Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Shqipërisë, Aldo Bumçi kanë njoftuar të premten se është synim i dy shteteve që të ketë një bashkëpunim sa më të mirë, në mënyrë që shënimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të bëhet në mënyrë sa më dinjitoze dhe i shtrirë në gjithë hapësirat ku ka shqiptarë.
Ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi gjatë takimit në Prishtinë, me ministrin Bumçi, tha se është biseduar edhe për bashkëpunimin e rregullt që kanë, që duhet thelluar në të ardhmen, në mes të dy ministrive.
“Kosova padyshim që do të ketë kontributin dhe rolin e vet në shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ne u pajtuam që gjatë gjithë këtij viti të kemi një koordinim të angazhimeve duke ndihmuar edhe bashkëpunimin institucional mes institucioneve tona vartëse të kulturës, por gjithsesi duke mëtuar që kjo festë të mos jetë një festë që do të ndahet në dy kryeqendra, por një festë gjithëkombëtare që do të shtrihet në qytete tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe qytete tjera në viset e banuara me shqiptarë”, tha ministri Krasniqi.
Ai deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e veta në çfarëdo aspekti që ia jep plani për shënimin e këtij përvjetori.
“Dy qeveritë tashmë janë në koordinim të të gjitha aktiviteteve. Festa do të fillojë shpejt dhe do të ketë një kalendar me aktivitete që do të zhvillohen gjithandej në hapësirën shqiptare. Qeveria e Kosovës do të marrë përgjegjësinë për të ndarë fonde dhe do të mbështesim edhe institucione tjera në përgatitjen dhe implementimin e projekteve. E rëndësishme është që ka një koordinim institucional dhe nga muaji shkurt do të kemi një konkretizim të kalendarit të ngjarjeve për të shënuar 100 vjetorin”, shtoi ministri Krasniqi.
Ndërkaq, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi, tha se fakti se një shënim i 100 vjetorit do të bëhet bashkërisht tregon edhe simbolika që logoja e 100 vjetorit është dizajnuar nga një artist nga Kosova.
“Ky është një vit i rëndësishëm, ku ne duhet të kujtojmë ngjarje dhe personalitete. Kosova ka shkruar vitet më të lavdishme në historinë tonë kombëtare. Kontributi që kanë dhënë shqiptarët e Kosovës i ka hapur rrugë pavarësisë së Shqipërisë. Prishtina krahas Tiranës, Vlorës do të jetë një nga qytetet kryesore ku do të mbahen këto manifestime kryesore”, tha ai.