Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës përmes një kumtese për media ka thënë të hënën se duke parë që po manipulohet me çështjen e Degës së Forumit rinor të LDK-së në Podujevë, njofton se personat e paraqitur nga mediet si drejtues të kësaj dege nuk janë ata që e përfaqësojnë Forumin Rinor të Podujevës.
Në kumtesë thuhet se Kuvendi zgjedhor i Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është mbajtur më 26 tetor 2011, ku kanë marrë pjesë 88 delegatë nga 101 sa i ka Kuvendi i FR të kësaj dege. Më tej thuhet se në këtë kuvend është zgjedhur kryetari i FR të LDK-së, Fidan Rekaliu dhe Kryesia e FR të LDK-së.
“Çdo tentativë që tjetërkush të paraqitet në emër të Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është e pabazuar, qoftë nga individët, qoftë nga mediat”, bëhet e ditur në komunikatë.
Po ashtu thuhet se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke respektuar vullnetin e të rinjve të Podujevës, si dhe të degës së LDK-së në Podujevë, mbështet Rekaliun në punën e tij dhe fton të gjithë aktivistët e Forumit që ta ndihmojnë forcimin e mëtejmë të LDK-së në Podujevë.