Chandra Bahadur Dangi (72 vjeçar) është shpallur të dielën si personi më i shkurtë në botë i matur ndonjëherë. Një mjek dhe një zyrtar i librit të rekordeve Guinness, Craig Glenday, matën Dangin dhe vërtetuan gjatësinë e tij prej 54.6 centimetra.
“Jam shumë i lumtur dhe tash dëshiroj të udhëtoj nëpër Nepal dhe jashtë shtetit”, u tha Dangi gazetarëve pas shpalljes si njeriu më i shkurtë. Ai tha se nuk e ka ndërmend të martohet dhe të ketë familjen e tij, por dëshira e tij është të takohet me kryeministrin e Nepalit.
Dangi jeton me vëllanë më të ri dhe familjen e tij në fshatin malor Rimli rreth 400 kilometra në perëndim të Katmandusë. Pesë vëllezërit e tij janë me gjatësi mesatare.
Para matjes së sotshme në Katmandu, Dangi kurrë nuk kishte qenë te mjeku dhe familjarët thanë se ai kurrë nuk ka qenë i sëmurë rëndë. Mjekët, të cilët e kontrolluan, thanë se ai nuk ka kurrfarë probleme shëndetësore.
Ai rrëmbeu titullin e njeriut më të shkurtë në botë nga Junrey Balawing nga Filipinet, i cili është i gjatë 60 centimetra. Përveç certifikatës së Guinnessit për titullin Dangi nuk përfitoi ndonjë shpërblim në të holla.