Fabregas: Me Di Matteon, Chelsea luan si dikur

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, e ka lëvduar ndikimin e Roberto Di Matteos në ringjalljen e skuadrës së Chelseat.
“Me Villas-Boas, ata përpiqeshin ta kontrollojnë topin, ata dëshironin të merrnin iniciativën”.
“Tash ata i janë kthyer stilit që i bërë të jashtëzakonshëm, që i bëri ta fitonin Ligën Premier dhe kupat tjera”.
“Ata tash luajnë me topa të gjatë dhe i godasin rivalët me kundërsulme. Ata mbrohen si gjigantë dhe ia pasojnë topin Didier Drogbas”.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos e humbim topin me gabime pa lidhje”, ka thënë 24-vjeçari në një konferencë me gazetarë. 

Kostunica në Mitrovicë, apelon të ‘ruhet Kosova’

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojislav Kostunica, ka mbajtur të martën një tubim zgjedhor në veri të Mitrovicës, ku ka thënë se në zgjedhjet e 6 majit, para qytetarëve të Serbisë janë dy rrugë, ndërsa ata duhet të ‘zgjedhin rrugën e politikës neutrale’.
 Ai ka thënë se rruga se BE nuk ka alternativë është e gabueshme, ndërsa e drejta sipas tij është se ekziston diçka mbi BE-në, e kjo është Serbia. “Dy rrugë janë, e ashtuquajtura evropiane, që nënkupton se çdo ditë, kush të dojë, mund të kryejë presione, e nënçmime nga Brukseli. Ndërsa e dyta nënkupton qe Serbia të jetë e lirë, shtet sovran siç ka qenë gjithnjë në histori”, ka thënë Kostunica, raporton REL.
Ish-kryeministri serb ka thënë se “nuk ka Serbi pa Kosovën dhe se duhet bërë çdo gjë që serbët të ruajnë atë që u është lënë amanet nga të parët”.
Ndërkaq, zyrtari i kësaj partie për Mitrovicën, Marko Jakshiq, ka thënë se po që se vjen në pushtet partia e tij, atëherë do të prishen marrëveshjet e nënshkruara nga Borko Stefanovic, Goran Bogdanovic dhe Ivica Dacic, duke aluduar në marrëveshjet e arritura me Prishtinën në bisedimet në Bruksel. 

Serbia e kupton vetëm gjuhën e reciprocitetit!

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria të mos bëj marketing politikë, por të shqyrtojë seriozisht mundësinë e ndërhyrjes në pjesën veriore të Kosovës, për të vendosur rend dhe ligj. Ai ka thënë se duhet shqyrtuar edhe mundësia e ndërprerjes së bisedimeve, dhe t’i bëhet me dije bashkësisë ndërkombëtare se Serbia nuk pranon gjuhë tjetër, përveç reciprocitetit.
 “Mendoj se zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar në afekt kur ka thënë se është e mundshme të ndërhyhet edhe me forcë ndaj shkelësve të ligjit në veri. Ne i mbajmë mend fjalët, por nuk besoj që ka qenë serioz, më shumë ka qenë marketing politikë”, ka thënë Haradinaj në emisionin Rubikon të KTV-së. Ai ka thënë se Qeveria nuk duhet të bëj eksperimente me veriun, por ta bindë bashkësinë ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me EULEX-in të vë nën kontroll pjesën veriore të Kosovës.
Lidhur me arrestimin e dy policëve të Kosovës nga xhandarmeria serbe, nënkryetari i AAK-së, ka thënë se për këtë skandal, patjetër është dashur të jep dorëheqje dikush. “Për poshtërimin e dy policëve tanë është dashur të ketë dorëheqje dhe të paralajmërohet Serbia se një rast i tillë nuk do të tolerohet në të ardhmen. Po ashtu duhet bërë me dije bashkësisë ndërkombëtare se në rast se përsëritët diçka e tillë, është legjitime të arrestojmë edhe ne policë serbë, t’i shtrijmë për toke dhe t’i poshtërojmë. Sepse, kjo është gjuha e vetme që e njeh Serbia”.
Duke folur për bisedimet e Kosovës me Serbinë, Haradinaj ka thënë se shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, duhet t’ia bëjë me dije bashkësisë ndërkombëtare se dyfytyrësia e Serbisë nuk do të tolerohet. Ai ka thënë se nëse Serbia vazhdon të sillet me provokime, atëherë duhet ndërprerë bisedimet, sepse sipas tij, nuk mund të bisedohet me një vend që kërkon të bëj agresion në Kosovë.
Haradinaj në këtë intervistë i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Hashim Thaçi që të distancohet publikisht ndaj ish strukturave të ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). “Një pjesë e mirë e SHIK-ut janë integruar në institucionet e Kosovës, dhe madje i mbajnë nën kontroll disa nga mekanizmat vital të Republikës. Ka struktura të SHIK-ut që kanë bërë krime dhe duhet të përgjigjen për ato veprime. Natyrisht se nuk duhet eliminuar nga shoqëria kosovare ata njerëz që në kuadër të SHIK-ut kanë kontribuuar për të mirën e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera nënkryetari i AAK-së.

BE përshëndet vendimin e Serbisë për zgjedhjet lokale

Bashkimi Evropian ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Serbisë për të mos mbajtur zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
 “Përshëndesim këtë vendim”, ka thënë Kocijancic duke përkujtuar se “Bashkimi Evropian prej kohësh ka marrë qëndrim kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, pasi ato do të ishin në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244”.
“Gjithsesi, Bashkimi Evropian mbështet të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, dhe është i gatshëm të ndihmojë në realizimin e tyre”, ka thënë ndër të tjera Kocjancic.

Triumfon Bayerni

Me rezultat prej 2-1 në favor të skuadrës vendase është mbyllur sfida e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma mes Bayern Munichut dhe Real Madridit në Allianz Arena.
Pas një fillimi të zbehtë, rastin e parë në ndeshje e pati Karim Benzema në minutën e shtatë, mirëpo goditjen e tij e mbrojti portieri Neuer. Për një periudhë kohe u duk se lojtarët mysafirë do ta dominojnë ndeshjen, megjithatë gjërat ndërruan shumë shpejtë.
Ishte minuta e 15-të kur Franck Ribery kërkoi penalti, mirëpo xhirimet treguan se vendimi i arbitrit Howard Webb ishte i drejtë.
Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe vendasit kaluan në avantazh. Pas një krosimi nga këndi, Sergio Ramos nuk pastroi si duhet dhe aty ishte Franck Ribery për ta ngulitur topin në portën e Casillas (17’).
Në vazhdim loja bartej sa në njërën, ashtu edhe në anën tjetër, me Real Madridin që kërkonte të shënojë, megjithëse jo më pak të rrezikshëm shfaqeshin edhe lojtarët e Bayernit. Vlejnë të përmenden dy raste të mira për të dyja ekipet – Benzema për mysafirët dhe Mario Gomez për vendasit, por në të dyja rastet më të suksesshëm dolën portierët.
Edhe në gjysmën e dytë të takimit loja e bukur nuk pati të ndalur. Ishte skuadra mysafire që në fillim të kësaj pjese u tregua më e suksesshme. Pas disa rasteve më në fund Mbretërit arritën të shënojnë.
Benzema u hap nga krahu për të dërguar një top në zonë, të cilin Ronaldo e ktheu te Mesut Oezil dhe gjermani e barazoi rezultatin nga afërsia (53’).
Në vazhdim të ndeshjes, ekipi vendas luajti më mirë duke kërkuar që ta rikthente avantazhin me raste të njëpasnjëshme, ndërkohë që Gomez disa herë dështoi të shënonte.
Dhe në fund, pas gjithë atyre rasteve të humbura, ishte pikërisht Mario Gomez lojtari hero i bavarezëve këtë mbrëmje, pasi që pas një krosimi të ulët të Lahm e shënoi golin e fitores për Bayernin (90’).
Ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Santiago Bernabeu. 

Tahiri takoi Josipovicin, thellohet bashkëpunimi

Zëvendëskryeministrja për politikë të jashtme dhe siguri nacionale e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila gjendet në Kroaci në një vizitë zyrtare, u takua të martën me presidentin kroat, Ivo Josipovic.
 Zëvendëskryeministrja Tahiri pasi e njohu presidentin Josipovic me progresin e përgjithshëm të shtetit të Kosovës, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për jetësimin e vizionit euroatlantik të Kosovës, dhe po punon për ndërtimin e një shteti modern në interes të të gjithë qytetarëve, duke siguruar se Kosova është një partner serioz në planin ndërkombëtar dhe rajonal.
Nga ana e tij, Josipovic rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të shtetit kroat për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe premtoi mbështetje dhe këmbim përvojash në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Në këtë takim, presidenti Josipovic shprehu mirënjohje për kontributin e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë, ndërkaq zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi se pakicat kroate dhe shqiptare kanë vlerë të veçantë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mënyra më e keqe për ta festuar një gol (Video)

Futbollisti i huazuar te Zenit St. Petersburgu, Andrey Arshavin, në një mënyrë shumë të çuditshme e ka festuar golin e bashkëlojtarit të tij Vladimir Bystrov në ndeshjen ndaj CSKA Moskës.
Zeniti e fitoi derbin me rezultat 2-0 në terren të vet, ndërsa protagonistët kryesorë të takimit ishin dy golashënuesit, Bystrov (64’) dhe Arshavin (89’).
Pasi shënoi golin e parë, Bystrov pas festës u shtri në fushë, ndërsa në atë moment u paraqit lojtari në pronësi të Arsenalit dhe e shkeli në stomak dhe në gjoks.
Pas pesë minutash, Bystrov u detyra ta lëshonte fushën për shkak të lëndimeve që i shkaktoi Arshavin. 

Mata: Ta ndalim Messin!

Anësori i Chelseat, Juan Mata, ka kërkuar që bashkëlojtarët e tij ta ndalin superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, nëse duan të kenë sukses kundër Blaugranëve në Ligën e Kampionëve.
“Nëse duam një ditë të mirë, atëherë të kemi kujdes”.
“Barca ka edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, si Xavi dhe Andres Iniesta, por është e qartë që Messi është rreziku kryesor dhe ai i cili mund ta prishë baraspeshën e ndeshjes”.
“Ne do të përpiqemi të sigurohemi që Messi të ketë një ditë të keqe”, ka thënë 23-vjeçari për Marca.

Del Piero: Më frikëson largimi nga Juve

Ikona e Zonjës së Vjetër, Alessandro Del Piero, ka pranuar se nuk kishte pritur që Juventusi të mos ia vazhdonte kontratën. 37-vjeçari, i cili në ndeshjen ndaj Lazios bëri paraqitjen e 700-të me fanellën bardhezi, po i përjeton çastet e fundit me klubin të cilit ia fali karrierën.
Në tetorin e kaluar presidenti i Juves, Andrea Agnelli, deklaroi se ky do të jetë sezoni i fundit i Del Pieros te Bianconerët, ndërsa kapiteni ka thënë se nuk kishte pritur që t’i dëgjojë këto fjalë.
“Fjalët e Agnellit më befasuan. Mirëpo, një kapiten nuk guxon t’i harrojë detyrat e tij dhe atë çfarë prezanton. Juventusi është i përkushtuar ta fitojë Scudetton dhe Kupën e Italisë. Nuk ka nevojë për kundërthënie, të cilat nuk janë shfaqur asnjëherë gjatë karrierës sime”.
“Ky ka qenë sezoni më i vështirë në jetën time, sepse jam përballur me një realitet që nuk e kam njohur: të luaja pak ose aspak”.
“Më 30 qershor do të jem pa kontratë. Nuk mund ta paramendoj të ardhmen time, është një ndryshim i madh dhe më frikëson paksa, sepse është sikur të largohesh nga shtëpia për të dytën herë”, ka thënë Del Piero për Vanity Fair.

Performanca epike nga 50 Cent dhe Emimem (video)

Siç e dinë të gjithë adhuruesit e hip-hopit, të dielën është mbajtur nata finale e festivalit Coachella, ku kanë perforomuar për 54 minuta reperët elitarë, duke përfshirë dhe një Tupac Shakur të ringjallur me teknologjinë e hologramit. Por, kush ishin vërtet ata që ndezën publikun?
Performanca të cilën evropianët nuk kanë arritur ta shikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkak të kohës, është organizuar nga producenti i njohur dhe ikona e ‘West Coast’ për moment, Dr. Dre dhe reperi Snoop Dogg, të cilët ishin dhe nikoqirët.
Ata pos që arritën të sjellin një Tupac në hologram, në performancë të “Haily Mary” dhe “Two Of Americas Most Wanted”, arritën që në skenë të sjellin dy prej reperëve tjerë të kategorisë super të rëndë.
Pas performancës së Snoop Dogg që zgjati rreth 20 minuta e ku ishte i përfshirë edhe Wiz Khalifa me hitin “Young, Wild n’ Free”, ishte 50 Cent ai që në mënyrë sensacionale ngriti të pranishmit me hitin “What Up Gangsta”, për të vazhduar me “In Da Club” dhe “PIMP”.
Nga ana tjetër teksa të gjithë ishin të mallëngjyer nga Tupac i ringjallur, të pranishmit pësuan një tronditje tjetër. Eminem u ngjit në skenë pas një kohe të gjatë për të performuar ‘live’. “I Need a Doctor” ishte fillimi, teksa mbarimi ishte nderim për reperin e ndjerë Nate Dogg, kemi të bëjmë me këngën “Till I Collapse” të cilën më shumë e këndoi publiku se sa vet Eminem.
Koncerti 54 minutësh nga reperët e lartpërmendur në festivalin Coachella ashtu siç ishte paralajmëruar ashtu dhe u realizua – ai mund të konsiderohet pa dyshim një nga koncertet më të mira të muzikës hip-hop. 

Prince të paguajë katër milionë dollarë dëmshpërblim

Këngëtari Prince do të duhet t’ia paguajë katër milionë dollarë një kompanie prodhuese të parfumeve.
New Musical Express njofton se kompania Revelations Perfume & Cosmetics e ka paditur krijuesin e hitit “Purple Rain” pasi nuk e ka respektuar një marrëveshje nga viti 2008.
Në bazë të marrëveshjes, Prince është dashur ta promovojë parfumin e quajtur “3121”, ashtu që gjatë koncerteve të tij të ndaheshin mostra pa pagesë të parfumit.
Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur dhe kompania ka marrë aktivitete ligjore për këtë çështje.

Për Mitrovicën do të protestohet në Prishtinë

Kuvendi i OJQ-ve të Kosovës fton gjithë qytetarët nga mbarë Kosova që të martën me 24 prill 2012, nga ora 11.59 - 12.59, të protestojë qetas dhe me heshtje në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.
 “Akti i fundit terrorist mbi familjen e Selver Haradinajt në veri të Mitrovicës tregoi se terrorizmi po troket në dyert kosovare. Pavarësisht përkatësisë etnike, politike, sociale e kulturore të terroristëve apo viktimave, Kosova duhet të reagojë si një shoqëri e pjekur dhe demokratike që i thotë STOP kësaj të keqeje të madhe”, thuhet në njoftim.
“Protesta do ta ketë vetëm një parullë: STOP TERRORIZMIT dhe asnjë parullë tjetër. Në protestë nuk do të ketë asnjë lloj flamuri dhe askush nuk do të mbajë fjalim”.
“Kuvendi i OJQ-ve të Kosovës nga sot e deri një ditë para protestës mbetet i hapur për të gjitha OJQ-të, partitë politike, institucionet, mediat, intelektualët, veprimtarët dhe individët e tjerë me ndikim që të bëhen bashkë-organizatorë të kësaj proteste”, thuhet në njoftimin e nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të OJQ-ve të Kosovës, Nexhmedin Spahiu.

Shkelzen Berisha: Kurrë nuk jam takuar me Vuk Hamovic

Shkelzen Berisha, djali i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar të hënën në një prej të përditshmeve kosovare, duke pohuar se nuk është takuar kurrë me biznesmenin serb, Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës, apo përfaqësues te tij.
 “Dje në gazetën tuaj në shkrimin me titull “Sali Berisha, me “mafinë” serbe, kundër Kosovës” në një nga paragrafët e tij pohohet se sipas burimeve (që nuk publikohen) të gazetës suaj, unë jam takuar me zotërinjtë Vuk Hamovic dhe Damir Fazlic në Vjenë të Austrisë me qëllim ndihmën për bizneset e tyre dhe pengim të projekteve energjetike që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë”.
“Dëshiroj t’iu bëj me dije ju dhe mbarë opinionit të Kosovës që kjo është një shpifje e ulët, pasi unë nuk jam takuar kurrë dhe asnjëherë me z. Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës, apo përfaqësues te tij, as në Vjenë e as në ndonjë vend tjetër të rruzullit, për asnjë lloj pune, apo biznesi, dhe madje nuk kam as njohje me të”.
“Takimi i supozuar mes meje, z. Hamovic dhe z, Fazlic është fund e krye një trillim i ulët i artikullshkruesit. Në përputhje me kodin e etikës, kërkoj botimin e plotë të këtij përgënjeshtrimi në të njëjtën hapësirë dhe germë si gënjeshtra e botuar dje, të shoqëruar me ndjesën përkatëse për shpifjen e bërë ndaj meje”, thuhet në reagimin e Berishës.
Një ditë më parë, Zëri, në një artikull shkruante se kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Sipas burimeve të kësaj gazete, biznesmeni serb, Vuk Hamovic, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazlic, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkelzen Berisha... 

Nesër seanca e jashtëzakonshme për veriun

Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, e thirrur me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë së cilës do të diskutohet për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës.
“Në këtë javë kemi plotë seanca. Nesër do të jetë një seancë e thirrur e Grupit Partisë Demokratike me nënshkrimin e 46 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës. Të enjten dhe të premten kemi dy seanca njërën pas tjetrës, dy seanca të punës dhe kështu po e përmbyllim këtë javë me tri seanca”, ka theksuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, transmeton Kosovapress.
Në njoftimin e lëshuar nga zyra për Informim e Kuvendit thuhet se seanca e jashtëzakonshme thirret sipas kërkesës së nënshkruar nga 46 deputetë të Grupit Parlamentar i PDK-së dhe deputetë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës. Ka mbetur që kërkesa për seancë të jashtëzakonshme të deponohet në Zyrën për parashtresa të Kuvendit, në mënyrë që ajo të quhet e ligjshme. 

Komandanti i FSK-së, vizitë Turqi

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, së bashku me komandantin e Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, gjeneralbrigade Nazmi Brahimaj, udhëtuan sot për një vizitë disaditëshe në Turqi.
Komandantit të FSK-së gjatë vizitës në Turqi do të përcjell nga afër trajnimin e Togut të FSK-së dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të tyre, që do të bëhet më 26 prill 2012, thuhet në njoftimin e lëshuar nga shërbimi për informim i FSK-së.
Togu i FSK-së (33), që nga 22 marsi po merr pjesë në një trajnim në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe në Ankara.
Përgatitja e Togut të FSK-së nga Ushtria e Turqisë bëhet me qëllim të pjesëmarrjes së FSK-së në Operacione Mbështetëse të Paqes.
Ky trajnim u realizua në bazë të Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të FSK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë.
Gjatë qëndrimit në Turqi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati do të ketë takime pune, me gjeneralë të lartë të Ushtrisë së Turqisë. 

Policia merr përgjegjësinë e sigurisë në Manastirin e Deviqit

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë ka pranuar kompetencat e vazhdimit të ofrimit të sigurisë në Manastirin e Deviqit, pas një marrëveshje dhe deklarate trelaterale të nënshkruar në mes të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Palët janë pajtuar dhe njohin rekomandimet e dala nga COMKFOR, për bartjen e kompetencave të sigurisë në Manastirin e Deviqit, nga KFOR-i tek Policia e Kosovës, pasi Policia e Kosovës, ka dëshmuar gatishmërinë dhe aftësitë për një përgjegjësi të tillë pas fazës së tranzicionit të kompetencave të sigurisë.
Pas nënshkrimit të kësaj deklarate, nga sot, Policia e Kosovës, do të jetë përgjegjëse për të gjitha detyrat e sigurisë në këtë Manastir. 

Nazim Bllaca i shkruan letër kryeministrit Thaçi

I vetëshpalluri agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës, Nazim Bllaca, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë ne vrasjen e një personi, e që tash është në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorit në dy procese gjyqësore, i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit të Kosovës, me kërkesë që t’i njihet statusi i invalidit të luftës së UÇK-së, meqë ka qenë pjesëtar i UÇK-së.
Më poshtë po japim në origjinal letrën e Nazim Bllacës, drejtuar kryeministrit Thaçi:
“Z.Kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi, ndonëse jam i shkolluar për mësimdhënës, fati nuk deshi që të jem shumë i mirë në këtë punë, ani pse atëherë kur shumëkush nuk guxonte të jepte mësim, unë për punën time isha shpallur arsimtar i vitit.
Z. Kryeministër, e dijë që nuk dijë të thurrë një letër të mirë, siç e meritoni ju, pasi që nuk pata kohë ta mësoj këtë gjë, se eprorët e mijë, njëherazi edhe shokët e tu të luftës e tash bashkë-partiakët tu, më mësuan që të vras, por ti të paktën të lutem gjeje pak kohë që ta lexosh këtë që do të them.
Z. Kryeministër, duke parë rrethanat në të cilat gjendëm unë, Nazim Bllaca, ish-agjent i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), sektori i vrasjeve, dhe autor i një vrasjeje, që qe tash e tri vite i izoluar pasi denoncova krimin time e të shokëve të mijë të skuadrës së lartë cekur, vendos të ju drejtohem juve me anë të kësaj letre që të kërkoj një të drejt timen.
Z. Kryeministër, si ushtar i UÇK-së jam plagosur në dy pjesë të trupit dhe për këtë kamë dëshmi të lëshuara nga Spitali Ushtarak në fshatin Krojmir (të cilën e keni të bashkangjitur me letrën) dhe për këtë po ju kërkoj që të ma mundësoni mua, Naizm Bllacës, që nëpërmjet Zyrës së Invalidëve të Luftës, në kuadër të zyrës së Kryeministrit, të më pranoni statusin e invalidit të luftës.
Z. Kryeministër, nuk jam plagosur pas lufte në ndonjë atentat kundër zyrtarëve të larët të LDK-se, zanati të cilin ma mësuan eprorët e mijë, e mbeta pa u mësuar që të shkruaj mirë së paku një letër, prandaj dhe vendosa që të ju drejtohem me këtë kërkesë.
Faksimilja e vërtetimit të lëshuar nga stacioni ushtarak në Krojimir, ku konfirmohet plagosja e Bllacës
Z. kryeministër, dikush mund ta mohoj që unë kamë qenë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) por plagët i kam dëshmitar kundër tyre, sikurse që dëshmi që isha pjesë e skuadrës së vrasjeve të SHIK-ut, agjencisë që e krijuat me nënshkrimin tua,j që është tash i ndjeri Ibush Kllokoqi.
Për fund, z. Kryeministër dhe kryetar i partisë për të cilën deri në vitin 2007 isha në gjendje ti vidhja edhe kutitë e votave, pasi që kundërshtarët e saj veç i kisha ndjekur për ti vrarë, nuk po pres që të më përgjigjeni në letër, por shpresoj që kërkesa ime do të shqyrtohet dhe do të kem një përgjigje pozitive.
Dëshmitë janë, shokët e mi të luftës të, plagosur si unë e gëzojnë këtë të drejt, dhe besoj që kur ta shqyrtoni kërkesën time do ta bënë këtë vetëm mbi bazën e faktetve, pa paragjykime.
Me respekt:
Nazim Bllaca,
Ish-agjent i SHIK-ut dhe autorë i një vrasjeje me urdhër të eprorëve të kësaj agjencie", përfundon letrën Bllaca.
Vërtetësinë e letrës e ka konfirmuar përmes telefonit për Telegrafin vetë Nazim Bllaca. 

Njohjet, strategji e çakorduar

Fakti se me fusnotë Kosova është shndërruar në një shtet të çuditshëm, sipas analistëve, ka bërë që të ketë dështim në jetësimin e strategjisë për njohje të shtetit të Kosovës nga ato shtete që ende nuk e kanë bërë këtë.
Por, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk e pranojnë këtë. Ata thonë se MPJ me strategjinë e aprovuar për njohjet para një viti e gjysmë është më e pajisur me njohuritë se ku qëndrojnë problemet kryesore rreth imazhit dhe njohjes së Kosovës, shkruan “Zëri”.
“Pas përpilimit të strategjisë dhe pas përpilimit të dokumenteve strategjike për njohje nga 5 shtetet e BE-së, të cilat janë bërë në bashkëpunim me fondacionin SOROS dhe me qeverinë britanike, ne jemi të pajisur më shumë me më shumë informata shtesë, të cilat na ndihmojnë jo vetëm për njohjet, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve dhe interaksionit të Kosovës me shtetet e tjera. Ne e dimë që para 1 viti e gjysmë Kosova ka qenë në një pozitë të palakmueshme mediale, e sulmuar majtas dhe djathtas nga propaganda serbe”, thotë zëvendësministri i MPJ-së, Petrit Selimi.
Sipas tij, një vit e gjysmë më vonë, MPJ ka pasur një mori të madhe të veprimeve, të kontakteve, të takimeve, të cilat kanë rrjedhur si pasojë e strategjisë dhe e dokumenteve të tjera strategjike.
“Po ashtu, sivjet për herë të parë kemi përpiluar strategjinë digjitale, e cila pritet të lansohet shumë shpejt”, ka thënë Selimi.
Mirëpo, këto strategji, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, i ka quajtur jofunksionale, jokompatibile, të pabaza dhe joprofesionale.
Në anën tjetër, Selimi i ka quajtur panjohuri dhe injorancë vlerësimet e ish-ministrit Hyseni, sa i përket funksionimit të strategjisë për njohje.
“Është panjohuri dhe injorancë e thellë e dikujt që ka punuar tre vjet pa dokumente, pa strategji dhe pa udhërrëfyes diplomatik. Kjo strategji është dokumenti i parë strategjik i suksesshëm i përpiluar në diplomacinë kosovare”, ka thënë Selimi.
Vjosa Osmani, nga LDK, e ka këshilluar zëvendësministrin Selimi që t’i lexojë deklaratat e dhëna nga Hashim Thaçi gjatë kohës që Hyseni ka qenë ministër, sepse ato kanë qenë plotë lëvdata për Hysenin. Përderisa ka thënë se Selimi duhet ta krahasojë numrin e njohjeve sa ka qenë Hyseni ministër, me numrin e njohjeve që kanë ardhur pas tij.
Sipas saj, është qesharake se si deklarohet Ministria për këtë strategji kohë pas kohe.
“Strategjia për njohjet është jo e plotë për faktin që nuk janë hartuar plane konkrete për shtetet veç e veç. Dhe, e dyta, edhe ato pika që janë hartuar si duhet, Ministria nuk i ka implementuar”, ka thënë Osmani. Ajo ka përmendur premtimin dhe moshapjen e ambasadave të reja të Kosovës në botë, etj.
“Përveç faktit që politika e jashtme është e çakorduar dhe nuk dihet se cila është adresa konkrete e politikës së jashtme të Kosovës, ky proces është dëmtuar edhe me veprime të tjera të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Analisti Avni Zogiani, ndërkaq, thotë se aspekt tjetër që, sipas tij, e komplikon situatën rreth njohjes, e që nuk reflektohet askund dhe as në strategji, është fakti se me fusnotë Kosova është shndërruar në një shtet të çuditshëm. Kjo, sipas Zogianit, e komplikon tepër shumë njohjen, duke qenë se një shtet kur njihet duhet të njihet si shtet i pavarur dhe sovran, e fusnota e ka cenuar shumë këtë mundësi.
E, drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, thotë se është problematik vlerësimi i kësaj strategjie, ngase nuk janë bërë publike pjesët e ashtuquajtura sensitive të saj.
“Mund të ndodhë që pjesët kanë qenë vërtet sensitive, por edhe mund të jetë që ato nuk janë publikuar qëllimisht për të lënë hapësirë interpretimi. Pa e ditur përmbajtjen dhe objektivat e qarta është vështirë të gjykohet suksesi i asaj strategjie, se sa janë arritur objektivat e përcaktuara aty. Sidoqoftë, në vitin 2011, ka pasur aktivitete të shtuara lobbuese, si nga MPJ ashtu edhe nga zëvendëskryeministri Pacolli. Rrjedhimisht kemi më shumë njohje në vitin 2011, sesa në 2010 apo 2009”, ka thënë Bokshi. 

Jahjaga dhe Thaçi: S’ka zgjedhje lokale serbe në Kosovë

Zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse cenojnë integritetin territorial të vendit. Ky është qëndrimi i shprehur nga Presidentja e ë Kosovës Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët në takime të ndara pritën Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier.
Temë kryesore e takimeve me Zannier-in ishte gjetja e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet paralmentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj.
Presidentja Jahjaga theksoi se “zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë nuk mund dhe nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës sepse cenojnë integritetin territorial të vendit”.
Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin standardin ndërkombëtar me të cilin shtetasit me shtetësi të dyfishtë e gëzojnë të drejtën e votimit në zgjedhjet e përgjithshme, dhe për këtë do të respektohen konventat ndërkombëtare, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës.
Edhe kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare.
“Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadën e saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së”, theksoi kryeministri Thaçi, thuhet në kumtesën e lëshuar nga zyra e Kryeministrit.
Ndërsa sa i përket tendencave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi ritheksoi edhe një herë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244.
Zannier theksoi se OSBE-ja është duke e marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave.

Haxhinasto dhe Selimi dënojnë aktet kriminale

Zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicë dhe në Maqedoni kanë qenë në fokus të takimit mes Zv.kryeministrit dhe njëherësh ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.
Të dy bashkëbiseduesit dënuan me forcë aktet kriminale të ndodhura së fundi, të cilat ndikojnë në rritjen artificiale të tensionit. Ata nënvizuan se zbulimi i shpejtë i autorëve të këtyre akteve kriminale dhe nxjerrja e tyre sa më shpejt para drejtësisë, do të ndikonte drejtpërdrejtë për qetësimin e situatës dhe kthimin saj në normalitet, transmeton "Oranews".
Njëkohësisht ata theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së qetësisë, maturisë dhe shmangies së provokimeve nga cilado anë që ato të vijnë, pasi duke vepruar kështu, ata do t`i bëjnë një shërbim të vyer të ardhmes së tyre, vendit ku jetojnë dhe tërë rajonit.
Në takim, gjithashtu u konstatua se të dy vendet po punojnë intensivisht për të krijuar një treg unik, duke hequr të gjitha barrierat ekzistuese në shkëmbimet mes dy vendeve dhe theksuan nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në funksion të agjendës së përbashkët evropiane.

KOSTT, po arrihet progres në autostradën energjetike

Pas raportimeve të ditëve të fundit nga disa media në lidhje me progresin e projektit për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, Operator Sistemi, Transmsioni dhe Tregu i energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), ka reaguar duke dhënë disa sqarime.
Në reagimin e KOSTT-it thuhet se për ndërtimin e linjës 400 kV Kosovë–Shqipëri në procesin e diskutimit në mes të KOSTT dhe OST Shqipëri është nënshkruar një Marrëveshje e Mirëkuptimit ku Banka Zhvillimore Gjermane (KfW) ka qenë dëshmitare. Mbi bazën e kësaj marrëveshje palët janë dakorduar që procedurat e njohura ndërkombëtarisht, pra Direktiva mbi prokurimin e produkteve dhe shërbimeve në kuadër të Bashkëpunimit Financiar me vendet në zhvillim do të zbatohen për projektin. Në vazhdim ju prezantojmë disa ngjarje kronologjike mbi progresin e projektit në fjalë.
“Siç është i informuar opinioni i gjerë, me 23 dhjetor të vitit 2009 është nënshkruar Marrëveshja për Kredi dhe Financim të linjës interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri në mes të KfW (Bankës Gjermane për zhvillim), Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës si dhe KOSTT sh.a, ndërkaq Marrëveshja në fjalë u ratifikua me shumicë absolute të votave nga Parlamenti i Kosovës. me 1 prill të vitit 2010”, theksohet në reagim.
Menjëherë pas kësaj, KOSTT dhe OST e Shqipërisë me asistimin e kompanisë konsulente kanë punuar në finalizimin e dokumentacionit tenderues për shpalljen e interesit për gjetjen e kontraktuesit për ndërtim.
“Aktualisht, procesi i prokurimit të ndërtimit të linjës ende nuk ka përfunduar dhe rrjedhimisht, KOSTT nuk mund të japë çfarëdo informacioni në lidhje me këtë proces tenderues pa u finalizuar ai. Palët kooperuese në këtë projekt duke iu referuar procedurave dhe direktivave te lartpërmendura janë të obliguar që edhe komunikimin ta bëjnë në harmoni me këtë meqenëse kjo është sanksionuar me Marrëveshjen për Kredi dhe Financim të linjës interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri në mes të KfW (Bankës Gjermane për zhvillim), Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës si dhe KOSTT te informohen për rezultatet”.
“Sipas Marrëveshjes për Kredi dhe Financim, financimi i projektit të Autostradës Energjetike Kosovë-Shqipëri për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Bashkëpunimi Financiar Gjerman, respektivisht Qeveria Gjermane përmes KfW bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (Qeveria e Kosovës) dhe KOSTT për hua dhe kontribut financiar në vlerën e përgjithshme prej 33.5 milionë euro, nga e cila 16.5 milionë euro grant + 17 milionë euro kredi”, tregon KOSTT-i nëpërmjet një komunikate për media.
Ngjashëm, qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë. Si shtesë e financimit gjerman, KOSTT dhe OST Shqipëri do të kontribuojnë me mjete vetanake. 

PTK duhet të privatizohet brenda vitit

Privatizimi i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), do të vazhdojë ku 75 për qind të aksioneve do ti ketë privatizuesi kurse 25 për qind do të jenë pronë e Qeverisë së Kosovës. Këshilltaret e rinj të cilët janë zgjedhur pas dështimit të tenderit të parë për të privatizuar këtë kompani kanë vlerësuar se edhe me këtë masë të aksioneve PTK do të jetë atraktive për tregun.
Në mbledhjen e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, këshilltari i ri i transaksionit, LazardFereres S.A.S. dhe RaiffeisenInvestment ka prezantuar edhe planin kohor në të cilin saktësojnë se shitja e PTK-së, pritet të ndodhë brenda vitit 2012.
Kryesuesi dhe ministrat pjesëmarrës të KQP-së, shprehen qëndrimin e tyre për domosdonë e kryerjes me sukses dhe me kohë të këtij procesi të shumë rëndësishëm për vendin.
Reforma në fushën e telekomit, ku 75 për qind të aksioneve të Valës dhe Telekomit do të kalojnë në pronësi private, do të mundësojnë zhvillim të konkurrueshmërisë dhe ngritje të nivelit të kualitetit të shërbimeve në këtë sektor.
Reformimi i sektorit publik, me futjen e kapitalit privat në të, do të ketë efekt të drejtpërdrejtë pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit. “Këshilltari i transkaskonit, i përbërë nga përfaqësuesit e kompanive LazardFereres S.A.S. dhe RaiffeisenInvestment, shprehu bindjen se PTK si kompani është atraktive për investitorë shumë serioz dhe se tregu i telekomit në nivel global ka vazhduar të gjenerojë të hyra të mëdha, që do të thotë se operatorët e mëdhenj kanë kapacitet të mjaftueshëm për zgjerim të mëtutjeshëm”, thuhet në komunikatën e MZHE-së.
Në pajtueshmëri me standardet aktuale të shitjeve dhe blerjeve të kompanive të telekomit, roli këshilltari i transaksionit si partner kyç, në kryerjen e privatizimit të PTK-së do të jetë shumë i rëndësishëm në garantimin e suksesit të këtij procesi.
“Këshilltari i transaksionit do të përgatisë analizën detale të të gjitha aspekteve të funksionimit të PTK-së, do të bëjë analizën e tregut dhe investitorëve potencialë në PTK, do të përgatisë kornizën e privatizimit me rekomandime për strukturën e trasnaskionit, do të organizojë konferenca ndërkombëtare me investitorë në qendra evropiane dhe botërore, do ta bëjë vlerësimin e PTK-së për nevoja të Qeverisë, do të bëjë përgatitjen e dokumenteve të tenderit, do ta ndihmojë KQP-në në menaxhimin e tenderit për PTK-në dhe do të mbështetë negociatat për përmbyllje të kontratës”.
Në takimi e KQP-së, u analizua po ashtu progresi i bërë në lidhje me themelimin e ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës dhe gjithashtu u diskutuan hapat e ardhshëm në lidhje me privatizimin.
Ndryshe privatizimi i kompanisë më profitabile në vendi kishte dështuar një herë si pasoj e tërheqjes së kompanive nga gara siç patën thënë ato “për shkak të korrupsionit dhe dallavereve”.

Cole: Mund ta eliminojmë Barcën

Chelsea ka kualitet për ta mposhtur Barcelonën në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Kështu mendon Ashley Cole.
“Ne e dimë se kush është Barcelona dhe se ne duhet të jemi në formë të mirë. Ne kemi vetëbesim dhe mendojmë se jemi aq të mirë sa të vazhdojmë tutje”.
“Ne jemi një ekip i vështirë, asnjëherë nuk dorëzohemi. Ne luftojmë për secilin top, jemi të fortë në përballje dhe shpresoj që kjo të ndikojë në mendjen e tyre, dhe ne të përfitojmë nga kjo”.
“Me e ekipe si Barca, mendojmë se dimë si ti ndalim. A do të ndodhë kjo gjatë ndeshjes? Asnjëherë s’i dihet. Nëse njerëzit si Lionel Messi nuk luajnë, atëherë kemi një rast të shkëlqyer”, ka thënë Cole. 

Ibra nuk shkon te Reali

Zlatan Ibrahimovic nuk është duke menduar që të largohet nga Milani – ka thënë agjenti i tij, Mino Raiola.
Sulmuesi suedez kohët e fundit është lidhur me një kalim te Real Madridi, mirëpo përfaqësuesi i tij ka mohuar mundësinë e largimit nga San Siro.
“Nuk ka asgjë të vërtetë për atë (kalimin te Reali). Situata është e qartë, ai ka akoma edhe dy vite në kontratën e tij”.
“Milani nuk dëshiron ta shesë Zlatanin dhe ai nuk dëshiron të largohet. Gjithçka tjetër është vetëm teori, ëndrra dhe mundësi të pabazuara”, ka thënë Raiola. 

Bale dëshiron të shkojë te Barcelona

Gareth Bale është i interesuar që të transferohet te Barcelona – ka thënë bashkëlojtari i tij te Tottenhami, Sandro.
Uellsiani kërkohet nga klubet më të mëdha evropiane, ndërsa Spursat pritet ta shesin atë gjatë verës nëse nuk kualifikohen në Ligën e Kampionëve.
“Gareth është i qetë, por jam i sigurt se do të dëshironte të luajë te Barca”, ka thënë Sandro për COM Radio.

Ronaldo: Barca më e mira në botë

Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo, thotë se edhe pse është tifoz i Real Madridit, skuadra aktuale e Barcelonës është një prej më të mirave që ai ka parë ndonjëherë
“Unë jam Merengue dhe më pëlqen mënyra se si luan Madridi, por ju nuk mund ta injoroni Barcelonën, që ka një skuadrës fantastike”.
“Ata ndoshta mund të mos jenë më spektakolar, por ata e bëjnë gjithçka të duket aq e thjeshtë. Çdo lojtar në çdo zonë të secilës anë e di se çfarë duhet të bëjnë në një kohë të caktuar”.
“Pastaj ata kanë aftësi ta mbajnë topin dhe ata në mënyrë të qetë marshojnë drejt golit kundërshtar. Puna e shkëlqyeshme që Guardiola ka bërë po jep dritë; ata janë një prej skuadrave më të mira që kam parë gjatë 35 viteve të mia në planet”.
“Më lëndon kur them këtë, meqë jam një madridist, por megjithatë mendoj se ne mund t’i heshtim ata për disa tituj këtë vit”, ka thënë Ronaldo. /

Blanc i hapur për Chelsean

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, nuk e ka përjashtuar një marrje nën drejtim të Chelseat pasi kontrata e tij me skuadrën kombëtare të skadojë gjatë verës.
Ish-trajneri i Bordeaux ka deklaruar se është krejtësisht i fokusuar në Kampionatin Evropian që zhvillohet këtë verë, por ka thënë se ai është i hapur për largim për një pozitë më të sigurt.
“Synimi im është të vazhdoj me skuadrën e Francës. Nuk e kam ndryshuar mendjen. Por situata është se kontrata ime ende nuk është vazhduar. Dhe unë nuk jam tip që trokas në derë. Nëse është e qartë, është e qatë”, ka thënë Blanc për Le Parisien.
Përveç Chelseat, francezi është lidhur edhe me marrjen në drejtim të Interit.

AUK në Barcelonë për universiadën ndërkombëtare

Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK), do të jetë institucioni i parë i arsimit të lartë nga Kosova që do të marrë pjesë në një olimpiadë ndërkombëtare të universiteteve nga e tërë bota.
Një ngjarje vështirë për t’u harruar. Klubi i Sportit në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) muaj më parë mori një ftesë zyrtare nga Barcelona, për të qenë pjesë e një evenimenti sportiv në këtë vend. Evenimenti në fjalë, është një universiadë, thënë ndryshe një olimpiadë për të rinjë dhe të reja nga universitete të ndryshme rreth botës.
Ky manifestim, i cili është i përvjetshëm në qytetin e Spanjës që nga viti 2007, dhe poashtu i organizuar edhe nga universitete të tjera të botës vite me rradhë, është i një karakteri ndërkombëtar. Për më tepër, universiteti organizues i këtij viti në Barcelonë, “ESADE Business School”, me përgjegjësit kryesor për këtë ngjarje, stafin “ESADE Sports”, janë pjesë e organizatës “Panathlon International”, e cila i përkrah universitetet e ndryshme që të organizojnë evenimente të tilla, dhe mbi të gjitha, është e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që organizon lojërat olimpike.
“Një ngjarje e tillë është e mirë se ardhur për ne studentët e universitetit amerikan në Kosovë. Vërtet është nevoja që studentët kosovarë të fillojnë të integrohen më në fund me kolegët e tyre nga anë e mbanë bota dhe gjë më të mirë se sporti për ta bërë këtë nuk ka. Është një ngjarje vërtet e qëlluar”, është shprehur përTelegrafin një prej studentëve të AUK, Arianit Mullabazi.
Evenimenti “EuroEsade Barcelona 2012” do të mbahët nga 18 deri me 22 Prill. Do të ketë pjesëmarrës nga rreth 15 shtete të botës, që do të garojnë në sporte si: Futboll, basketboll, hendboll, volejboll, gjimnastikë etj.
“Përfaqësuesit e klubit të sportit në AUK (American Univeristy in Kosova), duke marrë parasysh që është hera e parë që një universitet nga Kosova, ftohet të marrë pjesë në një ngjarje të tillë, dhe e veçanta, në një vend si Spanja, e cila nuk na ka pranuar si shtet të pavarur, kanë ndjerë përgjegjësi morale që ta pranojnë ftesën, dhe të përgatitën për pjesëmarrje”, shkruan në komunikatën e AUK.
Evenimente të tilla gjatë vitit do të mbahën edhe në: Ibiza, Milano, Beograd, Valencia.

Heynckes: Është vështirë ta drejtosh Realin

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, thotë se detyra e trajnerit të Real Madridi është një pozitë e vështirë për shkak të presionit nga shumë anë.
Gjermani ishte nën drejtim të klubit spanjoll në sezonin 1997/98 dhe ndihmoi Los Blancos ta fitojnë Ligën e Kampionëve, para se të shkarkohet për shkak të rezultateve të dobëta në kampionat.
“Real Madridi është një vend i vështirë për të punuar në afat të gjatë. Atje ju duhet të fitoni, fitoni, fitoni, luani me një stil sulmues, të mbani në kontroll mediat lokale, dhe të keni raporte të mira me presidentin”.
“Ka shumë ‘nëse’ dhe ‘por’ dhe, meqë ne përfunduam të katërtit në ligë, duhej ta paguaja çmimin”, ka thënë Heynckes për Soccernet.
“Për mua kjo ndeshje nuk e ka kuptimin e hakmarrjes personale. Kisha nderin të drejtoj Realin në sezonin 1997/98 dhe isha me fat ta fitoj Ligën e Kampionëve”.
“Normalisht se isha i zhgënjyer që finalja kundër Juventusit doli të ishte edhe e fundit për mua, por kështu është futbolli, kështu është Reali”, ka shtuar strategu gjerman.

Del Bosque rinovon me Spanjën

Vicente del Bosque ka zbuluar se ai do të qëndrojë në karrigen drejtuese të Spanjës edhe pas Euro 2012, pasi ka nënshkruar rinovimin e kontratës me Ferderatën Spanjolle të Futbollit.
Marrëveshja e mëhershme e 61-vjeçarit skadonte këtë verë pas Kampionatit Evropian, por trajneri do të mbetet në drejtim të Spanjës edhe për disa vite të tjera.
“Tashmë e kam rinovuar kontratën time si trajner i skuadrës kombëtare”, ka thënë Del Bosque në një intervistë për Radio Marca pa dhënë detaje të shumta për të.
Spanja është në grupin C të Euro 2012, së bashku me Italinë, Republikën e Irlandës dhe Kroacinë. Spanjollët do ta fillojnë Kampionatin Evropian me ndeshjen kundër Italisë më 10 qershor.

Zubizarreta: Chelsea, përgatitje e mirë për El Clasico

Drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, e sheh ndeshjen e të mërkurës përballë Chelseat si një përgatitje ideale për ndeshjen vendimtare të vikendit përballë Real Madridit, El Clasico.
Blaugranët aktualisht e ndjekin Real Madridin me katër pikë në tabelën e La Liga dhe nëse shënojnë fitore në Camp Nou të shtunën në mbrëmje diferenca do të shkonte në vetëm një pikë.
Përveç kësaj, Barca synon të bëhet skuadra e parë që e ka mbrojtur titullin e më të mirit të Evropës që kur Milani e bëri këtë në vitin 1990. Por Zubizarreta ka dhënë shenja se ndeshja e vikendit përballë Real Madridit është më e rëndësishme se sa udhëtimi në Londër te Chelsea.
“Liga e Kampionëve ka vendosur që ne ta kemi Clasicon në mes të sfidës që po ashtu do të na mundësojë neve të luajmë një Clasico tjetër në finale në Munich”, ka thënë Zubizarreta për Sport. 

Carragher: Fitoret rikthyese pjesë e AND-së tonë

Veterani i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka lavdëruar shpirtin luftarak të Redsave, pasi ata u rikthyen nga disavantazhi 1-0 për të mposhtur 2-1 Evertonin në gjysmëfinale të Kupës FA.
“I thash Steviet, ‘Sa herë e kemi bërë këtë?’ Kur situata nuk duket e mirë, por ne e gjejmë mënyrën për ta bërë. Ne e kemi bërë këtë në të kaluarën dhe mendoj se do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Kjo është në ADN-në e klubit”.
“Ne i përfshijmë edhe tifozët; ne themi se çdo herë kemi një ndeshje të madhe për të luajtur. Nuk mendoj se shumë klube të mëdha e kanë këtë. Man United e ka, ne e kemi dhe kjo është të gjesh mënyrën për të fituar në këto ndeshje të mëdha”.
“Ju jeni 1-0 në disavatazh dhe përpiqeni të riktheheni. Por ne gjithmonë e gjejmë mënyrën. Ju gjithmonë vazhdoni të bëni më të mirën”, ka thënë Carragher.

Conte të vazhdojë kontratën me Juven

Antonio Conte raportohet se është i gatshëm të vazhdojnë kontratën e tij me Juventusin edhe për dy vite.
Gazzetta dello Sport shkruan se trajneri do të nënshkruajë marrëveshje të re deri në qershor të vitit 2015, e cila do t’ia rrisë atij pagën në 3 milionë euro në sezon.
Conte, i cili erdhi në Tornio verën e kaluar nga skuadra e Serie B, Siena, aktualisht ka marrëveshje me gjigantët nga Torino deri në fund të sezonit të ardhshëm (qershor 2013).

Dalglish: Kritikët vetëm na bashkojnë

Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, mendon se klubi mund të jetë krenar me mënyrën se si ata janë përballur me kritikat këtë sezon.
Pasi ngritën trofeun e Kupës Carling, Redsat tash janë kualifikuar në finale të Kupës FA, ku do të përballen me Chelsean.
“Për të ecur përpara dhe për të qenë i suksesshëm, ndonjëherë ju duhet të goditeni nga të tjerët. Ky klub futbolli është një shembull fantastik për secilin klub futbolli, se kur ekzistojnë njerëz që gjuajnë baltë në ju, ata mbyllin rrathët dhe bashkohen”.
“Ky është klubi i futbollit të cilin e kam njohur dhe është klubi i futbollit po e njoh sërish”, ka thënë Dalglish për Liverpoolfc.tv.

NBA: Clippers në play-off pas gjashtë vitesh

Los Angeles Clippers kanë shkelmuar Oklahoma City Thunder nga pozita e parë e Perëndimit pas fitores me rezultat 92-77, duke siguruar kështu edhe një vend në play-off pas gjashtë vitesh mungese.
Nick Young udhëhoqi sulmin e ekuilibruar duke shënuar 19 pikë i inkuadruar nga rezervat, derisa Blake Griffin shënoi 17 pikë dhe 11 kërcime.
Clippers (38 fitore dhe 23 disfata), që tash rreshtohen në pozitën e katërt të Konferencës Perëndimore, tejkaluan mysafirët në pjesën e dytë për të siguruar biletën për në ndeshjet e pas-sezonit për të parën herë që nga sezoni 2005/06.
Pasi kanë fituar 12 nga 14 ndeshjet e fundit, Clippers po ashtu synojnë të fitojnë titullin e parë ndonjëherë të Divizionit Pacifik, ku janë duke ndjekur rivalin lokal, Los Angleles Lakers me një ndeshje, skuadër kjo që pozicionohet e treta në Konferencën Perëndimore.
Thunder (44 fitore dhe 17 disfata), me disfatën e mbrëmshme kanë humbur kreun ndaj San Antonio Spurs.

Eto’o të rikthehet te Interi?

Ylli i Anzhit, Samuel Eto'o, raportohet se planifikon të largohet nga klubi rus dhe dëshiron të rikthim sensacional te Interi.
Corriere dello Sport shkruan se kamerunasi është i lodhur nga jeta në Rusi dhe nga niveli i kampionatit rus dhe dëshiron të largohet gjatë verës.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i vetëdijshëm për frustrimin e Eto’os dhe është i hapur ta sjellë atë sërish në Giuseppe Meazza sezonin e ardhshëm.
Eto’o, i cili është futbollisti më i paguar në botë me 20 milionë euro në vit, ishte afër të rikthehet te Interi në janar në formë huazimi, pasi Premierliga Ruse ishte në pushim. 

Wenger: Luajtëm shumë keq

Menaxheri i Arsenalit është i pakënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij, veçanërisht mbrojtjes, në disfatën e mbrëmshme 2-1 në shtëpi nga Wigan Athletic.
“Ne jemi mbrojtur shumë keq në rastin e golit të parë dhe të dytë. Çdokush ishte i përfshirë në gola. Përveç kësaj ne pranuam golin e dytë me 10 lojtarë në fushë. Na u desh shumë kohë ta bëjmë ndërrimin dhe ishte absolutisht e pabesueshme. Pas kësaj ne kishim një mal për t’u ngjitur”.
“Mendoj se në pjesën e parë ne kishim mjaft shanse për ta rikthyer rezultatin në 2-2, por në pjesën e dytë ne e ulëm nivelin tonë, ne humbëm lojën ekipore, kohezionin dhe u përpoqëm të luajmë shumë individualisht”.
“Nuk kishte shumë karburant të mbetur në rezervuar. Ne nuk shihnim më se kush mund ta bëjë dallimin”, ka thënë Wenger. 

Alves ka frikë nga Chelsea

Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, duket se është i tmerruar nga Chelsea që nga viti 2009, kur Blaugranët mposhtën Blutë në mënyrë kontroverse në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat do të takohen sërish të mërkurën dhe Alves ka shfrytëzuar rastin për të kritikuar mentalitetin e skuadrës angleze.
“Nuk ka dyshim se ishte ndeshja më e vështirë në të cilën kam luajtur, por një skuadër me një lojtar avantazh e që luan në shtëpi dhe fiton, duhet të na kishte sulmuar neve më shumë”.
“Njerëzit thonë se Chelsea duhej të kishte fituar po të mos ishte gjyqtari, por ky nuk është problemi jonë. Ne ishim aty për të luajtur futboll, për të garuar dhe për t’u përpjekur të arrijmë në finale. Chelsea nuk arriti në finale pasi kishte frikë”, ka thënë Alves. 

Rona vazhdon promovimin e “Suus”

Në kuadër të fazës së promovimit të këngës “Suus”, Rona Nishliu është duke vazhduar me vizitat e saj nëpër vende të ndryshme.
Pas Podgoricës, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong ka udhëtuar drejt Bukureshtit (Rumani), me qëllim të pjesëmarrjes në emisionet televizive në kuadër të televizioneve Antena 1, TV Rumania si dhe TVR1.
Kjo javë nuk mbyllet vetëm me këtë vizitë, meqë Rona do të paraqitet edhe në koncertin tradicional “Eurovision in Concert”, i cili më 21 prill organizohet në Amsterdam të Holandës.
Triumfi në festivalin tradicional të këngës shqiptare i ka mundësuar këngës “Suus” rrugëtimin drejt Bakusë në Azerbajxhan, ku në garën e madhe të këngës evropiane, Rona do ta përfaqësojë Shqipërinë.
Në këtë festival prestigjioz Rona Nishliu do të paraqitet në gjysmëfinalen e parë, më 22 maj, ndërkaq, sipas shortit, ajo këndon e pesta me radhë. 

Albani: Nuk ka xhelozi mes meje dhe Miriamit

Alban Skenderaj, i cili tash e një kohë është në lidhje dashurie me këngëtaren Miriam Cani, ka pohuar se lidhja e tyre ecën shumë mirë dhe mes tyre nuk ka xhelozi.
“T’ju them të vërtetën, në punën e xhelozisë nuk e kemi asnjëri të theksuar edhe për faktin se ne kemi shumë vite që punojmë me këtë profesion dhe i kemi kaluar këto gjera në hapat e para deri sa në një fare mënyre ramë dakord, që mos bien në ‘banalitet’, pasi jo vetëm profesioni, por edhe karakteri jonë nuk na e lejon që të hapim probleme thelbësore”.
“Xhelozia sigurisht që është pjesë e dashurisë dhe si të gjitha ndjesitë që ka njeriu kanë vlerën e vet për ta bërë jetën më të bukur dhe sigurisht që një grimcë, por me doza shumë të vogla, është e domosdoshme për ta bërë lidhjen më interesante”, ka thënë Albani.
Këngëtari nga Shqipëria ka shtuar se në shtator do të vijë me projekte të reja muzikore. 

Andini dhe Noga lansojnë klipin “Ku Je”

Tinejxheri nga Prishtina, Agon Abdullahu, i njohur si Noga Beatbox, ka lansuar videoklipin e ri të këngës “Ku Je” në bashkëpunim me producentin dhe këngëtarin Andin Randobrava.
Videoklipi është punuar në dy lokacione, në Gjermani dhe në Prishtinë, teksa skenat i përshtaten pikërisht stilit të këngës – një baladë e cila flet për një dashuri që nuk arriti të shkojë deri në fund.
Teksti i këngës dhe në tërësi për të është përkujdesur vet Andin Randobrava, teksa shoqërohet nën interpretimin e vet Andinit dhe Nogës, i cili tashmë është i njohur për bashkëpunimet e tij të suksesshme.
Së fundmi Noga ka lansuar dhe albumin e tij të ri, “Unstopable”, i cili tashmë është në shitje, teksa në të janë shumë befasi të cilat Noga ka refuzuar t’i zbulojë për mediat. Këtë ai pritet ta bëjë të premtën në emisionin "Zonë e Lirë" me Arian Çanin, ku do të promovojë albumin e ri dhe klipin. 

Rihanna: E urrej zërin tim

Ylli i muzikës, Riihanna, thotë se ajo e urren mënyrën se si tingëllon zëri i saj.
Këngëtarja thotë se edhe pse mund ta durojë veten duke kënduar këngët e saj ose ta shikojë veten në ekran, ajo nuk mund ta durojë mënyrën se si flet.
“Urrej ta dëgjoj veten duke folur. Nuk e di pse. Nuk më pëlqen ta dëgjoj veten as në mesazhet e telefonit. [Zëri im] Më duket shumë i vrazhdë”, ka thënë Rihanna.

“Arsye” për përkëdhelje

Filloni ditën duke i dhënë dashuri vetes tuaj, sepse përkëdhelja është mënyra më thelbësore që të shprehni ngrohtësinë e ndjenjave tuaja.
Nuk është vetëm sektori i shëndetit që përfiton nga përkëdhelja. Gjithashtu përfitojnë:
* Lidhja me veten tuaj, edhe pse shumicën e rasteve hezitoni të përkëdhelni veten, madje edhe nëse e keni shumë të nevojshme. Shpesh është më e lehtë të guxoni ta bëni me ndihmën e një mjeti, p.sh të një kremi hidratues. Nëse kjo u lehtëson, kthejeni në një zakon të përditshëm.
* Lidhjet midis dy njerëzve. Duke prekur të tjerët, vini më afër. Mos hezitoni të prekni miqtë, fqinjët ose kolegët. Një përkëdhelje në sup ose në kurriz është mënyra më e lehtë të bindni të tjerët për interesimin ruaj, por edhe të shprehni mbështetjen tuaj.
* Jeta juaj seksuale. Përkëdheljet zgjerojnë llojet e eksperiencave me partnerin tuaj, edhe kur nuk përfundoni gjithmonë duke bërë seks. Duke ruajtur të gjallë kontaktin trupor me puthje, përqafime dhe përkëdhelje, tonifikoni pasionin për partnerin dhe jetën tuaj seksuale.
Vitet e fundit është vlerësuar shumë rëndësia e terapive alternative, si: shiatsu, ref1eksologjia dhe reiki, të cilat përdorin forcën terapeutike të prekjes si mjet kryesor për arritjen e mirëqenies.

Stresi dobëson imunitetin

Studimi i ri tregon se si stresi afatgjatë e lodh sistemin e imunitetit, duke rritur rrezikun nga ftohja dhe virozat.
Shkencëtarët amerikanë nga Universiteti në Pennsylvania kanë testuar 176 meshkuj dhe femra për fazat e rënda nëpër të cilat kanë kaluar në 12 vitet e fundit. Pastaj në hundën e tyre kanë vendosur virusin i cili shkakton virozë të lehtë dhe kanë kontrolluar nëse janë sëmurë. Ata që ishin me stres do të sëmureshin dy herë më shpesh.
Testi ka treguar që sistemi i tyre i imunitetit është bërë më pak aktiv duke iu falënderuar kortizolit, hormonit të stresit i cili dobëson imunitetin.
Kështu është zhvilluar ajo që quhet “reaksion inflamator”, ndërsa është treguar që kjo është pasojë e stresit. Ajo mund të shfaqet si skuqje, kruaje, ënjtje dhe dhimbje, ndërsa paraqitet si reaksion i parë i organizmit në mbrojte nga sëmundjet. Kur shfaqet reaksioni inflamator, jemi të ekspozuar ndaj rrezikut nga sëmundjet e ndryshme.
Ekzistojnë edhe mënyra të tjera në të cilat stresi mund ta bëjë të sëmurë. Për shembull, shkencëtarët nga London School of Economics kanë gjetur lidhjen në mes ushqimit të shpejtë të kripur dhe të yndyrshëm, me punën jashtë orarit dhe tensionin e rritur të gjakut.
Po ashtu kanë gjetur lidhjen në mes stresit, ankthit dhe vetëbesimit të ulët te femrat shtatzënë dhe rrezikun e shtuar që të sapolindurit do të lindin të vdekur ose me inteligjencë të zvogëluar. Po ashtu, fëmijët që kanë lindur pas shtatzënive stresuese janë më shpesh hiperaktiv, kanë probleme emocionale dhe në fund të fundit - edhe vet janë më të ekspozuar ndaj stresit.