FSK vazhdon zhbllokimin e rrugëve nga bora

Në përgjigje të kërkesave të komunave të Kosovës për hapjen e rrugëve dhe zhbllokimin e vendbanimeve nga bora e madhe që ka rënë këtyre ditëve, edhe sot janë vënë në dispozicion njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

FSK-ja, me kapacitetet të saja ekzistuese, ka angazhuar Njësinë Ndërlidhëse për Reagim ndaj Krizave, Policinë e Forcës, Njësinë e Kërkim Shpëtimit dhe Batalionin e Xhenios, me personel dhe makineri adekuate.
Këto njësi janë angazhuar në hapjen e rrugëve fillimisht në fshatin Gmicë, Komuna e Podujevës, në Rajonin e Shalës të Komunës së Lypjanit, në Komunën e Pejës, si edhe aksioni për evakuimin e nxënësve të bllokuar në pushimoren dimërore në Brezovicë.
Evakuimi i nxënësve të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” nga qendra dimërore në Brezovicë, u krye gjatë vikendit, ditën e diel, dhe se për këtë aksion u angazhuan pjesëtar të tri njësive të FSK-së, NJNRK, Policisë së Forcës si edhe Kërkim Shpëtimit.
Njësitet e FSK-së janë në gatishmëri të plotë që tu dalin në ndihmë qytetarëve të Kosovës, dhe Komanda e Forcave Tokësore ka mare të gjitha masat e gatishmërisë, që të jetë në dispozicion të institucioneve dhe qytetarëve për përballimin sa më të lehtë të kësaj situate të shkaktuar nga të reshurat e dëborës ditëve të fundit.