Marrëveshja e fundit e arritur në Bruksel, me të cilën Kosova pranoi që në përfaqësimet rajonale të prezantohet me fusnotën që i referohet Rezolutës 1244, duke hequr dorë kështu nga fjala “Republikë”, ka dëshpëruar bashkëvendësit e kryeministrit, Hashim Thaçi.
Qytetarët e Skënderajt dhe Drenasit, të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur kryeministrin Thaçi, janë zhgënjyer me kompromisin e fundit të Qeverisë së Kosovës, raporton “Zëri”. Madje, disa prej tyre kanë thënë se më nuk do ta votojnë partinë e Thaçit. Megjithatë, ata i ngushëllon fakti se përfaqësues të shtetit amerikan kanë siguruar se marrëveshja e fundit nuk shkon në dëm të pavarësisë së Kosovës.
“Që të kthehemi në kohën e Rezolutës 1244, kurrë nuk e kisha besuar. Kjo na ka kthyer një hap mbrapa”, shprehet i dëshpëruar, profesori rreth të 60-ave, Kadri Meha, banor i Skënderajt.
Ai kujton kohën e pasluftës, bisedimet, zhvillimet politike, udhëheqjet, përfshirë periudhën kur Kosova përfaqësohej nën Rezolutën 1244, e që për të dhe bashkëvendësit e tij ishte e rëndë dhe e papranueshme.
“Edhe pas luftës, kishte luftë për t’u bërë shtet i pavarur dhe në rajon e botë të shfaqemi si ‘Republikë’. Kjo marrëveshje më ka dëshpëruar e në veçanti më ka dëshpëruar kjo qeverisje, e cila e ka pranuar atë”, u shpreh Meha.
Naim Hoti, banor i Skënderajt dhe ish-ushtar i UÇK-së, shprehet i bindur se Kosova është e varur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, andaj sipas tij, Thaçi me siguri që ka pasur një presion të madh që ka pranuar Rezolutën 1244.
Ndërsa, të riun nga Drenasi, Milot Kukaj, marrëveshja dhe kjo qeveri e ka dëshpëruar.
“E kam votuar, por nuk do ta votoj më”, u shpreh ai.