjatë vizitës së tij në Norvegji është takuar me zyrtarë të këtij vendi. Me këtë rast, sekretari i shtetit norvegjez, Torgeir Larsen ka thënë se Norvegjia vazhdon ta ketë prioritet edhe për vitet në vijim Kosovën, duke vazhduar me nivelin e lartë të përkrahjes financiare.
Në njoftimin për media të MPJ-së, thuhet se sekretari Larsen ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për qëndrimin shumë të qëlluar dhe progresiv gjatë mbajtjes së zgjedhjeve serbe, duke u mundësuar qytetarëve me nënshtetësi të dyfishtë votimin e organizuar nga OSBE.
Ndërkaq, zëvendësministri Selimi potencoi lidhjet e fuqishme bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe falënderoi shtetin e Norvegjisë për përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.
Zëvendësministri Selimi është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të Norvegjisë

Mazzarri i ngazëllyer me Kupën

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është i ngazëllyer që ka fituar finalen e Kupës së Italisë, ku mposhti Juventusit me rezultat 2-0.
Mazzarri e ka quajtur si të “paimagjinueshme” fitoren ndaj Juventusit, derisa ka konfirmuar qëndrimin e tij te Napoli sezonin e ardhshëm.
“Ishte gjëja më e paimagjinueshme të mposhtësh Juventusin gjatë 90 minutave kur ata nuk kanë humbur gjithë sezonin. Ishte një arritje e madhe brenda një arritje tjetër”, ka thënë Mazzarri.
“E gjithë skuadra ka arritur diçka të jashtëzakonshme gjatë gjithë këtyre tre viteve. Hamsik, Cavani dhe Lavezzi janë emrat që janë përmendur gjithë kohës, por të gjithë meritojnë të lavdërohen në nivel të njëjtë si grup”, ka shtuar italiani. 

Conte i zhgënjyer pas disfatës në Kupë

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, është i zhgënjyer pasi humbi rastin për të fituar dy trofe këtë sezon.
Kampionët e Serie A u mposhtën 2-0 nga Napoli në finale të Kupës së Italisë, dhe humbën rastin të jenë fitues të dyfishtë këtë sezon.
“Nuk më pëlqen të humbas, veçanërisht në një finale. Ne jemi shumë të zemëruar. Kjo ndeshja duhet të na bëjë të kuptojmë se ne duhet të lëvizim me 2000 kilometër në orë”.
“Sonte Napoli kishte diçka më shumë se ne. Ky është një grup të rinjsh dhe ne duhet gjithmonë të mbajmë në mend se çfarë duhej të bënim për të fituar”.
“Ne po ashtu kishim disa lojtarë si Arturo Vidal dhe Stephan Lichtsteiner, të cilët nuk ishin 100 për qind në formë. Pendime ka, pasi ne nuk deshëm të humbim”, ka thënë Conte. 

NBA: Heat barazojnë serinë, Spurs në finale

LeBron James dhe Dwyane Wade kanë shënuar 70 pikë së bashku derisa Miami Heat është rikuperuar nga dy disfata të njëpasnjëshme për të shënuar fitore 101-93 në ndeshjen e katërt përballë Indiana Pacers.
Heat, të cilët dështuan në dy ndeshjet e mëhershme në mungesë të Chris Bosh, ishin në disavantazh prej tetë pikësh në fund të gjysmë-pjesës së parë, por u rikthyen në çerekun e tretë kur James dhe Wade morën kontrollin e ndeshjes.
James, i cili javën e kaluar u zgjodh MVP i sezonit, shënoi 40 pikë, 18 kërcime dhe nëntë asistime. Ndeshja e pestë zhvillohet të enjten në Miami.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmshme, San Antonio Spurs është kualifikuar në finale të Konferencës Perëndimore duke mposhtur Los Angeles Clippers me rezultat 102-99 në ndeshjen e katërt mes tyre (të katërta të fituara nga Spurs).
Tim Duncan shënoi 21 pikë, ndërsa Tony Parker kontribuoi me 17 pikë për skuadrën fituese. Fitorja ishte e 18-ta radhazi për Spurs, të cilët në rundin e ardhshëm do të përballen me Oklahoma City ose me Los Angeles Lakers për titullin e Konferencës Perëndimore.

Cech: I kemi heshtur të gjithë

Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se ata i kanë heshtur të gjithë kritikët pasi fituan finalen e Ligës së Kampionëve.
“Ishte një lloj revolte kundër të gjithëve. Pasi gjithkush ishte kundër nesh dhe ne nuk kishim rezultatet e pritura”.
“Andre Villas-Boas duhej të largohej, ai u shkarkua dhe gjithkush thoshte, ‘Ju nuk keni shans kundër Napolit, në ndeshjen e dytë’”.
“Çdokush na eliminoi kundër Barcelonës, çdokush tha Bayerni luan në shtëpi, se ne kemi mungesa të lojtarëve dhe ne nuk kemi shans. Andaj ne vazhduam të dëshmojmë se të gjithë e kanë gabim”, ka thënë Cech. 

PSG pas Daniel Alves

Paris Saint-Germain raportohet se ka shfaqur interesim në mbrojtësin e djathtë të Barcelonës, Daniel Alves.
Sport shkruan se PSG tashmë i është drejtuar Barcelonës për të pyetur për situatën e brazilianit.
E ardhmja e Alves me Barcelonën është e paqartë pas një sezoni jo të kënaqshëm të Barcelonës dhe problemeve që klubi ka në kontrollimin e sjelljes së tij. 

Lampard: Nata më e madhe në karrierë

Njëshi i Chelseat, Frank Lampard, thotë se mbrëmja e të shtunës kur ai ngriti trofeun e Ligës së Kampionëve ishte nata më e mirë në karrierën e tij.
“Ka qenë nata më e mirë në futboll në jetën time – ora që ne e kaluam në fushë me tifozët më pas”.
“Kanë kaluar 11 vite dhe e kam pritur këtë foshnjë për një kohë të gjatë. Jam i kënaqur që ne nuk e kemi fituar më herët, pasi kjo e bën edhe më të veçantë”.
“Kjo mund të duket si budallallëk por, të presësh kaq gjatë dhe ta bësh këtë siç e bëmë ne me sezonin që kishim, atmosfera e ekipit – është e mahnitshme”, ka thënë Lampard. 

Milaim Rama i thotë lamtumirë futbollit

Kosovari me nënshtetësi zvicerane, Milaim Rama, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij në futbollin profesionist.
Mesfushori do t’i thotë lamtumirë futbollit të mërkurën, më 23 maj, në ndeshjen që Thun e zhvillon kundër Zurichut.
Futbollisti veteran i FC Thun-it, ishte një prej më të suksesshmëve te kjo skuadër zvicerane, me 113 gola.
Rama ishte shënuesi më i mirë në Zvicër në ligën e dystë në sezonin 2001/02 dhe një sezon më pas shënuesi më i mirë në Superligë (2002/03), dhe më pas i vetmi shqiptar pjesëmarrës në kampionatin evropian të vitit 2004 me përfaqësuesen e Zvicrës.
Milaim Rama, i cili ishte i pari futbollist shqiptar që luajti në kombëtaren zvicerane, pritet të nderohet nga shumë tifozë shqiptarë në ndeshjen e fundit të tij zyrtare të mërkurën. 

Terry shpreson Di Matteo të mbetet

Kapiteni i Chelsea, John Terry, shpreson Roberto di Matteo të caktohet si menaxher i përhershëm pasi fitoi Ligën e Kampionëve për të parën herë në historinë e Chelseat.
Blutë dje festuan me tifozët në një parakalim me autobus të hapur nëpër Londrën Veriore. I pyetur për Di Matteon, i cili nuk e ka të garantuar qëndrimin, Terry është shprehur optimist.
“Kjo i takon klubit, por CV-ja e tij duket e mrekullueshme. Ai e meriton atë më shumë se çdokush tjetër pasi ai na morri nën drejtim në një kohë të vështirë për ne dhe na solli neve këtu dhe bëri të arrijmë ku kemi arritur”.
“Kjo i takon klubit të bisedojë me të për këtë çështje, por ai ka qenë brilant”, ka thënë Terry. 

U hap panairi i ushqimeve dhe artizanateve

Për të promovuar vlerat kulturore dhe ushqimet e bëra nga vet gratë e Kosovës e të cilat mbajnë familjet e tyre me këtë punë, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë është hapur të hënën panairi i ushqimeve dhe artizanaleve të grave.
Në panair po marrin pjesë gra nga 10 organizata të ndryshme, e që punën e tyre do ta ekspozojnë për pesë ditë me radhë në sheshin kryesor të kryeqytetit.
Panairin e ka vizituar edhe kryetari i Prishtinës Isa Mustafa.

Paul Krugman: Shëmtia e daljes nga Eurozona

Ekonomisti amerikan, Paul Krugman, mendon se krijimi i euros ishte gabim. E në të njëjtën kohë, ai mendon se duhet shpëtuar atë. Kriza aktuale në Eurozonë po udhëhiqet nga një vend të zhytur thellë në borxhe-Greqia, e cila po sillet në një kaos politik e ekonomik të shkaktuar nga kundërshtimi publik ndaj masave shtrënguese të qeverisë. Liderët e Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar patën kërkuar masa të tilla si kompensim për huat që ia patën dhënë vendit.
Në ndërkohë, po shtohet frika që Athina të jetë në rrugë drejt daljes nga Eurozona. Krugman nuk përjashton këtë mundësi, ndërsa i quan “të shëmtuara” pasojat e realizimit të një skenari të tillë. “Kjo do ta godas mjaft rëndë ekonominë greke; do të ketë disa humbje në huat dhënë Greqisë, por këto humbje ka gjasa të ndodhin pavarësisht këtij zhvillimi. Nëse kjo mbetet e përmbajtur, nëse evropianët bëjnë çfarë është e nevojshme që kjo të mos pasojë me një shkatërrim të plotë të Eurozonës, atëherë nuk do të jetë një gjë aq e keqe”, tha ai.
Por, kjo megjithatë mbetet një “nëse” e madhe, vlerëson fituesi i çmimit Nobel në ekonomi. Krugman kundërshton fuqishëm masat shtrënguese gjatë krizës ekonomike- masa këto, të cilat aktualisht mbështeten nga shumë liderë në Evropë.
Një pjesë e madhe e qytetarëve evropianë pajtohen me Krugmanin, gjë që u dëshmua në revoltat kundër shkurtimeve buxhetore që u panë nëpër rrugë por edhe në proceset zgjedhore. Më herët në këtë muaj, votuesit në Francë dhe Greqi kundërshtuan zëshëm qeveritë që mbështesnin masat shtrënguese.
Tani, siç vlerëson Krugman, Banka Qendrore Evropiane duhet të ofrojë ndihmën e saj duke u bërë “huadhënës i pakufishëm për bankat dhe qeveritë” dhe duke rritur objektivat e inflacionit si mënyrë për të frenuar krizën dhe për ta shpëtuar euro-n. “Mendoj se euro-s i duhet shpëtimi nëse është i mundshëm. Por, çështja është se kjo nuk po ndodh me politikat aktuale, të cilat vetëm se po e përkeqësojnë gjendjen. Do të bëhej shumë më keq po që se do të dështonte euro-ja, edhe pse mendoj se ka qenë një gabim që ai të futet në përdorim. Por, tanimë e kemi bërë këtë gabim-ose më mirë thënë, ata e kanë bërë këtë gabim. Tani, dëshirojnë ta shpëtojnë atë meqë dështimi i euro-s do të dëmtonte projektin evropian, që ka të bëjë me paqen, prosperitetin dhe demokracinë- gjëra vazhdimin e të së cilave do të duhej ta mbështesnim të gjithë”, tha ai.
Gjermania, udhëheqësja e padiskutueshme e masave shtrënguese, sipas Krugmanit, po has në vështirësi për ta pranuar braktisjen e shkurtimeve drastike.
Në takimin e javës së kaluar të G8-ës në Uashington, presidenti i ri francez, Fransua Holandë, dhe presidenti amerikan, Barak Obama, detyruan kancelaren gjermane, Angela Merkel, të mbrojë dhe të stimulojë ndërmarrjen e masave shtrënguese dhe rritjen e shkurtimeve.
Për të shpjeguar qasjen e Gjermanisë mbi krizën aktuale, Krugman citon një fjali të Martin Volfit- komentuesit kryesor për çështje ekonomike në “Financial Times” “Në Gjermani, ekonomia është degë e filozofisë etike”. “Ata me të vërtetë kanë dashur ta shohin zbatimin e kësaj në aspektin e borxhlinjve mëkatarë-mëkat i cili duhet dënuar”, vlerëson Krugman.
“Fakti që ekonomia nuk është duke funksionuar sipas këtij parimi ka qenë shumë vështirë për t’u kuptuar nga ata”, thekson ai.
Gjermanisë dhe pjesës tjetër të BE-së, ndoshta nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për të vendosur se çfarë duhet bërë.
Krugman vlerëson se Greqia do të përjashtohet nga Eurozona brenda muajve të ardhshëm dhe se pas kësaj “shumë shpejt do të vjen momenti i së vërtetës për pjesën e mbetur të Eurozonës”.

Bisedimet mbajnë peng transmisionin

Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kishin filluar vitin e kaluar, nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e kontestit për linjat e transmisionit në mes të këtyre dy shteteve. Këto bisedime vetëm sa e kanë penguar zgjidhjen e këtij problemi që Kosovës po i kushton me miliona euro, shkruan sot Koha Ditore”. Kjo pasi Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, edhe pse kishte konstatuar se Serbia i ka shkelur rregullat e këtij komuniteti dhe kishte kërkuar nga Serbia që brenda dy muajve të veprohet në rregullimin e shkeljeve, tashmë ky Sekretariat pret që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka paralajmëruar se pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi pritet të rinis bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë sa i përket kontestit për linjat e transmisionit. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka kushtëzuar bisedimet Kosovë-Serbi me zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, shkruan Koha Ditore.
Në procesin e bisedimeve teknike në mes të Kosovës dhe Serbisë një nga pikat e diskutimeve ka qenë edhe çështjet energjetike dhe konkretisht linjat e transmisionit. Fillimisht ishte paralajmëruar se gjatë vjeshtës së vitit të kaluar të arrihet një pajtueshmëri sa i përket energjetikës, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Megjithatë, zyrtarët e KOSTT-it thonë se dialogu për të cilën flet Sekretariati nuk është i lidhur me procesin e bisedimeve teknike, por është dialog i veçantë që duhet të udhëhiqet nga KOSTT-i

Nis shërbimi i noterisë në Kosovë

Shërbimi i noterisë, si shërbim juridik dhe publik, do të funksionalizohet nga maji i këtij viti, ndërsa puna e noterëve u tha se do të shërbejë shumë në aktivitetet e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe do ta lehtëson punën e institucioneve gjyqësore.
Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët, që u organizua nga Ministria e Drejtësisë lidhur me lansimin e sistemit noterial në Republikën e Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka theksuar rolin që do ta luaj sistemi noterial në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka shtuar se ky sistem është krijuar falë punës së përbashkët të bërë nga shumë institucione.
Lidhur me efektin pozitivë që do ta luaj sistemi noterial në sistemin e përgjithshëm të drejtësisë, folën Kryetari i KGJK-së, Enver Peci, ai i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani dhe Kryeprokurori, Ismet Kabashi.
Sipas tyre, puna e noterëve do të shërbejë shumë në aktivitetet e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe do ta lehtëson punën e institucioneve gjyqësore.
Ndërsa, kryetarja e Odës së Noterëve, Arbena Shehu, prezantoi shërbimet që do të kryhen nga noterët.
Ajo tha se noterët mund të kryejnë shërbime për çështje familjare, për çështje pronësore, ekonomike dhe të punës, bënë ruajtjen e gjërave dhe dokumenteve, vërtetimet, legalizimet dhe certifikatat tjera.
Ministria e Drejtësisë përveç regjionit të Prishtinës, do të organizojë tryeza lidhur me lansimin e sistemit noterial, edhe në regjione tjera të Kosovës. 

Siguri e brishtë në veri

Gjendja e sigurisë në komunën e Mitrovicës, ndonëse ka tendencë të vazhdueshme stabilizimi, vazhdon të jetë ende e brishtë dhe e tensionuar. Kështu u vlerësua sot në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike të Komunës, që u drejtua nga kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati.
Në takimin, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, kryetari Kastrati ka vlerësuar se zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja për kryetar të Serbisë, që janë mbajtur në veri të komunës dhe të vendit, kanë kaluar pa probleme dhe incidente.
Ai, megjithëkëtë, ka thënë se në veri të qytetit gjatë natës së kaluar ka pas të shtëna të shumta nga armë zjarri, që supozohet të jenë bërë për shkak të fitores së Nikolicit për kryetar të Serbisë, të cilat i kanë shqetësuar tej mase qytetarët që jetojnë atje.
Ai ka thënë se policia e EULEX-it, ajo e Kosovës dhe KFOR-i, duhet të angazhohen maksimalisht për të identifikuar ata që shtinë me armë zjarri, për t’i konfiskuar armët dhe për të ndërpre këtë praktikë që vazhdimisht po i shqetëson qytetarët.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se situata mbetet e brishtë dhe e tensionuar për shkak se shtensionimi dhe stabilizimi i saj, nuk po iu konvenon ekstremistëve serbë. Ai tha se ata kanë organizuar gjatë ditëve të kaluara disa protesta dhe kanë shtënë vazhdimisht me armë zjarri, për ta mbajtur situatën të këtillë çfarë është.
Pjesëmarrësit e takimit e kanë dënuar ashpër sulmin e ekstremistëve ndaj gazetarëve shqiptarë, duke kërkuar që veprimet e këtilla të mos ndodhin më. Ndërsa Bala ka kërkuar nga organet e rendit dhe të sigurisë që të ju mundësojnë gazetarëve shqiptarë të kryejnë punën e tyre ashtu si duhet edhe në veri. 

Kuçi: Fati i Kosovës nuk varet nga zgjedhjet serbe

Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës, deklaroi të hënën zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.
Ai ka thënë se presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, është zgjedhje e qytetarëve serb. Ndërkaq sipas tij, fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi.
Qeveria e Kosovës vlerëson se zgjedhja e Tomislav Nikolicit si president i Serbisë nuk ndërlidhet me fatin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, tha se zgjedhjet politike në Serbi janë për popullin serb dhe se fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varet nga ato zgjedhje.
“Fati politik, pavarësia dhe zhvillimet e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike që bëhen në Serbi. Por ato zgjedhje janë për popullin serb dhe janë vlerësim për të tjetër. Ajo çka mund të them është se Kosova do të prodhojë stabilitet paqeje dhe fqinjësi të mirë me të gjithë”, tha ai.
Mirëpo, analistë politik në vend, kanë mendime krejtësisht ndryshe për përfaqësuesit e institucioneve.
Analisti, Behlul Beqaj, i tha Radio Kosovës se për dallim nga ish presidenti Boris Tadic, Nikolic do të ketë qasje ndryshe në raport me Kosovën.
“Do të ndryshojë raporti i pushtetit me Kosovën, por do të vazhdojë me BE-në, e cila do të degradojë edhe më shumë interesin e Kosovës meqë për BE-në përafrimi i Serbisë në BE mbetet prioritet nga frika se eventualisht Serbia mos po shkon më tepër kah lindja”, tha ai.
Megjithatë Beqaj mendon se presidenti i ri serb do t’iu përgjigjet kërkesave të BE-së për shumë çështje, por gjithsesi Kosovën do ta trajtojë ndryshe nga paraardhësi i tij, Boris Tadic.

Hyseni: Nikolici apo Tadici, për Kosovën janë njësoj

Fitorja e Tomislav Nikolicit, nga Partia Përparimtare Serbe në garën për president të Serbisë, nga komentet e para në Prishtinë, vlerësohet se nuk do të ndryshojë shumë politikën e këtij vendi në raport me Kosovën. Ish-ministri i jashtëm, Skender Hyseni, thotë se nuk duhet të jetë prioritet dhe as shqetësim i Kosovës se kush është president i Serbisë. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë s e Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës.
“Në raport me Kosovën, edhe presidenti i deritashëm Boris Tadic ka udhëhequr politika të mentalitetit ballkanik, pavarësisht se në opinionin ndërkombëtar mendohej se ai po luante një politikë demokratike”, thotë Hyseni.
“Nuk e besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që presidenti Tadic ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë ka qenë shumë ballkanas. Sidomos karshi Kosovës ka qenë po aq ballkanas sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdorë armët, ndërkaq ai që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”.
“Unë nuk dua të paragjykoj që Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president sepse se çfarë do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë, varët në rend të parë nga vet Kosova”, tha Hyseni për REL.
“Kosova fatkeqësisht nuk po sillet si shtet, dhe kjo e bën më të lehtë që të manipulohet nga politikat e Serbisë, thotë Hyseni.
Sipas tij, ndonëse nuk mund të jetë indiferente, ‘Kosova nuk duhet ta ketë prioritet udhëheqjen në Beograd”.
Ai, po ashtu thotë se në Evropë ka hezitime të shumta në lidhje me Nikolicin.
“Ka një paragjykim të skajshëm në Evropë përgjithësisht ndaj presidentit të zgjedhur Nikolic. Unë megjithatë, një mendje më thotë, se me këtë president edhe Evropa edhe Ballkani do t’i kenë gjërat pak më të qarta. Do ta dinë pak më qartë se ku qëndrojnë”, vlerësoi Hyseni.
Ndërsa zëvendëskryeministri, i Kosovës Hajredin Kuçi, duke komentuar zgjedhjen e Nikolicit për president të Serbisë, ka thënë s e Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës.
Ai ka thënë se presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, është zgjedhje e qytetarëve serb. Ndërkaq sipas tij, fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi.

Vllasi: Unë më i miri për dialog me Serbinë!

Ish-udhëheqësi komunist i Kosovës, avokati Azem Vllasi, edhe pse nuk shpreh ndonjë interesim për inkuadrimin në politikë, thotë se po të ftohej për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, këtë do ta bënte më mirë se çdokush tjetër.
Vllasi vlerëson se dialogu nuk do të rregullojë raportet mes dy vendeve, kurse Serbia dialogun është duke e shfrytëzuar vetëm për interesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.
“Nga dialogu me Serbinë nuk pres rezultate të rëndësishme. Nëse Serbia vazhdimisht përsërit se nuk e njeh shtetin e Kosovës, ajo nuk ka qëllim serioz që të rregullojë raportet me Kosovën, nëpërmjet dialogut. Qëllimi kryesor i Serbisë është që përmes këtij dialogu të arrijë anëtarësimin në BE. Dhe, shihni pasi ka arritur këtë qëllim nuk i ngutet për kurrfarë vazhdimi të dialogut dhe arritjen e marrëveshjeve të tjera. Sepse, atëherë, deshi s`deshi, çështja e dialogut do të dalë si marrëveshje në mes të dy shteteve”, ka thënë Vllasi në një intervistë për “Lajm”, duke potencuar se nuk pret që Serbia të paktën edhe 30 vite të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se për Mitrovicën nuk duhet të ketë bisedime të veçanta, sepse Mitrovica është një çështje e brendshme e Kosovës.
“Derisa nuk shtrohet asnjë çështje e brendshme, asnjë pjesë e territorit, asnjë qytet i Serbisë, as Presheva, as Bujanoci, për ndonjë arsye në dialog nuk duhet as Mitrovica”, tha Vllasi.
Ndërsa vlerëson se kontributin më të madh do të mund ta jepte duke e udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedime me Serbinë. Këtë punë thotë se do ta bënte më mirë se çdo kush tjetër. Siç shprehet ai, jo se është më i mençuri, por se “historinë më specifike të tij e ka kaluar me Serbinë”.
Thotë se nuk ka ndonjë interesim për inkuadrim eventual në politike, por nëse Kosova do të kishte nevojë për ndonjë favor të tij, ai këtë do ta bënte pa hezitim.

Cooper nuk do të jetë ndërmjetësues i bisedimeve?!

Ndërmjetësuesi i bisedimeve, Kosovë-Serbi, Robert Cooper do të ngarkohet me një detyrë të re, atë të diplomatit të karrierës dhe këtë funksion do ta ushtroj në një shtet aziatik, ka mësuar Radio Dukagjini nga burime ndërkombëtare.
Radio Dukagjini në bisedat që ka pasur me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ata kanë thënë se janë në njohuri të "pensionimit" të ndërmjetësit Cooper, por nuk kanë dashur të deklarohen lidhur me këtë çështje.
Megjithatë një gjë e tillë është mohuar nga zëdhënësja e zyrtares së lartë të BE-së, Catherine Ashton, Maja Kocijancic.
Ajo ka thënë se Cooper do të mbetet i angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. 

Mustafa: Vendi nuk duhet të qeveriset në këtë formë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një vizite në Ferizaj deklaroi se partia e tij dëshiron të bëjë ndryshime në qeverisje dhe për këtë arsye u ka ofruar bashkëpunim VV-së, AAK-së dhe AKR-së.
Gjatë kësaj vizite, Mustafa diskutoi edhe për përgatitjet që po bëhen për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Ferizajt.
“Ky vend nuk duhet të qeveriset në këtë formë. Ne dëshirojmë të bëjmë ndryshime në qeverisje dhe për këtë arsye ne u kemi ofruar bashkëpunim edhe VV, AAK e AKR-së dhe nëse ata dëshirojnë të bëjnë ndryshime duhet të na përkrahin në Ferizaj. Ndryshimet në Ferizaj do të ndikojnë në ndryshime në tërë Kosovën”, tha kreu i LDK-së.
Mustafa, po ashtu theksoi se buxheti që e ndan Qeveria po shkon mbi baza politike, duke i diskriminuar komunat të cilat nuk udhëhiqen nga PDK.
“Duke e përkrahur z. Salihaj për kryetar të Ferizajt, do të instalojmë një qeverisje të mirë dhe njerëzve të Ferizajt do t’u krijojmë kushte më të mira për jetë pavarësisht përcaktimeve të tyre partiake. Ata janë qytetarë tanë dhe s’do të bëjmë dallime”, tha z. Mustafa. 

Trashen dosjet në gjykata

Zvogëlimi i numrit të rasteve të vjetra në gjykatat e vendit, duket si mision i pamundur. Në vend se viti i ri kalendarik të fillojë me më pak dosje, kjo shifër vetëm rritet. Pavarësisht punës së madhe që bëjnë gjyqtarët dhe zbatimit të strategjisë për këtë çështje, viti 2012 ka filluar me 213 mijë e 37 raste, ose 3 mijë e 589 më shumë sesa në vitin paraprak.
Me strategji shtetërore e me shumë punë, është vështirë se një ditë, në gjykatat vendit nuk do të ketë lëndë të vjetra që presin të shqyrtohen.
Gjyqtarët e vendit të cilët në shumë raste i ngarkojnë edhe çantat, e madje edhe në shtëpi i përpunojnë dosjet që u ngarkohen, megjithatë çdo vit të ri, e fillojnë me më shumë raste të vjetra. Ky duket sikur një mision i pamundur.
Në vend se numri i dosjeve të zvogëlohet, kur përfundon viti, sipas shifrave zyrtare, del se viti i ri fillon me numër edhe më të madh dosjesh hyjnë në kategorinë e të vjetrave.
Kështu, nëse viti 2011 ka filluar në total me 295 mijë e 842 raste në punë, prej të cilave 209 mijë e 448 ishin të trashëguara nga periudha e kaluar, viti 2012 ka nisur me rrafsh 213 mijë e 37 dosje.
Të gjitha gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës, vitin 2011 e kanë filluar me 295 mijë e 842 lëndë, prej të cilave 209 mijë e 448 ishin të trashëguara nga periudha paraprake.
Prej numrit të përgjithshëm të dosjeve, gjatë vitit kalendarik 2011, gjykatat kanë pranuar edhe 86 mijë e 394 lëndë të reja, kurse gjyqtarët kanë arritur të zgjidhin 82 mijë e 805 dosje.
Por në fund, edhe pse në krahasim me numrin e vogël të gjyqtarëve, rastet e zgjidhura janë në numër të madh, viti i 2012 ka nisur sërish me 213 mijë e 037 dosje si të vjetra.
Sipas të dhënave zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykatat që kanë më së shumti dosje në punë janë ato komunale për kundërvajtje me 361 mijë e 192 lëndë në punë, pastaj ato komunale me 263 mijë e 941 lëndë në punë, pasuar nga ato të Qarkut me 21 mijë e 693 raste.
Por në përpjekje për zvogëlimin dhe harxhimin e rasteve të vjetra, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka nisur së zbatuari planin strategjik shtetëror për “Reduktimin e lëndëve të vjetra” 2007-2012.
Bazuar në raportin vlerësues zyrtar për tremujorin e parë të këtij viti (2012), në zbatimin e kësaj strategjie, del se është bërë goxha shumë punë.
Në këtë dokument të KGJK-së thuhet se ”në nivel të përgjithshëm, gjyqësori i Kosovës ka arritur shkallë realizuese të reduktimit të lëndëve të vjetra në masën 49,57 për qind”.
“...Të gjitha Gjykatat Komunale për Kundërvajtje, në tërësi (100%) e kanë realizuar Strategjinë për Reduktimin e lëndëve të Vjetra, kurse Gjykata Supreme e Kosovës ka arritur shkallën realizuese në 70,46 për qind”, thuhet në raport, transmeton Express.
Për më tej, në konkluzionet e dokumentit theksohet se “...Gjykatat e Qarkut dhe Gjykatat Komunale nuk e kanë arritur shkallën realizuese mbi 40 për qind”.
Sipas dokumentit, krahasuar me numrin e gjyqtarëve, në veçanti të Gjykatave Komunale, është arritur progres i kënaqshëm në lëndët e lëmit penal.
“...Ndërsa në lëndët e lëmit civile do të duhej angazhim edhe më i shtuar se sa ai që ishte gjatë vitit 2011”, shkruan në raport.
Por se sa në vështirësi janë gjykatat, sidomos ato të qyteteve më specifike siç është rasti i Mitrovicës, tregon edhe shembulli kur në raportin e KGJK-së për zbatimin e strategjisë, flitet për pengesat e zbatimit të këtij plani.
Në dokument tregohet se gjykatat e Mitrovicës, vetëm tash kanë arritur të raportojnë për realizim të strategjisë, për lëndët e pranuara në punë nga muaji shkurt deri në fund të vitit 2008, prej datës kur aktiviteti ditor i punës, bëhet në objektin e Gjykatës Komunale të Vushtrrisë.
Ndërkaq, për gjykatat në Zubin Potok e Leposaviq, as që flitet për sistem të drejtësisë. Krejt çfarë thuhet për gjyqësinë në këto dy qytete në veri të vendit është se “ …nuk kanë qenë kushtet e krijuara për të siguruar të dhëna”.
Megjithëkëtë, pavarësisht punës që bëjnë, jo të gjithë gjyqtarët duket se detyrën e vet e kryejnë tërësisht në përputhje me ligjin.
Sipas dokumentit zyrtar të KGJK-së, pjesës ku flitet për punën e Komisionit Disiplinor, del se gjatë vitit 2011, janë mbajtur 12 seanca disiplinore ndaj vetë ndarësve të ligjit.
Në këto seanca disiplinore, janë shqyrtuar gjithsej 63 raporte përfundimtare, me të cilat gjyqtarët ngarkoheshin për sjellje të pahijshme.
Me rastin e shqyrtimit të këtyre raporteve, në raport shkruan se në 12 seancat e mbajtura, janë marrë 57 vendime.
Kështu, në 15 raste, ndaj gjyqtarëve ka pushuar ndjekja për shkak se ata nuk janë më pjesë e sistemit gjyqësor, në 2 raste është pushuar procedura, sepse gjyqtarët kanë vdekur, kurse masa disiplinore qortim është shqiptuar në 19 raste.
Më tej, sipas raportit të KGJK-së, masa disiplinore qortim dhe vërejtje është shqiptuar në një rast, ndërkohë që ulja e pagës përgjysmë, për dy muaj është shqiptuar ndaj një gjyqtari.
Përveç këtyre, lirim nga përgjegjësia disiplinore kanë ndodhur me anë të 20 vendimeve, refuzim kërkese për suspendim në një rast dhe katër vendime, me të cilat gjyqtarët janë liruar nga përgjegjësia, pasi që ata nuk janë pjesë e sistemit gjyqësor, edhe pse Komisioni Disiplinor ka konstatuar sjelljet e pahijshme të pretenduara nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinor. 

“X Factor Albania”: Eliminohet Lirija

Nuk i ka bërë punë kënga e Michael Jacksonit talentes nga Kosova Lirije Rashiti për të vazhduar tutje në garën e X Factor Albania.
Pos kësaj kënge, Lirija nuk ka arritur ta tregojë vetën as në “show off” pasi bëri shumë gabime të njëpasnjëshme për shkak të emocioneve të mëdha që kishte.
Tashmë gara për këtë eveniment është nxehur edhe më shumë, përderisa kanë mbetur vetëm pesë këngëtarë që janë duke luftuar për të arritur në finalen e madhe.
Ndërkaq gjatë kësaj jave “X Factor” pritet të udhëtojë në Kosovë ku do të mbajë audicione në Gjakovë dhe në Prishtinë. 

Rihanna puth Ritën

Rihanna dhe Rita Ora ndoshta janë destinuar për të qenë armike, duke qenë se muzika e tyre tingëllon ngjashëm dhe gjithmonë ka pasur pëshpëritje rreth ndërtimit të një rivaliteti mes tyre.
Mirëpo, të dyja këngëtaret kanë vendosur t’u tregojnë të gjithëve se ato nuk do të jenë si Tupac dhe Biggie apo Britney dhe Christina.
Rihanna dhe Rita kanë ndarë një puthje gjatë një feste ditëlindjeje. Më pas, këngëtarja me prejardhje shqiptare ka publikuar në Twitter një fotografi në të cilën shihet krijuesja e hitit “We Found Love” duke e puthur atë në qafë.
Ndërkohë që fotografia është dëshmi se nuk ka armiqësi mes tyre, me siguri se ajo do të nxisë spekulime të reja rreth bisekusalitetit të Rihannas, ndërsa do të vihet në dyshim edhe seksualiteti i Ritës. 

Frutat nuk janë aq të pastra sa mendoni ju!

Mjeku Hao Feng jep këtë këshillë: pemët duhet larë me frushkuj të hovshëm të ujit, në atë mënyrë që t'i largoni 90% të baktereve të mundshme që gjenden në to.
Shkencëtarët për ushqim kanë raportuar se frutat, sikurse pjeshkat, kërkojnë pastrim më të kujdesshëm sesa llojet e tjera të pemëve, që kanë shtresë të lëmuar, si, për shembull, mollët.
Papastërtia që gjendet në lëvoren e ananasit dhe në frutat e agrumeve mund të rrjedhin gjatë prerjes së tyre. Me këtë rast frutat duhet te lahen mirë para se të priten.
Manaferrat, boronicat, qershitë, etj., duhen futur në ujë të vakët me pak kripë për një minutë, pastaj shpëlahen mirë dhe thahen. 

Të rriturit konsumojnë më shumë pemë dhe perime

Në raport me të rinjtë, të rriturit konsumojnë sasi më të mëdha të karotenoideve, flavonoideve dhe fitonutricientëve tjerë të cilët janë të pranishëm në pemë dhe perime.
Nëse bëhet krahasimi në ushqimin e të rriturve dhe të rinjve, prania e karotenoideve në ushqimin e të rriturve është 20 për qind më e lartë sesa te të rinjtë, po ashtu konsumimi i flavonoideve është për 40 për qind më i lartë, ndërsa marrja e acidit ellagjik është për 80 për qind më e lartë te të rriturit.
Fitonutricientët janë komponentë bimorë që kanë efekt mbrojtës në shëndet.
Kështu, karotenoidet, sikurse beta-karoteni ose glikopeni, mund të ofrojnë mbrojtje nga kanceri i gjirit, ovariumeve dhe prostatës; flavonoidet si kvercetina dhe antocianidi mund të mbrojnë trurin; ndërsa acidi ellagjik që gjendet në dredhëza dhe në arra, mund të ndihmojë në luftën kundër disa formave të karcinomës, duke përfshirë edhe karcinomën e prostatës dhe gjirit. 

Yahoo shet aksionet në Alibaba?

Yahoo mund të jetë pranë një marrëveshje për të shitur një pjesë të aksioneve të saj të çmuara në faqen e saj kineze për tregti elektronike, Alibaba.
Bloomberg Businessweek ka cituar burime anonime në raportimin e saj për kompaninë e madhe amerikane të internetit, Yahoo, e cila së shpejti thuhet se do të publikojë marrëveshjen përmes së cilës do të njoftojë se ka shitur rreth 40 për qind të aksioneve të saj në Alibaba.
Sipas këtij burimi të informacionit, transaksioni mund t’i sjellë Yahoo’së rreth7 miliardë dollarë të reja në biznes, me të cilin është duke vuajtur jo pak.
Përfaqësuesit zyrtar të Yahoo dhe Alibaba kanë refuzuar të komentojnë lidhur me lajmin e publikuar.

Guximi dhe marrëzia shkojnë së bashku (Video)

Tre tinejxherë rusë kanë treguar guximin (apo marrëzinë) e tyre duke u ngjitur pa pajisje sigurie në një urë në ishullin Russky.
Të rinjtë që e kanë sfiduar vdekjen, veprën e tyre e kanë xhiruar dhe e kanë lansuar në YouTube.
Ura është e lartë 320 metra, ndërsa tinejxherët janë ngjitur lartë dhe kanë bërë fotografi. 

Protestat në Chicago ua prishin martesën

Një çift në Chicago kishte planifikuar martesën e ëndrrave. Tim dhe Beth Alberts janë nisur drejt qendrës së qytetit për në kishë, mirëpo në dasmën e tyre kanë ardhur mysafirë të paftuar – mijëra protestues.
Demonstrues të shumtë e kanë vërshuar Chicagon, ku po mbahet samiti i NATO-s, me slogane kundër Aleancës, por aktiviteti i tyre ka shkatërruar ëndrrën e çiftit.
Nusja është habitur me numrin e njerëzve që kalonin pranë, ndërkohë që “fotografitë e dasmës” i ka parë e gjithë bota.