Disqet e fortë njëmijë herë më të shpejtë

Ekipi ndërkombëtarë i shkencëtarëve të cilët janë duke punuar në Angli, Holandë, Rusi dhe Zvicër ka zhvilluar teknologjinë e cila në tërësi ndryshon mënyrën e punës së pajisjeve të bazuara në deponimin magnetik të të dhënave.
Në të vërtetë, në vend të ndryshimit të vetive të regjioneve magnetike me përdorimin e fushës elektromagnetike, siç ishte rasti me kokat e disqeve të fortë, shkencëtarët kanë arritur të ndryshojnë vetitë e nanoishujve feromagnetik me përdorimin e laserëve. Në këtë mënyrë kanë arritur performanca 1000 herë më të mira gjatë shkrimit të të dhënave në krahasim me disqet e forta klasike.
Për ta arritur këtë shkencëtarët kanë përdorur nanoishujt feromagnetik të mbaruar nga legura e hekurit dhe gadolinit (metal nga grupi i “tokës së rrallë”). Kur këta nanoishuj goditeshin nga laseri përkatës, vinte deri te ndryshimi i magnetizimit të tyre, që është një veti goxha e pazakontë për shkak se rritja e temperaturës zakonisht ndërlidhet me prishjen e magnetizmit, e jo me ndryshimin e orientimit, e për ndryshimin binar nga 0 në 1 dhe e kundërta, nevojiten vetëm rreth 5 pikosekonda. Për krahasim, tek disqet e forta klasike nevojitet rreth një nanosekond për ndryshimin e gjendjes, respektivisht rreth 1000 herë më shumë.
Por këto nuk janë të gjitha avantazhet e teknologjisë së re. Në të vërtetë, disqet e forta aktualisht kanë dendësinë prej rreth tri terabit për një inç katror, por nanoishujt janë aq të vegjël sa që mund të deponojnë 53 terabit për inç në katror. Për shkak të kësaj në vend të një terabajti për pllakë të diskut, mund të ndodhë të kemi pllakat me 15 terabajt dhe disqet e fortë me kapacitet prej 45 TB.
Shkencëtarët për momentin kanë zhvilluar vetëm teknologjinë për shkrimin e të dhënave, por ende nuk është gjetur ndonjë zgjidhje e përshtatshme për leximin e tyre.
Më shumë informata mund të gjeni në faqet e University of Yorkdhe ScienceDaily

Apple s’mund ta përdor emrin iTV

Të gjithë e kemi kuptuar se Apple është duke punuar në platformën e re të televizionit iTV dhe pajisen e re HDTV, mirëpo duket se ky emër nuk do të mund të përdoret nga Apple.
Marka tregtare për iTV është pronë e transmetuesit britanik ITV, të cilët së fundmi i kanë shkruar edhe kompanisë Apple për t’ia bërë me dije se ky nuk mund të jetë emri për produktin e saj të ri, të cilin firma amerikane do t’ia shtojë televizorit të saj HDTV.
Edhe gjatë komunikimit të mëhershëm të dy kompanive, ishte thënë se iTV nuk do të jetë emri i platformës televizive të Apple, mirëpo tani gjërat mund të ndryshojnë pas prezantimeve që Tim Cook, drejtori i Apple i ka bërë për platformën e re të televizionit.
Apple tashmë ofron në treg pajisjen e saj për TV, edhe pse e njëjta nuk quhet iTV. Megjithatë, do të jetë interesante të shihet se si do të rrjedh puna gjatë lansimit të televizorit të ri nga Apple.

Mbarsja artificiale, rrezik për ngjizje incestuoze

Në një studimin të bërë nga gazeta britanike Daily Mail, ngre problemin se mbarsja artificiale, rrit gjasat për një ngjizje incestuoze.
Kjo gazetë ngre këtë problem mjaft aktual i cili prek drejtpërdrejtë popullsinë në Britaninë e Madhe, atë të shtatzënisë artificiale. Kjo pasi donatorit i lejohet të dhurojë për më shumë se një herë kështu që duke dhuruar më shumë rritet probabiliteti që kjo spermë të përfundojë te ndonjë i afërm i donatorit. Kjo mundësi rritet edhe nga shumë faktorë të tjerë.
Gazeta britanike po ashtu thekson pamundësinë e shtetit për të kontrolluar klinikat e donacioneve dhe abuzimet që mund të bëhen në raste të tilla.

Këngë kushtuar Amsera Rekës

Tragjedia që preku familjen Reka nga Restelica e qytetit të Dragashit ka inspiruar këngëtarët Gjira dhe Ardi të realizojnë një këngë për ta.
Dyshja kanë vendosur t’ia kushtojë një këngë Amsera Rekës, vajzës pesëvjeçare që mbijetoi tmerrin e ortekut që goditi këtë fshat të shtunën në orët e para të mëngjesit.
Ishin trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ata që shpëtuan këtë vogëlushe nga ferri i peshës së borës dhe konstruksioneve të shtëpisë së rrënuar mbi të.

Rozana: Nuk na duhet fejesa e martesa

Rozana Radi, e cila tash e disa muaj është në lidhje dashuri me reperin kosovar Mc Kresha, ka pohuar se nuk i duhet as fejesa e as martesë, pasi ata janë duke bashkëjetuar.
“Më fal, po nëse ne kemi zgjedhur të bashkëjetojmë ç’hyn fejesa dhe martesa? S’mund të flasë njeriu për fejesa me 6 muaj lidhje, kjo do ishte absurde. Mendoj se njerëzit duhet të njihen duke jetuar bashkë”, ka thënë Rozana për Zëri.
Për çiftin, dita e “Shën Valentinit” është në ditë e njëjtë, pasi sipas tyre ata dashurohen çdo ditë dhe nuk duhet vetëm kjo ditë t’u sjellë dashuri dhe dhurata.
“Ne punojmë për Shën Valentinin si çdo festë tjetër. Mirëpo Kreshës s’i pëlqen fakti që njerëzit bëjnë si të dashuruar vetëm ditën e Shën Valentinit. Kur e kemi prekur si temë më thotë: ‘Unë Shën Valentinin e kam përditë me ty dhe pse duhet të pres një datë e një emër date për të të dhuruar diçka’”.
“Në fakt edhe unë jam shumë dakord me të, kështu që për këtë datë nuk do të shkëmbejmë dhurata. Do të shkëmbejmë puthje deri sa Zoti ta ketë shkruar që ne të jemi bashkë”, ka shtuar Rozi. 

Ibra: Mos më krahasoni me Van Basten

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka hedhur poshtë krahasimet me Marco van Basten.
“Ju nuk mund t’i krahasoni lojtarët. Ai ishte sulmues, si unë. Por Zlatan është Zlatan”.
“Mbaj mend kur për të parën herë e pashë atë, isha në dhomën e veshjeve të Ajaxit, ai bënte një praktikë për t’u bërë trajner. Isha krejtësisht i heshtur, nuk dija çfarë të thosha”.
“Në atë kohë, e njoha atë më mirë. Mendoja se ai ishte një person i mirë, një sulmues i vërtetë, i cili gjithmonë dëshiron të dëgjojë”, ka thënë Ibra.

Enrique i kënaqur me formën e Lamelas

Trajneri i Romës, Luis Enrique, është i ngazëllyer me formën që po kalon Erik Lamela.
“Jam shumë i kënaqur me lojtarët e mi. Media duket se e sheh Borinin si Zot në këtë moment, derisa Lamela nuk po ia del mirë, por besoj te e kundërta”.
“Çdo lojtar kalon nëpër faza në një sezon. Nuk e shoh Borinin si Zot tash, por ai nuk ishte i keq as më herët. E njëjta vlen edhe për Lamerlan”, ka thënë Enrique. 

Valdes: Titulli po na ik

Portieri i Barcelonës, Victor Valdes, thotë se titulli po ju ik prej duarve.
Real Madridi shënoi fitore ndaj Levantes mbrëmë për t’i ikur dhjetë pikë Barcelonës, për të cilën Valdes mendon se është një diferencë e theksuar.
“Të jemi realistë, do të jetë shumë vështirë. Ne nuk luajtëm mirë dhe Liga është bërë ca e komplikuar. Nuk është përfundimtare, por është më e vështirë”, ka thënë Valdes. 

Ranieri ndjehet i sigurt

Trajneri i Interit, Claudio Raniero, ndjehet i sigurt në bankinën Nerazzure edhe pas disfatës nga Novara.
U raportua se drejtuesit e klubit kishin vizituar dhomën e veshjeve dhe kishin zhvilluar një takim krize me trajnerin dhe skuadrën.
“Klubi dhe presidenti Massimo Moratti janë 100 për qind prapa meje. Ne kemi një komunikim të shkëlqyeshëm dhe e ndjej mbështetjen e tyre të plotë”.
“Ne u përpoqëm të shënojmë në një mijë mënyra të ndryshme gjatë ndeshje. Ne madje ndryshuam taktikat tona gjatë kohës dhe të bësh presion me tre lojtarë në mesfushë është ndryshe se sa me katër”, ka thënë Ranieri. 

Thierry: Nëse keni nevojë, do të kthehem

Thierry Henry u ka thënë tifozëve të Arsenalit se ai mund të rikthehet sërish në klub sezonin e ardhshëm.
Henry do të kthehet në New York Red Bulls pas ndeshjes së të mërkurës në Ligën e Kampionëve në udhëtim te Milani, por është shprehur i gatshëm për rikthim sezonin e ardhshëm.
“Kurrë nuk mund të thuash kurrë, apo? Duhet ta pyesni menaxherin. Nuk e di. Gjithmonë e kam thënë këtë, është disi e vështirë për mua të them jo. Nëse ata kanë nevojë për mua një ditë, do të jem këtu”, ka thënë Henry.

Ronaldo: Golat, falë gjithë skuadrës

Ylli i Real Madridit, Cristinao Ronaldo, është i ngazëllyer me hat-trickun e tij në fitoren ndaj Levantes.
“Ne e dinim se ndeshja do të ishte e vështirë dhe nuk bëmë një fillim të mirë. Ne ndryshuam pas golit të parë. Ne jemi në rregull dhe duhet të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit, por ka ende shumë ndeshje të mbetura”.
“Golat erdhën falë përpjekjes së gjithë skuadrës. Ne po luajmë mirë dhe unë po kaloj një fazë të mirë të cilën dua ta ruaj”.
“Isha jashtëzakonisht i kënaqur pasi shënova gol dhe doja ta festoja me menaxherin dhe stafin e tij, pasi ne të gjithë po bëjmë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë portugezi

NBA: Kobe shpëton Lakersat

Kobe Bryant ka shpëtuar Los Angeles Lakers duke shënuar pikët vendimtare me katër sekonda të mbetura për t’i dhënë skuadrës fitoren 94-92 ndaj Toronto Raptors gjatë ndeshjes së mbrëmshme të NBA-së.
Bryant, i cili u fut në ndeshje si shënuesi më i mirë këtë sezon, shënoi vetëm shtatë pikë në pjesën e parë, por mbushi bateritë në pjesën e dytë, duke përfunduar ndeshjen me 27 pikë.
Pau Gasol ndihmoi në fitore duke shënuar double-double për të gjashtën herë radhazi për Lakers. Spanjolli kësaj here regjistroi 16 pikë dhe 17 kërcime.
Për Raptors më i sakti ishte Jose Calderon, i cili shënoi pikët më të larta të karrierës, 30.

Carlos: Mourinho, më i miri në botë

Legjenda e Real Madridit, Roberto Carlos, thotë se Jose Mourinho është trajneri më i mirë në botë dhe se është përpjekur ta bindë atë të drejtojë klubin rus Anzhi.
Carlos dje u rikthye në Bernabeu për të vizituar “ish-shtëpinë” e tij dhe u takua me Mourinhon dhe lojtarët para fitores së tyre ndaj Levante.
“Ai (Jose) më ka thënë se kontrata e tij është e vlefshme dhe ai qëndron. I kam thënë atij se nëse ndryshon mendjen, është një ekip që e pret me dyer të hapura (Anzhi). Ai është trajneri më i mirë në botë”, ka thënë braziliani.

Villas-Boas: Disfata nga Evertoni, faj i imi

Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se ai është fajtor për disfatën e vikendit nga Evertoni.

“Do t’i analizoj mirë përgatitjet e mia dhe do të marr përgjegjësinë e plotë për disfatën. Mendoj se lojtarët bënë gjithçka që mundën për të ndikuar në rezultat”.

“Ndoshta do të duhet të rishikoj atë çfarë kam bërë dhe të mendoj për përgatitjet. Do të diskutoj përbëtë me stafin tim teknik dhe për vendim-marrjet e mia”, ka thënë Villas-Boas.

United pranon faljet e Liverpoolit

Manchester United formalisht ka pranuar faljen e kërkuara nga Liveprooli pas kundërthënieve në Old Trafford.
United i ka pranuar kërkim-faljet e sulmuesit të Liverpoolit, Luis Suarez, dhe menaxherit Kenny Dalglish, rreth veprimeve në ndeshjen derbi të vikendit. Djajtë e Kuq kanë lëshuar një deklaratë me titullin “Të Kuqtë pranojnë faljet e rivalëve”.
“Manchester United falënderon Liverpoolin për kërkim-faljet pas ndeshjes së të shtunës. Çdokush në Old Trafford dëshiron të ecë më tej nga kjo. Historia e dy klubeve tona të mëdha është ajo e suksesit dhe rivalitetit të pakrahasueshëm në futbollin britanik. Kjo duhet të jetë fokusi në të ardhmen i të gjitha atyre që i duan klubet”, thuhet në deklaratën e Man United.

Higuain: Titulli në duart tona

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, thotë se titulli tash është në duart e tyre.
Reali mbrëmë fitoi ndaj Levantes dhe tash është dhjetë pikë mbi Barcelonën në tabelën e La Ligës.
“Dhjetë pikë janë një diferencë e konsiderueshme. Ne po ia dalim mirë dhe duhet të mbetemi të qetë. Ne jemi Real Madrid dhe do të përpiqemi që kjo ligë të mos nga rrëshqasë nga gishtat”.
“Na takon neve të mos e ulim ritmin dhe ta mbajmë këtë intensitet. Ajo çfarë është e rëndësishme është se ne jemi liderë dhe se liga është në duart tona”, ka thënë Higuain.

Tarifat e reja të rrymës, shtrenjtojnë edhe produktet e tjera

Kërkesa e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për shtrenjtimin energjisë elektrike në masën 23 për qind, është e kuptueshme vetëm në kuadër të kornizave bilancore të KEK-ut, mirëpo, miratimi i saj do të paraqet ngarkesë të madhe për konsumatorët dhe njëkohësisht mund të jetë gjenerator i inflacionit, i cili edhe ashtu është në rritje. Kështu thuhet në komunikatën për media të Qendrës për Hulumtime dhe Sociale STRAS.
Norma e rritjes të cilën e kërkon KEK-u nuk buron nga ambienti ekonomik, e as nga trendet inflatore në vend. Ajo vjen pas trysnisë së shpenzimeve operative që sivjet duhet t’i bëjë KEK-u. Ato janë në përputhje me të hyrat prej 239 milionë euro, apo 23 për qind më të larta, përkatësisht 45 milionë euro.
Duke pasur parasysh edhe rregullat e reja për llogaritjen e tarifave, për shtrenjtimin e energjisë elektrike ndikim më të madh ka kostoja e importit të energjisë në një shumë prej 44 milionë eurosh. Paratë duhet të sigurohen nga të hyrat e KEK-ut, së paku 21 milionë euro, dhe si subvencion nga Qeveria e Kosovës, i cili është 50 për qind më i ulët se në vitin 2010, vlerëson Organizata Joqeveritare STRAS.
Sipas saj, prapa kësaj kërkese qëndron insistimi i kësaj korporate që me çmime të rritura të mbuloj performancën e dobët. Sa do që nuk mund të mohohen të arriturat e shënuara viteve të fundit, kur humbjet u zvogëluan 11 për qind, megjithatë këtu ende qëndrojnë potenciale të mëdha financiare.
“Kjo është e qartë kur përmendet se kërkesat e KEK-ut nga konsumatorët sillen rreth 400 milionë euro, kurse 40 për qind e energjisë humbet. Për zvogëlimin humbjeve teknike, të cilat aktualisht janë 16,6 për qind, duhen investime, mirëpo është krejtësisht reale të kërkohet zvogëlimi i humbjeve komerciale”, thekson STRAS në komunikatë.
Sipas tyre, sikur KEK-u të arrinte që të arkëtonte 10 për qind të shumës së borxhit, atëherë ai siguron gati të gjitha paratë e kërkuara përmes rritjes së tarifave.
Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale STRAS, mendon se momenti social në të cilin gjendet Kosova nuk arsyeton në asnjë mënyrë shtrenjtimin e energjisë elektrike 23 për qind. Për më keq, një rritje e këtillë do të ishte nxiste një cikël të ri të shtrenjtimit të prodhimeve dhe shërbimeve vendore.
“Duke u bazuar në të gjitha faktet e përmendura kërkojmë: Që Zyra e Rregullatorit të Energjisë gjatë shqyrtimit të kërkesës së KEK-ut të analizoj deri në detaje momentin social në të cilin është vendi, Të insistoj që nevojat të KEK-ut për para shtesë të mbulohen nga rritja e arkëtimit të borxheve të vjetra dhe zvogëlimit të humbjeve, Që Qeveria e Kosovës të kërkoj mobilizim të të gjitha institucioneve që mund të ndihmojnë KEK-un për arkëtimin e borxheve.
Po ashtu Qeveria e Kosovës të kërkoj nga KEK-u dhe nga ZRRE-ja që për muajt me temperature polare të ngrit limitin e sasisë së energjisë së lejuar për konsum për familjet në asistencë sociale, së paku 50 për qind”, thuhet në komunikatën e STRAS-it.

Vështirësohet furnizimi me rrymë

Si pasojë e motit të ligë në tërë vendin është vështirësuar furnizimi me energji elektrike.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala tha se për momentin janë duke u prodhuar 800 megavat, ndërsa 250 të tjerë sigurohen nga importi.
Mirëpo për shkak të rritjes së konsumit, i cili shkon deri në 1300 megavat orë energji elektrike, reduktimet janë të pashmangshme, sidomos për kategorinë B dhe C. /

Serbët e veriut, nesër në referendum!

Epilogu i referendumit dihet që tani, sepse serbët e veriut në shumë raste, që nga viti 1999, u kanë thënë jo institucioneve të Kosovës, ka thënë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanovic.
Referendumi i serbëve të veriut është paralajmëruar të mbahet nesër e pasnesër në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Me këtë referendum, sipas liderëve serbë të veriut, synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.
Ivanovic thotë se insistimi në mbajtjen e referendumit, në Qeverinë e Serbisë vlerësohet i motivuar mbi baza partiake dhe politike.
“Mbajtja e referendumit, që është në kundërshtim me interesat e Qeverisë së Serbisë, mund t’i sjellë serbët e veriut në një situatë tejet të rrezikshme. Kushdo që do ta formojë Qeverinë e re në Serbi, nuk do të harrojë sjelljet e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë. Dhe, kam frikë se një gjë e tillë do të reflektojë një ndjenjë të keqe ndaj veriut”, ka thënë Ivanovic.
Ndërkohë, përfaqësuesi nga Mitrovica i Partisë Demokratike në Parlamentin serb, Dragisa Dokovic, u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të veriut që janë në Beograd, që të “vijnë në bazë gjatë mbajtjes së referendumit dhe që bashkëqytetarëve t’u thonë se çka është mirë për ta”.
Sipas tij, referendumi nuk është çështje partiake, por vendim personal i çdo individi nëse do të marrë pjesë në të ose jo.
“Është gabim kur partitë deklarohen për këtë çështje. Asnjë forum i Partisë Demokratike nuk ka folur në lidhje me referendum, as ka marrë vendime për këtë temë”, ka thënë ai. “Disa nga veriu i Kosovës e kundërshtojnë referendumin, duke menduar se kështu do të ndërtojnë karrierë në Beograd".

Negociatat në kolaps, Berlini nervor

Deri te vendimi për ndarjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE, Serbisë i kanë mbetur edhe dy javë. Ndërsa, data e re e raundit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ende nuk dihet. Sa më shumë po vonohet kjo, aq më shumë po shtohet edhe nervozizmi i Gjermanisë. Prandaj, kandidatura serbe mund të shtyhet deri në fund të vitit 2012.
Dialogu duhet çojë në marrëveshjen për përfaqësimin e Prishtinës në takimet rajonale, që është edhe kushti për Serbinë për ta fituar statusin e kandidatit.
Në Këshillin Evropian kanë thënë se nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.
“Po punojmë në përgatitjen raundin të ardhshëm, por në këtë moment nuk ka datë”, ka thënë për ditoren serbe, Maja Kocijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane.
Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanoviq, ka thënë se po vazhdojnë konsultimet, por se nuk dihet data, meqë "Prishtina po i hedh poshtë propozimet”.
Ekipet e Prishtinës dhe Beogradit nuk do të takohen as këtë javë, por një zhvillim i tillë mund të jetë problematik për shkak të sinjaleve të dërguara nga Berlini zyrtar se nuk do të lëshoj pe nëse marrëveshja arrihet në çastin e fundit, në prag të takimit ministror (siç ishte rasti me dhjetorin kaluar).
Nëse Gjermania vazhdon me këtë qëndrim edhe në të ardhmen, sipas disa njoftimeve që kanë rrjedhur në publik, diskutimet për kandidaturën serbe mund të ndodhin në dhjetor.
Nga Brukseli Beogradi paralajmërohet se koha po rrjedh. Ndërsa, të dy palët ftohen të shprehin “vullnet të mirë” që të arrijnë marrëveshje rreth së cilës janë caktuar rregullat kryesore, por jo edhe përmbajtja.
Ndërkohë, “Radio Evropa e Lirë”, raporton se ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet në mes të Prishtinës e Beogradit, Robert Cooper, do të qëndrojë të martën në Kosovë.
"Po, ai do të qëndrojë atje për të përgatitur raundin e ardhshëm të dialogut", ka thënë Kocijancic për Rel.
Gjatë javëve të kaluara, Cooper kishte vazhduar kontaktet me delegacionin kosovar dhe atë serb për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët rreth bashkëpunimit rajonal, përkatësisht rreth mënyrës së përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale.
Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë që Kosova të përfaqësohet nën rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa autoritetet kosovare kanë këmbëngulur, deri më tani, në përfaqësimin si shtet i pavarur.

Sot bëhet varrimi i 9 viktimave të Restelicës

Në fshatin Restelicë të Dragashit, sot bëhet varrimi i 9 viktimave, trupat e të cilëve u nxorën nga gërmadhat e shtëpive që u shkatërruan si pasojë e ortekut të borës.
Ceremonia e varrimi zhvillohet në ora 15 e 30 minuta në varrezat e këtij fshati. Ndërkohë, bëhet e ditur se gjendja shëndetësore e të mbijetuarës së vetme të kësaj tragjedie, 5 vjeçares Amsera Reka, është e mirë.

Shqipëria ofron ndihmë

Komandanti i Forcës ë Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, ka pranuar ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Restelicë, nga shefi i Shtabit të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajori Xhemal Gjunkshi, i cili ka ofruar ndihmën e Ushtrisë shqiptare, në rast nevoje.
Gjunkshi shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe popullin e Kosovës në raste të tilla, ashtu sikurse Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë e angazhuar dy here në mision gjatë vërshimeve në Shkodër.

Edhe një familje e ngujuar në Restelicë

Përkundër gjendjes së vështirë nëpër rrugët magjistrale dhe bllokimit të rrugëve lokale, Këshilli Kombëtar i Sigurisë nuk e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë
Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se institucionet e Kosovës me të gjitha kapacitetet janë duke punuar që “situata të jetë nën kontroll dhe t’i dalin në ndihmë gjithë qytetarëve”, raporton “Kosovapress”.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka informuar Këshillin Kombëtar të Sigurisë se një familje 5 anëtarëshe në fshatin Restelicë është e ngujuar dhe se ajo është duke kërkuar ndihmën e institucioneve që t’i dalin në ndihmë me ushqim dhe batanie.

Feith: Referendumi i izolon serbët

Shefi i Zyrës Civile në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se komuniteti ndërkombëtar e kundërshton njëzëri mbajtjen e referendumit në komunat veriore.
“Referendumi i propozuar është një masë e prapambetur, e cila do të dëmtojë reputacionin e Serbisë dhe do ta dënojë veriun me stagnim dhe izolim, nga çka do të përfitojnë vetëm politikanët ekstremistë. Qëllimi i referendumit është provokim dhe pengesë, që do të dëmtojë interesat e qytetarëve në veri”, ka thënë Feith për gazetën serbe “Danas”, transmeton Rel.
Ai ka theksuar se qytetarët e komunave veriore janë të lodhur “nga jeta në tokën e askujt në mes të dy shteteve”. Sipas tij, ata sduan zgjidhje që do t’ju mundësojë të punojnë, jetojnë dhe të zhvillohen sikurse qytetarët tjerë në shtetet evropiane.
Feith ka vënë në pah se plani për zgjidhjen e situatës në veri gjendet në pakon Ahtisaari.

Rifillojnë kërkimet në Restelicë

E plotësuar - Me vendim të Ministrit Agim Çeku dhe urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar sot në mëngjes operacionin e kërkimit të personit të njëmbëdhjetë, të zhdukur nga orteku i borës në Restelicë të Komunës së Sharrit.
Nënkolonel Mehmet Lladrovci, Komandant i Batalionit të dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, është caktuar komandanti i operacionit që do të udhëheq kërkimet në Restelicë deri në gjetjen e personit të fundit që konsiderohet i zhdukur në këtë fatkeqësi natyrore.
Në operacionin e sotëm në Restelicë janë të angazhuar 154 pjesëtarë dhe 21 automjete.
Kjo është dita e tretë e angazhimit të FSK-së në këtë operacion. /Telegrafi/

E plotësuar - Kanë vazhduar kërkimet nën rrënojat e shtëpive në fshatin Restelicë.
Përkundër motin e keq, FSK-ja ka bërë të ditur nisjen e aksionit për personin e fundit që supozohet se gjendet ende nën rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga orteku i borës, që përfshiu rreth 12 shtëpi të shtunën në mëngjes, raporton “Indeksonline”.
Nëntë anëtarë të familjes Reka janë nxjerr të vdekur, përderisa vetëm një vajzë pesë vjeçare ka mbijetuar. Ajo po merr trajtimin mjekësor në spitalin e Prizrenit.

Shoqëria shumetnike nuk prodhon shtet të mirëfilltë

Politologu Arben Xhaferi thotë se serbët është mirë të marrin mësim nga dështimet në Rambuje, ndërsa duhet ta pranojnë se të drejtat që u sigurohen nga pakoja e Ahtisaarit, asnjëherë nuk i kanë pasur, madje as në regjimin e Slobodan Milosevicit.
Xhaferi, në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, vlerëson se Serbia është duke e dëmtuar sovranitetin e Kosovës në veri, ashtu siç e dëmton Rusia sovranitetin e Moldavisë në krahinën Trans-Dniester.
“Ky problem nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake, por vetëm me ato politike”, thotë ai.
Ai mendon se nga pranimi i dialogut me palën serbe, Kosova ka forcuar relacionet e mirëkuptimit me faktorin ndërkombëtar, e rezultat i këtyre raporteve është shpallja e pavarësisë.
Xhaferi thotë se teknika e veprimit politik serb është dyfytyrëshe.
“Serbia synon që të krijojë përshtypjen se ajo është e hapur për dialog. Merrte pjesë në konferenca ndërkombëtare. Kur konstatonte se nuk mund të imponojë qëndrimin e saj lidhur me Kosovën, e bojkotonte rregullisht pjesën përfundimtare të negociatave”, shton Xhaferi, duke theksuar se shembulli i Maqedonisë dëshmon se shoqëritë shumetnike nuk mund të prodhojnë shtete të mirëfillta.