Xavi: Madrilenët, humbës të këqinj

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka akuzuar Real Madridin për mos pranimin e disfatës për t’u kualifikuar në gjysmëfinalen e Copa del Rey, përderisa nuk la pa akuzuar as Lassana Diarran për një start të ashpër.
“Ata janë të pa besueshëm...ata nuk dinë se si të humbasin”, theksoi Xavi për Barca TV.
Së fundmi janë zbuluar fakte edhe më të mëdha nga madrilenët se gjyqtari Teixeira Vitienes ka referuar pro Barcelonës në sfidën e zhvilluar në Camp Nou, e çka na garanton se fundi i polemikave është ende, shumë shumë larg.

Kritikohet tatuazhi i Rihannas

Duket se jo të gjithë pëlqejnë tatuazhin e ri sikurse të Tupac të cilin e ka bërë pop ylli Rihanna.
Bukuroshja nga Barbados e nderoi reperin legjendar duke bërë një foto me tatuazhin e ri ‘Thug Life’, i cili u prit si bombë në rrethet e gjera në Twitter.
Përkundër faktit se shumica e ndjekësve të saj në Twitter e kanë pritur mirë tatuazhin e ri, ka pasur shumë të cilët e akuzonin Rihannan për përfshirje në rendin e ri botëror, apo siç quhet ndryshe Illuminati dhe e akuzonin se ajo nuk ka të bëjë aspak me ‘Thug Life’ e as me Tupac.
“Mos lejoni që Tupac të vdes. Po shoh gjëra interesante këtu, nuk mund të mohoj, jam problematike. Por më mirë mos hyni në telashe me mua”, ka shkruar Rihanna si përgjigje në Twitter. 

Çitaku cakton ‘detyrat e shtëpisë’ për vitin 2012

Në organizim të Ministrisë së Integrimit Evropian, të premten u mbajt takimi i gjashtë i Komitetit Punues për Integrim Evropian. Me këtë rast u diskutua rreth fillimit të dialogut për liberalizmin e vizave dhe adresimin e sfidave të identifikuara në Raportin e Progresit 2011.
Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku, sipas një komunikate për media, shprehu përkushtimin e plotë të qeverisë në zbatimin e reformave të parapara me objektivat e kryeministrit për vitin 2012 dhe Planin e Veprimit për Partneritetin Evropian.
Çitaku nënvizoi se viti 2012 do të karakterizohet me kryerjen e detyrave të shtëpisë, duke u bazuar në dy shtylla kryesore: procesin e liberalizimit të vizave dhe avancimin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, sekretarët e përgjithshëm të ministrive raportuan rreth progresit dhe sfidave në kuadër të përmbushjes së obligimeve të ministrive të tyre e që parashihen me kornizën strategjike në fushën e integrimit evropian.

Shkalla e dytë liron të arrestuarit e ‘Vetëvendosjes’

Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka anuluar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Komunale në Podujevë për arrest shtëpiak të 8 aktivistëve të “Vetëvendosje” dhe një qytetari të arrestuar në protestën e 14 janarit në Podujevë, si dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim në shkallën e parë.
Vendim i shkallës së dytë është marrë pas ankesës që kanë ushtruar mbrojtësit e Frashër Krasniqit, Salih Zybës, Naim Bunjakut, Bekim Sylejmanit, Genc Musës, Hysen Durmishit, Musa Ajetit, Gëzim Hysenit dhe Sabri Bajraktarit.
Ky i fundit e kishte mohuar në seancën dëgjimore se ka qenë pjesëmarrës në protestë, por ka thënë se kishte ardhur nga Dragashi për ta shitur një veturë në Podujevë dhe se është arrestuar e rrahur nga policia kur ka dalë prej një kafeneje në dalje të qytetit, raporton Koha.
Sipas Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, aktvendimi është i paligjshëm sepse në të nuk janë përshkruar veprimet e secilit të pandehur veç e veç, pastaj veprimet e të pandehurve nuk hyjnë në vepra penale nga kapitulli XXVIII i KPK-së.

Schweini: Ribery, ndër më të mirët në botë

Mesfushori i Bayernit të Munichut, Bastian Schweinsteiger, ka lëvduar kolegun e tij Franck Ribery, duke thënë se ai është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë.
Ylli gjerman ndjen se Ribery është lojtar i cili është tepër i nevojshëm për ekipin nga Allianz Arena dhe shpreson që ai të jetë i gatshëm fizikisht deri në fund të sezonit.
“Frank është lojtar shumë i rëndësishëm për Bayernin. Ai është ndër pesë lojtarët më të mirë në botë. Është me rëndësi për synimet tona që ai të mbetet i përgatitur fizikisht”, potencoi Schweini.

Zyrtare: Juventusi huazon Caceres

Juventusi ka kompletuar transferimin e Martin Caceres nga Sevilla, në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit.
Juve besohet se do të paguajë 1.5 milionë euro për huazimin e Caceres, por me opsionin për ta blerë atë për një vlerë prej 8 milionë eurosh në fund të sezonit.
“Ne kemi pasur vetëm pesë mbrojtës, kështu që ishte e nevojshme kjo blerje. Ai është lojtar që tashmë njeh klubin, kështu që do të na marrë pak kohë adaptimi i tij. Ai vjen tepër i motivuar”, theksoi Conte.

Qumështi VITA prodhohet me standardet më të larta botërore

Kompania për prodhimin e qumështit Vita, Devolli Group, ka reaguar ndaj shkrimit ‘Qumësht i pluhurosur”, i botuar të premten në gazetën Express. Burimet e kësaj gazete të marra nga Dogana e Kosovës se gjoja Devolli Group është kompania që më së shumti punon me qumësht të pluhurosur, 'janë të pavërteta'.
Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë:
Nëse në Kosovë çdo vit futen me qindra e mijëra kilogramë qumësht pluhur, kjo nuk do të thotë se duhet t’i drejtohemi qumështores më të madhe vendore, e cila që nga viti 2003 ka filluar përpunimin e qumështit VITA, si rezultat i bashkëpunimit frytdhënës me firmën multinacionale Tetra Pak.
Vita është qumështi i parë në Kosovë, i përpunuar me teknologjinë më moderne UHT (në temperaturë të lartë) dhe i paketuar me ambalazhën Tetra Pak.
Teknologjia e lartë e përdorur në paketimet e Tetra Pak siguron qëndrueshmërinë e qumështit si dhe nuk lejon përdorimin e qumështit pluhur. Ushqyeshmëria dhe shija natyrale ruhen me muaj, pa pasur nevojë për ngrirje të thellë apo ndonjë formë tjetër të ruajtjes së veçantë.
Qumështorja Vita kontribuon në ekonominë vendore e posaçërisht në sektorin e bujqësisë duke punësuar mbi 150 persona, ndërsa pas përfundimit të projektit të ri (Fabrika e re në Radushë) pritet që numri i të punësuarve të rritet në 250.
Fabrika e qumështit VITA furnizohet me qumësht të freskët nga më shumë se 160 fermerë të mëdhenj në mbarë Kosovën, të cilët vazhdimisht i ndihmon duke iu dhuruar mjete për ftohjen e qumështit dhe ngritjen e cilësisë së tij. Për më tepër, qumështorja VITA ka mbi 40 pika grumbulluese të cilat furnizohen me qumësht të freskët nga më shumë se 1000 fermerë të vegjël. Gjatë këtij procesi të përpunimit të qumështit, sigurohen të ardhura të garantuara për mijëra qytetarë për çdo vit.
Nga çdo fermë mirret mostra e qumështit që i nënshtrohet analizave kimike.
Pas analizës në fermë, bëhet transportimi i qumështit deri në fabrikë për përpunim. Sapo të arrijë në fabrikë, qumështi i nënshtrohet analizës mikrobiologjike. Gjatë tërë procesit të përpunimit, që nga mjelja e deri te paketimi, qumështi asnjëherë nuk bie në kontakt me dorën e njeriut.
Si e vetmja qumështore që e zbaton udhëzimin administrativ 12/2006, VITA grumbullon sasinë më të madhe të qumështit në tërë territorin e Kosovës. Kur dihet se Kosova ka 32 fabrika për përpunimin e qumështit të freskët, qumështorja Vita grumbullon sa 31 qumështore së bashku.
Qumështorja Vita është e licensuar sipas standardeve të AUVK-së për përpunimin e qumështit. Gjithashtu është e pajisur me certifikatat ISO 22000 që është standardi më i lartë botëror për përpunimin e ushqimit.
Standardi tjetër sipas së cilit vepron qumështorja Vita është edhe HACCP, që ka të bëjë me kontrollimin e rrezikshmërisë gjatë procesit të prodhimit.
Dhe mbi të gjitha, qumështi Vita kontrollohet në baza ditore nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik.
Duke vepruar gjithmonë në të mirë të konsumatorëve dhe duke pasur përgjegjësi dhe angazhim maksimal në ofrimin e qumështit me kualitet sa më të lartë, qumështorja VITA siguron se nuk përmban asnjë përqindje të qumështit pluhur. Për më shumë, mund të kontaktohen zyrtarët e Doganës së Kosovës për të mësuar saktësisht se cilat kompani importojnë qumësht pluhur.
Përkushtimi dhe angazhimi i madh për prodhimin e qumështit të freskët të kualitetit sa më të lartë, shpërblehet vazhdimisht nga konsumatorët të cilët jetojnë çdo ditë me qumështin VITA.

Makolli: Diaspora shqiptare është një dhe e pandarë

Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli priti sot në një takim Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi. Ky takim u zhvillua në vazhdën e koordinimit të politikave të përbashkëta për diasporën që ministri Makolli i realizon me zyrtarë të lartë të Republikës së Shqipërisë.
Ministri Makolli edhe në herë potencoi se diaspora është një dhe e pandarë, prandaj ai vlerësoi se politikat e të dyja shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, në këtë fushë duhet të jenë të përbashkëta. Në këtë kontekst, Makolli përmendi edhe hartimin dhe zhvillimin e politikave në avancimin e mësimit plotësues për fëmijët në diasporë.
Të dy ministrat, Makolli dhe Bumçi, folën edhe për hapjen e Qendrave Kulturore në Diasporë, ku po ashtu pati një pajtueshmëri të zyrtarëve të lartë shtetërorë se, edhe në këtë çështje duhet të ketë një koordinim të aktiviteteve, për hapjen e tyre.
Në takim u fol edhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të shënimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar. Në këtë aspekt, të dy ministrat, u pajtuan që të bashkëpunojnë ngushtë në organizimin dhe mbështetjeje e një mori aktivitetesh, si organizimin e një simpoziumi shkencor, ku do të trajtoheshin çështje të historisë kombëtare, si dhe aktivitete tjera që ndërlidhen me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe katër vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Luftë e ‘dështuar’ kundër korrupsionit

Mënyra e hartimit të strategjive të deritashme për ta luftuar korrupsionin, ka qenë e gabuar dhe ka ndikuar negativisht në këtë luftë, vlerësojnë përfaqësuesit e Lëvizjes për qeverisje të mirë dhe qytetari aktive “Fol”.
Në një tryezë, të cilën e ka organizuar kjo Lëvizje, me temën “Strategjia kundër korrupsion 2012-2016”, përfaqësuesit e saj kanë theksuar se në hartimin e strategjisë së re po përsëriten gabimet e ngjashme, ashtu si më parë.
Armend Mazreku, hulumtues në Lëvizjen Fol, ka thënë se strategjia e re, ashtu sikurse ajo paraprake, nuk është fare në funksion të luftimit të korrupsionit. Ai ka kritikuar mënyrën e hartimit të strategjisë së re, duke vlerësuar se ajo ka një varg mungesash.
“Edhe në strategjinë ekzistuese, për fat të keq, nuk është bërë asnjë hulumtim paraprak empirik, i cili, pak a shumë, do të gjurmonte shkaqet, natyrën dhe karakteristikat e korrupsionit në Kosovë dhe që për fat të keq, ka qenë karakteristikë, apo thënë më mirë, ka qenë dobësi e të gjitha strategjive”, ka thënë Mazreku, raporton REL.
Kritikave të përfaqësuesve të Lëvizjes Fol, u është përgjigjur Burim Sadiku, shef i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në Agjencinë Kundër Korrupsion. Ai ka thënë se qëllimi i përgjithshëm i strategjisë së re kundër korrupsionit është që të kontribuojë në reduktimin progresiv të korrupsionit, forcimin e integritetit dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e qeverisjes, si dhe për të promovuar parimin e “tolerancës zero” ndaj korrupsionit.
Ndërkaq, sipas raportit të Organizatës Botërore për luftë kundër korrupsionit, Transparency Internacional, Kosova ka rënë edhe më shumë në rangimin e shteteve, të cilat e luftojnë korrupsionin. Ndryshe, Strategjia Kundër Korrupsion 2012-2016 tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet të miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

2011, Motorola shet veç 1 milion tablet

Motorola ka publikuar raportin e saj të fundit financiar për tremujorin e fundit të vitit 2011, dhe bashkë me të dhënat tjera, kompania ka treguar edhe për numrin e pajisjeve të shitura gjatë kësaj periudhe të vitit.
Për tre muajt e fundit të vitit, Motorola ka shitur jo më shumë se 200 mijë tablet, në krahasim me rivalin Apple i cili ka shitur 15.43 milionë iPad gjatë periudhës së njëjtë.
Në raport, kompania gjithashtu ka thënë se gjatë tërë vitit 2011, ka arritur të shesë 1 milion tablet, një shifër kjo jo e pritur nga Motorola, me siguri.
Mirëpo, në njësinë e telefonave mobil, Motorola ka punuar më mirë, pasi që për tremujorin e fundit të 2011, ka shitur mbi 10.5 milionë telefona mobil, nga gjithsejtë 42.4 milionë telefona të shitur gjatë vitit.
Nga përqindja e plotë e telefonave të shitur, 5.3 për qind e tyre ishin telefona të mençur Motorola. 

Nicki Minaj sikur Lil Wayne femër

Nicki Minaj është sikurse një verzion femëror i Lil Wayne, gjithnjë sipas producentit dhe reperit të njohur amerikan, Birdman.
Reperi amerikan sheh ngjashmëri mes Nicki Minaj dhe Lil Wayne, teksa ka lëvduar krijuesen e hitit “Super Bass” se ka përmirësuar muzikën e saj muajve të fundit.
“Unë sapo erdha nga seanca e dëgjimit të albumit të saj. Ajo është ngritur aq shumë si artiste. Ajo është aq e talentuar dhe aq e frikshme. Është sikurse Lil Wayne femër”, theksoi Birdman. 

Vanessa skuqet, i zhvishen bikinit (foto)

Aktorja e cila është ëndërr e shumë meshkujve, Vanessa Hudgens, është skuqur teksa po shijonte rrezet e diellit në Hawaii, pasi përfundoi duke mbajtur me dorë gjinjtë e saj.Aktorja e “High School Musical” ishte duke u relaksuar në plazh, teksa pa pritmas bikinit e saj ishin zgjidhur dhe e bënë aktoren të skuqet, pasi përfundoi topless duke fshehur me duart gjinjtë.
Fatmirësisht ajo nuk lejoi foto tjera të formatit nudo dhe arriti që në kohë të rregullojë gjithçka. /Telegrafi/



Komente

Ferguson: Jam fenomen

Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e ka përshkruar veten si fenomen, në një intervistë për gazetën prestigjioze amerikane, New York Times.
Ferguson është tash e 25 vjet në krye të Manchester United dhe i pyetur nëse dikush mund të përsërisë një të arritur të tillë, ai tha: “Unë nuk mendoj kështu. Unë jam një fenomen”.
“Unë natyrisht se jam i madh. Nuk ka dyshime për këtë. Tash qenia njerëzore është më e dobët se sa 25 vite më parë. Kemi ide moderne, prindër modern, agjentë modern, kështu që gjithçka po ndryshon. Është botë tjetër për mua, unë është dashur ta ndryshoj dhe veten për t’u përshtatur. Unë kam ndryshuar për shkak të këtyse gjërave”, ka thënë Ferguson.

Ancelotti konfirmon Alex si lojtar të PSG

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka zbuluar se Alex do të jetë tani e tutje lojtar i klubit francez, pasi të prezantohet të premtën pasdite.
“Alex do të jetë lojar i PSG’, ishin komentet e Ancelottit, pak para zyrtarizmit të transferit.
PSG pritet që të paguajë 6 milionë euro për 29 vjeçarin, që rallë herë është aktivizuar nën menaxherin Andre Villas Boas. 

Wenger pasues i Mourinhos?

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke u lakuar seriozisht nga mediat angleze si zëvëndësues i Jose Mourinhos te Real Madridi, pas zërave se portugezi do të largohet në fund të sezonit nga Bernabeu.
Daily Express shkruan se Los Blancos do të intensifikojnë tratativat me Wenger, në rast se Jose Mourinho pëson humbje nga Barcelona përsëri në prill.
Bordi i Real Madridit sipas tabloidit britanik gjithnjë është duke mbajtur sytë kah strategu francez, pa lënë jashtë listës as përzgjedhësin e Gjermanisë, Joachim Loew.

Maxi shumë pranë Milanit

Maxi Lopez është shumë pranë konfirmimit si lojtar i ri i Milanit, pasi duket se Carlos Tevez do të mbetet te Manchester City dhe si alternativë e vetme për drejtuesit e Milanit ka mbetur sulmuesi i Catanias.
Gjithçka pritet të definohet pas orës 18:30, ku në Atahotel po negociohet ende për Carlos Tevez me anë të email-ave dhe në rast të dështimit definitiv për të transferuar Tevez, atëherë zyrtarisht Maxi Lopez sonte në mbrëmje do të jetë lojtar i ri i Milanit.
Lëvizjet e Milanit në merkato po bëhen me qëllim të përforcimit të sulmit, i cili është prekur pas problemeve afatgjate shëndetësore të Antonio Cassanos.

Mourinho: Daniel Alves është gomar

Eladio Parames, zëdhënësi i trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, ka ofenduar mbrojtësin brazilian, Daniel Alves, pas ndeshjes që pëfundoi me rezultat 2-2 në Camp Nou mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Parames po ashtu kritikoi nivelin e referimit në Spanjë, duke thënë se Barcelona ka përkrahje nga gjyqtarët kur vuan nëpër ndeshjet e mëdha.
“Çfarë ka ndryshuar prej se Dani Alves erdhi në Spanjë? Ai i është nënshtruar operimit të veshëve, ata janë bërë më të vegjël. Dhe ai tani po mban syze si intelektual. Sidoqoftë, një gomar me veshë të vegjël dhe me syze nuk është krejt rastësisht një mjek, ai mbetet gomar”.
“Unë e kam thënë edhe më parë këtë. Kur Barcelona luan mirë, ata fitojnë. Kur kundërshtarët e tyre luajnë më mirë, atëherë gjyqtari i ndihmon të fitojnë”, u shpreh Parames në Twitter.
Më tej Parames zbuloi atë që i ka thënë Jose Mourinho gjyqtarit Teixeira Vitienes në parking, pas ndeshjes ku referimi ishte në qendër të akuzave të Los Blancos.
“Ju nuk keni respekt për profesionistët. Ju do të shkoni tani për të pirë një cigare dhe të qeshni me atë që keni bërë, bastard”, përfundoi zëdhënësi i Mourinhos.

Emery: Mund ta mposhtim Barcelonën

Trajneri i Valencias, Unai Emery, mendon se skuadra e tij mund ta eliminojë Barcelonën nga Kupa e Mbretit.
Me një fitore të përgjithshme prej 7-1, në të dyja ndeshjet, Los Che siguruan gjysmëfinalen e Kupës ku i pret Barcelona.
“Po, do të jetë vështirë. Mirëpo ne mund t’ia arrijmë. Do të mundohemi. Sa i përket motivimit, po, ne do të jemi favoritë”, ka deklaruar Emery. 

Termokos shpenzon 60 mijë euro në ditë për ngrohje

Bordi i Drejtorëve i ngrohtores Termokos, është duke e përcjellë në vazhdimësi situatën e furnizimit me ngrohje nga Termokosi. Duke falënderuar të gjithë ata konsumatorë, që janë parapagues të rregullt të faturave të ngrohjes, Bordi i Drejtorëve të Termokos-it apelon edhe një herë tek të gjithë konsumatorët, që të kryejnë obligimet, që kanë ndaj Termokos-it.
“Kostoja e lartë e prodhimit të energjisë ngrohëse e posaçërisht çmimi i lartë i mazutit (rreth 750 euro për ton), me një tendencë ngritjeje të vazhdueshme, ka rritur domosdonë e ngritjes së gjenerimit të të hyrave, pa të cilat nuk mund të realizohet ngrohja”, thuhet në komunikatën ëpr media të kësaj ngrohtore.
Nga kryerja e obligimeve të konsumatorëve tanë varet edhe fati i projektit të koogjenerimit, realizimi i të cilit me një nivel të tillë të kryerjes së obligimeve të konsumatorëve ndaj “Termokos-it mund edhe të rrezikohet.
Për furnizimin ditor me energji ngrohëse për afro 12.500 konsumatorë, në këto temperatura të ulëta Termokosi shpenzon afro 80 ton mazut, që e shprehur në vlerë monetare kushton rreth 60 mijë euro.
Apelojmë edhe një herë tek konsumatorët tanë, që të kryejnë obligimet që kanë ndaj Termokos-it, gjë që është parakusht për vazhdimin e ofrimit të ngrohjes

Nuk ka para për hekurudhën Kosovë-Shqipëri

Në fund të nëntorit do të përurohet 60 kilometërshi i autostradës Morinë – Merdar. Linja ajrore Prishtinë – Tiranë ka përpjekje që të rikthehet në funksion. Ndërsa, me gjithë planet dhe premtimet, tani për tani, nuk do të ketë investime për ndërtimin e linjës hekurudhore që lidh Kosovën me Shqipërinë. Kështu është thënë të premten, në Prishtinë, nga ministri i infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota dhe ai i transporteve dhe punëve publike të Shqipërisë, Sokol Olldashi.
Të dy ministrat kanë biseduar edhe për një varg çështjesh që kanë të bëjnë me hapësirën e lartë ajrore, e cila, aktualisht është kompetencë e NATO-së.
Sa i përket rikthimit të vijës ajrore Prishtinë – Tiranë që llogaritet të jetë ndërprerë për shkak të konkurrencës që i ka bërë autostrada, ministrat kanë vendosur të gjejnë modalitete dhe lehtësira që sërish në kuptimin ekonomik ta bëjmë më të arsyeshme këtë linjë ajrore.
Ministri Mujota, ka bërë të ditur se me gjithë përpjekjet dhe lehtësirat, kjo do t’i mbetet tregut të vendos. “Aq më mirë është të rikthehet kjo vijë ajrore. Ne tani biseduam edhe për disa detaje të lehtësimeve që do të vendosim si Qeveri e Kosovë në raport me atë në Tiranë, por ka një rëndësi edhe simbolike edhe të interesit tjetër që vija ajrore Prishtinë- Tiranë të ekzistojë”, u shpreh Mujota.
Ministrat e të dyja vendeve nuk kanë lënë asnjë alternativë transporti që lidh këto dy vende pa e diskutuar.
Por, kur është përmendur linja hekurudhore, ministri Sokol Olldashi, tha se nuk është koha të shpenzohet për të. “Ne po punojmë edhe për fizibilitetin e një linje hekurudhore që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Sigurisht që është një vepër infrastrukturore që do të kërkojë mobilizime të mëdha financiare dhe të jemi realist se nuk është periudha më optimale për të menduar për shpenzime kolosale siç e do linja e tillë hekurudhore por kjo nuk na pengon ne që të ecim hap pas hapi”, theksoi Olldashi.
Sa i përket portit të Shëngjinit, që të dy Qeveritë ka kohë që janë pajtuar që të jetë nën menaxhimin e autoriteteve të Kosovës. Ministrat janë deklaruar se nuk mund t’i detyrojmë transportuesit e Kosovës që ta shikojnë si një alternativë këtë port, siç e shikojnë tani alternativë portin e Durrësit. 

PTK rrit profitin dhe ul shpenzimet

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka nënshkruar kontratë të re me Monaco Telecomin për shfrytëzimin e kodit telefonik +377 me kushte shumë më të favorshme sesa ajo paraprake me koordinimin dhe aprovimin e Bordit të Drejtorëve dhe Aksionarit.
Kontrata me Monaco Telecomin ka pasur validitet deri në fund të këtij viti, por me insistimin e menaxhmentit të ri të PTK-së, përkatësisht u.d të KE-së, Nuredin Krasniqi e njëjta është rinegociuar dhe janë arritur kushte shumë më të favorshme për PTK-në.
Gjatë negociatave të zhvilluara nga kreu i PTK-së është arritur pajtueshmëri e plotë mes dy palëve që të ulen shpenzimet e PTK-së për 50 për qind krahasuar me kontratën e vjetër. Kontrata e re e cila është nënshkruar dje në Monaco, në emër të PTK nga u.d. i KE-së, Nuredin Krasniqi dhe nga drejtori gjeneral i Monaco Telcom, Martin Peronnet, hyn në fuqi në mënyrë retroaktive që nga data 1 janar 2012.
Marrë në përgjithësi në fund të vitit 2012 PTK do të ketë në arkën e saj rreth 6 milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar vetëm si rrjedhojë e kësaj kontrate të re, ndërsa deri në përfundim të kontratës rreth 20 milionë më tepër.
Siç dihet në mungesë të kodit telefonik të Kosovës, që nga paslufta e këndej, nga fillimi i operimit të telefonicë mobile Vala, përdoret kodi telefonik hyrës ndërkombëtar i Monaco Telekomit.
PTK-ja në vazhdimësi e ka ngritur këtë çështje në të gjitha instancat vendore dhe ndërkombëtare se mungesa e kodit, përveç të tjerash, krijon humbje të konsiderueshme, respektivisht shpenzime të mëdha operacionale, ndonëse shfrytëzimi i kodit telefonik të Monacos +377, përbën në vete edhe një kosto prej mbi 8 milionë euro në vit vetëm për shfrytëzimin e resursit të kodit +377 për PTK/Vala-n.
Menaxhmenti i PTK-së me një ekip të kryesuar nga U.D. i PTK-së, Nuredin Krasniqi, ka arritur që të zbret këtë kosto për më shumë se 50 për qind për vitin aktual në favor të PTK-së duke shënuar kështu një tjetër arritje në aspektin financiar dhe operativ për kompaninë, ndërkohë që përderisa nuk sigurohet kodi, PTK do të mund të arrijë tjetër zbritje me Monaco Telekomin, deri në 70 për qind. “Është një sukses i madh për PTK-në, sepse përveç që do të ketë më shumë të hyra për PTK-në, me këtë kontratë të re do të përfitojnë të gjithë konsumatorët me produkte të reja dhe shërbime shumë më kualitative”, ka theksuar u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-s, Nuredin Krasniqi.
PTK ka tërhequr vërejtjen se mungesa e kodit telefonik shtetëror, përveç që shkakton humbje milionëshe, mund të ndikojë edhe në uljen e vlerës së saj, në një anë, por edhe në stagnimin e zhvillimit të përgjithshëm të PTK-së, nga ana tjetër.
Me kontratën e re ndërmjet PTK-së dhe Monaco Telekomit, këto humbje milionëshe për PTK-në, janë reduktuar në 6 milionë euro, ndonëse kompania do të realizonte më shumë të hyra nëse Kosova do të kishte një kod ndërkombëtar të telefonisë.

Reciprociteti, ndërrim targash

Kompanitë kosovare nuk kanë probleme sa i përket dokumenteve të nevojshme doganore që të zhvillojnë eksportin dhe importin me Serbinë dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, thonë përfaqësues të biznesit dhe afaristë kosovarë.
Kjo është mundësuar në kuadër të një strategjie për lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare ku Dogana e Kosovës ka zvogëluar numrin e dokumenteve të cilat duhet të dorëzojnë kompanitë e ndryshme gjatë shkëmbimeve tregtare, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion. “Numri i dokumenteve gjatë importit nga tetë sa ka qenë, ka rënë në katër dokumente të nevojshme. Kurse, për eksport kërkohen vetëm dy dokumente kryesore, deklarata eksportuese dhe fatura përcjellëse e mallit”, thotë Stavileci.
Edhe afaristë kosovarë, pranojnë se dokumentet përcjellëse nuk paraqesin ndonjë problem. Sipas tyre, shqetësues mbetet vendimi i Serbisë, ku maunet kosovare pasi të hyjnë në territorin e këtij shteti detyrohen të ndërrojnë targat nga ato të Republikës së Kosovës në tabela provuese të Serbisë.
Sylejman Konushevci, menaxher i kompanisë për prodhimin e vajit ushqimor, “Inter Company”, thotë se që nga muaji shtator i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës hoqi masat reciproke ndaj produkteve serbe, kjo kompani eksporton mall në Serbi. “Sa i përket tabelave, ato na i heqin, dhe rregullisht duhet të paguajmë për një muaj tabela provuese. Kështu që maunet tona që eksportojnë duhet çdo herë t’i ndërrojnë tabelat dhe të qarkullohet më tabela provuese. Tabelat për një muaj, vetëm për një maune, kushtojnë 259 euro”, shprehet Konushevci.
Në anën tjetër kompanitë serbe që importojnë produktet e tyre në tregun kosovar, nuk kanë nevojë të ndërrojnë targat e veturave apo mauneve.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, pohojnë se nëse shteti serb nuk ndërmerr masa për largimin e këtij vendimi, autoritetet kosovare duhet t’i përgjigjen në mënyrë reciproke.
Lidhur më këtë, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit thotë se një gjë e tillë nuk mund të jetë e pranueshme. “Kjo është e papranueshme, por për një fazë kalimtare, përderisa po zhvillohen negociatat besoj se do të zgjidhet një problem i tillë. Nëse serbët edhe më tutje vazhdojnë të mos pranojnë tabelat RKS, atëherë edhe Kosova duhet të ndërmarrë hapin tjetër, që edhe kosovarët gjatë hyrjes së veturave apo mauneve të aplikojnë tabela provuese”, thekson Shahini.
Sidoqoftë, që nga muajit shtator i vitit të kaluar, po zbatohet marrëveshja për njohje reciproke të vulave, marrëveshje ko që u arrit gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.
Megjithatë, sipas autoriteteve kompetente, fuqia eksportuese e Kosovës mbetet në nivel të ulët karshi importit nga Serbia.

Opsion energjia alternative

Prodhimi i energjisë përmes hidrocentraleve, energjisë diellore, biomasës dhe erës, shihet si opsioni më i mirë për Kosovën nga shoqëria civile. Mirëpo si zyrtarët aktual, ashtu edhe ata të mëparshëm të qeverisë së Kosovës, e shohin si jetike shfrytëzimin e potencialeve të thëngjillit që i ka vendi.
Sipas një studimi të bërë nga Daniel Kammen, nga Universiteti i Kalifornisë, përkrahur nga shoqëria civile e Kosovës, prodhimi i energjisë alternative shihet si më I mirë për vendin.
Profesor Kammen, theksoi se sipas studimit, rreth 40 për qind e energjisë në Kosovë mund të prodhohet në këtë mënyrë. “Ekziston një opsion, përdorimin si të hidrocentraleve të mëdha edhe të vogla, përdorimin e energjisë diellore, biomasës si dhe përdorimin e gjerë të energjisë elektrike nga era. Ky opsion jep 38 për qind të kërkesë për energji përmes burimeve të ripërtëritshme si dhe siguron pothuaj 30 për qind më shumë vende pune sesa opsioni për një termocentral të ri me thëngjill”, tha Kammen.
Nga ana e tij, krye-parlamentari Jakup Krasniqi, theksoi se janë bërë shumë gabime gjatë viteve në politikat energjetike. “Gjatë këtyre 12 viteve në sektorin e energjisë në Kosovë vërtet janë ndjekë politika të gabuara. Të shpresojmë se do të mbyllet kjo praktikë e politikave të gabuara”, u shpreh Krasniqi.
Mirëpo, Liridon Mavriqi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nuk u pajtua me konstatimet e kryeparlamentarit. “Qeveria e Kosovës vitet e kaluara ka bërë dhe tash vazhdon të bëjë një progres shumë të madh në sektorin e energjisë elektrike, kjo ka filluar bazuar fillimisht në strategjinë e energjisë elektrike e cila është aprovuar nga Parlamenti I Kosovës”, theksoi Mavriqi.Mavriqi, ashtu si edhe ish-zëvendësministri i Energjisë, Blerim Rexha, duke mos e minimizuar rëndësinë e energjisë alternative, theksuan si jetike për vendin, shfrytëzimin e potencialeve të thëngjillit për prodhimin e energjisë nga Termocentralet.

Bashkëpunojnë për konfiskimin e pasurisë

Në vazhdën e fuqizimit të saj, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar (AAPSK) e Ministrisë së Drejtësisë, sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Kjo marrëveshje u nënshkrua në mes të Kryeshefit Ekzekutiv të AAPSK-së, Rrahim Rama dhe Drejtorit të Departamentit të Operacioneve në BQK, Jeton Bajramaj.
Më anë të kësaj marrëveshje, BQK-ja përkujdeset për artikujt e lënë në ruajtje nga ana e Agjencisë në mënyrë standarde, prej momentit të pranimit, deri të momenti i kthimit të tyre.

Kosova ka mbështetje për vendosjen e ligjit në veri

Kosova e ka mbështetjen unike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të vendit, ka deklaruar të premten kryeministri Hashim Thaçi.
Teksa ka folur për akordimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues që me disa përparime të caktuara, kryesisht në veri, t’i jepet fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë për të kaluar në fazën e pavarësisë së plotë, Thaçi ka thënë se ndërkohë mbetet punë dhe angazhim që veriu t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve lokale dhe formimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut, siç e parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit.
“Ne të gjithë jemi të përkushtuar, si Qeveri e Kosovës, të gjitha institucionet ndërkombëtare, me mbështetjen e plotë edhe të Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe aty ishin prezent edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Komisionit Evropian, të baroneshës Catherine Ashton, do të thotë ishte një mbështetje unike që të punojmë këmbëngulësisht për lëvizje të lirë, për rend dhe ligj, për zgjedhje të lira, që të kemi lidership legjitim, që të kemi investime socio-ekonomike, si dhe të kemi formimin e komunës së re”, është shprehur kryeministri Thaçi, raporton RFE.
Kryeministri i Kosovës beson se në fund të këtij viti Kosova do të përmbushë zbatimin e Planit të Ahtisarit, përfshirë edhe veriun duke vendosur edhe atje sundim të rendit dhe ligjit. Duke zbatuar plotësisht Planin e Ahtisarit, si dokument bazë mbi të cilin Kosova kishte shpallur pavarësinë e koordinuar me vendet e saj mike, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet më të fuqishme evropiane, do të përmbyllej edhe faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.

Shekullin e Pavarësisë e festojmë bashkë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Shqipërisë, Aldo Bumçi kanë njoftuar të premten se është synim i dy shteteve që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, në mënyrë që shënimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe i shtrirë në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë.
Ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi gjatë takimit në Prishtinë, me ministrin Bumçi, tha se është biseduar edhe për bashkëpunimin e rregullt që kanë, që duhet thelluar në të ardhmen, në mes të dy ministrive.
“Kosova padyshim që do të ketë kontributin dhe rolin e vet në shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne u pajtuam që gjatë gjithë këtij viti të kemi një koordinim të angazhimeve duke ndihmuar edhe bashkëpunimin institucional mes institucioneve tona vartëse të kulturës, por gjithsesi duke mëtuar që kjo festë të mos jetë një festë që do të ndahet në dy kryeqendra, por një festë gjithëkombëtare që do të shtrihet në qytete tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe qytete tjera në viset e banuara me shqiptarë”, tha ministri Krasniqi.
Ai deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta në çfarëdo aspekti që ia jep plani për shënimin e këtij përvjetori.
“Dy qeveritë tashmë janë në koordinim të të gjitha aktiviteteve. Festa do të fillojë shpejt dhe do të ketë një kalendar me aktivitete që do të zhvillohen gjithandej në hapësirën shqiptare. Qeveria e Kosovës do të marrë përgjegjësinë për të ndarë fonde dhe do të mbështesim edhe institucione tjera në përgatitjen dhe implementimin e projekteve. E rëndësishme është që ka një koordinim institucional dhe nga muaji shkurt do të kemi një konkretizim të kalendarit të ngjarjeve për të shënuar 100 vjetorin”, shtoi ministri Krasniqi.
Ndërkaq, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se fakti se një shënim i 100 vjetorit do të bëhet bashkërisht tregon edhe simbolika që logoja e 100 vjetorit është dizajnuar nga një artist nga Kosova.
“Ky është një vit i rëndësishëm, ku ne duhet të kujtojmë ngjarje dhe personalitete. Kosova ka shkruar vitet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës i ka hapur rrugë pavarësisë së Shqipërisë. Prishtina krahas Tiranës, Vlorës do të jetë një nga qytetet kryesore ku do të mbahen këto manifestime kryesore”, tha ai.

Kosova ka raporte të mira me Turqinë e Portugalinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në dy takime të ndara ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, me të cilën ka biseduar për një varg çështjesh me interes për marrëdhëniet mes të dy vendeve, si dhe ambasadoren e Portugalisë, Vera Maria Fernandes, në një takim lamtumirës.
Në takimin me ambasadoren turke, Jahjaga tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe ky bashkëpunim po zgjerohet e po intensifikohet në vazhdimësi.
Ajo vlerësoi edhe një herë se Turqia ka qenë në vazhdimësi një nga vendet që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo ka kaluar, duke dhënë një kontribut të pakursyeshëm.
Ambasadorja Ozan, theksoi se Turqia do të vazhdojë edhe më tej të jetë në krah të popullit dhe të shtetit të Kosovës dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të njohë vetëm rritje.
Ndërkaq, në takimin lamtumirës me ambasadoren e Portugalisë në Sofje, jorezidente për Kosovën, Vera Maria Fernandes, Jahjaga e vlerësoi ndihmën e vazhdueshme që Republika e Portugalisë ka dhënë për vendin tonë, edhe me pjesëmarrjen në misionet ndërkombëtare në Kosovë, por edhe format e tjera të përkrahjes.

Kartolinë nga India: Familja e lumtur (Video)

Kjo video e postuar në YouTube po bën xhiron e botës dhe po konsiderohet si “kartolina” më e mirë e jetës së lumtur në Indi.
Familja prej gjashtë anëtarësh së bashku me dy qentë janë nisur për rrugë. Të gjithë kanë bërë vend disi në një motoçikletë.
Me rëndësi është që familja të udhëtojë bashkë, ata duken të kënaqur e të shëndetshëm dhe me siguri i pret një argëtim i mirë kur të mbërrijnë në destinacion. 

Tarzani i vërtetë

DeWet Du Toit, një ish roje sigurimi nga Afrika e Jugut e ka shndërruar veten në Tarzan në përpjekje për të luajtur një film për heroin e xhunglës. Bodibilderi 24 vjeçar i papunë u fiksua pas legjendës për Tarzanin derisa jetonte në Namibi si fëmijë, ku babai i tij ka qenë koleksionues i librave dhe stripave për Tarzanin.
DeWet shpreson se atë do ta pikasin agjentët e Hollywoodit dhe një ditë ai do ta luajë rolin e Tarzanit në ndonjë film.
“Unë jam si Tarzani për shumë arsye. Miku im më i mirë është një elefant me emrin Shaka, dhe unë kaloj më shumë kohë me majmunët, zebrat dhe krokodilët sesa me njerëzit. Njerëzit mund të mendojnë se jam i çmendur, por unë e di se kam lindur ta bëjë këtë punë”, thotë DeWet.
Beqari DeWet thotë se figura e tij bie në sy tek femrat. Megjithatë ai ende po pret për ta gjetur vajzën e duhur të cilën thotë se do ta njoftojë edhe me miqtë e tij të xhunglës.

Samsung thyen rekordin e të hyrave dhe fitimit

Samsung ka publikuar raportin e saj të hyrave për tremujorin e fundit të vitit 2011, në të cilin kompania shfaq profitin e saj neto në vlerë prej 4.72 miliardë dollarëve, ose 42 miliardë dollarëve të cilat ajo i ka grumbulluar si të hyra.
Ky është tremujori më i mirë i Samsung ndonjëherë, ndërsa të hyrat dhe profiti i kompanisë kanë ardhur kryesisht nga numri i madh i telefonave të mençur të shitur, të cilët llogariten se i kanë sjell kompanisë rreth 40 për qind të të hyrave.
Njësia e telefonave mobil e Samsung ka sjell një profit prej 2.6 trilion dollarësh për tremujorin e fundit të vitit, ndërsa prodhuesi jug-korean ka shitur mbi 35 milionë telefona të mençur mobil për këtë periudhë kohore.
Përveç telefonave mobil, Samsung ka shitur edhe shumë ekrane panel si dhe semi-konduktor, të cilët i kanë sjellë një pjesë të madhe të hyrave kompanisë.

Si të veproni kur ju mundon udhëtimi...

Kur ju trazoheni para ose gjatë udhëtimit me veturë, aeroplan, anije, etj., detyroheni të merrni ilaçe në barnatore? Nëse po, atëherë po ju japim një recetë të veçantë, që nuk përgatitet në laborantët farmaceutikë, por në kuzhinën e shtëpisë.
Një ditë para se të udhëtoni, përgatitni një çaj të veçantë, që të përbëhet nga sasi të barabarta kanelle, karafilash dhe gjethe mente të thata.
Hidhini përbërësit në ujë të nxehtë dhe lërini aty 15 minuta. Përgatisni 2-3 filxhanë dhe pini nga pak gjatë gjithë ditës.
Të nesërmen, gjatë udhëtimit, do të shikoni që nuk do të trazoheni fare. Përkundrazi, do ta shijoni udhëtimin tuaj.

Pesë mite për meshkujt që duhen përmbysu

A mendoni që me të vërtetë i njihni meshkujt dhe nuk u besoni miteve të njohura përgjithësisht? Më poshtë do të lexoni pesë shembuj që janë rrëzuar nga vetë meshkujt, që janë edhe… të zotët e punës!
Për të gjithë ato që mendojnë që e dinë se kush janë, ja mitet të cilat do t’i thyejnë iluzionet e tyre.
1. Nuk do të të respektojnë nëse do të kryesh marrëdhënie seksuale me të që në takimin e parë
E vërteta është që nëse kryen marrëdhënie seksuale që në takimin e parë, apo në të 100-tin, seksi nuk ka asnjë lidhje me respektin. Çdo njeri është i ndryshëm, por edhe rrethanat janë të ndryshme. Nëse e merr një vendim kaq personal, duke u bazuar jo në atë çfarë do ti vërtet, por çfarë mendon se do tjetri, atëherë je në rrugë të gabuar.
2. Meshkujve u pëlqen “gjuetia”
Nuk u pëlqe të gjithë meshkujve “gjuetia”. Një numër i madh meshkujsh, ndryshe nga çka mund të besohet, nuk merr guximin t’i propozojë një femre, nga frika se mos kjo e refuzon. Ndaj, ndonjëherë të leverdis më shumë të rrish të presësh femrën ta bëjë ajo hapin e parë.
3. Nuk mund të ekzistojë një shoqëri e vërtetë midis një mashkulli dhe një femre
E vërteta është që një mashkull dhe një femër mund të jenë shokë, por kjo është akoma më e lehtë kur nuk ka tërheqje erotike midis tyre. Nga ana tjetër, asnjë nuk mund të garantojë që në një moment dobësie mund të mos biesh në krahët e shokut tënd të ngushtë, sidomos nëse gjëja e parë që mendove kur e pe, ishte “sa i mirë që është”.
4. Meshkujve u pëlqen gjithmonë të lënë diçka për fantazinë…
Po, u pëlqen të dukesh seksi, duke veshur një bluzë që diçka zbulon apo të dalësh nga dushi e mbështjellë vetëm me peshqir.
Por, e di se çfarë u pëlqen akoma më shumë… Nuk është nevoja të ta themi, vajzë e zgjuar je, e kupton vetë!
5. Meshkujt i kanë frikë femrat e pavarura
Shumë prej tyre po. Shumë të tjerë jo, sidomos nëse je poshtë të 40-tave. Meshkujt që nuk i kanë mbushur të 40-tat krijojnë lidhje me femra të pavarura dhe ka raste kur më shumë frikë kanë nga femrat që nuk bëjnë dot pa ta. Një mashkull që është i sigurt në vetvete, merr fuqi nga një femër e pavarur që ka në krahë dhe në vend të frikës, ndjen krenari.

Gisele, manekinia më e pasur

Gisele Buendchen është manekinia më e pasur në botë, pasuria e saj së shpejti do të arrijë shifrën një miliard dollarë.
Vetëm vitin e kaluar, Gisele ka fituar 35 milionë dollarë nga shitja e veshjeve të brendshme nga linja e saj.
Vendin e dytë sa i përket pasurisë e zë Bar Refaeli, e cila ka po ashtu linjën e veshjeve të brendshme për meshkuj dhe femra. Ajo është edhe fytyra mbrojtëse e linjës franceze të veshjeve të brendshme, Passionata. /Telegrafi/

Një baladë nga Andin Randobrava (Video)

Kantautori kosovar, Andin Randobrava, ka lansuar videoklipin e këngës që mban titullin “E imja nuk je”.
Kënga është me muzikë dhe orkestrim të Andinit (Randrobrava Records), ndërsa për tekstin është kujdesur Albatros Rexhaj.
Ndërkaq, puna për videoklipin e kësaj balade i është besuar produksionit “Kosova Production”. /Telegrafi

Tevez te PSG në qershor?

Përfaqësuesi i Carlos Tevez, Kia Joorabchian, ka deklaruar se sulmuesi i Manchester Cityt mund t’i bashkohet Paris Saint-Germainit gjatë afatit kalimtar veror, nëse nuk largohet gjatë këtij afati.
Drejtori sportiv i PSG, Leonardo, ka njoftuar se klubi i tij i ka përfunduar negociatat për transferimin e Tevez në janar, megjithatë Joorabchian thotë se gjërat mund të rifillojnë në qershor.
“Nëse Carlosi nuk largohet nga Manchester City këtë dimër, ne nuk do ta mohojmë mundësinë që ai t’i bashkohet PSG-së në verë”.
“Ky është padyshim një opsion nëse ai nuk nënshkruan për Interin ose Milanin”, citon L'Equipe fjalët e Joorabchian. 

Messi i lënduar nga akuzat se nuk angazhohet për Argjentinën

Tri herë futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, ka pranuar se është lënduar nga akuzat se ai nuk përkushtohet te përfaqësuesja e Argjentinës, aq sa angazhohet me Barcelonën.
24-vjeçari ka bërë namin me Blaugranët, mirëpo ai nuk ka arritur të jetë i suksesshëm edhe me kombëtaren e tij, ndërsa jo rrallëherë është bërë shënjestër e kritikave se nuk angazhohet sa duhet me fanellën e Argjentinës.
“Po, po, dhemb, më ka penguar. Sepse ata thoshin gjëra që nuk ishin të vërteta- se mua nuk më interesonte shumë për fanellën (e Argjentinës)”.
“Unë nuk ndjehesha ashtu, unë nuk mendoja ashtu. Dhe tash, mendoj se njerëzit duhet të kuptojnë se kjo është një lojë ekipore, dhe unë mundohem të luaj njësoj edhe atje sikurse bëj te Barcelona, dhe gjithmonë jap maksimumin”.
“Barcelona është shtëpia ima, sepse edhe klubi edhe njerëzit këtu më kanë dhënë gjithçka, mirëpo unë asnjëherë nuk do të ndaloj së qeni argjentinas”, është shprehur Messi për Time Magazine.

Van Persie shpreson...

Kapiteni i Arsenalit, Robin van Persie, shpreson që Topçinjtë të triumfojnë në Kupën FA dhe në Ligën e Kampionëve.
Pas tri humbjeve radhazi në Ligën Premier, Arsenali gjendet pesë pikë larg pozitës së katërt që e mban Chelsea, ndërsa tifozët nuk janë aspak të kënaqur me gjendjen aktuale të klubit që e duan.
“Ka edhe shumë ndeshje, duhet të rikuperohemi nga këto rezultate, ngjashëm siç e kemi bërë edhe në të kaluarën, do të fitojmë sërish, prandaj gabojnë ata që na përjashtojnë (nga gara)”.
“Ky mund të jetë ende sezon i mirë për ne. Luajmë në Kupën FA dhe në Ligën e Kampionëve. Do të jemi 100% që të sjellim ndonjë nga këto trofe, shpresoj t’i fitojmë të dy”, ka deklaruar holandezi

Bechtel & Enka ka marrë 320 milionë euro

Më shumë se 320 milionë euro deri më tash ka marrë kompania “Bechtel&Enka” për punën që po e bën në ndërtimin e autostradës Morinë – Merdar. Pavarësisht krizës buxhetore në të cilën po kalon Kosova, pagesat ndaj kompanisë deri më tash asnjëherë nuk janë vonuar nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tyre Qeveria nuk guxon ta shkelë qoftë një nen të vetëm të marrëveshjes të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, dhe ish- ministri i transporteve Fatmir Limaj.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, kostoja e ndërtimit të autostradës do të kushtojë më shumë se 700 milionë euro, ku Qeveria do t’i japë kësaj kompanie edhe rreth 400 milionë tjera gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit 2013.
Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota, konfirmon se deri më tash Qeveria i ka dhënë kompanisë “Bechtel & Enka” hiç më pak se 320 milionë euro. Sipas tij, kompania i merr paratë nga Qeveria për çdo punë që e kryen ajo.
Këshilltari i ministrit Mujota thotë se deri më tash të kompletuara janë 38 kilometra, por ai premton se brenda një kohe shumë të shkurtër kompania do të lëshoje në qarkullim edhe 4 kilometra të tjerë, pasi që në to një pjesë e konsiderueshme e punëve kanë mbaruar.
Në anën tjetër zyrtarë të kompanisë “Bechtel&Enka” janë tejet të kënaqur me zbatimin e kontratës së nënshkruar me Qeverinë e Kosovës.
Zëdhënësja e kompanisë Ela Ruci thotë se deri më tash kompania nuk ka pasur as problemin më të vogël me Qeverinë sa i përket pagesës së mjeteve për punën që po bëhet. “Paratë paguhen ashtu siç është paraparë me kontratë. Për çdo punë që kryen kompania merr paratë nga Qeveria e Kosovës”, thotë ajo. Ruçi thotë se kompania edhe të tej po vazhdon ritëm të njëjtë të punimeve edhe përkundër temperaturave të ulëta që po mbizotërojnë në vendin tonë.
“Aktualisht janë duke punuar rreth 1000 punëtorë. Por, numri do të rritet shumë e më shumë, pasi që të premten në Malishevë është panairi i punësimit dhe nga aty do të punësohen një numër i konsiderueshëm i punëtoreve”, tha ajo.
Sipas saj, kompania “Bechtel & Enka” do t’i kryejë punët para kohës së paraparë me kontratën e nënshkruar mes Qeverisë dhe kompanisë që ajo e përfaqëson.
Përndryshe nga muaji shtator është lëshuar në qarkullim aksi i parë i autostradës nga pika kufitare e Morinës e deri në dalje të qytetit të Suharekës.
Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se procesi i shpronësimit të tokave kah do të kalojë autostrada është në përfundim e sipër.
Shkelzen Morina, udhëheqës i departamentit për shpronësime nga Ministria e Financave, ka thënë se deri më tani janë shpronësuar 64 km tokë për autostradë. Ai ka konfirmuar deri më tani se Ministria e Financave ka paguar për 43 km tokë kah do të kalojë autostrada. Ndërsa sipas tij, pjesa tjetër është në proces e sipër për t’u shpronësuar.
Ai ka thënë se para pak ditësh ministria ka shpallur vendimin për shpronësim edhe të pjesës së fundit të tokave kah do të kalojë autostrada në disa fshatra të komunës së Malishevës.

Arrestimi i vrasësve të policit Zymberi i vështirë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar të premten se prioritet kryesor për ministrinë që ai e udhëheq është luftimi i krimit të organizuar dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
Rexhepi në një konferencë për media ka thënë se në mesin e prioriteteve është edhe arrestimi i gjashtë të dyshuarave për vrasjen e Enver Zymberit, e për të cilët është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, mirëpo ai ka pranuar se arrestimi i tyre do të jetë i vështirë pasi thuhet se gjatë gjithë kohës është në lëvizje.
Ministri Rexhepi thekson se pengesë tjetër drejtë arrestimit të Ratomir Bozovic, Radovan Radic, Milovan Vlaskovic, Slobodan Vucinic , Dushan Jovanovic dhe Ratomir Kasalevic është edhe mos kontrolli i plotë i kufijve në veri dhe barrikadat.
“Prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2012 janë sundimi i rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, plotësimi i kritereve teknike për Liberalizimin e Vizave me BE-në, vazhdimi i reformave në Agjencionet Ekzekutive të MPB-së, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar”, tha ndër të tjera Rexhepi.

Thaçi i zbulon injorantët e Kosovës

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi pas kthimit nga Vjena ka akuzuar të gjithë atë që sipas tij në ditët e fundit kanë folur për heqjen dorë nga Republika me marrëveshjen e fundit me Serbinë.
Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se zërat e tillë nuk janë gjë tjetër pos injorantë.
“Këta zëra që i kam dëgjuar, nuk janë gjë tjetër, pos të injorantëve, disfatistëve dhe atyre që nuk besojnë në asgjë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur e sovran, dhe si i tillë të prezantohet gjithmonë.

Papunësia në Spanjë 24%

Norma e papunësisë në Spanjë është rritur në afro 24 për qind, gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar.
Ministri i Financave, Kristoball Montoro, tha se 5.4 milionë njerëz kanë qenë të papunë në fund të dhjetorit, nga 4.9 milionë që ishin në tremujorin e tretë.
Spanja ka shkallën më të lartë të papunësisë në Eurozonë, ashtu si dhe Greqia, Irlanda dhe Portugalia. Ajo po përballet me krizën e borxheve, që e ka detyruar të kërkojë ndihma financiare. 

Qumështi i pluhurosur

Drejtuesit e kompanive të prodhimit të qumështit dhe akulloreve flasin me frikë kur është në pyetje qumështi pluhur. Edhe pse zyrtarë doganor tregojnë se sasi të mëdha të qumështit pluhur importohen në Kosovë, të gjitha kompanitë kosovare mohojnë se e përdorin këtë produkt.
Të dhënat e importit, të cilat Gazeta Express i ka marrë nga Doganat e Kosovës, tregojnë se qindra mijëra kilogramë qumësht pluhur importohen çdo vit në Kosovë, në mënyrë të rregullt. Pjesa më e madhe thuhet se destinohet për kompanitë përpunuese të qumështit. E Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, deklaron se vetëm një kompani për prodhimin e akulloreve e shfrytëzon këtë produkt.
Në mesin e kompanive që më së shumti punon me qumësht pluhur, zyrtarë të Doganave të Kosovës në kushte anonimiteti thonë se është kompania për prodhimin e qumështit Vita, Devolli Group.
Por, përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë mohuar për Gazetën Express, duke thënë se nuk e përdorin qumështin pluhur për prodhimin e qumështit.
Statistikat e doganës tregojnë se gjatë vitit 2011 kanë ardhur nga importi më shumë se 113 mijë kilogramë qumësht pluhur. Ndërsa vendi më i madh prej nga furnizohen kosovarët del të jetë Holanda me 41 mijë kilogramë dhe Bosnja e Hercegovina me 16 mijë kilogramë.

Jahjaga numëron ditët

As Atifete Jahjaga, njëjtë si dy ish-paraardhësit e saj, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, nuk do të mund ta çojë deri në fund mandatin e saj si presidente e Republikës së Kosovës.
Madje, ajo qysh tani ka filuar t’i numërojë ditët e qëndrimit të saj në krye të shtetit, për dallim nga dy paraardhësit që ishin “rrëzuar” nga ana e Gjykatës Kushtetuese, shkruan gazeta “Zëri”.
Me ndryshimet kushtetuese që pritet të ndodhin së shpejti, Jahjag mund të qëndrojë në krye të shtetit më së shumti edhe për gjashtë muaj pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve.
Anëtarët e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës thonë se në këtë formë ata do të respektojnë marrëveshjen mbi bazën e së cilës është zgjedhur presidentja dhe e cila e përcakton se pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese brenda gjashtë muajve do të shpallen zgjedhjet.
Anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se deputetët e angazhuar për amendamentimin e Kushtetutës nuk do t’ia shkurtojnë mandatin presidentes Jahjaga, por do ta përcaktojnë se zgjedhjet e ardhshme presidenciale duhet të mbahen brenda gjashtë muajve.