Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, u prit në Munih të Gjermanisë nga eurodeputeti Bernd Posselt. Në takim u bisedua për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë për proceset nëpër të cilat shteti i Kosovës do të kaloj në të ardhmen.
Duke e falënderuar Posseltin për përkrahjen e vazhdueshme të tij për Kosovën si eurodeputet dhe për përkrahjen e mërgimtarëve tanë që jetojnë në Gjermani, Makolli tha se shteti i Kosovës ka nevojë për miq, të cilët me kohë janë radhitur në krah të së drejtës së popullit të Kosovës për Liri e Pavarësi.
Gjatë takimit, Makolli e njoftoi nikoqirin edhe me objektivat që ka Ministria që ai drejton, duke potencuar se, vetëm në shtetet gjermano folëse jetojnë rreth 80 për qind e të gjithë mërgimtarëve nga Kosova.
Ai e njoftoi eurodeputetin Posselt edhe me politikat e Qeverisë së Kosovës në për përkujdesje të diasporës që njëherësh nxisin edhe integrimin e tyre si dhe për pozitën e pjesëtarëve të diasporës kosovare në Gjermani.
Me këtë rast, eurodeputeti gjerman Bernd Posselt, premtoi angazhimin e tij edhe në të ardhmen për përkrahje të mërgimtarëve nga Kosova që jetojnë në Gjermani, njofton Zëri.
Ai po ashtu e njoftoi ministrin Makolli me takimet e tij të vazhdueshme me zyrtarë dhe eurodeputetë nga 5 vende të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kërkuar nga ta që të ndikojnë në qeveritë e vendeve të tyre që ta bëjnë një gjë të tillë.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli në takim me eurodeputetin gjerman Posselt ishte i shoqëruar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Stuttgard.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, Makolli mori pjesë edhe në punimet e Forumit Pan Evropian, të mbajtur më 17 dhe 18 mars 2012 në Munih. Ky forum u organizua nga Unioni Panevropian Gjerman.