ICO heq dorë nga Ahtisaari!

Jo rrallë herë, zyrtarë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë, kanë dhënë ide për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës, tërësisht të dalë jashtë kontrollit të autoritetit ligjor. I fundit që ka bërë një propozim të ri për veriun është presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i cili përmes një plani katërpikësh, tenton krijimin e një entiteti të veçantë në veri, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnjës.

Sidoqoftë, në mesin e disa misioneve të huaja të akredituara në Prishtinë, funksionon edhe një zyrë, e cila për detyrë e ka të ndalojë përpjekjet apo planet që nuk janë në një vijë me Propozimin për status të Kosovës bërë nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari.
Zyra Civile Ndërkombëtare apo misioni i udhëhequr nga diplomati holandez, Pieter Feith, në Kosovë, funksionon veçanërisht për të verifikuar nëse Pako e Ahtisaarit po zbatohet dhe nëse ndonjë ligj që miratohet në Kuvendin e Kosovës nuk bie në kundërshtim me “Propozimin Gjithëpërfshirës për Status”.
Në faqen e internetit të ICO-së, te linku “Për ne”, ndër të tjera thuhet se qëllimi i tyre është “garantimi i zbatimit të plotë të propozimit për zgjidhjet e statusit të Kosovës”. Kjo, raporton “Zëri”, i bie që edhe në rast se qeveria e Kosovës apo kushdo tjetër dëshiron të zbatojë plane ndryshe prej asaj që thuhet në “Pakon e Ahtisaarit”, Pieter Feith me ekipin e tij në ICO do të duhej të ndërhynte menjëherë për t’i ndaluar ata.
Mirëpo, një përshtypje krejt ndryshe të krijon zyra e Feithit kur i kërkohet për ta verifikuar qëllimin e shënuar edhe në faqen e tyre të internetit.
Zëdhënësi i ICO-s, Chrisitian Palme, kur i është kërkuar nga një sqarim për nëse Feith do të ndërhynte për të ndaluar një plan për veriun që bie ndesh me Ahtisaarin, ka thënë: “Në fund, i takon qeverisë së Kosovës që të punojë me qytetarët e saj në veri për të krijuar një model funksional të qeverisjes lokale, që u jep atyre siguri dhe pranim të plotë të identitetit të tyre brenda një republike të qëndrueshme e sovrane të Kosovës”.