Kosova ka raporte të mira me Turqinë e Portugalinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në dy takime të ndara ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, me të cilën ka biseduar për një varg çështjesh me interes për marrëdhëniet mes të dy vendeve, si dhe ambasadoren e Portugalisë, Vera Maria Fernandes, në një takim lamtumirës.

Në takimin me ambasadoren turke, Jahjaga tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe ky bashkëpunim po zgjerohet e po intensifikohet në vazhdimësi.
Ajo vlerësoi edhe një herë se Turqia ka qenë në vazhdimësi një nga vendet që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo ka kaluar, duke dhënë një kontribut të pakursyeshëm.
Ambasadorja Ozan, theksoi se Turqia do të vazhdojë edhe më tej të jetë në krah të popullit dhe të shtetit të Kosovës dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të njohë vetëm rritje.
Ndërkaq, në takimin lamtumirës me ambasadoren e Portugalisë në Sofje, jorezidente për Kosovën, Vera Maria Fernandes, Jahjaga e vlerësoi ndihmën e vazhdueshme që Republika e Portugalisë ka dhënë për vendin tonë, edhe me pjesëmarrjen në misionet ndërkombëtare në Kosovë, por edhe format e tjera të përkrahjes.