KFOR-i është mirëpritur nga të gjithë në veri

Në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike në Mitrovicë, kryetari i Komunës, Avni Kastrati ka vlerësuar se situata në komunën e Mitrovicës është mjaftë e ndërlikuar dhe e tensionuar, edhe pse gjatë ditëve të fundit nuk ka pas incidente të rënda. Ai tha se qytetarët e këtyre lagjeve, si shqiptarët, ashtu edhe serbët, e kanë mirëpritur kthimin e KFOR-it në mjediset e tyre për të krijuar ambient më të sigurt.

Kastrati tha se nga vrasje e Selver Haradinajt në banesën e tij nga ekstremistët serbë, është punuar shumë me qytetarë, duke biseduar me ta në të gjitha lagjet veriore me qëllim të ruajtjes së qetësisë së përgjithshme, gjë që edhe është arritur.
“Qytetarët janë treguar syçelë dhe mjaftë të kujdesshëm, duke mos lejuar që të provokohen nga ekstremistët serbë dhe duke iu shmangur kështu incidenteve të rënda”, tha ai.

Kastrati në këtë takim ka falënderuar KFOR-in për organizimin e mirë dhe angazhimin e duhur në mjediset me popullatë të përzier në lagjet veriore. Ai tha se qytetarët e këtyre lagjeve, si shqiptarët, ashtu edhe serbët, e kanë mirëpritur kthimin e KFOR-it në mjediset e tyre për të krijuar hapësirë më të sigurt. Ata, ka thënë ai, kërkojnë që ushtarët e KFOR-it të qëndrojnë edhe më tutje në mjediset e tyre.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala, tha se situata është ende mjaftë e tensionuar, por ka trende pozitive në qetësimin e saj.
Nysret Mehmeti nga policia e Kosovës tha se situata është më e qetë falë edhe masave shtesë që ka ndërmarrë policia e Kosovës, duke i shtuar patrullimet policore dhe duke i vëzhguar vazhdimisht pikat më të ndjeshme në lagjet veriore të qytetit.