Messi: Dua ta tejkaloj Raulin

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është duke synuar që të thyejë rekordin e ikonës së Real Madridit, Raul Gonzalez, për numrin e golave të shënuar në Ligën e Kampionëve. Argjentinasi ka shënuar hettrik në sfidën ndaj Ajaxit të mërkurën, duke arritur kuotën e 62 golave në garën më prestigjioze të futbollit evropian. Raul i ka 71 gola dhe Messi po mendon të thyejë një rekord të radhës të rëndësishëm në karrierën e tij. “Ideja e tejkalimit të Raulit në krye të golashënuesve më të mirë të Ligës së Kampionëve është një sfidë e mirë. Por, nuk është gjë esenciale. Ne, si ekip, kemi synime tjera më të rëndësishme. Për shembull, të arrijmë sa më larg në këtë garë. Të tentojmë ta fitojmë atë përsëri”. “Sigurisht se jam i kënaqur me hettrikun tim, i cili është rezultat i lojës së mirë të ekipit. Nëse do të jem realizatori më i mirë në fund të sezonit, kjo nuk më intereson, vetëm dua që ekipi të luajë mirë”, ka deklaruar Messi për faqen zyrtare të UEFA-s.

Roma konfirmon, Totti ka rinovuar

Roma ka konfirmuar se Francesco Totti ka nënshkruar një kontratë të re dyvjeçare që do ta mbajë atë në Olimpico deri në vitin 2016. 36 vjeçari kishte një kontratë që skadonte në fund të këtij sezoni dhe pas shumë diskutimeve, klubi nga kryeqyteti italian vendosi të mbajë në ekip legjendën dhe gjithçka u finalizua gjatë të premtës. “Unë kam edhe dy vite përgjegjësi para vetes dhe jam i sigurt se mund të arrijmë gjëra të mira së bashku. Unë dua të falënderoj presidentin për kontratën. Të gjithë kanë dashur që kjo të ndodhë, edhe unë edhe klubi”, ka theksuar Totti në një konferencë për shtyp. Toti u pensionua nga kombëtarja në vitin 2006, por forma e tij e jashtëzakonshme e treguar sezonin e fundit ka ngritur zëra se ai mund të rikthehet në kombëtare dhe Totti e la këtë mundësi të hapur për të ardhmen nëse ftohet për Botërorin 2014. Totti debutoi me Romën në vitin 1992 dhe ka fituar Scudetton, Superkupën e Italisë dy herë dhe tri herë Kupën e Italisë në 21 vitet e qëndrimit të tij në klub.

De Gea: Kemi besim para derbit

Portieri i Manchester United, David de Gea, beson se ekipi i tij ka besim të ngritur pas fitores ndaj Leverkusenit në Ligën e Kampionëve. United takohet me Manchester Cityn në derbin e kësaj jave që zhvillohet në Etihad Stadium dhe De Gea shprehet me besim të madh par derbit lokal. “Fitorja ndaj Leverkusenit na ka ngritur besimin për të dielën”. “Ishte me rëndësi që t’ia fillonim me një fitore, ne bëmë një start të mirë dhe i morëm tri pikët, që na dhanë qetësi shpirtërore”. “Ne kemi pasur pak idtë për t’u përgatitur për Cityn, por mezi e presim atë ndeshje”, ka potencuar De Gea.

Sanchez: Ende mund të përmirësohem

Alexis Sanchez thotë se ai ndjehet shumë mirë te Barcelona pas fillimit të mirë të sezonit, por shton se ende ka hapësirë për përmirësim. Kiliani ka shënuar dy gola në tre ndeshje të La Ligas deri tash, përfshirë golin e fitores 3-2 të Barcelonës ndaj Sevillas vikendin e kaluar, por e ka bërë të qartë se ka ende për të treguar këtë sezon. “Ndjej besimin e trajnerit dhe të bashkëlojtarëve, që më bën të ndjehem shumë mirë në fushë”. “Por ende kam hapësirë për përmirësim. Ende jam në kulm të lojës time”, ka thënë kiliani për La Tercera.