Ramos: Të mos mendojmë për Barcën

Sergio Ramos shpreson që derbi i fundjavës ndaj Barcelonës të mos ndikojë në sfidën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut që zhvillohet të martën mbrëma.
“Nuk duhet të mendojmë për Barcelonën ose titullin e Spanjës”.
“Po luajmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayernit. Po luajmë ndaj një ekipi të klasit botëror”.
“Ata kanë shumë kualitet në ekipin e tyre dhe lojtarë si Robben dhe Gomez, të cilët mund ta bëjnë dallimin”, ka thënë mbrojtësi spanjoll në një konferencë për media.

Drogba dëshiron trofe

Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, shpreson që të fitojë ndonjë trofe me klubin aktual para skadimit të kontratës së tij.
Blutë janë jashtë garës për titullin e Ligës Premier, mirëpo janë në finale të Kupës FA dhe në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
“Sezoni i kaluar ishte i keq, sepse nuk fitova asgjë. Shpresoj që ky sezon të jetë ndryshe. Dua të fitoj trofe. Nuk ka të bëjë me faktin që mund të jetë viti im i fundit këtu”.
“Thjeshtë dua të fitoj trofe me Chelsean, me bashkëlojtarët e mi dhe kjo është më e rëndësishmja”, u ka thënë 33-vjeçari gazetarëve.
Sa i përket gjysmëfinales ndaj Barcelonës, lojtari nga Bregu i Fildishtë konsideron se gjasat janë 50-50. 

Iniesta: Do të luajmë për fitore

Barcelona do të luajë për fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Stamford Bridge – ka deklaruar Andres Iniesta.
“Do të shkojmë me një mentalitet fitues, duke u përpjekur që të mos bëjmë gabime, sepse ato kushtojnë shumë këtu”.
“Ne gjithmonë luajmë për fitore, por duhet të mendojmë se kjo është sfidë me dy përballje dhe ne kemi përpara dy takime”.
“Do të kemi një ndeshje të vështirë të mërkurën”, ka thënë mesfushori spanjoll në një konferencë me gazetarë. 

30 ditë paraburgim për Mark Koshnjetin

Me kërkesë të Prokurorisë për krime lufte në Beograd, shqiptarit nga Kosova, Mark Koshnjetit, të arrestuar të shtunën nga policia serbe, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, raportojnë mediat serbe.
 Autoritetet e Serbisë kanë pohuar se Koshnjeti, “si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kryer krime lufte kundër serbëve, në vitet 1990 në Kosovë”.
Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Qendra në Prizren, i ka hedhur poshtë deklaratat se Koshnjeti ka qenë pjesëtar i UÇK-së, dhe u ka bërë thirrje si zyrtarëve vendorë, ashtu edhe atyre ndërkombëtarë, të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e tij.
Koshnjeti është arrestuar të shtunën në vendkalimin kufitar Merdarë. Edhe familjarët e tij kanë pohuar për media se Koshnjeti nuk ka qenë asnjëherë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Autoritetet kosovare u kanë bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës të kenë kujdes gjatë udhëtimit në Serbi. Fushata elektorale që po zhvillohet në Serbi, mund të pasojë edhe me arrestime të shtetasve të Kosovës, kot fare, vetëm për përfitime politike. Dhe këtë nuk do të hezitoja ta bëj, ish zëdhënësi i Slobodan Milosevicit, aktualisht Ministër i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic.

Maxi Lopez do të qëndrojë te Milani

Agjenti i Maxi Lopez beson se klienti i tij do të nënshkruajë kontratë afatgjate me Milanin në verën që vjen.
Argjentinasi në pronësi të Catanias u transferua në San Siro gjatë afatit kalimtar të janarit në formë huazimi gjashtëmujor, pasi që Rossonerët kishin nevojë për sulmues për shkak të operimit të Antonio Cassanos.
Edhe pse Lopez ka bërë vetëm tetë paraqitje në Serie A për Milanin, agjenti i tij Andrea D’Amico është i bindur se ai do të nënshkruajë me kuqezinjtë.
“Ai do të qëndrojë te Milani, sepse ka treguar në ato pak minuta që i janë dhënë në ndeshje dhe në seancat stërvitore se është një lojtar i shkëlqyer dhe një kampion i vërtetë”, ka thënë D’Amico për Radio Lombardia.

Nominimet për ‘PFA lojtarin e vitit’

Manchester City dominon në listën e ngushtë të të nominuarve për ‘PFA lojtarin e vitit’, mirëpo favorit për ta fituar këtë çmim konsiderohet sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie.
Wayne Rooney, Robin van Persie dhe Sergio Aguero janë konkurruesit më të mëdhenj në garën për këtë trofe, ndërsa argjentinasi është i nominuar edhe për lojtarin e ri më të mirë.
Nominimet për lojtarin e vitit: S. Aguero R. van Persie, W. Rooney, J. Hart, S. Parker, D. Silva.
Nominimet për lojtarin e ri të vitit: S. Aguero, G. Bale, K. Walker, A Oxlade-Chamberlain, D. Sturridge, D. Welbeck.
Sipas mediave, favoriti kryesor për t’u shpallur lojtari më i mirë në futbollin anglez është kapiteni i Arsenalit, i cili deri më tani ka shënuar 27 gola dhe ka dhënë 12 asistime.

Roma dëshiron t’ia zgjasë qëndrimin Kjaerit

Skuadra e Romës është duke planifikuar që t’ia zgjasë qëndrimin Simon Kjaerit, i cili është i huazuar nga Wolfsburgu.
Danezi u transferua në kryeqytetin italian në verën e kaluar në formë huazimi njëvjeçar, por Giallorossët e kanë edhe opsionin e blerjes.
Megjithatë, 23-vjeçari ka dështuar t’i bindë drejtuesit e klubit që ta transferojnë përgjithmonë, por Il Corriere dello Sport raporton se ata po mendojnë të kërkojnë ta mbajnë të huazuar edhe për një vit tjetër.

Haxhinasto: Të shuhen tensionet

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto kërkoi nga të gjitha palët në Maqedoni të ruajnë qetësinë ndërsa nga autoritetet maqedonase të zbardhin sa më parë ngjarjen. Gjithashtu për sa i përket veriut të Mitrovicës, Haxhinasto theksoi se rritja e tensioneve atje nuk i shërben askujt.
Në një prononcim për mediat Haxhinasto theksoi se nuk duhen të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike lidhur me ngjarjes së vrasjes së pesë personave në Maqedoni.
“Ne po i ndjekim me shumë vëmendje të gjitha këto zhvillime. Së pari, duhet të ri shpreh ngushëllimet e mia për atë që u ka ndodhur familjeve të qytetarëve, që janë gjetur të vrarë në Maqedoni. Gjithashtu, them se në këto momente është e nevojshme të ketë një qetësi nga ana e të gjithë faktorëve. Është e rëndësishme t’i japim mundësi hetimit të plotë të kësaj çështjeje dhe të mos lejojmë aspak të bëhen keqinterpretime, apo manipulime politike e mediatike përsa i takon kësaj ngjarje. Kërkohet një hetim i plotë dhe pas hetimit, fajtorët të vihen para ligjit” theksoi Haxhinasto, shkruan “BalkanWeb”.
Ndërsa lidhur me gjendjen ne veri të Kosovës, ai tha se “sigurisht jemi gjatë një procesi zgjedhor në Serbi dhe uroj që këto tensionime të mos jenë në funksion të zhvillimeve zgjedhore atje”.
I pyetur në lidhje me problemit që kanë qytetarët shqiptarë me origjinë çame për të hyrë në Greqi, Haxhinasto theksoi se çështja e të drejtave të shqiptarëve, është çështja madhore, kryesore e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kroacia përkrahë anëtarësimin e FSK-së në NATO

Kroacia mbështet konsolidimin dhe zhvillimin e më tejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në anëtarësimin e saj në NATO. Kështu tha Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjenerallejtënant Drago Lovric, pas takimit që pati në Prishtinë me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastarti dhe me ministrin e FSK-së Agim Çeku.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjenerallejtënant Drago Lovric, gjatë takimit me ministrin Agim Çeku dhe me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastarti, u ka premtuar atyre mbështetje të vazhdueshme për integrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në strukturat veriatlantike.
“Forcat e Armatosura të Republikës së Kroacisë mbështesin paqen në rajon. Në kemi shikuar mundësinë e bashkëpunimit mes të dyja forcave, asaj të Kroacisë dhe Kosovës, duke i shkolluar pjesëtarët e rinj të FSK-së në bazë të programeve që kaun Forcat e Armatosura të Kroacisë. Meqë Kroacia është anëtare e NATO-s ne interesohemi që edhe FSK-ja sa më shpejtë të anëtarësohet në NATO”, tha Drago Lovric, transmeton RTK.
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është duke vazhduar sigurt rreth anëtarësimit në NATO.
Në vazhdën e bashkëpunimit mes të dyja shteteve, gjenerallejtënant Kadri Kastrati tha se ka kërkuar që Kroacia ta mbështes FSK-në edhe me shkollim dhe nxjerrjen e kuadrove sa më profesionale. 

Ferizaj arenë e kampeve politike

Ferizaj ka filluar t’i jetojë ethet e parafushatës elektorale edhe pse ajo zyrtarisht nuk do të fillojë edhe më shumë se një javë. Fushata për kandidatët e tyre është marrë shumë afër “zemrës” së Qendrave të partive politike, sa që ajo po perceptohet si indikatorë i imazhit dhe fuqisë ndikuese të tyre tek elektorati.
Java që shkoi u shënua me përplot aktivitete zgjedhore të kandidatëve dhe të subjekteve të tyre politike, por pothuaj të gjitha ato u mbajtën si të “maskuara”, nën petkun e takimeve spontane , partiake apo edhe miqësore, raporton Koha.net.
Mirëpo kjo nuk pengoi që në Ferizaj të “zbarkojnë” qendrat e partive politike, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë.
Lideri I PDK-së, hashim Thaçi, pas kthimit nga SHBA-të nuk vonoi që të shkoj në një mbrëmje t’i cakërrojë gotat me elektoratin e tij dhe ta mbështes kandidatin e PDK-së, Agim Aliu, për kryetar të Ferizajt.
Lideri I LVV-së Albin Kurti e përcolli kandidatin FatonTopalli, në fshatin Sojevë, kurse Daut Haradinaj i kishte dhënë “forcë” kandidatit të AAK-së, Naim Ferati, në takim me pensionistët, derisa Vegim Gashi dhe ministri I diasporës, Ibrahim Makolli, kishin marrë pjesë në takimin e kandidatit të AKR-së, Ramadan Hasani me qytetarë.
Ndërs të hënën në selinë LDK-së në Ferizaj, Lutfi Haziri ishte munduar të sjell frymë mobilizuese për tandemin e ri politik LDK-LDD dhe për kandidatin e tyre Adem Salihaj. Përqindjet e votave që do të dalin ën Ferizaj, konsiderohen si vendimtare për zgjedhjet e ardhshme.
Në të gjitha prej këtyre takimeve gazetarët nuk kanë marrë pjesë dhe as që janë ftuar, pikërisht për të lënë përshtypjen e takimeve të brendshme, por megjithatë kanë filluar xixat e para të fërkimeve elektorale , të shprehura nëpërmjet konferencave të shtypit. 

BE kundër forcës në veri

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe analistët ndërkombëtarë i cilësuan kontra-produktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane kërkesat e shtuara në skenën politike kosovare që flasin për nevojën e përdorimit të forcës rreth shtirjes së sovranitetit në veri të Mitrovicës.
Ata thanë se “tensionet dhe provokimet” e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ishin në kundërshtim me “frymën e dialogut” në mes të dyja palëve.
Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri, Catherine Ashton, theksoi nevojën për përmbajte duke i bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të veprojnë përgjegjshëm në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.
Përdorimi i forcës, sipas saj, duhet të përjashtohet si mjet për zgjidhjen e problemeve.
“Përdorimi i forcës natyrisht se nuk do t’i kontribuonte situatës, nuk do ta përmirësonte e as nuk do ta qetësonte atë. Ne duam që të dyja palët të jenë të përmbajtura, të veprojnë përgjegjshëm dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo.
Komenti i saj pason deklaratat e zyrtarëve kosovarë, të cilët nuk përjashtuan mundësinë e përdorimit të forcës për vënien e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe kërkesat e opozitës që të veprohet sa më parë në këtë drejtim.
Mirëpo, Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i quajti të rrezikshme deklaratat dhe kërkesat për shtirjen e sovranitetit në veri të Kosovës përmes aparatit të forcës.
Ajo shfaqi shpresën që pas zgjedhjeve serbe të 6 majit të rikthehet besimi për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve. Sfida e radhës në këtë drejtim, sipas Freizer, do të jetë pikërisht dita kur planifikohet të mbahen zgjedhjet në fjalë.
“Atë që e cilësoj si kërcënim të qartë është data 6 maj dhe dita e zgjedhjeve. Shpresoj se të gjitha palët do të jenë konstruktive, të pajtohen për një organizim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, por që ky zhvillim (zgjedhjet) të mos merret si shfajësim për konflikte e tensione të tjera”, vlerësoi Freizer.
Diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë sugjeruar nisjen e një dialogu politik me temë boshte çështjen e veriut të Kosovës.
Duke mos hedhur poshtë gatishmërinë e BE-së që ta ndërmjetësojë një dialog të natyrës politike për veriun, Kocijancic tha se fokusi i Brukselit do të jetë vazhdimi i procesit të deritashëm.
“Qëllimi ynë është që të vazhdojmë lehtësimin e këtij dialogu. Kjo do të ndodhë sa më parë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi. Më pas, do të nisemi nga aty”, theksoi ajo.
Takimi i fundit i delegacionit kosovar dhe atij serb, i cili u mbajt në Bruksel në fund të shkurtit, kishte rezultuar me marrëveshjen për bashkëpunim rajonal.
Në kuadër të marrëveshjeve të arritura, deri më tani, hyn dhe ajo për lirinë e lëvizjes dhe disa marrëveshje të tjera të cilat, sipas Prishtinës zyrtare, nuk po zbatohen në terren nga qeveria serbe.
Kjo e fundit arrestoi përgjatë javëve të shkuara disa kosovarë që po qëndronin në territorin e shtetit serb duke, siç vlerësojnë analistët, minuar ambientin për vazhdimin e mëtejmë të dialogut.
Jashtë dialogut të deritashëm ka mbetur çështja e veriut të Kosovës ku situata vazhdon të jetë e tensionuar pas një sulmi me mjet shpërthyes si pasojë e të cilit vdiq një, ndërsa u lënduan disa persona të tjerë.

Gllogjani përkujtoi dëshmorët e kombit

Në Gllogjan janë përkujtuar sot dëshmorët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkelzen e Enver Haradinaj , Fatmir e Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj.
Në manifestimin përkujtimor të organizuar me këtë rast, Rexhep Selimi tha se si bashkëluftëtarë i shumë prej atyre që sot nuk janë më, ndihet aq sa krenar, që ishte pjesë e rreshtimit të tyre në luftë, po aq edhe i obligueshëm që ta vazhdojë rrugën ku ata e lanë dhe për të cilën ata ranë.
Duke bërë kritika në adresë të pushtetit për mostrajtim të duhur të dëshmorëve të kombit.
“Nga populli heronjtë janë duke u trajtuar siç e meritojnë, sepse populli i lindi, populli i do dhe populli i ruan ata në gjirin e vet. Ndërsa institucionet e vendit, të cilat dolën si rezultat i këtyre dëshmorëve, nuk janë duke i trajtuar as nga përafërsisht ata për çfarë edhe ranë”, tha Selimi.
Ndërsa Daut Haradinaj, ditën e përkujtimit për ta, e ka vlerësuar si një ditë të veçantë. Siç u shpreh ai, në këtë ditë ranë djemtë më të mirë që i kishte Dukagjini, “jo pse Shkelzeni ishte në mesin e tyre, por pse ishin djemtë më të zotë dhe më të mirë, të cilët i dolën përballë pushtuesit, armikut”.
Kurse Xhavit Nimanaj, në emër të familjes Nimanaj, e cila i dha tre djem në luftën e UÇK-së, vlerësoi se përkujtimi dhe përvjetorët përjetohen si krenari e mbarë kombit shqiptar dhe jo vetëm e familjeve të dëshmorëve.

Pantic: Zgjedhjet serbe në tri komuna të Kosovës?

Përfaqësuesit politikë të serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, nuk i përfillin apelet e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, për mos organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës. Ata thonë se kryetarja e parlamentit të Serbisë, Slavica Djukic-Dejanovic i ka shpallur zgjedhjet në gjithë territorin e Serbisë, përfshirë, siç thonë ata, edhe Kosovën, kështu që mos organizimi i zgjedhjeve, nga këta përfaqësues, konsiderohet se do të ishte shkelje e vendimeve shtetërore serbe.
Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic thotë se deklaratat e ministrit Bogdanovic nuk i merr askush seriozisht, andaj sipas tij, zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha komunat e Kosovës ku aspektet e sigurisë lejojnë mbajtjen e tyre dhe në cilat organeve lokale u ka skaduar mandati, transmeton REL.
“Sa i përket veriut, jam i sigurt se do të mbahen në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut”, thekson Pantic.
Kurse për pjesët tjera, ai thotë se zgjedhjet do të mbahen edhe në komunën e Shtërpcës.
Përveç këtyre tri komunave, Pantic aktualisht nuk është i sigurt nëse zgjedhjet do të organizohen edhe në mjedise tjera ku jetojnë serbët.
“Për komunat tjera nuk jam i sigurt se do të organizohen zgjedhjet ngase misionet ndërkombëtare të cilat janë të pranishme në Kosovë nuk duan të garantojnë paqe e siguri në ditën e zgjedhjeve, por presim që në mjediset tjera të mbahen të paktën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale”, shprehet Pantic.
Ndërkaq një tjetër lider i serbëve të veriut, Milan Ivanovic, thotë se është jo e logjikshme që të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale e të mos mbahen ato lokale.
“Nëse do të pranonim që të mos i mbajmë zgjedhjet lokale kjo do të nënkuptonte se po e pranojmë planin e Ahtisarit dhe Kosovën e pavarur”, thotë Ivanovic.
Sipas tij, deklaratat e Bogdanovicit nënkuptojnë shuarjen e institucioneve serbe duke i konsideruar apelet e ministrit serb të papranueshme.
Ndryshe, Bogdanovici u ka thënë këto ditë medieve serbe se Serbia nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, qeveria serbe nuk dëshiron në asnjë mënyrë të shkelë Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe t’i vë në rrezik serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Ndërsa është zotuar se Beogradi do të vazhdojë mbështetjen për organet paralele serbe në Kosovë, Bogdanovic ka quajtur si jo të mira paralajmërimet e përfaqësuesve serbë për mbajtjen e zgjedhjeve në dy komuna në veri të Kosovës.
Në anën tjetër, Krstimir Pantic thotë se fakti që zgjedhjet serbe janë shpallur nga kreu i parlamentit të Serbisë edhe në Kosovë, kjo nënkupton organizimin, mbajtjen e votimeve dhe njohjen e organeve të reja nga institucionet e Serbisë dhe faktori ndërkombëtar.
Përndryshe, këto zgjedhje, nga Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës janë shpallur tashmë si ilegale dhe të ndaluara.
Madje, institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar jo vetëm konfiskimin e materialeve zgjedhore, por organizatorëve u kanë tërhequr vërejtjen se do të ballafaqohen me pasoja ligjore.

Përkujtohet eksodi kosovar i 1999-së

Kukësi përkujton sot vitin 1999, ardhjen e shqiptarëve të Kosovës, të dëbuar nga trojet e tyre nga Serbia.
Prej 13 vjetësh, tashmë aktiviteti i njohur si “Eksodi 1999”, është kthyer në një traditë, ku qindra shqiptarë të Kosovës marshojnë drejt qytetit verilindor të Kukësit.
Bashkia e Kukësit ka parashikuar disa aktivitete, ku spikasin një ekspozitë me fotografi nga eksodi i vitit 1999 dhe një dokumentar, raporton Panorama.
Edhe këtë vit janë të shumtë qytetarët e Kosovës që i janë drejtuar Kukësit, qytetit në të cilin është ngritur edhe një memorial në kujtim të kësaj dite.
Marshimi e ka zanafillën në vitin 2000, kur është mbajtur për herë të parë manifestimi përkujtimor.

Kuçi: Kujdes kur të udhëtoni nëpër Serbi!

Zgjedhjet e serbe që pritet të mbahen në muajin maj në Serbi, mund të ndikojnë edhe tek qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, të cilët kalojnë nëpër këtë shtet. Fushata elektorale që po zhvillohet atje, mund të pasojë edhe me arrestime të shtetasve të Kosovës, për asgjë tjetër, por për përfitime politike
Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se nuk mund t’i bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata mërgimtarë, apo qytetarë, që kalojnë transit nëpër Serbi, që të mos kalojnë nëpër këtë shtet, por kanë bërë thirrje që mundësisht t’i shfrytëzojnë rrugët e tjera, pasi që mund të jenë viktima të ndonjë arrestimi pa ndonjë argument, apo fakte ligjore, transmeton Kosovapress.
Ata po ashtu kanë thënë se Serbia me krijimin e pengesave të tilla po mundohet që të krijojë panik te qytetarët, në mënyrë që ata të mos ia mësyjnë Serbisë, ndërsa në anën tjetër Serbia mund të thotë se po e zbaton marrëveshjen për qarkullim të lirë.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se njerëzit që mendojnë se mund të jenë pjesë e arrestimeve dhe lojërave politike serbe, duhet të jenë të kujdesshëm nëse udhëtojnë nëpër në Serbi.
Lidhur me mos zbatimin e marrëveshjen e arritur në Bruksel, Kuçi ka thënë se “Serbia nuk është se nuk po e zbaton marrëveshjen, por po krijon probleme jashtë marrëveshjes, si me pritje të gjata në kufij, me arrestime dhe kjo, sipas tij, po bëhet me qëllimin që të krijohet panik te qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata të ndalen vetë”.
Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se si pjesëtar i Qeverisë së Kosovës nuk mund të kërkojnë një gjë të tillë prej qytetarëve që ata të mos qarkullojnë fare nëpër Serbi, por u ka bërë thirrje që të kenë shumë kujdes, kur kihet parasysh fushata e egër elektorale që po zhvillohet këto ditë në Serbi.
Rexhepi ka thënë se qytetarët që nuk kanë ndonjë nevojë të domosdoshme për të shkuar në Serbi, ose për të qarkulluar transit nëpër këtë shtet, të kenë kujdes, të paktën derisa të përfundojë kjo fushatë. 

Krasniqi: Në dialog hymë të papërgatitur

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë mbi bazën e Dokumentit të Presidentit Ahtisaari, sepse ky dokument përbën një ofertë të mirë për qytetarët serbë të Kosovës. Megjithatë, ai ka pranuar se Kosova ka hyrë në këto negociata pa konsensus dhe pa përgatitje të duhur.
“Kosova (Qeveria) para një viti ka filluar një proces të dialogut pa ndonjë përgatitje të duhur dhe kjo është bërë me kërkesën e Brukselit, pa ndonjë platformë të përgatitur enkas për këto bisedime dhe pa një konsensus nacional. Ç’është e vërteta, janë arritur disa marrëveshje – konkluzione, të cilat nuk po respektohen nga Serbia”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për gazetën Shekulli.
Kryeparlamentari Krasniqi po ashtu ka vlerësuar se përkundër faktit që, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë ka bërë punë të mira, të cilat për qytetarët e Kosovës kanë krijuar favore dhe perspektiva të shumta - bashkësia ndërkombëtare, sipas tij, gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur politika së paku të dyfishta, një politikë për shqiptarët e një tjetër për serbët.
Për serbët, sipas Krasniqit, faktori ndërkombëtar ndoqi një politikë tolerante të pakuptimtë, ndërsa ndaj shumicës shqiptare ndoqi politika mosbesuese, sidomos ndaj njerëzve që në vazhdimësi kanë qenë kundërshtarë të regjimit pushtues të Beogradit. 

Barcelona e ka ridefinuar futbollin

Mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Gary Neville, ka shprehur admirimin e tij për Barcelonën, për të cilën mendon se i ka dhënë një tjetër kuptim futbollit me stilin e tyre të lojës.
Blaugranët kanë luajtur në tri finale të Ligës së Kampionëve në gjashtë vitet e fundit, ndërsa Neville mendon se ky është ekipi i dytë i madh i kohës së tij pas Milanit të Arrigo Sacchit
“Një ekip vërtet i shkëlqyer, i cili jo vetëm se fiton shumë kupa evropiane, por po ashtu ridefinon futbollin me idetë e reja – një mënyrë e re e përmirësuar për realizimin e gjërave”.
“Niveli me të cilin Barcelona i mbërthen pamëshirshëm kundërshtarët në fushë, është diçka që nuk e kam parë asnjëherë. Ata e rifitojnë topin me shpejtësinë e një arme”, ka shkruar Neville në kolumnën e tij në Daily Mail.
Ai ka diskutuar edhe gjysmëfinalen mes Chelseat dhe Barcës, duke thënë se Blutë kanë një problem të madh, duke qenë se “sistemi i lojës së Barcës pa një qendërsulmues i lejon Lionel Messit, futbollistit më të mirë të kohërave moderne dhe ndoshta më të mirit të të gjitha kohërave, të bredhë dhe të gjejë pikën e dobët të secilës mbrojtje”.
Përveç Messit, sipas Neville, lojtarët e Chelseat duhet të ndalin “tre mesfushorët më të mirë në botë, Xavi, Iniesta dhe Fabregas”, të cilët e ushqejnë argjentinasin me topa.

Reali e dëshiron titullin e dhjetë në LK

Xabi Alonso ka deklaruar se Real Madridi është i vendosur që ta fitojë titullin e dhjetë të Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Për herë të fundit Mbretërit e kanë fituar titullin e garës më të madhe evropiane për klube në vitin 2002, ndërsa mesfushori spanjoll shpreson që këtë sezon ta marrin trofeun në Santiago Bernabeu.
“Liga e Kampionëve është gjithmonë turneu më tërheqës, ndërsa fitimi i trofeut të dhjetë për klubin do të ishte i rëndësishëm, prandaj jemi të fokusuar që të jemi pjesë e kësaj”.
“Koha do të tregojë, ndërsa gjatë historisë edhe Real Madridi dhe Bayerni e kanë e fituar Ligën e Kampionëve pasi e kanë eliminuar njëri-tjetrin në gjysmëfinale”, ka thënë Alonso për bwin.com

Robben: Duhet të luajmë me 120 për qind të potencialit

Bayern Munichu duhet të jetë në formën e vet maksimale nëse dëshiron ta eliminojë Real Madridin nga Liga e Kampionëve – ka deklaruar Arjen Robben.
“Ne do të japim gjithçka. Do të shihni një Bayern të shkëlqyer. Nuk kemi dyshim se për ta eliminuar Madridin duhet të jemi në 120 për qindëshin tonë, në maksimumin tonë dhe të bëjmë një lojë të përsosur”.
“Te Madridi nuk ka fshehtësi. Potenciali i tyre i jashtëzakonshëm është i qartë, por më e rëndësishmja është se ata e kanë trajnerin më të mirë, i cili gjithmonë e di se si t’i luajë ndeshjet e këtilla”.
“Ata kanë kualitet të mrekullueshëm në sulm. Nuk mund t’ua lejosh as një metër hapësirë. Duhet t’i ruash nga afër gjatë gjithë kohës”, citon Marca fjalët e ish-lojtarit të Real Madridit. 

Reali e respekton Bayernin

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, nuk mendon se Real Madridi do ta marrë me lehtësi sfidën gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndaj klubit të tij.
“Unë kam shumë miq në Madrid, prandaj e di se ata kanë shumë respekt për Bayernin”.
“Jam shumë i vetëdijshëm për kundërshtarët tanë, për lojtarët e tyre dhe për rezervistët”, ka thënë Heynckes në një konferencë për media.
I pyetur për homologun e tij, Jose Mourinho, trajneri i ekipit gjerman ka pasur vetëm lëvdata.
“Ai është një trajner që ka lënë emër gjithkund. Skuadra e tij aktuale i ka thyer të gjitha rekordet që kanë ekzistuar në klub. Ai është një nga trajnerët më të mirë në Evropë”, ka deklaruar Heynckes. 

Del Bosque dëshiron Realin dhe Barcën në finale

Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, nuk është i shqetësuar për mundësinë e një finaleje mes Real Madridit dhe Barcelonës në finalen e Ligës së Kampionëve.
Rivaliteti mes këtyre klubeve është aq i madh saqë ka shqetësime se kjo mund të ndikojë negativisht te përfaqësuesja spanjolle, mirëpo kështu nuk mendon Del Bosque
“Duhet të kënaqemi me këtë moment, sepse janë pesë klube spanjolle në gjysmëfinale të garave evropiane, ndërsa ekipi kombëtar nuk ka të bëjë me këtë. Çfarëdo që të ndodhë nuk do të ketë pasoja në ekipin kombëtar”.
“Ne e duam një finale të Ligës së Kampionëve mes Madridit dhe Barcës, sepse kjo nuk do ta dëmtonte ekipin kombëtar, sepse ne e dimë se dikush do të fitojë e dikush do të humbë. Lojtarët janë të përgatitur për diçka të tillë”, u ka thënë Del Bosque gazetarëve. 

Lampard: Mund ta mposhtim Barcën

Frank Lampard është i bindur se Chelsea mund ta mposhtë Barcelonën, nëse ata bëjnë të njëjtën paraqitje që e bënë dje në fitoren 5-1 ndaj Tottenhamit në gjysmëfinale të Kupës FA.
“Që nga fillimi i çdo ndeshje, është 50-50. Barcelona është favorit për shkak të lojtarëve që ka në skuadër, por nëse ne luajmë siç bëmë kundër Spurs në dy ndeshje, atëherë ne do të kemi një shans”.
“Kjo na shton neve vetëbesimin. Ne duhet të vazhdojmë. Nuk ka kohë për pushim, pasi ndeshja e të mërkurës është e madhe. Ne duhet të fokusohemi në ndeshjen e Ligës së Kampionëve dhe të gjitha ndeshjet e mbetura të ligës”.
“Çdo skuadër është e mposhtshme. Ata janë më të mirë, por ne nuk mund të tregojmë shumë frikë. Ne duhet të dalim përballë tyre dhe mendoj se mund ta bëjmë”, ka thënë Lampard për mediat angleze.

Wenger: Mashtruesit duhet të suspendohen

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, beson se lojtarëve të cilët mashtrojnë duhet t’u jepet automatikisht suspendimi prej tre ndeshjesh.
Francezi, i cili e pa ish-sulmuesin Eduardo të ndëshkohet nga UEFA për simulim në ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve kundër Celtic në gusht të vitit 2009, thotë se ai do ta mbështeste një veprim disiplinor për të ulur mashtrimet.
Së fundi ishte anësori i Manchester United, Ashley Young, i cili u kritikua për simulim dhe fitim të dy penaltive të dy ndeshjet e fundit kundër QPR dhe Aston Villa.
“Çdokush dëshiron të fitojë në ndeshjet e futbollit dhe kur luani futboll, ju gjithmonë përpiqeni të jeni në ekstremet tuaja nëse dëshironi të fitoni. Për shembull, ju e prekni topin dhe ai del jashtë dhe ju kërkoni nga arbitri ta akordojë në favorin tuaj, ose gjëra të tilla”.
“Por mashtrimi para golit... Mendoj se ndonjëherë ju mund ta kuptoni vetëm pas ndeshjes. Nëse një mashtrim i caktuar ndëshkohet me suspendim për tre ndeshje, lojtarët nuk do ta bëjnë atë më”.
“Ne duhet të kemi një komitet superior për etikë që mund ta dënojë një lojtar të tillë. Ai tash kalon pa u suspenduar dhe e gjithë situata nuk ka kuptim”, ka thënë Wenger.

Reali të transferojë Boateng?

Real Madridi raportohet se është duke përcjellë sulmuesin e Milanit, Kevin-Prince Boateng.
Që nga arritja e tij nga Tottenhami, Boateng ka qenë i shkëlqyeshëm me fanellën kuqezi dhe luajti një rol kyç në fitimin e Scudetton sezonin e kaluar.
Tuttomercatoweb shkruan se Reali e ka vëzhguar Boateng këtë sezon derisa mendon ta shesë ish-yllin e Milanit, Kaka.
Ylli i Sao Paulo, Lucas, mbetet caku kryesor i mbretërve, por Boateng mbetet alternativa e parë nëse ata nuk kanë sukses në negociatat me brazilianin.

Perez t’ia rritë pagën Ronaldos?

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, raportohet se dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen aktuale të Cristiano Ronaldos.
Ronaldo, i cili erdhi te Real Madridi nga Manchester United për një shumë prej 94 milionë euro, ka qenë i jashtëzakonshëm me fanellën e bardhë.
Duke qenë i vetëdijshëm se United, Manchester City dhe Chelsea të gjithë janë duke shprehur interesim për ta rikthyer portugezin në Angli, Florentino ka filluar negociatat për të rinovuar kontratën e lojtarit.
Ecodiario shkruan se Ronaldo aktualisht fiton 12 milionë euro në vit dhe ka kontratë deri në vitin 2015. Megjithatë, Florentino është i gatshëm ta shtojë pagën e lojtarit, me një ofertë prej 16 milionë eurosh në vit, për ta bindur atë ta vazhdojë marrëveshjen deri në vitin 2017.
Edhe pse një shumë kaq e madhe, paga prej 16 milionë eurosh në vit do ta rreshtonte Ronaldon si futbollin e dytë më të paguar në botë, pas yllit të Anzhit, Samuel Eto'o, i cili fiton 20 milionë euro. 

Suarez: Do të qëndroj në Anfield

Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, pret që ai të veshë fanellën e kuqe edhe sezonin e ardhshëm.
Suarez është lidhur me një largim nga Liverpooli pas suspendimit për tetë ndeshje për shkak të abuzimit racial ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra, me Juventusin dhe PSG të përmendura si destinacione të mundshme të tij.
Por, uruguaiani, i cili shënoi në fitoren 2-1 të së shtunës të Liverpoolit ndaj Evertonit në gjysmëfinale të Kupës FA, ka thënë se synimi i tij nuk është të largohet.
“Do të vazhdoj në Liverpool. Është e qartë se do të vazhdoj. Kam edhe katër vite të mbetura në kontratën time dhe jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që jam këtu dhe shpresoj gjërat e mira të vazhdojnë”, ka thënë Suarez për The Daily Telegraph.

Cobain ka incizuar solo album para vdekjes

Ish-kitaristi i grupit “Hole”, Eric Erlandson, ka zbuluar se frontmeni tragjik i “Nirvana”, Kurt Cobain, kishte incizuar një album të plotë solo para vdekjes.
“Kam qenë i entuziazmuar për disa gjëra në të cilat ka punuar. Disa gjëra i ka luajtur drejtpërdrejtë përpara meje, prandaj isha shumë i pikëlluar dhe i tronditur kur vdiq. Ishte qa afër. Kush e di se ku ka shkuar ajo muzikë”, citon New Musical Express fjalët e Erlandson.
Në prill të vitit 1994, legjenda e muzikës rok, frontmeni i bendit “Nirvana”, Kurt Cobain, bëri vetëvrasje në shtëpinë e tij në Seattle.
Ndryshe, “Hole” ishte bendi i gruas së tij, Courtney Love. 

Ndahen Amanda Seyfriend dhe Josh Hartnett

Amanda Seyfried raportohet se është ndarë nga i dashuri i saj Josh Harnet, për shkak të orarit të saj të ngjeshur të punës.
Aktorja 26-vjeçare, e cila më herët kishte dalë edhe me Dominic Cooper dhe Ryan Phillippe, duket se i ka dhënë fund romancës katërmuajshe me aktorin, pasi është shumë e ngarkuar duke xhiruar filmin “Les Miserables” në Londër, derisa Josh jeton në New York.
“Amanda gjithmonë kishte fluturuar në shtëpi në Los Angeles kur nuk kishte qenë në studio. Ajo ishte përpjekur vazhdimisht të shihet me Josh, por nuk ka funksionuar. Ajo ka vendosur t’u japë fund gjërave”, ka thënë burimi për Daily Mail.
Dyshja për të parën herë u bashkuan në janar, pasi u njohën nga miq të përbashkët, dhe së fundi u panë duke bërë shëtitje romantike në plazh. 

Capital T së shpejti me “Karma”

Reperi Trim Ademi, i njohur si Capital T, këto ditë pritet ta publikojë videoklipin e këngës ‘Karma’ (What goes around comes around).
Ky është singli i parë i albumit “Kapo”, të cilin Capital T pritet ta publikojë së shpejti.
Videoklipi i këngës “Karma” është realizuar në Amerikë, dhe do të lansohet gjatë këtij vikendi në kanalin zyrtar të Capital T,http://www.youtube.com/kapoofficial, ku do të publikohet i gjithë albumi i cili përmban 15 këngë.
Në albumin “Kapo” të reperit Capital T do të ketë edhe bashkëpunime me artistë të ndryshëm.

Apple demanton Starckun

Zëdhënësja e Apple gjatë një bisede me AllThingsD demantoi fjalët e Philippe Starck të cilat edhe ne i transmetuam në mëngjes. Dizajnuesi francez së voni pati deklaruar se është duke bashkëpunuar me Apple në zhvillimin e një produkti revolucionar.
Por, sipas fjalëve të zëdhënëses, dizajnuesi me Apple nuk po bashkëpunon në asnjë produkt të ri. Gjithashtu, nga Apple nuk dëshiruan të qëllojnë se në çfarë mendonte Starck kur ka thënë se ai produkt do të paraqitet gjatë tetë muajve të ardhshëm. Pas deklaratave të Starckut nisën thashethemet se ai është duke punuar me Apple në dizajnin e telekomandës për televizorin e Apple, që dukej si gjasë më reale për të ndodhur.
Sipas biografisë së Steve Jobsit, Philippe Starck me CEO-në e ndjerë të Apple bashkëpunonin në ngritjen e jahtit me mure nga xhami. Revolucionare, por jo në kuptimin e Apple.

Prokurorët pa mbrojtje

Disa nga prokurorët që kanë në duar raste të rënda, kanë afër vetes edhe policë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt. Reshat Millaku është njëri prej tyre. Të tillë kishte edhe Nazmi Mustafi. Tash së fundi, truprojat i shkojnë prapa edhe Mauricio Salustros. Por, shumica e prokurorëve mbesin pa mbrojtje. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Qeveria është e gatshme t’i ofrojë mbrojtje secilit që mendon se ka nevojë.
Reshat Millaku, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka më shumë se tri vjet që nuk udhëton vetëm. Prapa gjithnjë i ka dy pjesëtarë të Njësisë për Mbrojtje të Afërt të Policisë së Kosovës.
Dy policë i shkojnë prapa gjithnjë. Madje edhe kur ka vizita private, e edhe në ditët e fundjavës.
Edhe kur shkon për të vizituar ndonjë të afërt apo edhe kur shkon në fshatin e tij, Ujmir të Klinës, ata gjithmonë i shkojnë prapa. Madje Millakut i gjenden pranë edhe nëpër seanca gjyqësore. Së paku njëri polic i kësaj njësie i qëndron gjithnjë afër këtij prokurorit, shkruan Express.
Kjo siguri fizike, Millakut i është ofruar prej se ka qenë prokuror në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza. Siguri njëzet e katër orë, prokurorit Millaku i është ofruar edhe në shtëpi, por një gjë të tillë thotë të mos e ketë pranuar.
“Në shtëpi nuk kam pranuar, për shkak të familjes, por nëse dua të shkoj diku, i thërras dhe ata vijnë më marrin dhe më çojnë në vendin e caktuar“, thotë prokurori Millaku. 

Me urdhër të Sylës, Selmani e Muja uzurpojnë pronën e "Auto Prishtinës"

Në një sipërfaqe prej një hektari e 78 ari të ndërmarrjes "Auto Prishtina", që ndodhet në zonën më strategjike të Prishtinës, sot gjendet një hotel dhe një restorant luksoz.
Hoteli Victory është pronë e biznesmenit dhe ish-deputetit të PDK-së, Bedri Selmani, ndërsa restoranti "Te rrethi" është në pronësi të deputetit aktual të PDK-së, Shaip Muja, që menaxhohet nga vëllezërit e tij. Që të dy këto objekte gjenden në pronën e ndërmarrjes "Auto Prishtina".
Siç shkruan Bota sot, uzurpimit të këtyre pronave nga Bedri Selmani dhe Shaip Muja i ka paraprirë një vendim i lëshuar dhe i nënshkruar nga "Ministri i Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme", Azem Syla.
Gazeta boton edhe faksimilen e vendimit të protokolluar e që mban datën e 22 korrikut të vitit 1999, që pronën e "Auto Prishtinës"... e kalon “në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme".

Beckenbauer: Reali nuk është në nivelin e Barcës

President i Bayern Munich, Franz Beckenbauer, mendon se Real Madridi nuk është ndonjë rival i jashtëzakonshëm.
Ish-futbollisti gjerman mendon se Barcelona është shumë më kreative se rivali tjetër spanjoll Reali i Madridit.
“E kam shikuar Real Madridin në Ligën e Kampionëve. Është një skuadër standarde, një skuadër e shkëlqyeshme, por normale. Gjithçka funksionon, por nuk i ka dimensionet e jashtëzakonshme të lojës së Barcelonës”, ka deklaruar Beckenbauer.
Bayerni nesër pret pikërisht Real Madridin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Nëse gjermanët kualifikohen në finale, ata do të mund të përballen me Barcën, e cila fillimisht do të duhej të eliminonte Chelsean në gjysmëfinale.

BB Poqi sjell videoklipin “Shti, më qëllo”

Këngëtari Bajram Bylykbashi, i njohur si BB Poqi, ka realizuar projektin më të ri muzikor.
“Shti, më qëllo” titullohet kënga më e re e Poqit në bashkëpunim me Lusi & Armadillo Blues Band.
Kënga flet për problemet sociale të Kosovës dhe Shqipërisë, e gjithashtu edhe për të zhdukurit gjatë luftës së Kosovës.
BB Poqi, gjatë një prononcimi për Telegrafi, ka pohuar se është ndarë shumë i kënaqur me realizimin e kësaj kënge. Ai gjithashtu ka thënë se kjo këngë tashmë është duke konkurruar edhe në “Top Fest 9”.
Përveç kësaj, Poqi është zotuar se së shpejti do të sjellë edhe një videoklip të ri.
Më poshtë mund ta shikoni klipin e këngës “Shti, më qëllo”. 

Familja e Diana Kastratit e dërgon në Kushtetuese sistemin gjyqësor

Prindërit e Diana Kastratit, e cila është vrarë para një viti në Prishtinë, do t’i drejtohen të martën Gjykatës Kushtetuese me qëllimin që rasti i vajzës së tyre të mos i ndodhë më asnjë familjeje tjetër kosovare.
Ata duan të konstatojnë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese nëse sistemi i drejtësisë në vend ka funksionuar te rasti i vajzës së tyre, dhe nëse jo, kush është përgjegjës për këtë mosfunksionim.
Më saktësisht, me këtë rast nga Gjykata Kushtetuese kërkohet që të konstatohet shkelja e të drejtave individuale të Diana Kastratit, përkatësisht prindërve të saj, shkelje kjo që ka ndodhur për shkak të mosveprimit të Gjykatës Komunale në Prishtinë.
Pak ditë para se të vritej, Diana Kastrati kishte kërkuar mbrojtje institucionale nga shteti, mbrojtje kjo që sipas familjarëve nuk është ofruar dhe për me tepër as përgjigje nuk i është kthyer në kërkesën e parashtruar nga e ndjera Diana.
Adresimi i lëndës së prindërve të Diana Kastratit në Gjykatën Kushtetuese do të bëhet përmes iniciativës ‘Drejtësia dhe qytetarët’. Në një njoftim të shpërndarë për media nga kjo iniciativë thuhet se rasti i Diana Kastratit dhe qasja e institucioneve kundruall këtij rasti paraqet shembull tipik të shpërfilljes së qytetarëve nga ana e sistemit të drejtësisë në vend.
“Ky rast ka të bëjë me shkeljen e të drejtave individuale të së ndjerës Diana Kastrati dhe, tërthorazi, edhe të prindërve të saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokolleve të saj”, thuhet në njoftimin e iniciativës ‘Drejtësia dhe qytetarët’.
Sipas po këtij njoftimi, dispozitat ligjore në vend e obligojnë Gjykatën Komunale të Prishtinës, si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës të japin përgjegjësi në këto raste.
“Bazuar në Ligjin nr. 03/L-182 për mbrojtje nga dhuna në familje, Gjykata Komunale në Prishtinë ka qenë e obliguar që të trajtonte kërkesën e Diana Kastratit për urdhër për mbrojtje emergjente në afat prej 24 orësh nga momenti i paraqitjes. Kjo gjykatë ka dështuar të bënte një gjë të tillë, duke rezultuar me shkeljen e të drejtave individuale të përmendura më lart, e për më tepër, me vrasjen mizore të së ndjerës Diana Kastrati”, thuhet më tej në njoftim.
Kërkesa e Gëzim dhe Makfire Kastratit, së bashku me të gjitha provat e nevojshme, do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese në ditën e martë.
Diana Kastrati është vrarë në maj të vitit të kaluar nga ish burri i saj. 

Beograd: Policia e Kosovës rrezikon sigurinë

Shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Ljubisa Dikovic ka deklaruar se prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës “në linjën administrative paraqet rrezik për sigurinë”.
Ai ka thënë se po duket qartas se Policia e Kosovës, duke rënë ndesh me marrëveshjet dëshiron që hap pas hapi të imponohet si faktor në atë rajon.
“Konsideroj se vetëm KFOR-i mund të garantojë sigurinë në Kosovë, dhe jo të ashtuquajturat organe të Kosovës”, ka thënë Dikovic për “Politikën”, duke komentuar arrestimin e mëhershëm të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe në rajonin e Merdares.
Ai ka vënë në pah se në lidhje me praninë e Policisë së Kosovës, ushtarët serbë lajmërojnë KFOR-in, duke kujtuar se sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës, Ushtria Serbe bashkëpunon me trupat ndërkombëtare të sigurisë, në veçanti me KFOR-in, transmeton Rel.
Duke u përgjigjur në pyetjet se përse nuk ka reaguar më herët ndaj akuzës së drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare Natasha Kandic se “nuk ka të kaluar të pastër të luftës”, Dikovic ka shpjeguar se padinë e ka bërë vetë si qytetar, ndërsa sipas tij ka marrë kohë që të përgatitet padia.
Ai ka thënë se nuk dëshiron që t’i japë jehonë tjetër siç ka thënë, “të pavërtetave të Fondit”, duke shtuar se gjykata do të thotë fjalën e saj.
Dikovic gjatë luftës së vitit 1999 ka qenë komandant i njësisë së motorizuar 37 të Rashkës, e cila ka vepruar në Kosovë, përkatësisht në Drenicë, bëjnë të ditur mediat serbe.
Kandic, e ka akuzuar Dikovicin për krime të luftës në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-99.
Organizata e saj ka thënë se “shumë krime të rënda dhe masive” ishin kryer në pjesën qendrore të Kosovës, ku Dikovic ishte përgjegjës si komandant brigade në vitin 1999.
Fondi për të Drejtën Humanitare, poashtu, ka thënë se në krime përfshihen edhe ekzekutimet e civilëve, vjedhjet dhe dhunimet, dhe se gjenerali Ljubisa Dikovic, kishte pasur obligim që t’i parandalojë. 

Koshnjeti ishte arrestuar edhe më parë gabimisht

Familjarët e Mark Koshnjetit, i cili është arrestuar të shtunën nga policia serbe, dhe aktivistët për të drejtat e njeriut në Prizren kanë apeluar te institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që të bëjnë presion në Beogradin zyrtar për lirimin e tij, meqë konsiderojnë se ai po mbahet në paraburgim në mënyrë të padrejtë nga autoritetet e Serbisë. Ata kanë përsëritur qëndrimet se Mark Koshnjeti asnjëherë nuk ka qenë pjesë e formacioneve të UÇK-së dhe se gabimisht është arrestuar edhe një herë, porse është liruar shumë shpejt.
"Do të isha shumë krenare që ai të ishte në luftë e të kishte qenë pjesë e UÇK-së, e ndoshta sot nuk do të brengosesha pse është burgosur. Për këtë edhe më vjen inati, se u arrestua për atë që kurrë nuk ka qenë", ka thënë Valentina Koshnjeti-Koni, vajza e madhe e Markut, transmeton portali Koha.net.
Ajo ka sqaruar se Marku "është arrestuar edhe një herë gabimisht nga ndërkombëtarët", porse është liruar menjëherë pasi është verifikuar se bëhet fjalë për personin e gabuar.
Sipas njoftimeve të medieve serbe, Mark Kashnjetit, të arrestuar të shtunën nga policia e Serbisë, në Merdar, derisa po udhëtonte me autobus për në Beograd, pas marrjes së pyetje i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, ndërkohë që pritet që rreth paraburgimit të vendoset të hënën nga gjykatësi i dhomës për krime të luftës në Gjykatën e Lartë në Beograd.
Mirëpo këto pretendime janë hedhur poshtë edhe nga Bashkim Kajdomçaj i Zyrës Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, i cili ka theksuar se kjo organizatë ka informata të besueshme se Kashnjeti nuk ka qenë pjesë e UÇK-së asnjëherë dhe se në atë kohë ka pasur probleme shëndetësore.

Projektligji i ri për ndërtim stimulon korrupsionin

Politika vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dorë në kaosin urbanistik të krijuar në 12 vjetët e fundit në Kosovë. Politikanët e pasluftës nuk kanë pasur vizionin për të rregulluar dhe për të krijuar një mirëqenie për qytetarët. Si rrjedhojë është prodhuar një arkitekturë me vendbanime dhe ndërtime spontane dhe pa ndonjë kriter, thotë Valdet Osmani, kryetar i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës
Ky kaos pritet të thellohet edhe më shumë me Ligjin e ri për ndërtim. “Pas analizave të bëra në detaje e kemi vërtetuar se hartuesit e këtij ligji nuk kanë as njohurinë elementare në ndërtim e as në procesin e dhënës së lejeve e shumë më pak për ligjet dhe proceset në fuqi. Pra, nuk janë ekspertë e as njohës të kësaj fushe. Ky projektligj si i tillë nuk do të rregullojë, por do të prodhojë kaosin”, thotë Osmani, gjatë një interviste për Koha Ditore.
Ky projektligj, sipas tij, do të dëmtojë buxhetin e Kosovës dhe do të shkaktojë pasoja negative të përmasave të mëdha për të ardhmen e Kosovës.
Për situatën kaotike urbane ai ka bërë përgjegjëse pushtetin dhe politikat e tij analfabete urbane.
Pohimet e Qeverisë se Projektligji, që ka kaluar leximin e parë në Kuvend, zvogëlon afatet, koston dhe nuk do të ketë vonesa në marrjen e lejes për ndërtim, Osmani i quan keqinformim dhe keqinterpretim. “Edhe ligji ekzistues e ka paraparë që leja të merret brenda 30 ditësh, por nuk është zbatuar. Kjo është edhe një dëshmi se projektligji nuk është analizuar mirë, sepse është e kundërta. Ligji ekzistues, edhe me gjithë të metat që ka, është shumë më funksional dhe elastik dhe lejon afate edhe më të shkurtra me kosto më të vogël në marrjen e lejes, por që nuk janë zbatuar. Ky Projektligj si i tillë nuk do të rregullojë, por do të prodhojë kaosin”, shprehet Osmani.

Sundimi i rendit dhe ligjit garancë për zhvillim ekonomik

Nuk mund të mendohet se një shtet do të ketë perspektivë zhvillimore qoftë në aspektin ekonomik, politikë, social, kulturorë e mbi të gjitha integrues në qoftë se sundimi i rendit dhe ligjit nuk është në nivelin e kërkuar qoftë në aspektin shtetërorë, qoftë në aspektin e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare theksoi Ernest Petrič Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Sllovenisë gjatë takimit që pati me Kryetarin e Odes Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të OEK-ut.
Është nderë i madh që kemi raporte të tilla të gjithanshme në mes të dy shteteve mike siç janë Republika e Kosovës dhe ajo e Sllovenisë dhe mendojmë si Ode Ekonomike e Kosovës se proceset e të kaluares intergruese të Sllovenisë mund të jenë modele të cilat duhet të barten në Kosovë dhe Sllovenia të përdoret si një shtyllë bazike e urës në relacionin Prishtinë – Bruksel theksoi Gërxhaliu.
Ai vazhdoi duke thënë se me krenari kosovaret e kujtojnë takimin në Canarijev Dome që është një kthesë revolucionare për Kosovën dhe një dëshmi e përkrahjes së pafund të Republikës së Sllovenisë dhënë proceseve pozitive në Kosovë drejtë Pavarësisë së shtetit më të ri në Evropë.
E tëra kjo nënkupton se e kemi të sotmen dhe duhet bashkërisht ta ndërtojmë partneritetin drejtë një ardhmërie më prosperuese dhe modelet e privatizimit, integrimit, harmonizimit të standardeve evropiane, format e avancuara të bashkëpunimit përmes investimeve të përbashkëta, qasje në burime investuese nga fondet Evropiane dhe bartja e dijenisë dhe përvojave Sllovene duhet të jenë qëllim i avancimit të bashkëpunimit në të ardhmen. Në veçanti sundimi i rendit dhe ligjit, ngritja e përgjegjësisë individuale dhe institucionale duhet të jenë shtyllat e eliminimit të dukurive negative që i karakterizojnë shoqëritë në tranzicion e në këtë rast edhe Kosovën.
Ernest Petrič theksoi se në Kosovë është vërejtur një dinamizëm i jashtëzakonshëm por i cili duhet të ketë edhe mbështetje dhe garancë ligjore dhe juridike. Funksionimi i këtyre parimeve bazike të demokracisë moderne janë në të njëjtën kohë edhe parakushtet bazike në rrugëtimin drejtë familjes evropiane dhe sa më shpejtë që fillon zbatimi i tyre në Kosovë do ti përshpejtoni proceset me efektivitet pozitivë të shumanshme. Prandaj më gëzon fakti që në Kosovë shohë njerëz dhe ekspertë të rijnë të shkolluar jashtë vendit dhe me një përvojë ndërkombëtare që mund të jenë potencial i përshpejtimit të proceseve pozitive, potencial të cilin Sllovenia nuk e posedon.
Duhet kuptuar se Kosova nuk ka problem me Brukselin dhe Kryeqytetet tjera por duhet të merret me vetë veten dhe të gjitha sfidat të zgjidhën në Kosovë dhe platforma e minimizimit dhe zgjidhjes së këtyre sfidave është zhvillimi ekonomik i cili është ngushtë i lidhur me sundimin dhe implementimin e rendit dhe ligjit, theksoi ai. 

Ferguson: Young rrëzohet shumë lehtë

Menaxheri i Manchester United, Sir ALex Ferugosn, thotë se ai është i shqetësuar me reputacionin e mashtruesit që ka fituar Ashley Young.
Young edhe një herë trilloi një penalti kontroverse, në fitoren e djeshme 4-0 ndaj Aston Villas. Ferguson mendon se rasti në fjalë ishte penalti, por edhe se Young rrëzohet me lehtësi.
“Mendoj se po, [ai rrëzohet me lehtësi] në një apo dy javët e fundit. Kurrë nuk e kam parë atë ashtu. Nuk është kjo ndonjë veti e tij. Ishte faull në të. Ai vetëm se e bëri të duket më shumë”.
“Por përfundimisht ai u rrëzua. Kishte kontakt. Ai u rrëzua shumë me lehtësi, por ishte penalti. Ai përfundimisht ishte i faulluar”, ka thënë Ferguson. 

Interi rivalizon Chelsean për Blanc

Interi raportohet se dëshiron ta rikthejë në klub përzgjedhësin e Francës, Laurent Blanc.
Trajneri francez pritet të jetë i lirë pas përfundimit të Euro 2012 dhe po ashtu është lidhur edhe me marrjen nën drejtim të Chelseat.
L’Equipe shkruan se presidenti i Interit, Massimo Moratti, është duke rinovuar interesimin e tij në Blanc, i cili do të mirëpriste një rikthim në klub.
Blanc kishte veshur fanellën e Interit nga viti 1999 deri në vitin 2001 gjatë karrierës së tij si lojtar. 

NBA: James dhe Wade fundosin Knicksat

LeBron James dhe Dwyane Wade kanë shënuar 57 pikë së bashku për të ndihmuar Miami Heat të fitojë ndaj New York Knicks ne rezultat 93-85.
James, i cili shënoi 29 pikë, dhe Wade, i cili shënoi një më pak, 28, u bashkuan për të përmbysur rezultatin në çerekun e katërt nga disavantazhi 79-75 në avantazh 87-80, që më pas i dhanë skuadrës fitoren e 12-të në 13 ndeshje dhe të 42-tën e sezonit (17 disfata).
Pavarësisht 42 pikëve të Carmelo Anthonyt, Knicks pësuan disfatën e 29-të të sezonit (31 fitore) dhe u rikthyen në pozitën e tetë në Konferencën Lindore me edhe gjashtë ndeshje të mbetura deri në fund.

Arita: Fotoja me Lorikun nuk paraqet asgjë

Këto ditë në portalet shqiptare ka qarkulluar një foto ‘intime’ e modeles shqiptare Arita Fejzullahu, ku ajo duket në krahë të futbollistit shqiptar Lorik Cana.
Mediat shqiptare, kishin pohuar për një lidhje të mundshme mes Aritës dhe Lorikut. Por Arita gjatë një prononcimi për Telegrafi.com e “ka shpallur” të pavlerë këtë foto, duke se ajo nuk paraqet asgjë.
“Unë e deklaroj të pa vlerë këtë foto sepse siç e shihni unë jam e veshur edhe e grimosur. Fotoja është bërë në një hotel të përbashkët ku ishin edhe artistë të tjerë, ishte vikend dhe ishim duke u bërë gati që të dalim në foto. Pastaj ne kemi shkuar në dhomën e Lorikut për ta pyetur nëse është gati, dhe aty është bërë fotoja. Kam edhe dëshmitarë që mund ta konfirmojnë”, ka pohuar Arita.
Përveç kësaj Ajo ka shtuar se nuk dëshiron t’i justifikohet askujt, por për respektin që ka ndaj familjes dhe shoqërisë, ajo nuk dëshiron që ata të mendojnë gjëra të gabuara.
“Unë s’kam pse të jap asnjë justifikimi, por për shkak se kam familje dhe shoqëri që më respektojnë, nuk dëshiroj të mendojnë gjëra të gabuara. Dhe s’dua që as vetë Lorik Cana të mendojë që krejt kjo është ndonjë grackë e imja për të bërë publicitet”, ka thënë Arita për Telegrafi.
Sipas saj mediat janë bërë të pa vlerë dhe e gjitha çfarë dëshirojnë janë vetëm përfitimet, duke mos ju interesuar nëse dëmtohet imazhi i dikujt.
“Mediat kohëve të fundit janë bërë të pa vlerë, vetëm ju intereson përfitimi, nuk ju intereson nëse dëmtojnë imazhin e dikujt... S’ka kuptim të bëhen këso gjeste, jam shumë e irrituar, të tregoj të drejtën. Por, njerëzit që më njohin e dinë të vërtetën. Jam fytyrë publike, duhet të mësohem me faktin që të jem e përfolur, ama jo me faktin që të shpikin për mua. Këtë s’do ta lejoj”, ka përfunduar Arita Fejuzllahu. 

Samsung pret WP8

Sipas pohimeve të burimeve tajvaneze, këtë vit Samsung nuk do të paraqes pajisje të reja smartphone të bazuar në Windows Phone 7.5. Fokusi i kompanisë tashmë janë bërë Windows Phone 8 dhe Apollo.
Përkushtimin ndaj SO mobil të Microsoftit e konfirmoi shefi i zhvillimit të produkteve në Samsung i cili tha se kompania është ende “mjaftë e përqendruar” në Windowsët mobil, dhe se ende kanë në plan produkte nga ai segment. Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, pajisjet e para të këtilla në treg do të paraqiten gjatë këtij viti, e më së herëti në muajin tetor. Detajet e pajisjeve për momentin nuk janë të ditura.
Samsung momentalisht shet dy smartphone të bazuar në Windows Phone 7. Më i avancuari Focus S i dedikohet kryesisht tregut amerikan, dhe Omnia W që është në dispozicion në tregun e Evropës.

Mendojnë se janë në katin e gabuar (Video)

Një ekip i kamerës së fshehur, “Just for Laughs”, ka bërë një ashensor të rrejshëm, i cili aspak nuk lëviz.
Derisa ‘viktimat’ qëndrojnë në ashensor, teknikët me shpejtësi ndërrojnë enterierin në mënyrë që ata të mendojnë se janë në një kat të gabuar.
Nga personat e përfshirë në xhirim kërkohet që ta dërgojnë një paketë në katin e tretë, mirëpo ata gjithmonë përfundojnë në “katin e gabuar”... 

Valdes: Barca nuk është vetëm Messi

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, thotë se Chelsea do të gabojë nëse do të fokusohet për të ndaluar vetëm Lionel Messi.
Barcelona të mërkurën udhëton në Stamford Bridge në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në kërkim për t’u kualifikuar në finalen e dytë radhazi.
“Messi është numër 1 në botë, kjo është e padiskutueshme. Çdo rival ka frikë nga ai, por nëse ju zhvilloni një sistem për ta ndaluar atë, kjo e bën situatën më të mirë për sulmuesit tjerë dhe kjo është një avantazh i madh për ne”.
“Të ndalosh Leo është gjithmonë vështirë pasi ai është i jashtëzakonshëm në çdo ndeshje dhe shënon aq shumë gola”, ka thënë Valdes. 

Carroll: Ja pse erdha te Liverpooli Carroll: Ja pse erdha te Liverpooli

Andy Carroll thotë se goli i fitores për Liverpoolin në Wembley është arsyeja se pse ai ishte transferuar te The Reds.
Carroll shënoi një gol dramatik tre minuta para fundit të takimit për t’i ndihmuar skuadrës së Kenny Dalglish të rikthehet nga disavantazhi 1-0 për të fituar me rezultat 2-1 dhe për të siguruar biletën në finale të Kupës.
“Është një ndjenjë e shkëlqyeshme të shënoj gol në cilëndo kohë, por meqë ishte në Wembley dhe kundër Evertonit, është edhe më mirë”.
“Kjo është arsyeja se pse ju vini te Liverpool FC për të luajtur në ndeshje si kjo dhe ju dëshironi t’i fitoni gjërat. Të vijmë dy herë në Wembley është mrekulli. Ne duhet t’ia dedikojmë fitoren familjarëve [të tragjedisë] Hillsborough”, ka thënë Carroll.

Tevez: City ende mund ta fitojë titullin

Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, thotë se ata mund ta mposhtin Manchester United në garën për titull.
Tevez shënoi hat-trick në fitoren 6-1 të Manchester Cityt ndaj Norwich Cityt, por fitore shënoi edhe Manchester United ndaj Aston Villa, për të ruajtur avantazhin prej pesë pikësh në maje të tabelës.
“Sigurisht se ne ende mund ta fitojmë titullin. Është e qartë se ne duhet të bëjmë presion në United. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të luajmë në mënyrën si jemi duke luajtur dhe ne do të arrijmë në majë. Matematikisht nuk është pamundur”, ka deklaruar argjentinasi. 

Lampard: Chelsea e meritoi finalen

Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, thotë se Blutë e merituan fitoren në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës FA kundër Tottenhamit.
Lampard, i cili shënoi edhe vetë në fitoren 5-1, ka thënë se nuk e ka parë golin e dytë kontrovers pasi ai goditi nga këndi, por beson se Chelsea e ka merituar fitore pavarësisht atij golit.
“Unë nuk e kam parë. Të jemi të drejtë, nëse ishim me fat, atëherë ishim. Arbitri e dha atë. Ne nuk kemi biseduar për këtë. Ne shënuam mjaft gola dhe krijuam mjaft shanse sot dhe me kalimin e lojës ne treguam se meritojmë ta fitojmë”.
“Ishte një ndeshje e mrekullueshme. Mendoj se ne luajtëm në mënyrë brilante. Pjesa e parë ishte e vështirë”.
“Didier shënoi një gol spektakolar. Mendoj se ne merituam ta fitojmë atë ndeshje me sasinë e shanseve që krijuam. Tottenham është skuadër e kreut por sot ne fituam bindshëm”, ka deklaruar Lampard pas sfidës së djeshme. 

Rooney kërkon rekord të ri golash

Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka hedhur fokusin kah një rekord i ri golash.
26-vjeçari shënoi dy herë në fitoren e të dielës 4-0 ndaj Aston Villa, për të çuar në 31 numrin e përgjithshëm të golave këtë sezon dhe në 178 numrin e golave të tij me Djajtë e Kuq, një më pak se George Best dhe Dennis Viollet.
“Do të ishte mrekulli të barazoj rekordin dhe shpresoj t’i tejkaloj ata. Do të jetë një arritje e mrekullueshme me të cilën do të isha krenar, por vërtet nuk mund të mendoj në këtë për momentin. Nëse kjo ndodh atëherë shkëlqyeshëm, shpresoj ta arrij para fundit të sezonit, por jam i përqendruar në lojën time”.
“Ishte mirë të shënoj dy gola, por nuk mendoj se paraqitja ime [ndaj Aston Villas] ishte shumë e mirë. Isha i zhgënjyer nga ajo, por jam i kënaqur me golat. Në këtë moment janë të rëndësishme pikët dhe nëse mund të shënoj golat të cilat i sjellin këto pikë, atëherë do të jem i kënaqur”, ka deklaruar Rooney.