Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, nuk ka pranuar të komentojë akuzat nga themeluesi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, për keqpërdorimin e Fondit të tre përqindëshit, duke thënë se kjo çështje është kapitull i mbyllur.
I kontaktuar nga Kohavisioni, Bukoshi, tash zëvendëskryeministër në mandatin e dytë të Qeverisë Thaçi, ka thënë se nuk dëshiron të merret me çështjet që kanë të bëjnë me këtë fond, duke e quajtur kapitull të mbyllur.
“Kam punë më të mençura sesa kjo”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bukoshi përmes telefonit.
Për çështjen, ka folur edhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ky i fundit është shprehur as nuk ka asnjë kërkesë nga ndonjë grup parlamentar që të diskutohet në Kuvend për Fondin e tre përqindëshit apo për Fondin “Vendlindja thërret”.
“Nëse ka kërkesa të tilla në vijë procedurale sigurisht që mund të debatohet në kuvend. Por, deri tash nuk mund të vendosim diçka në rend dite që njerëzit për një apo tjetër arsye ngritin çështje nëpër mediat e shkruara apo elektronike”, ka theksuar Krasniqi.