Kosova ka bërë përparim në integrimin e saj

Turqia mirëpret marrëveshjet e arritura me 24 shkurt në përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe menaxhimin e integruar të kufirit në negociatat e lehtësuara nga BE-ja mes Beogradit e Prishtinës- thuhet në një komunikatë për media të MPJ-së turke.
“Ne i konsiderojmë këto marrëveshje si një hap të madh drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.
“Ne besojmë se me këtë marrëveshje Kosova ka bërë përparim në integrimin e saj me strukturat euro-atlantike dhe mirëpresim që Kosova do të marrë pjesë në forumet rajonale”, thuhet në komunikatë, ndërsa transmeton Zëri.

Dacic: Më vjen keq që Serbia nuk e ka policinë në Kosovë

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, e ka dënuar ashpër arrestimin e pjesëtarëve të MPB-së serbe në Gjilan dhe ka shprehur keqardhje që policia e Serbisë nuk e ka policinë e vet në Kosovë.
“Më vjen keq që Serbia nuk e ka policinë në Kosovë, sepse sikur ta kishte pasur, nuk do të kishte ndodhur kjo që shqiptarët e bëjnë kundër serbëve e as ajo që serbët ia bëjnë vetvetes”, u ka thënë ai gazetarëve në Beograd.
Siç raporton Evropa e Lirë, Dacic ka theksuar se pjesëtarët e MPB-së serbe i kishin paraqitur “serbët lokalë që punojnë për Thaçin”.
Pjesëtarë ROSU të shtunën kanë arrestuar gjashtë serbë në Gjilan, dhe i kanë akuzuar për “sulm në rendin juridik të Kosovës dhe pengim të policisë në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Serbia ka ngecur në obligimet implementuese

Zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale, Edita Tahiri, ka qëndruar në NATO, me ç’rast wshtw takuar me ambasadorët e vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike dhe të disa vendeve partnere të Aleancës.
Tahiri në fjalën e saj tha se NATO ka luajtur rol kyç në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe në periudhën e pasluftës NATO dhe KFOR kanë dhënë dhe po japin kontribut qenësor për paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu ajo vlerësoi lartë angazhimin e NATO-s në përgatitjen e arkitekturës së sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës duke ndihmuar drejtpërdrejt në zhvillimin e Forcës së Sigurisë, forcë kjo e cila është duke ecur drejt e në hapa të sigurt si forcë kompatibile me standardet e NATO-s dhe shumë shpejtë do të jetë ushtri e cila do t' i kontribuojë paqes në rajon dhe më gjerë.
Më pas, ajo foli për vizionin euro-atlantik të Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar reformat strukturore mbi parime euro-atlantike në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në vendin tonë. Ajo ndër tjerash theksoi se gjatë katër viteve të pavarësisë kemi konsoliduar institucionet demokratike të shtetit tonë të ri dhe kemi forcuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, i cili tashmë është njohur nga pjesa më e fuqishme e botës, me 88 njohje në mesin e të cilëve janë SHBA-të, vendet kryesore të BE-së e më gjerë. Tahiri në veçanti elaboroi hollësisht vizionin për zhvillimin e shtetit të Kosovës duke thënë se vizioni jonë për shtetin ka për bazë parimet themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ekonomisë së tregut dhe jemi të vendosur që ta bëjmë Kosovën një shtet të suksesshëm, i cili do të mirëpritet në familjen e NATO-së, të BE-së dhe OKB-së si një shtet i respektuar dhe i përgjegjshëm për obligimet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ajo bëri thirrje që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën si dhe të angazhohen për rritjen e numrit të njohjeve.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel, Tahiri i vlerësoi si një përparim të rëndësishëm në dialog, por konstatoi se suksesi i vërtetë i dialogut qëndron në zbatimin e plotë të marrëveshjeve për të shtuar se Kosova ka qenë palë konstruktive dhe me përgjegjësi ka kryer të gjitha obligimet e dialogut, mirëpo Serbia ka ngecur në obligimet implementuese andaj duhet të që të jetë më serioze në implementimin e obligimeve të marra nga procesi i dialogut teknik që është zhvilluar në Bruksel.
Kosova dhe Qeveria e saj po kontribuojnë për stabilitetin e rajonit dhe fqinjësisë së mirë, por natyrisht që kërkohet seriozitet më i madh edhe nga pala tjetër për zbatimin e marrëveshjeve, tërheqjen nga ndërhyrjet ilegale në Kosovë dhe heqjes së barrikadave dhe zhbërjen e strukturave ilegale në veri të vendit- ka thënë Tahiri, duke shtuar se ajo pjesë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës duhet të dalin nga iluzionet dhe të pranojnë që ta kuptojnë rëndësinë e zbatimit të pakos së Ahtisaarit, sepse është në dobi të tyre dhe e cila është përtej gjitha standardeve ndërkombëtare për të drejtat e pakicave.
Ambasadorët e përhershëm të vendeve anëtare të NATO-s e kanë vlerësuar rezultatet e konsiderueshme në konsolidimin e shtetit të Kosovës, forcimin e institucioneve demokratike, reformat e përgjithshme evropiane si dhe progresin e shënuar edhe në ndërtimin e Forcës së Sigurisë konform standardeve të NATO-së. Ata rikonfirmuan përkrahjen e plotë të vendeve të tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës si dhe premtuan mbështetje për ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës. 

Hoxhaj e Çitaku kërkojnë mbështetjen e Brukselit

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kanë udhëtuar në Bruksel, ku pritet të kenë takime të shumta me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së.
Dy ministrat do të kenë takime me dhjetëra ministra të punëve të jashtme të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Në të gjitha këto takime ata do informojnë zyrtarët për reformat që ka bërë Republika e Kosovës në shtetndërtimin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe në përmbushjen e standardeve të nevojshme për integrime evropiane.
Ata do të kërkojnë mbështetjen e Brukselit për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës. Hoxhaj e Çitaku do të kërkojnë fillimin e procesit për të nënshkruar marrëdhëniet tregtare, në formë të marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
Po ashtu, do të kërkohet nga Brukseli që sa më parë të fillojë studimi i fizibilitetit për Republikën e Kosovës, si parakusht për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, si korniza e vetme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Gjatë kësaj vizite, dy ministrat kosovarë, po ashtu, do të kenë takime me përfaqësues të institucioneve evropiane, si dhe përfaqësues të jetës politike dhe publike në Bruksel.

Policët e MUP-it pritet të dalin para trupit gjykues

Gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, të arrestuar dje në rrethin e Gjilanit, sot pritet të dalin para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.
Ata janë arrestuar si të dyshuar se kanë vepruar kundër interesit juridik të Kosovës, transmeton “koha.net”.
Atyre u janë gjetur uniforma të Policisë serbe e distiktive të MUP-it serb. Në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe janë konfiskuar armë të ndryshme dhe gjësende të tjera.
Ndërkohë, ka reaguar ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic i cili arrestimin e ka quajtur akt provokimi nga Prishtina zyrtare. Sipas tij, të arrestuarit, punëtorë të MUP-it, jetojnë në Gjilan, ndërsa punojnë në Vranjë. 

VV: Ta pezullojmë Qeverinë që e pezulloi shtetësinë

Të premten me 24 shkurt, Kosova ka shënuar kthimin më të madh prapa politik me dekada. Kosova ka pranuar që të tjerët kanë të drejtë të na e mohojnë shtetësinë, thanë anëtarë e Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një konference për shtyp.
“Qeveria e Kosovës me këtë nënshkrim e ka betonuar edhe më tutje besimin e atyre shteteve që nuk na kanë njohur e që mund të vazhdojnë të mos na njohin, sepse tanimë edhe qeveria e Kosovës e ka pranuar se shtetësia jonë është e diskutueshme në tavolinë, se mund të ndërrojmë qëllimet dhe parimet dhe mund të heqim dorë e besa nesër mund të ndërrojmë edhe territorin”, ka thënë Shpend Ahmeti.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jap dorëheqje, sepse “asnjë qeveri e kuvend nuk e ka të drejtën për zhbërjen e shtetit”.
“Në një shtet demokratik me vullnet të fortë, e me popull demokratik, këto procese mund të ndalen. Në qoftë se qeveria ka pranuar të heqë dorë nga shteti, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet ta pranojnë këtë”, shton Ahmeti.
Në anën tjetër, Dardan Molliqaj thotë se kanë përfunduar të gjitha punët organizative për demonstratën e nesërme.
“Në këto momente që po flasim, janë mbledhur mbi 10.000 nënshkrime për seancë të posaçme të Kuvendit të Kosovës kundër heqjes së Republikës dhe shtimit të fusnotës. Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot”.
Demonstrata, sipas tij, do të fillojë nesër në orën 12:00, në sheshin “Nëna Terezë” para Qeverise së Kosovës.
“Për katër orë rresht ne do ta pezullojmë plotësisht punën e kësaj Qeverie që po e pezullon shtetin e Kosovës”, thotë Molliqaj, i cili kërkoi nga policia që të mos i “bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit”.
“Demonstrata jonë do të jetë paqësore dhe e organizuar mirë. Për t’u kujdesur që demonstrata të shkojë mirë ne do të organizojmë mbi 500 aktivistë kujdestarë”.

Strukturat paralele edhe pa barrikada

Presioni politik i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë, është mënyra e vetme për ta shtyrë atë t’i zhbëjë strukturat paralele që ka në Kosovë, thonë njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e në Beograd.
Ata nuk e quajnë të habitshëm aksionin për heqjen e barrikadave që serbët e ndërmorën së fundi në veri të Mitrovicës, duke thënë se momenti para marrjes së përgjigjes për statusin e vendit kandidat për në BE, luan një rol të rëndësishëm në qasjen aktuale të shtetit serb ndaj çështjeve që ndërlidhen me Kosovën.
Analisti Leon Malazogu thotë për “Radion Evropa e Lirë” se procesi i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian mund të shfrytëzohet për ta detyruar shtetin serb që të heqë dorë nga ndikimi që ka në strukturat paralele serbe, e sidomos nga ato të fushës së sigurisë.
Mirëpo, Dusan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike e cilëson të ndërlikuar përbërjen e strukturave paralele serbe. Ai thotë se ndikim dominues në veprimet e tyre në veri të Kosovës kanë partitë opozitare serbe që, sipas tij, duan të shohin një dështim të qeverisë në procesin e integrimit evropian.
“Udhëheqësit më me ndikim në veri nuk janë të lidhur me Beogradin zyrtar... Për këtë arsye mendoj se udhëheqësit në veri do t’i përdorin barrikadat si instrument për bllokimin e statusit të kandidatit për Serbinë”, shprehet Janjiq për Evropën e Lirë.
Berlini zyrtar ishte, deri më tani, më i ashpër në kërkesën për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës. Autoritetet kosovare, ndërkaq, thuhet se i kanë duart e lidhura sa u takon strukturave paralele serbe në pjesën veriore të vendit.
Malazogu thekson rëndësinë për veprime graduale dhe të menduara mirë me qëllim shtrirjen e kontrollit shtetëror në veri të vendit.
“Më së miri është që, së pari, rolin e vet ta kryejë EULEX-i. Në rast se Prishtina mundohet të futet menjëherë për ta mbushur një boshllëk, kjo do të perceptohej si një lloj okupimi në veri, meqë i tillë është aktualisht mentaliteti atje. Kështu që, duhet dërguar mesazhe sa më pozitive, duhet të hapen zyra për kryerjen e shërbimeve, të krijohen raporte, të krijohen shkëmbime - edhe kulturore, por edhe të komunikimit, në mënyrë që gradualisht të zgjerohet kontrolli edhe shtetëror andej”, thekson Malazogu. 

Reali i pagabueshëm

Lideri i La Ligas, Real Madrid, ka vazhduar të grumbullojë pikë në vazhdën e Kampionatit spanjoll. Mbretërit kanë triumfuar me rezultat 1-0 si mysafir të Rayo Vallecanos.
Vendasit arritën që në gjysmën e parë ta bllokojnë lojën e mysafirëve, ashtu që pas 45 minutash nuk pati gola.
Në gjysmën e dytë, Cristiano Ronaldo ishte aty për ta bërë ndryshimin në mënyrë mjeshtërore duke shënuar me thembër golin me vlerë tre pikë (54’).
Me këtë fitore, Real Madridi gjendet 13 pikë larg Barcelonës në krye të tabelës, por Blaugranët e zhvillojnë ndeshjen e kësaj xhiroje si mysafir i Atletico Madridit. 

Bayerni triumfon në derbi

Me rezultat prej 2-0, Bayern Munichu e ka mposhtur Schalken në kryendeshjen e kësaj jave në Bundesliga.
Heroi i ndeshjes ishte anësori Franck Ribery, i cili realizoi të dy golat e bavarezëve.
Ribery pranoi një top të gjatë nga Luiz Gustavo për epërsinë e parë (36’) dhe me rezultat 1-0 skuadrat shkuan në pushime.
Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë, francezi realizoi edhe golin e dytë, ndërsa asistues ishte Thomas Mueller.
Aktualisht, Bayern Munichu gjendet një pikë prapa liderit Borussia Dortmund që e zhvillon ndeshjen e kësaj xhiroje kundër Hannoverit. 

Atalanta deklason Romën

Atalanta ka mposhtur me rezultat të thellë 4-1 Romën, në ndeshjen kryesore të zhvilluar në mesditë në Serie A.
Vendasit nuk kishin dominimin në posedim, por i shënuan golat. Marilungo fillimisht kaloi në epërsi Atalantën (10’), para se German Denis (19’) ta dyfishonte epërsinë në 2-0. Ishte Fabio Borini ai që i dha shpresë Romës duke realizuar për 2-1 në minutën e 36-të.
Në pjesën e dytë Atalanta formalizoi fitoren. German Denis (47’), shënoi për 3-1 dhe në ndërkohë Pablo Osvaldo u përjashtua nga loja te Roma. Përsëri Denis shënoi për 4-1 (66’) duke vulosur fitoren dhe një përjashtim tjetër në fund të takimit, pasi Marco Casetti u shpërblye me një dush të ftohtë (82’).
Me këtë fitore Atalanta ka 28 pikë në vendin e 14-të, kurse Roma mbetet në vendin e pestë me 38 pikë, e në rast të fitores së Napolit apo të Interit në duelin që zhvillohet në San Paulo, atëherë romakët do ta humbasin këtë pozitë. 

Arsenali pushton Londrën

Arsenali ka arritur që me anë të një rikthimi sensacional në Emirates ta mposhtë rivalin e përbetuar Tottenhamin me rezultat 5-2.
Sfida filloi me ritëm të shpejtë, ndërsa ishte tejet dramatike dhe me shumë gola.
Tottenhami pati startin e ëndrrave. Luis Saha pas katër minutash lojë arriti të shënonte nga afërsia (4’) përp 1-0. Tottenhami vazhdoi dominimin në fillim, duke realizuar edhe njëherë, kur gjyqtari akordoi një penalti kontraverse të cilën e konkretizoi Emmanuel Adebayor (34’) për 2-0.
Në vazhdim të takimit Arsenali ndez motorët dhe fillon rikthimin sensacional. Pas një harkimi të Artetas, i saktë me kokë ishte Bacary Sagna (40’), i cili realizoi për 1-2, ndërsa vetëm tri minuta më vonë me një goditje fantastike nga distanca Robin Van Persie barazoi rezultatin në 2-2 (43’).
Në fraksionin e dytë Arsenali arrin të shënojë edhe tri gola që siguruan fitoren e vendasve.
Thomas Rosciky me të filluar pjesa e parë (51’) shënoi për 3-2, para se Theo Walcott të realizojë edhe dy herë (65’ dhe 68’) për 5-2 dhe fitoren e jashtëzakonshme të Topçinjve në Emirates, që përbën mesazh të qartë për Milanin për atë që mund ta presë në ndeshjen kthyese.
Gjithë ajo që bëri Tottenhami deri në fund ishte një karton i kuq nga Scott Parker, teksa ndeshja përfundoi me rezultat 5-2.
Me këtë fitore Arsenali ka 46 pikë në tabelë dhe është në vendin e katërt me pikë të barabarta me Chelsean. Tottenhami mbetet në pozitën e tretë në kuotën e 53 pikëve.

Fitore e ngushtë e United

Manchester United ka arritur të shënojë fitore të vështirë në udhëtim te Norwichi, ndërsa heronjtë e klubit nga Old Trafford në fitoren prej 1-2 ishin veteranët.
Manchester United e dominoi sfidën nga fillimi, ndërsa shënoi herët (7’), me anë të Paul Scholes.
Loja vazhdon me dominim të mysafirëve, por Grant Holt barazoi rezultatin në minutën e 84 duke bërë të gjithë të besojnë se sfida do të përfundojë me barazim.
Sidoqoftë, kështu nuk mendoi Ryan Giggs, që në minutën shtesë (90+1’) shënoi për 2-1 dhe fitoren e madhe të Djajve.
Me këtë fitore Manchester United ka 61 pikë në vendin e dytë, dy pikë më pak se sa lideri Manchester City. 

Interi, 20 milionë Guardiolës?

Interi besohet se është në gjendje që ta zgjidhë krizën në stol duke punësuar super strategun katalanas, Pep Guardiola.
Marca shkruan se Interi ka bërë gati një ofertë të jashtëzakonshme prej 20 milionë eurosh në sezon për teknikun katalanas, vetëm e vetëm që ai të transferohet në Appiano Gentile.
Në ndërkohë, spekulimet më të reja në Itali flasin se gjendja e Ranierit nuk është aspak e mirë dhe se fati i tij do të varet nga ndeshja me Napolin, ku pos fitores nuk ekziston opsion tjetër për Nerazzurët.

Abramovich të shkarkojë Villas Boas?

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është tepër i nxehtë që ta shkarkojë menaxherin portugez, Andres Villas Boas, përkundër fitores së lartë ndaj Boltonit në Stamford Bridge të shtunën.
Sunday Express shkruan se fitorja e Chelseat ndaj Boltonit nuk ka ndikuar fare në mendimin e Roman Abramovich, i cili pret dhe një gabim të vogël nga Villas Boas për t’ia treguar derën. Gjithçka do të varet nga kualifikimi apo mos kualifikimi në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve.
Miqtë e Abramovich i kanë thënë këtij të fundit se Chelsea këtë vit nuk ka gjasa të fitojë diçka dhe se duhet ta bëjë gati menaxherin e ri dhe lojtarët e rinj për sezonin e ardhshëm.

Atonini: Goli i anuluar kushtoi

Mbrojtësi i Milanit, Luca Antonini, beson se goli i anuluar pa të drejtë për Milanin i kushtoi klubit Rossoner me barazim në sfidën e zhvilluar të shtunën mbrëma në San Siro.
“Ne kemi luajtur këtë ndeshje me përpikmëri, pasi na kanë munguar shumë lojtarë dhe kemi tentuar t’i mbulojmë këto mungesa”.
“Pranë rezultatit 2-0 do të kishte qenë ndeshje tjetër. Unë jam i hidhëruar dhe i zhgënjyer sepse ne kemi merituar fitoren dhe në vend të kësaj duhet të pajtohemi me një pikë. Ne kemi qenë të lodhur para golit të barazimit. Por, luajtëm mirë dhe nuk pendohemi për asgjë. Ne duhet të vazhdojmë kështu”, theksoi Antonini. 

‘Adelina Tahiri ka të pasmet më të pëlqyera’

Rrjeti social Facebook ka filluar të përdoret edhe për realizimin e anketave të ndryshme. Ajo më e fundit është me fotot e këngëtareve nga Kosova e Shqipëria.
Anketa me titull: “Votoni të pasmët më të bukura”, ka nxjerrë në pah se fansat më së shumti pëlqejnë të pasmes e këngëtares Adelina Tahiri me gjithsejtë 959 ‘like’. Kurse, pas saj renditen këngëtarja Shkendije Muja me 822 pëlqime dhe Arta Bajrami me 749 pëlqime.
Sipas Kosovapress, edhe pse Adelina Tahiri nuk ka kërkuar nga fansat që të pëlqejnë foton e publikuar për anketë, ajo ka marrë më së shumti ‘like’, kurse Shkëndije Muja ka kërkuar disa ditë radhazi që të pëlqehet foto e saj dhe doli në vendin e dytë. Madje Shkëndija shpesh edhe i ka komentuar në profilin e saj fotot, duke shkruar: “I am just sexi, në shikim të parë, nuk mund ta mohoj ketë çka shihet e as ta fsheh?”.
Po ashtu, nuk vërehet as kërkesa e Arta Bajramit për të bërë pëlqime. Por Arta arriti të renditët e treta.
Kurse në vendin e katërt, renditet Adelina Berisha 575 pëlqime, dhe vetëm dy më pak ka Ronela Hajati, pas saj vijnë Elvana Gjata me 535 pëlqime dhe Rozana Radi 451 herë e pëlqyer, ndërkaq Dafina Zeqiri është pëlqyer 429 herë. Pas Dafinës vjen Genta Ismaili me 333 herë e pëlqyer dhe vetëm një më pak ka Nora Istrefi. Adelina Ismajli ka marrë 279 pëlqime, Zanfina Ismaili 272, e më pak se to ka Zajmina Vasjari me 258.
Më pak se 250 ka Anxhelina Hadergjonaj, pas saj Vesa Luma, Tuna. Ndërkaq, më pak se 200 pëlqime kanë Bleona Qerreti, Rezarta Shkurta, Argjentina Ramosaj, Çiljeta, Beatrix Ramosaj, Shota Baraliu,dhe më së paku ka marr Rovena Stefa, konkretisht vetëm 129 pëlqime. 

Albëria thotë se nuk është VIP

Këngëtarja e cila po thyen kufijtë e moshës dhe po dëshmon të jetë në formë të mirë, Albërie Hadërgjonaj, ka thënë se ajo nuk fiton aq shumë para nga muzika, sa për t’u quajtur VIP.
Këto pohime këngëtarja i bëri për Panoramën, ku pos tjerash foli edhe për krahasimin me vajzat dhe mbesat e saja, të gjitha të shquara për bukurinë.
“Më vjen të qesh kur dëgjoj krahasime të tilla. I dua shumë, ato janë kukullat tona. VIP? Unë fitoj para nga muzika, por jo aq sa të konsiderohem VIP”, u shpreh Albëria.

Plaçkitet shtëpia e Shkumbin Kryeziut

Këtë javë është plaçkitur shtëpia e kompozitorit dhe këngëtarit Shkumbin Kryeziut.
Plaçkitja ka ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit kur në atë kohë Shkumbini dhe bashkëshortja e tij Mimoza, ishin në gjumë, raportonPrive.
Gjerat që i janë vjedhur shtëpisë Kryeziu, janë deri në shumën 2000 euro.

Megjithatë, Sacha Baron Cohen merr pjesë në Oscar?

Aktori Sacha Baron Cohen do të marrë pjesë në ceremoninë më të madhe të ndarjes së çmimeve në industrinë e filmit, Oscar, pasi akademia amerikane është pajtuar që ta lejojë britanikun të parakalojë në çilimin e kuq me rrobat e rolit të filmit “The Dictator”, gjeneral Aladeen.
Ishte raportuar gjatë javës së Baron Cohen u përjashtua nga ceremonia kur organizatorët mësuan se ai po planifikonte që të dukej sikurse roli në filmin “The Dictator”. Sidoqoftë, producenti i Oscar, Brian Grazer, ka këmbëngulur se Cohen është i mirëpritur në ceremoni.
“Ne jemi të ngazëllyer ta kemi atë në çilimin e kuq. Ne absolutisht respektojmë atë si artist dhe ai është i lejuar që të vijë. Ai është pjesë e ceremonisë”, u shpreh Grazer. 

Wisherspoon ndihet seksi

Bukuroshja 35 vjeçare, Reese Witherspoon, thotë se ndihet më seksi se kurrë dhe më e rehatuar me vetveten se sa ka qenë në të kaluarën.
Aktorja e cila u martua vitin e kaluar me Jim Toth, nuk mendon se duket keq dhe ka mësuar ta respektojë veten me kalimin e kohës.
“Unë ndihem shumë më mirë për veten tani. Kur bëheni më të moshuar filloni të respektoni veten dhe të vlerësoni gjëra të caktuara dhe zgjedhje të cila i keni bërë në jetë e që ju kanë fuqizuar. Unë jam më e rehatuar tani me atë që jam dhe nuk po mendoj se dukem keq. Ndihem më seksi se kurrë”, u shpreh Wisherspoon.

Apple pa push mail në Gjermani

Pasi që humbi betejën ligjore me Motorolan, Apple në Gjermani fiku push mailin për shërbimet e veta iCloud dhe MobileMe në pajisjet e bazuara në iOS.
Në të vërtetë, gjykata Gjermane ia lejoi Motorola Mobility të drejtën të ndaloj shërbimet push email të Apple.
Për momentin fikja e push emailit ka të bëjë vetëm me përdoruesit në Gjermani, e Apple për të anashkaluar problemin shfrytëzuesve ua propozon që të në shërbimet MobileMe dhe iCloud të përdorin rregullimin “Fetch”. Në të vërtetë, në Apple theksojnë edhe se shfrytëzuesit në Gjermani edhe më tej mund të marrin mesazhet e postës elektronike, por mesazhet e rinj do të ruhen në telefonat e tyre vetëm kur aplikacioni për menaxhimin e postës elektronike është i aktivizua ose kur pajisja e tyre në mënyrë periodike tërheq postën e re.
Shërbimi push email në kompjuterët e tavolinës dhe Internet nuk është i ndikuar nga këto ndryshime.
Në Apple theksojnë se patentat e Motorolas për push email janë të këqij, dhe se do të ankohen në këtë vendim të gjykatës. 

Galaxy B – ekranin skaj më skaj

Pasi që prodhuesit me vite shtyheshin se cili do të prodhonte celularin më të vogël, me paraqitjen e modeleve me ekranet e ndjeshëm në prekje ata kanë filluar të shtyhen se cili do të ketë ekranin me rezolucionin më të madh.
Por, është vërejtur se rritja e dimensioneve të vet pajisjeve nuk ka shumë kuptim për shkak se humbet prakticiteti (përveç në rastin e Galaxy Note, tek i cili shfrytëzuesit me vullnet pranojnë dimensionet “mutante”), për shkak të kësaj zgjidhja po kërkohet në rritjen e ekranit me ruajtjen e dimensioneve të pajisjes”.
Nëse mund ti besojmë thashethemeve (e sa herë i kemi dëgjuar ato se?), të cilat kanë dalë nga gazetat koreane, perla e ardhshme nga Samsung, telefoni i mençur Galaxy B, do të duhej të ketë ekranin i cili shtrihet pothuajse nga skaji më skaj të shtëpizës. Samsung sipas pohimeve po punon në telefonin tek i cili vetëm pjesa e sipërme e sipërfaqes së celularit ka kornizë (më të madhe) – pjesën tjetër të celularit do ta mbulonte ekrani. 

Personi më i shkurtë në botë 54.6 centimetra

Chandra Bahadur Dangi (72 vjeçar) është shpallur të dielën si personi më i shkurtë në botë i matur ndonjëherë. Një mjek dhe një zyrtar i librit të rekordeve Guinness, Craig Glenday, matën Dangin dhe vërtetuan gjatësinë e tij prej 54.6 centimetra.
“Jam shumë i lumtur dhe tash dëshiroj të udhëtoj nëpër Nepal dhe jashtë shtetit”, u tha Dangi gazetarëve pas shpalljes si njeriu më i shkurtë. Ai tha se nuk e ka ndërmend të martohet dhe të ketë familjen e tij, por dëshira e tij është të takohet me kryeministrin e Nepalit.
Dangi jeton me vëllanë më të ri dhe familjen e tij në fshatin malor Rimli rreth 400 kilometra në perëndim të Katmandusë. Pesë vëllezërit e tij janë me gjatësi mesatare.
Para matjes së sotshme në Katmandu, Dangi kurrë nuk kishte qenë te mjeku dhe familjarët thanë se ai kurrë nuk ka qenë i sëmurë rëndë. Mjekët, të cilët e kontrolluan, thanë se ai nuk ka kurrfarë probleme shëndetësore.
Ai rrëmbeu titullin e njeriut më të shkurtë në botë nga Junrey Balawing nga Filipinet, i cili është i gjatë 60 centimetra. Përveç certifikatës së Guinnessit për titullin Dangi nuk përfitoi ndonjë shpërblim në të holla.

Daci: Territoret nuk janë as molla e as dardha!

Lidhur me idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo e mbështetur edhe nga akademiku Rexhep Qosja, kryetari LDD-së, Nexhat Daci, thotë se nuk duhet bërë “pazar me shtetin e Kosovës dhe integritetin e saj”.
“Territoret nuk janë molla as dardha me i shkëmbye sa herë të duash dhe kush të dojë”, ka thënë ai për “Presheva Jonë”.
“Ata flasin për territore në të cilat nuk kanë jetuar, në të cilat nuk kanë familje, ku nuk kanë prona, këmba e të cilëve ndoshta kurrë nuk ka shkelur. Kur unë flasë për ato troje, për atë popull, e ndjej nën lëkurë, sikur të jetoj atje në Bujanoc”.
Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të kenë të drejta identike me ato të serbëve në Kosovë.
Por, ndonëse deklarohet për ndryshim të territoreve, thotë se nëse dikush ka pretendime për shkëputje të ndonjë cope të Kosovës, “njëjtë duhet të veprohet edhe me territoret e Luginës së Preshevës”.
“Fundja këtë e mundëson edhe Referendumi i vitit 1992 (për bashkim me Kosovën) dhe e drejta për vetëvendosje të popujve autokton”, thotë Daci.

Peticioni i VV-së: Deri tash me 7.500 nënshkrime

Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur mbi 7 mijë e 500 nënshkrime të qytetarëve, për peticionin i cili kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të mbajë debat parlamentar për kërkesën: “Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë”.
“Numri i qytetarëve që kanë vënë firmën në mbrojtje të Republikës së Kosovës, po rritet shumë shpejt”, thuhet në komunikatë.
“Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot në 28 qendra nëpër Kosovë. Ekipet mobile gjithandej nëpër Kosovë do të përkujdesën që t’ua mundësojnë sa më shumë qytetarëve nënshkrimin e peticionit. Krahas mbledhjes së nënshkrimeve, qytetarët po informohen edhe për demonstratën gjithëpopullore në mbrojtje të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet nesër”.

Kosova, realitet që (s’)po pranohet nga Maqedonia

Që nga pavarësia e Kosovës e deri më tani, marrëdhëniet mes Shkupit dhe Prishtinës janë forcuar në disa segmente. Këto dy vende kanë pasur mjaft sfida për lidhjen e marrëveshjeve të ndryshme.
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi, thotë se raportet mes vendit të tij dhe Maqedonisë janë të mira dhe kjo ka rezultuar me rreth 20 marrëveshje ndërshtetërore.
Nga ana tjetër, analistët politik janë të mendimit se marrëdhëniet e mira mes Maqedonisë dhe Kosovës janë rezultat i presioneve ndërkombëtare.
Sipas tyre, Qeveria e Maqedonisë me hapa të ngadalshëm është duke e pranuar realitetin e ri, fqinjin e saj të pestë Republikën e Kosovës.
Ismet Ramadani thotë se takimet biletarale me përfaqësuesit e Kosovës, Maqedonia i bën sa për sy e faqe, “për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se janë të interesuar për bashkëpunim rajonal”.
“Çdo herë kur në Kosovë ka rebelim të serbëve, politika zyrtare maqedonase është indiferente. Me një fjalë Maqedonia më shumë koketon me politikën serbe dhe me Serbinë”, deklaron ai “Zhurnal plus”.
Sipas tij, ka ndryshuar forma e ndikimit të Beogradit për dallim nga koha e ish Jugosllavisë.
“Tani Beogradi ndikimin ndaj Shkupit e bën përmes formave më të sofistikuara. Deri më tani kemi parë se Maqedonia shumë më shpejtë dhe pa kurrfarë problemi lidh një marrëveshje me Serbinë, siç është rasti me bashkëpunimin policor dhe kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftime se sa me Kosovën, me të cilën edhe kur lidhet ndonjë marrëveshje e njëjta zvarritet dhe stërzgjatet”, thekson Ramadani.
Profesori Stevo Pendarovski është i mendimit se Qeveria e Maqedonisë ndaj Kosovës ka një qasje të gabuar, për shkak se realitetin e Kosovës shumë ngadalë po e pranon. Ai thotë se Maqedonia duhet të forcojë edhe më tepër lidhjet ekonomike me Kosovën, por edhe ato në plan bilateral.
Ai thotë se se Maqedonia sillet me Kosovën sikur ajo të jetë një shtet larg Maqedonisë e jo si një vend fqinj.
“Është praktikë e keqe që në Kosovë të shkojnë vetëm ministrat shqiptarë të partisë shqiptare në pushtet, e kjo nuk është e mirë për besimin e ndërsjellë. Kur ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulovska mund të përqafojë kolegun e saj serb Ivica Dacic, pse të mos përqafojë edhe kolegun e saj në Kosovë apo Shqipëri. Pra, duhet që edhe ministrat maqedonas të shkojnë në Kosovë e jo vetëm ata shqiptarë”, vlerëson Pendarovski. 

Me fusnotë synohen 36 mekanizma rajonalë

Qeveria e Kosovës pretendon ta anëtarësojë vendin në 36 organizata dhe mekanizma rajonalë me formulën e re të përfaqësimit, e cila, pos emrit të shtetit, përmban edhe Rezolutën 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Listën e mekanizmave për anëtarësim e ka përgatitur Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga java e ardhshme autoritetet përgjegjëse vendëse planifikojnë t’i nisin procedurat për aplikim në to.
Në atë listë, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”, pjesën më të madhe e zënë forumet, nismat dhe konferencat rajonale. Aty figurojnë edhe organizata në të cilat Kosova ka marrë pjesë në të kaluarën si UNMIK, por ka edhe aso në të cilat ka qenë anëtare që nga viti 2004, siç është Procesi Lubjanës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në listë janë përfshirë edhe dy mekanizma, ndonëse nuk është sqaruar se për cilat shkaqe nuk janë bërë të ditur emrat e tyre.
Ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se synimi i Qeverisë është që procesin e anëtarësimit të mos e kornizojë vetëm në kontekst rajonal, por të zgjerohet edhe në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Por, ai nuk ka pranuar t’i bëjë publike organizatat nivelit më të lartë, me arsyetimin se kjo gjë mund të prodhojë efekte negative.

Ligjërues edhe me 80 vjet!

Ka urinuar në pantallona para studentëve. Kjo iu ka ndodhur jo pak profesorëve në dy universitetet publike në vend.
Në Universitetin Publik të Prizrenit, profesori i Edukimit, i indinjuar se studentët qeshën me të se iu lagën pantallonat, iu drejtua organeve kompetente të Universitetit në atë kohë me rektor gjermanin Roland Monch, i cili paralajmëroi edhe një konkurs për pranim të stafit të ri akademik, por që e përshëndeti me Kosovën, raporton “Zëri”.
Edhe në Universitetin e Prishtinës (UP) profesorët e Fakultetit të Bujqësisë përmenden nga kolegë të tyre, se pleqëria kishte ndikuar që të mos mund të kontrollonin urinimin në pantallona para studentëve.
Përderisa mosha e pleqërisë ka bërë të veten, profesorët ndonëse 79 e 82-vjeçar “nuk janë dorëzuar”. Ata vazhdojnë të jenë pjesë e universiteteve në numër jo të vogël edhe mbi 70 vjet mbi supe. Ndërsa, kuadrot e reja stopohen që të jenë pjesë e stafit akademik të këtyre Universiteteve, dhe këtë e bëjnë profesorët duke ua vonuar me vite temat e masterit.
Kjo është ndihmuar edhe me ligj. Me një vendim të Këshillit Drejtues të UP-së, stafit akademik me arsyetimin e mungesës së kuadrove i është lejuar të mbajë mësim të angazhuar deri në moshën 70-vjeçare. Edhe dekanatet kanë kërkuar që stafi i vjetër të mbetet në fakultet. 

“Humb” Edita

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri nuk është shfaqur as të shtunën para mediave në Kosovë, një ditë pasi i dha amin formulimit të një fusnote që do ta shoqërojë denominimin e shtetit, e ku referencë do jetë Rezoluta 1244 e OKB-së dhe Mendimi i GJND-së. Nga denominimi kushtetues ka hequr fjalën Republikë, e në fusnotë si referencë e veçantë ka pranuar të mos jetë Deklarata e Pavarësisë.
“Koha Ditore” disa herë ka provuar të shtunën të kontaktojë me të nëpërmjet telefonit, por Tahiri nuk u është përgjigjur thirrjeve. Ndërkaq, as vendndodhja e saj nuk dihet.
Visar Xani, zëdhënës i kësaj zëvendëskryeministreje që përfaqëson ekipin kosovar në dialogun me Serbinë, ka refuzuar të tregonte se ku gjendej shefja e tij. Ka thënë të jetë jashtë vendit dhe që nuk mund të japë një prononcim deri të hënën.
E sikur Tahiri, telefonatave të gazetës nuk u janë përgjigjur as anëtarët e tjerë të delegacionit që kanë pranuar formulimin e fusnotës – Lirim Grajçevci, këshilltar politik i kryeministrit Hashim Thaçi, dhe Dren Zeka, këshilltar i zëvendëskryeministres Tahiri. 

Pavarësia e Kosovës është e siguruar

Marrëveshja për përfaqësimin rajonal nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës. Rezoluta 1244 do të hyjë në histori si një lëmsh i pakuptimtë ligjor. Shtetet nuk do ta bazojnë njohjen e pavarësisë në këtë marrëveshje, por në interesat e tyre, ka thënë ish negociatori i SHBA-ve në bisedimet për statusin e Kosovës, Frank Wisner.
“Marrëveshja bën të mundur që Kosova të jetë e pranishme dhe të marrë pjesë në diskutimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit dhe Evropës si dhe do të ndihmojë në definimin e rolit të Kosovës në këto rajone”, thotë Wisner në një intervistë për “Express”.
Sipas tij, pas 24 shkurtit Kosova ka ecur drejt një niveli shumë më të lartë të bashkëpunimit me BE-në, në mënyrë që të avancohet prospekti i Kosovës që një ditë të jetë pjesë e BE-së.
“Kur BE-ja është ulur me Kosovën për të bërë marrëveshjen, Kosova është treguar si qytetare e mirë në familjen e BE-së. Pra, kjo i përmirëson gjasat e Kosovës në procesin që një ditë do të çojë drejt anëtarësimit të Kosovës në familjen evropiane. Ky është lajmi i madh”.
Shtetësia e Kosovës është legjitimuar dhe nuk ka nevojë askush që ta vërë këtë në pikëpyetje, mendon Wisner.
“Kosova e ka deklaruar pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare ka thënë se kjo deklaratë është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Kosova ka hapur ambasada, ajo ka marrë mbi 80 njohje, më shumë do të vijnë me kohë. Çështja e pavarësisë është siguruar. Kjo nuk është më çështje. Çështje është se ku shkoni me këtë pavarësi, si t’i arrini ambiciet tuaja nacionale, si të forconi ekonominë, si t’i jepni shpresë popullatës tuaj të re. Kjo është për ku jeni drejtuar, drejt një asociimi më të ngushtë me Evropën”, thotë Wisner, duke shtuar se Serbia do t’i implementojë marrëveshjet, në të kundërtën do t’ia bllokoj vetes rrugën evropiane. 

Thaçi dëshpëron Drenicën?

Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, me të cilën Kosova pranoi që në përfaqësimet rajonale të prezantohet me fusnotën që i referohet Rezolutës 1244, duke hequr dorë kështu nga fjala “Republikë”, ka dëshpëruar bashkëvendësit e kryeministrit, Hashim Thaçi.
Qytetarët e Skënderajt dhe Drenasit, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur kryeministrin Thaçi, janë zhgënjyer me kompromisin e fundit të Qeverisë së Kosovës, raporton “Zëri”. Madje, disa prej tyre kanë thënë se më nuk do ta votojnë partinë e Thaçit. Megjithatë, ata i ngushëllon fakti se përfaqësues të shtetit amerikan kanë siguruar se marrëveshja e fundit nuk shkon në dëm të pavarësisë së Kosovës.
“Që të kthehemi në kohën e Rezolutës 1244, kurrë nuk e kisha besuar. Kjo na ka kthyer një hap mbrapa”, shprehet i dëshpëruar, profesori rreth të 60-ave, Kadri Meha, banor i Skënderajt.
Ai kujton kohën e pasluftës, bisedimet, zhvillimet politike, udhëheqjet, përfshirë periudhën kur Kosova përfaqësohej nën Rezolutën 1244, e që për të dhe bashkëvendësit e tij ishte e rëndë dhe e papranueshme.
“Edhe pas luftës, kishte luftë për t’u bërë shtet i pavarur dhe në rajon e botë të shfaqemi si ‘Republikë’. Kjo marrëveshje më ka dëshpëruar e në veçanti më ka dëshpëruar kjo qeverisje, e cila e ka pranuar atë”, u shpreh Meha.
Naim Hoti, banor i Skënderajt dhe ish-ushtar i UÇK-së, shprehet i bindur se Kosova është e varur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj sipas tij, Thaçi me siguri që ka pasur një presion të madh që ka pranuar Rezolutën 1244.
Ndërsa, të riun nga Drenasi, Milot Kukaj, marrëveshja dhe kjo qeveri e ka dëshpëruar.
“E kam votuar, por nuk do ta votoj më”, u shpreh ai. 

Arsenali, 150 mijë në javë Van Persiet

Arsenali është i gatshëm që të shpenzojë vetëm e vetëm për ta mbajtur në ekip Robin Van Persien, duke ia ofruar këtij një kontratë super të përmirësuar.
Mail on Sunday shkruan se Arsenali është i gatshëm që t’i ofrojë një kontratë të pa precedentë Robin Van Persiet, duke i ofruar 150 mijë funte në javë, shumë më shumë se sa është pritur.
Nëse Van Persie rinovon nën kushtet e lartpërmendura, ai do të bëhet lojtari më i paguar në historinë e Arsenalit, përderisa vendimi i tij nuk do të varet totalisht nga të hollat.

Mourinho: Shpresoj që Guardiola të qëndrojë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, duket se ka ende hesape të pa sqaruara me homologun e tij katalanas, Pep Guardiola, pasi dëshiron që ai të qëndrojë në krye të Barcelonës.
Ishte Pep Guardiola ai që ia shkaktoi Jose Mourinhos humbjen më të thellë në karrierë dhe portugezi ka refuzuar që në mënyrë të drejtpërdrejtë ta këshillojë strategun e Barcelonës.
“Unë dua që Guardiola të vendosë atë që është më e mira për të. Pa marrë parasysh nëse Barcelona ia rinovon kontratën, apo jo, është vendimi i tij dhe duhet të ndihet i kënaqur me të”, u shpreh Mourinho. 

Buffon: Shikova topin, jo vijën

Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka pohuar se ai ishte duke e shikuar topin dhe jo vijën fatale të golit, kështu që nuk e kuptoi se është bërë ndonjë gabim në referim nga gjyqtari Paulo Tagliavento.
“Unë e shikova topin, jo vijën. Unë nuk e kuptova se topi kaloi vijën dhe edhe nëse do ta kisha parë, nuk do t’i tregoja gjyqtarit”.
“Me rëndësi për mua ishte që morim një pikë dhe vazhduam serinë pa humbje në një natë të veçantë, ku luajtëm ndaj ekipit më të mirë. Në fund, çfarë ka rëndësi është se ne i jemi përshtatur takimit. Milani kishte përgatitjen më të mirë fizike dhe teknike. Në pjesën e dytë ne tentuam të ndryshojmë dhe në 25 minutat e fundit ishim më të mirë, teka pjesa e parë u dominua nga Milani”, u shpreh Buffon për La Repubblica.

Nocerino i ngazëllyer me golin ndaj ish-klubit

Mesfushori i Milanit, Antonio Nocerino, ka folur për kënaqësinë e tij pasi i shënoi gol ish-klubit të tij në supersfidën që u zhvillua të shtunën mbrëma.
“Unë isha i mbushur. Unë kam qenë shumë i mbushur në vetvete dhe kam dashur të eksplodoj. Unë kalova 11 vjet te Juventusi dhe më larguan pa ndonjë sqarim”.
“Fatmirësisht shkova te Palermo ku kalova shumë mirë dhe u ngrita, e tani jam i lumtur që jam te Milani dhe që ia tregova vendin Juventusit”, tha Nocerino. 

Barcelona 50 mil. për blerjet verore

Sekretaresha e Barcelonës, Susana Monje, ka konfirmuar se klubi katalanas ka bërë gati 50 milionë euro për transferimet gjatë afatit kalimtar veror.
“Ne do të kemi 50 milionë euro për transfere të reja. Shuma është mjaft konkurruese marrë parasysh klubet tjera dhe në të ardhmen kjo shumë vetëm sa do të rritet, por ne duhet ta shfrytëzojmë me mençuri”, theksoi Monje për El Mundo Deportivo.
Barcelona i shkon Atletico Madridit në Vicente Calderon të dielën mbrëma në derbin e kësaj fundjave në La Liga. 

Villas Boas mohon kalimin te Interi

Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, është shprehur kundër spekulimeve se ai do të nënshkruajë me Interin në të ardhmen, pasi e sheh veten ende në Stamford Bridge.
“Nuk është stoli i lirë te Interi dhe unë nuk po kërkoj punë. Nuk ka sens. Unë jam plotësisht i dhënë pas të ardhmes te Chelsea. Unë po shikoj përpara dhe po përgatitem për projektet tona”.
“Ekziston besim i madh në klub se ne mund të ndryshojmë situatën vitin e ardhshëm. Për momentin, e gjitha është vetëm spekulim”, potencoi Villas Boas. 

Wenger kërkon respekt

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka kërkuar respekt nga tifozët dhe lojtarët para ndeshjes derbi të Londrës Veriore ndaj Tottenhamit.
“Ne duam të respektojmë secilin. Do të respektojmë lojtarët e Tottenhamit të dielën dhe duam që është lojtarët e tifozët tanë të jenë të respektuar po ashtu”.
“Adebayor po luan mirë? Unë e solla atë në Angli kur askush nuk e njohu dhe ai u bë lojtar i madh. Nuk jam i befasuar që po luan mirë. Ai shkoi te City, më pas te Reali dhe më pas erdhi te Tottenhami, kështu që ai luajti vetëm në ekipe të mëdha”, u shpreh francezi. 

Guardiola: Jam lodhur nga fjalët për rinovim

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, i ka përshkruar spekulimet për të ardhmen e tij si të lodhshme, para derbit që katalanasit presin te Atleico Madridi të dielën.
“Kontrata ime është bërë çështje e lodhshme. Kur do të ketë ndonjë ndryshim, do t’iu njoftoj”.
“Janari ishte muaj i vështirë për ne, por në përgjithësi ishim në nivel të mirë. Ne kemi luajtur me ritëm të lartë së fundmi”, u shpreh Guardiola.

Milan-Juve, vendimet kontroverse

Drejtuesit e Serie A do të kenë shumë punë në javën që vjen, pasi pritet të ketë ankesa kundrejt vendimeve kontroverse të arbitrit Paolo Tagliavento në derbin ndërmjet Milanit dhe Juventusit që përfundoi me rezultat 1-1.
1. Goli i Muntarit (25’)
Gianluigi Buffon e mbrojti me sukses goditjen e parë nga Philippe Mexes, mirëpo pas goditjes së Sulley Muntarit, topi e kaloi thellë vijën fatale, para se portieri ta nxirrte jashtë. Tagliavento ishte gati ta pranonte si gol, mirëpo pranoi vendimin e asistentit të tij, Roberto Romagnoli, se nuk ishte gol.

2. Goditja e Mexes (46’)
Gjatë një përplasje mes Philippe Mexes dhe Marco Borriello, ky i fundit mbeti i goditur në brinjë, mirëpo mbrojtësi rossoner kaloi pa ndëshkuar.
3. Përplasja Vidal-Robinho (54’)
Një tjetër moment i dyshimtë ishte ndërhyrja e Arturo Vidal ndaj Robinhos pranë gjashtëmbëdhjetëmetërshit juventin, mirëpo as këtë “nuk e pa” Tagliavento, edhe pse ishte shumë pranë.
4. Anulimi i golit të Matrit (80’)
Një pikë tjetër e zezë në këtë takim ishte mospranimi i golit të Alessandro Matrit për pozitë jashtë loje, gjë që nuk ishte. Një tjetër gabim i arbitrit anësor.
5. Kartoni i kuq i Vidal (89’)
Pas ndërhyrjes së qëllimshme dhe nga prapa në Mark van Bommelin, kiliani e meritoi kartonin e kuq, mirëpo gjatë ndeshjes pati ndërhyrje të tjera agresive, të cilat arbitri nuk i ndëshkoi as me karton të verdhë.
Sido që të jetë, siç po shkojnë gjërat, Milani dhe Juventusi do të jenë dy skuadrat që do të luftojnë për titullin e Serie A këtë edicion, prandaj të shpresojmë që gabimet në këtë derbi të mos ndikojnë në vendosjes e titullit. 

Conte i pakënaqur me arbitrat

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka shprehur pakënaqësinë e tij kundrejt arbitrave në derbin ndaj Milanit, i cili përfundoi me rezultat 1-1.
Antonio Nocerino shënoi për Rossonerët, ndërsa Alessandro Matri e barazoi takimin, mirëpo gjatë ndeshjes pati disa vendime kontroverse në formë të dy golave të anuluar, një për vendasit (Sulley Muntari) dhe një për mysafirët (Alessandro Matri).
“Gjëra të tilla ndodhin, më vjen keq që ky takim pati kaq shumë tension... Shumë gjera ndodhën që nuk patën lidhje me futboll, dhe mua nuk më pëlqyen. Gjëja më e bukur ishte vetë ndeshja, të tjerat duhet të përmirësohen në të ardhmen”.
“Ishin dy gabime serioze teknike në dy gola, nga Matri dhe Muntari. Këto janë gabime që mund të ndodhin, por janë të dyja njësoj”, ka deklaruar Conte për Sky Sport Italia.
Ai e lëvdoi Milanin për performancën në pjesën e parë, ndërsa po ashtu u shpreh i kënaqur për lojën e skuadrës së tij në gjysmën e dytë.

Allegri: Anulimi na dëmtoi

Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, ndërsa ka deklaruar se goli i anuluar i Sulley Muntarit e ndryshoi rrjedhën e takimit.
“Nuk isha i shqetësuar në fund të ndeshjes. Ishte një ndeshje e bukur e luajtur shumë mirë nga Milani; fatkeqësisht ishte ai episod që ndikoi në ndeshje”.
“(Anulimi) na dëmtoi, sepse do të avanconim 2-0. Ndoshta edhe do të barazonim njësoj, por loja do të ishte ndryshe”.
“Goli i Matrit? Nuk e kam parë të jem i sinqertë”, ka thënë Allegri për Sky Sport

Tuna në lidhje me Aleksandrin maqedonas?

Këngëtarja seksi, Tuna, është shumë pranë që të shkaktojë një ‘boom’ të radhës mediatik, pasi tashmë kjo ka ndodhur në revistat rozë në Maqedoni me spekulimet se bukuroshja është në lidhje Aleksandër Ruzhinin.
Revistat maqedonase kanë shkruar ditëve të kaluara për jetën private të Tunës, e cila pas divorcit nga ish-bashkëshorti Rilind Reka, besohet të jetë në krahët e mikut të këtij të fundit, Alesandër Ruzhinit, që është i biri i një prej politikanëve më të shquar maqedonas.
Aleksandër Ruzhin njihet si një prej djemve më joshës në Maqedoni, pasi ka pasur dhe lidhje me këngëtaren kroate Antonija Sjola, e si duket tani e dashura e tij është bjondina shqiptare.
Megjithatë, Tuna ka refuzuar të flasë për këtë çështje, por jo edhe Aleksandri, i cili për Panoramën mohoi gjithçka.
“Nuk është e vërtetë se jam në lidhje me Tunën, ajo është vetëm mikeshë e imja, njihem dhe kam marrëdhënie shumë të mira edhe me ish-bashkëshortin e saj, Rilindin”, theksoi Aleksandri. 

Big Brother, Meti i shpëton largimit

Konkurrenti nga Kosova, Meti, i ka shpëtuar eliminimit nga reality shoë, Big Brother Albania, pasi ka marrë votat e mjaftueshme nga publiku për të mbetur brenda shtëpisë.
‘Vëllai i madh’ urdhëroi Gentën që të zgjedhë njërin prej djemve për t’u larguar, ndërsa zgjedhja e saj ishte modeli kosovar, Meti, i cili me mjaft sportivitet u largua jashtë shtëpisë, por vetëm për të pritur televotimin, ku ai doli i suksesshëm. Publiku e mbajti atë brenda në shtëpi, ndërsa Genta u përlot.
Vlen të përmendet se nga shtëpia janë larguar Gjoni dhe Ermirjeta, të dy këta me votat e publikut, teksa në garë janë futur dy vajza super të bukura. Është Klaudija dhe 18 vjeçarja nga Vlora, Françeska, të cilat kanë lënë përshtypje të mirë nga shikimi i parë te banorët.

Një tjetër trashëgimtar i Houston


‘Djali i fshehtë’ i këngëtares së ndjerë Whitney Houston do të trashëgojë një pjesë të pasurisë së saj prej 20 milionë funtesh.

The Sun raporton se Houston e ka adoptuar formalisht djalin Nick Gordon dhe ai është trajtuar si pjesë e familjes.
“Nick ka qenë pjesë e familjes, Whitney e ka dashur ashtu siç nënat i duan fëmijët e tyre”, ka thënë një burim.
Burimi ka saktësuar se këngëtarja nuk e ka përmendur në dokumente si trashëgimtar, porse vajza e Houston, Bobbi Kristina, do ta trajtojë ashtu siç do të kishte dashur nëna e saj. 

Për jetë të lumtur

Kërkimi i lumturisë, një veprim madhështor për mirëqenien njerëzore, kërkon disa hapa themelorë për arritjen e kënaqësisë në jetë.
Dhënia
Të bësh diçka për të tjerët. Në kohën tuaj të lirë paraqituni vullnetarë për punë të ndryshme.
Forcimi i raporteve
Lidhuni sa më shumë me njerëzit. Kontaktoni edhe miqtë me të cilët keni humbur kontaktin.
Ushtrimet 
Gjithmonë kini kujdes për trupin tuaj. Ndani kohë për të vrapuar.
Çmoni
Vështrojeni botën rreth jush. Çmojeni botën bimore dhe shtazore, e cila është pjesë e ambientit tuaj jetësor.
Mësoni
Jini të përkushtuar në mësimin e gjërave të reja. Shembull, mësoni një gjuhë të re.
Objektivat
Kini para vetës qëllimet të cilat do t’u udhëheqin përpara.
Fleksibilitet 
Mësoni nga humbjet, ashtu që të veproni më mirë në të ardhmen.
Emocionet
Merrni qasje pozitive. Në jetë më shpesh fokusohuni në gjërat pozitive dhe tentoni t’i shmangni ato negativet.
PranimiDuhet të jeni të kënaqur me vetveten. Mos e kaloni jetën duke menduar për të metat tuaja.
Rëndësia
Jini pjesë e diçkaje të madhe. Bëhuni pjesë e një shoqërie, grupi të njerëzve ose ndonjë klubi.