Strukturat paralele edhe pa barrikada

Presioni politik i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë, është mënyra e vetme për ta shtyrë atë t’i zhbëjë strukturat paralele që ka në Kosovë, thonë njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e në Beograd.

Ata nuk e quajnë të habitshëm aksionin për heqjen e barrikadave që serbët e ndërmorën së fundi në veri të Mitrovicës, duke thënë se momenti para marrjes së përgjigjes për statusin e vendit kandidat për në BE, luan një rol të rëndësishëm në qasjen aktuale të shtetit serb ndaj çështjeve që ndërlidhen me Kosovën.
Analisti Leon Malazogu thotë për “Radion Evropa e Lirë” se procesi i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian mund të shfrytëzohet për ta detyruar shtetin serb që të heqë dorë nga ndikimi që ka në strukturat paralele serbe, e sidomos nga ato të fushës së sigurisë.
Mirëpo, Dusan Janjic, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike e cilëson të ndërlikuar përbërjen e strukturave paralele serbe. Ai thotë se ndikim dominues në veprimet e tyre në veri të Kosovës kanë partitë opozitare serbe që, sipas tij, duan të shohin një dështim të qeverisë në procesin e integrimit evropian.
“Udhëheqësit më me ndikim në veri nuk janë të lidhur me Beogradin zyrtar... Për këtë arsye mendoj se udhëheqësit në veri do t’i përdorin barrikadat si instrument për bllokimin e statusit të kandidatit për Serbinë”, shprehet Janjiq për Evropën e Lirë.
Berlini zyrtar ishte, deri më tani, më i ashpër në kërkesën për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në veri të Kosovës. Autoritetet kosovare, ndërkaq, thuhet se i kanë duart e lidhura sa u takon strukturave paralele serbe në pjesën veriore të vendit.
Malazogu thekson rëndësinë për veprime graduale dhe të menduara mirë me qëllim shtrirjen e kontrollit shtetëror në veri të vendit.
“Më së miri është që, së pari, rolin e vet ta kryejë EULEX-i. Në rast se Prishtina mundohet të futet menjëherë për ta mbushur një boshllëk, kjo do të perceptohej si një lloj okupimi në veri, meqë i tillë është aktualisht mentaliteti atje. Kështu që, duhet dërguar mesazhe sa më pozitive, duhet të hapen zyra për kryerjen e shërbimeve, të krijohen raporte, të krijohen shkëmbime - edhe kulturore, por edhe të komunikimit, në mënyrë që gradualisht të zgjerohet kontrolli edhe shtetëror andej”, thekson Malazogu.