Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka shprehur sërish pakënaqësitë e tij me punën e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shqyrtojë zëvendësimin e këtij delegacioni, pasi që ekipi dialogues i udhëhequr nga kryenegociatorja Edita Tahiri, sipas tij, nuk ka arritur të përfaqësojë si duhet Kosovën në dialog.
Kryeparlamentari Krasniqi, tha se nuk është për ndërprerjen e dialogut, por për rivlerësimin dhe rishikimin e performacës dhe rezultateve të Kosovës në këtë dialog.
“Ndërprerja e bisedimeve nuk është zgjidhje. Zgjidhja duhet të kërkohet në bisedime. Unë nuk po insistoj, por në këto bisedime delegacioni nuk ka poseduar njohuri të mjaftueshme, dhe ata që e kanë formuar këtë delegacion duhet të mendojnë në rikompozimin e tij”, tha Krasniqi.
Pas deklaratave të Krasniqit, partitë opozitare në prononcimet e tyre për Radion Evropa e Lirë, thonë se nuk është problemi vetëm te kryenegociatorja Edita Tahiri dhe ekipi i saj, por problemi është shumë më thellë.
Opozita madje kërkon ndërprerjen e këtij procesi.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK ka tërhequr vërejtjen që nga fillimi se Kosova ka hyrë në këtë proces e papërgatitur, pa agjendë dhe pa një qëllim të caktuar.
“Si proces i tillë nuk konsiderojmë se është i dobishëm që të vazhdojë. Sigurisht që edhe vet zonja Tahiri ka përgjegjësi, dhe në vend që të ofrojë informata, ne deputetët, Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës, nuk duhet të shkojmë nëpër sportele e të shohim mos na ka dërguar ndonjë letër Edita, me informata se çfarë po ndodhë, por atë ajo vet duhet të dalë para opinionit për të shpjeguar”, u shpreh Beqiri.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se përgjegjësia për disa nga marrëveshjet më të rëndësishme, siç ishte ajo për fusnotën, i takon vet kryeministri Hashim Thaçi. Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se zgjidhja, nuk duhet kërkuar vetëm në zëvendësimin e këtij ekipi.
Ai thotë se Kosova ka nevojë për një Qeveri kalimtare, e cila do të zbuste dhe riparonte sado pak dëmet që vendit po ia shkakton Qeveria e tashme.
“Ne duhet ta shqyrtojmë mundësinë e ndërprerjes së këtij procesi të dëmshëm për Kosovën. Jam i bindur që dorëheqja e Qeverisë dhe një qeverisje kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme do të mundësonte normalizimin e situatës në Kosovë dhe ndaljen e këtyre dëmeve që po i shkaktohen Kosovës. Pra, nuk mund ta kërkojmë kokën e Edita Tahirit, në kuptimin politik, për shkak se vendimet po merren nga zoti Thaçi”, tha Ramadani.
Zëvendësimi eventual i anëtarëve të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, duket se nuk do ta joshte shumë opozitën.
LDK-ja, sipas Ismet Beqirit, në asnjë formë, nuk do të ishte pjesë edhe e një ekipi të ri nëse krijohet. Aq më tepër, rikompozimi i delegacionit, sipas tij, mund të kërkohet edhe për shkak të një procesi negociues për veriun, ku LDK mendon se nuk do të përfshihet.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se AAK nuk sheh interes që t’i bashkohet ndonjë ekipi tjetër eventual, duke preferuar më shumë kontributin opozitar përmes Parlamentit.
Sidoqoftë, bisedimet Kosovë - Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, deri më tash kanë prodhuar shtatë marrëveshje të prezantuara vetëm në formën e konkluzioneve.
Mirëpo, ndërmjetësuesi, në këtë rast BE-ja, ende nuk ka bërë edhe një vlerësim të zbatimit të tyre nga ana e palëve në bisedime.