EULEX më në fund ka zgjedhur kryeprokurorin e misionit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, pozita këto që tash e sa muaj janë me ushtrues detyre.
Lajmin e kanë konfirmuar për “Zërin” zyrtarë të EULEX-it, të cilët nuk kanë dashur të tregojnë se kush është kryeprokurori i ri i EULEX-it, por vetëm kanë bërë të ditur se ai shumë shpejt do të arrijë në Kosovë.
Shefi i zyrës për informim të EULEX-it, Nicholas Hawton, ka konfirmuar përzgjedhjen e kryeprokurorit që do të menaxhojë të gjithë prokurorët evropianë që punojnë në Kosovë.
Hawton, ndërkaq, ka bërë të ditur se kryeprokurore e Prokurorisë Speciale do të jetë danezja Signe Justesen. “EULEX ka përzgjedhur shefi n e ri të zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ajo është Signe Justesen me rreth 30 vjet përvojë pune në sundimin e ligjit në Danimarkë”, ka thënë Hawton.
Në një proces të ndarë, Hawton ka njoftuar se EULEX-i ka përzgjedhur edhe kryeprokurorin e ri të EULEX-it i cili zëvendëson Johannes Van Vresweijk, prokuror i cili punën në misionin EULEX e ka përfunduar në fund të qershorit të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, prokurorët e EULEX-it janë menaxhuar nga ushtruesja e detyrës së kryeprokurores Linda Heaton.