Debati për shërbimet e fshehta informative ka nxitur konfrontime të mëdha në Kuvendin e Kosovës, në mes të deputeteve të partisë politike në pushtet, PDK-së, dhe asaj në opozitë – Lëvizjes Vetëvendosje.
Zyrtarët e kësaj të fundit thonë se SHIK-u, si shërbim informativ i afërt me PDK-në, ende është duke funksionuar.
“Edhe një herë rikonfirmoj që SHIK-u është aktiv”, ka thënë “Radio Evropa e Lirë”, deputeti i këtij subjekti, Rexhep Selimi.
Mirëpo, këto deklarata i ka hedhur poshtë shefi i Grupi Parlamentar të PDK-së, Adem Grabofci.
“Shërbimi Informativ ka një datë të veprimit të vet dhe ka datën e përfundimit. Do të thotë, janë deklaratat kur ka filluar së vepruari dhe kur ka deklaruar se ka përmbyllur veprimtarinë”, theksoi Grabofci.
Në qershor të vitit 2008, shefi i këtij shërbimi, Kadri Veseli, kishe shpallur përfundimin e aktiviteteve të këtij mekanizmi. Shuarja zyrtare e SHIK-ut ishte parë edhe nga ndërkombëtarët si një kusht i domosdoshëm për t’i lëshuar vendin strukturës së re - Agjencisë Kosovare e Inteligjencës.
Ditë më parë, deputeti Bekim Haxhiu, publikisht kishte deklaruar se Albin Kurti duhet të japë sqarime deri më 9 shkurt për disa takime me serbë dhe për korrespodenca me vajzën e një ish-ministri të Slobodan Milloshevicit.
“Qeveria dhe SHIK-u kanë nxjerrë sërish edhe agjentët në skenë për të bërë presione e shantazhe ndaj qytetareve dhe personaliteteve.. Ne kemi një mesazh për Qeverinë dhe për SHIK-un, të cilët po bashkëjetojnë në pushtetin me vota të grabitura: Nëse mendoni se mund t’i bëni dikujt presion e ta shantazhoni me afatizime, e keni gabim.. Nëse doni ta mbani pushtetin dhe ta ndërroni me njëri-tjetrin postin kryeministrit, prapë e keni gabim - tashmë është tepër vonë për ju”, ishte reagimi i Selimit në njërën nga seancat e Kuvendit.
Burim Ramadani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se përveç Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, struktura tjera të sigurisë dhe inteligjencës janë ilegale dhe kriminale.
“Këto debate janë dëshmi e fuqishme se shërbimet e tilla nuk kanë përfunduar, pra nuk janë shuar... I bëj thirrje prokurorisë që të merret me këto raste, sepse tutje po e dëmtojnë funksionalitetin e shtetit”, u shpreh Ramadani.
Aktualisht, në Kosovë, i vetmi institucion legal i shërbimit informativ është AKI-ja. Kushtetuta e Kosovës parasheh që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë të zbulojë, hetojë dhe mbikëqyrë kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës.