Hamza e pranon se Kosova do të preket nga kriza

Për herë të parë, ministri i Financave, Bedri Hamza, pranon se kriza globale do ta prek edhe Kosovën, por sipas tij, do ketë limite, ngase Kosova nuk ka zhvillim të mirë ekonomik e nuk ka si të goditet shumë. Sa i përket tatimit në pronë, megjithëse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rekomanduar të jetë 0.05 për qind, ai thotë se më e ulëta do të jetë 0.15 për qind, e për më shumë vendosin vet kryetarët e komunave.

“Efektet e krizës globale dhe të eurozonës kanë ndikim të kufizuar në Kosovë. Nuk janë pa ndikim, por është ndikim i kufizuar. Një prej arsyeve është se Kosova nuk ka shumë qasje në tregjet financiare nuk jemi në atë zhvillim apo në atë nivel që të jemi pjesë e tregjeve financiare globale. Më tepër kriza në Eurozonë tash njihet si krizë e borxheve”, tha ministri i Financave Bedri Hamza.
Ai pranon se me gjithë planin fillestar që deficiti buxhetor këtë vit të jetë rreth 3 për qind, pas marrëveshjes me FMN-në, do të merren masa strukturore dhe planifikohet që në fund të 2012 të jetë rreth 2 për qind.
Bilanci i lirë bankar për shpërndarje, sipas Hamzës, këtë vit do të jetë rreth 40 milionë euro më pak se në vitin 2011.
Ndërsa, nga 5 milionë euro sa janë rezervë buxhetore tashmë gjysma e tyre janë ndarë për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore që kanë ndodhur në vetëm tre muajt e parë.
“Gjatë planifikimit të buxhetit për këtë vit, kemi qenë mjaft të kujdesshëm, kemi marrë në konsideratë ecuritë në Eurozonë e cila mund ta ketë ndikimin e vet në ekonominë e Kosovës, qysh është çështja e remitencave, të cilat në Kosovë vijnë kryesisht nga dy ekonomi që janë mjaft stabile, pra nga Gjermania dhe Zvicra”, tha ai.
Ministri Hamza tha se është nevojë e Kosovës që rritjen ekonomike të jetë 7 për qind, me qëllim të ndikohet në uljen e papunësisë në zvogëlimin e varfërisë e shumë të tjera.
“Nuk ka asnjë indikacion që neve na thotë se rritja ekonomike mund të jetë nën 3.8 për qind, pra të hyrat po performohen mirë, ekzekutimi i buxhetit është t’u ecë mirë, ka investime në sektorin privat, ka zhvillime të projekte të caktuara , nuk e vërejmë se ka ndonjë rënie të konsumit, inflacioni në masë të madhe është stabilizuar dhe pritet të jetë brenda parametrave të caktuar, prandaj nuk presim që të jetë nën 3.8 për qind”, tha ai.