JO Barca – PO Chelsea

Përkundër lojës së jashtëzakonshme, Barcelona nuk ka arritur ta mposhtë Chelsean në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Sfida e zhvilluar në Camp Nou përfundoi me rezultat 2-2.
Takimi i parë i zhvilluar në Stamford Bridge përfundoi me rezultat 1-0 në favor të Chelseat, ndërsa pas sfidës kthyese në finalen e Munihut do të luajnë Blutë.
Ekipi vendas e dominoi në tërësi fraksionin e parë, mirëpo mysafirët mbroheshin mirë duke mos lejuar depërtimin e Blaugranëve. Ishte minuta e 19-të kur Leo Messi u gjet përballë Cech pas asistimit të Fabregas, mirëpo portieri i Chelseat reagoi për mrekulli.
Në vazhdim e gjithë loja zhvillohej në gjysmëfushën e anglezëve, porse nuk kishte raste të vërteta shënimi. Përmendim dy ndërrime të detyrueshme të mbrojtësve nga secili ekip – Gary Cahill (Chelsea) dhe Gerard Pique (Barca), e lanë fushën për shkak të lëndimeve.
Dhe më në fund u thye mbrojtja mysafire. Pas një krosimi të ulët të Isaac Cuencas më së miri në zonë u gjend Sergio Busquets duke plasuar topin në rrjet dhe duke ndezur atmosferën në Camp Nou (35’).
Menjëherë pas (37’), John Terry u përjashtua me karton të kuq për shkak një goditjeje të qëllimshme ndaj Alexis Sanchez.
Me një lojtar më shumë në fushë, Barca ishte edhe më e fuqishme dhe arriti ta dyfishojë epërsinë. Leo Messi dërgoi një pasim në drejtim të Andres Iniestas, ndërsa spanjolli e ndëshkoi portierin Cech (44’).
Kur dukej se gjërat po bëheshin të lehta për katalunasit, doli në skenë Ramires. Pa përfunduar pjesa e parë (45’+1), Frank Lampard dërgoi një top te braziliani, i cili me një gol të bukur ktheu shpresat e skuadrës mysafire për t’u kualifikuar në finale.
Edhe në gjysmën e dytë në fushë luajti vetëm një skuadër, ndërkohë që tjetra mbrohej.
Në minutat e para të kësaj pjese (49’), Didier Drogba ndërhyri në mënyrë të palejuar në Cesc Fabregas dhe gjyqtari akordoi penalti, mirëpo Lionel Messi goditi transversalen nga pika e bardhë.
Derisa vazhdonte loja, Blaugranët ishin tejet ofensiv, por e paluhatshme ishte Chelsea në mbrojtje duke lejuar hapësira shumë të vogla.
Përmendim një gol të anuluar të Dani Alves, si edhe një goditje të shtyllës nga Lionel Messi, kundrejt skuadrës të cilën e përcillte një fat i jashtëzakonshëm.
Dhe, derisa Barcelona po sulmonte, Fernando Torres i heshti të gjithë në Camp Nou duke e barazuar rezultatin në minutat shtesë.
Në finalen e 19 majit, Chelsea do ta presë fituesin ndërmjet Real Madridit dhe Bayern Munich.

‘Mourinho na ka mësuar si ta mposhtim Barcën’

Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka thënë se Blutë kanë biseduar me trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, para sfidës kthyese gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Ekipi londinez të martën mbrëma është mysafir i Blaugranëve, ndërsa takimin në Camp Nou do ta fillojë me avantazh prej 1-0.
Në konferencën për media, Cech ishte ironik duke thënë se Mourinho ua ka dhënë recetën se si t’i mposhtin katalunasit.
“Ajo që ndodhi të shtunën në ‘el Clasico’ nuk do të ndikojë në ndeshjen e mbrëmjes së sotme (e martë). Ata kanë shumë përvojë në situata të tilla dhe atë ndeshje do ta lënë anash”, ka thënë mes tjerash portieri.
Ai ka pranuar se Blutë patën fat në përballjen e parë në Stamford Bridge, por ka thënë se ata do të bëjnë gjithçka që të jenë në finalen e Munihut.

Reagon edhe SEEMO, përkrahë gazetarët kosovarë

Organizata për Media e Evropës Juglindore, SEEMO, ka përkrahur gazetarët kosovarë, duke vlerësuar se është e tronditur me ndryshimet e fundit të Kodit Penal të Kosovës, aprovuar në Parlament.
 Bazuar në nenet kontestuese 37 dhe 38 gazetarët do të jenë penalisht përgjegjës nëse nuk zbulojnë burimet e tyre.
Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se këto nene të miratuara nga deputetët, në kundërshtim me mendimin e AGPK-së dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile, si dhe kundër këshillës së Ministrisë së Drejtësisë, duket se përfitojnë më së shumti të akuzuarit për ryshfet ose aktivitete të paligjshme.
SEEMO i bënë thirrje presidentes Atifete Jahjaga që të mos nënshkruajë këtë kod dhe të kthej ligjin në Parlament.

Vllahiu: Mbështesim votimin mbi parimin e dyshtetësisë

Në kohën kur ka mbetur ende e paqartë se si do të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 6 maj, në territorin e Kosovës, Presidenca e Kosovës u shpreh në mbështetje të votimit mbi parimin e dyshtetësisë, por kundërshtoi idenë e organizimit të zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës.
 Deri tani Presidenca nuk ka marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga misioni i OSBE-së për lehtësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në votimet në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes, Atifete Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet e Republikës së Kosovës angazhohen për respektimin e normave, ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, që garantojnë dyshtetësinë, por se nuk mund të lejojnë organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Do të ishte më e lehtë sikur Republika e Serbisë ta kishte njohur realitetin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Kosovën, që do të mundësonte edhe hapjen e ambasadës, e ku do të mund të kryhej procesi i votimeve për shtetasit me shtetësi të dyfishtë”, tha Vllahiu në një përgjigje dhënë përmes postës elektronike.
Ai ritheksoi kundërshtimin e deritashëm të autoriteteve ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Amerika përkrahë FSK-në drejt NATO-s

Ministri i FSK-së Agim Çeku dhe Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastrati e pritën zëvendësdrejtorin e Zyrës për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian, i cili po qëndron në një vizitë pune.
Krerët e FSK-së e njoftuan zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për zhvillimet dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe për objektivat e zhvillimit të FSK-së për të ardhmen.
Ministri Çeku e njoftoi mysafirin për bashkëpunimin bilateral dhe multilateral të FSK-së, në përgjithësi.
Ndërsa, Raffi Gregorian shprehu gatishmërinë e SHBA-ve që edhe në të ardhmen të ndihmojnë FSK-në, në përmbushjen e të gjitha detyrave dhe kapaciteteve operacionale si dhe do të kontribuojë për integrimin e FSK-së në të gjitha organizmat e sigurisë dhe në NATO, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra për informim e Ministrisë së Forcës së Sigurisë.

Kodi, në dorën e Presidentes

Gazetarët dhe mediat në Kosovë janë në pritje të vendimit të presidentes Atifete Jahjaga nëse ajo do ta nënshkruajë apo jo Kodin Penal me dy nenet, që, sipas gazetarëve, janë problematike dhe rrezikojnë punën e tyre në të ardhmen.
Të mërkurën (nesër), pritet që presidentja Jahjaga t’i presë në një takim kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë, Arben Ahmeti, dhe përfaqësuesit e mediave të shtypura dhe elektronike për të biseduar për nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, i miratuar të premten nga Kuvendi.
Ahmeti ka thënë se pret mirëkuptim nga presidentja në mënyrë që ajo të mos e nënshkruajë Kodin dhe ta kthejë atë në rishqyrtim. Në të kundërtën, ai ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave tjerë, ngase si i tillë, Kodi me këto dy nene për mediat konsiderohet i papranueshëm.
“Presim mirëkuptim prej presidentes, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, atëherë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. E, nëse nuk ndodh as kjo, i bie që duhet të marrim hapa më radikal, sepse Kodi do të mbetet i papranueshëm për mediat. Do të shqyrtojmë edhe mundësinë e bojkotimit të punës së këtyre deputetëve që kanë votuar për ta fundosur lirinë e shtypit”, ka thënë Ahmeti, për REL.
Gjatë seancës, kur ishte miratuar Kodi Penal me dy nenet problematike për gazetarët, ishte deputetja e Vetëvendosjes Alma Lama ajo e cila kishte shprehur haptas pakënaqësinë e saj me formulimin e këtyre dy neneve, duke vlerësuar se versioni i Kuvendit vuloste një pushtet diktatorial.
Sipas deputetes Lama, të dyja nenet duhet ndryshuar, ngase ato cenojnë lirinë shtypit dhe medias.
Neni 37, siç është miratuar, është nen, i cili do të shantazhojë lirinë e gazetarëve, lirinë e redaktorëve, kryeredaktorëve...
Gjatë seancës kur ishte miratuar Kodi Penal, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kishte deklaruar se gazetarit do t’i kërkohet ta publikojë emrin e burimit vetëm në disa raste kur konsiderohet se si pasojë, ishte kryer një vepër e caktuar penale.
“Kemi të bëjmë me burimin kur kryhet vepra penale përmes tyre dhe nuk kemi të bëjmë me çdo burim. Mund të jetë burimi për një akt terrorist. Këtë duhet ta tregojë gazetari. Ka mundësi që përmes burimit, të kryhet vepra penale dhe vetëm kur kryhet vepra penale kërkohet burimi, jo në rastet tjera”, ka deklaruar Kuçi.
Kodi Penal, në nenin 37, definon përgjegjësinë penale për vepra penale me anë të mediave. Sipas gazetarëve, neni nuk e specifikon se cilat janë veprat penale që kryhen me anë të mediave dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve, prokurorëve që ta interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre.
Kurse, neni 38, i cili rregullon mbrojtjen e burimeve, parasheh që gazetarët do të duhet ta zbulojnë burimin e tyre për të parandaluar ndonjë sulm që përbën kërcënim të pashmangshëm për jetën, me çka edhe gazetarët janë pajtuar, por jo edhe me pjesën e dytë kur kërkohet zbulimi i burimit për rastet e, siç thuhet, kërcënimit ndaj integritetit trupor të ndonjë personi.
Rrezikimi i “integritetit trupor”, sipas gazetarëve, është term i gjerë, i padefinuar dhe si i tillë mund të keqpërdoret.
Sidoqoftë, gazetarët presin nga presidentja Atifete Jahjaga që ta kthejë këtë kod prapa në rishqyrtim dhe të mos e nënshkruajë, në mënyrë që ai edhe pas miratimit në Kuvend, të mos fuqizohet. 

Jahjaga: Nuk do të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,në takimin me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, deklaroi se zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë dhe çfarëdo zgjedhjesh të një shteti tjetër, nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.
Presidentja Jahjaga dhe Feith diskutuan për situatën e përgjithshme në Kosovë, për përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe plotësimin e legjislacionit, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, që parasheh afatin kohor për përfundimin e kësaj faze.
Presidentja theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin të drejtën e dyshtetësisë dhe angazhohen për respektimin e normave dhe të konventave ndërkombëtare në rastin e dyshtetësisë, ndërsa duke folur për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë tha se nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Abetarja mbarëkombëtare nga “Dukagjini” dhe “Pegi”

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me Kodin 1002 për botimin e Abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013.
Raportohet se Abetarja fituese është paraqitur nga shtëpia botuese Pegi në Shqipëri dhe ajo Dukagjini e Kosovës. Autorët janë Shezai Rrokaj dhe Mimoza Gjokutaj, ndërsa nga pala kosovare janë Islam Krasniqi dhe Saranda Kumanova.
Zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Nehat Mustafa, dhe zëvendësministri i Arsimit të Shqipërisë, Halit Shamata, kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e fituesit për Abetaren e përbashkët Kosovë- Shqipëri.
Në konkurrimin e shpallur nga të dy ministritë përkatëse morën pjesë 7 shtëpi botuese, sipas kushteve të miratuara në paketën informuese. Si kritere kanë qenë: autorët e tekstit të përbashkët duhet të jenë nga të dy vendet dhe botuesit të kenë prodhim të përbashkët.
Në vlerësimin e teksteve të paraqitura morën pjesë 10 vlerësues, nga të cilët 5 janë nga Kosova, 5 janë nga Shqipëria.
Periudha e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit mësohet se është deri në datën 30 prill 2012.

Qeveria e preokupuar me veriun e Mitrovicës

Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, gjendja e sigurisë dhe investimet socio-ekonomike të qeverisë në atë pjesë të territorit të Kosovës, ishin temat për të cilat u bisedua në takimin Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Kryeministri Hashim Thaçi theksoi se Qeveria ka përcjellë nga afër zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ka shtuar se në koordinim të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Thaçi potencoi gjithashtu se Qeveria do të vazhdojë me rritjen e mëtejme të investimeve socio-ekonomike në pjesën veriore të Mitrovicës për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të kësaj pjesë një të ardhme më të mirë.

Bashkëveprim në veri

Policia e Kosovës do të jetë në bashkëveprim edhe me NATO-n dhe EULEX-in për të vendosur rendin dhe ligjin në veri, tha zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka , duke komentuar deklaratën e shefit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit nuk ka kapacitete për një gjë të tillë dhe se KFOR-it i ka mbetur barra përsipër. Ndërkaq opozita dhe analistët thonë se deklarata e Rasmussenit tregon se nuk ka një bashkëveprim të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë me ato vendore.
EULEX-i e ka mandatin për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në pjesën veriore dhe këtë duhet ta bëjë edhe me kapacitetet ekzistuese. Kështu thotë zëvendësministri i brendshëm Izmi Zeka pas deklarimeve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit nuk ka burime të mjaftueshme për t’u ballafaquar me situatën në veri. Megjithatë sipas zëvendësministrit Zeka, Policia e Kosovës do të jetë në bashkëpunim me të dyja këto institucione për çfarëdo veprimi në veri, transmeton RTK.
Opozita ndërkaq konsideron se deklarata e sekretarit Rasmussen tregon se EULEX-i nuk do t’i ndihmojë qytetarëve të veriut për të pasur më shumë siguri.
Sipas deputetes së Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani ky është edhe një sinjal më shumë për institucionet e Kosovës se ka ardhur koha që ato të ndërmarrinrendshëm, institucionet e sigurisë nuk e përjashtojnë përdorimin e forcës në veri vetëm pasi të jenë shterur gjitha mjetet tjera.
Ndërsa analisti politik Nexhmedin Spahiu thotë se NATO dhe EULEX e kanë qasjen e përbashkët por ajo që e bënë EULEX-in më pak aktiv është qasja e institucioneve të Kosovës.
Ndaj deklaratave të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s ka reaguar menjëherë shefja për Politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. veprime konkrete për të mbrojtur jetën e qytetarëve në veri.
Megjithatë,sipas zëvendësministrit të b
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja po diskutojnë mënyrat e bashkëpunimit në pjesën veriore të Kosovës në mënyrë që të ekzistojë plani i veprimit, i cili do mundësonte reagimin adekuat në rast të situatave të paparashikuara në këtë pjesë të vendit.

Drews: KFOR-i përforcohet me 700 trupa rezervë

Deri të premten në Kosovë do të zbarkojnë 700 trupa shtesë të batalionit rezervë të KFOR-it, tha komandanti i KFOR-it Erhard Drews, gjatë një vizite në Podujevë. Duke komentuar kritikat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen, në adresë të EULEX-it, Drews e ka vlerësuar të mirë bashkëpunimin e KFOR-it me EULEX-in
Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, përveç që ka konfirmuar se do të arrijnë trupat shtesë nuk folur për qëllimin e përforcimit të forcës paqeruajtës dhe nuk ka saktësuar se ku do të sistemohen ata.
Ndërsa duke komentuar deklaratën e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen se Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë “EULEX nuk ka burime të mjaftueshme” dhe se aleancës ushtarake i është dashur të marrë barrën, Drews vetëm tha se ka bashkëpunim të mirë me EULEX-in.
“Me sa kam kuptuar unë Rasmussen nuk është ankuar për mungesën e koordinimit. Ai është ankuar më shumë për kapacitete e EULEXit dhe unë këtu duhet ta pranoj se sa më të fuqishëm e kam një partner aq më shumë jam i gëzueshëm. Dua të them se ne kemi bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe s’kemi asnjë ankesë” , tha Drews.
Duke folur rreth vizitave të zyrtarëve serbë, të cilët po shfrytëzojnë rrugët alternative në veri për të hyrë në Kosovë, Drews mohoi që KFOR-i nuk i mbyll ato rrugë.
“Rrugët në fjalë do të mbyllen nëse nga ana jonë konstatohet se ato rrugë po shfrytëzohen nga grupet serbe apo të politikanëve që vijnë në veri për ta tensionuar situatën atëherë ne ato rrugë do t’i mbyllim”, tha Drews.
Gjatë takimit me kryetarin e komunës së Podujevës Agim Veliu, komandanti i KFOR-it Erhard Drews tha se është gjendje e qetë dhe nën kontroll përgjatë brezit kufitar me Serbinë.
Në kontingjentin prej 700 trupash rezervë do të jenë ushtarët gjermanë dhe austriakë.

Protestuesit: Terrorizimi është i papranueshëm

Aktet terroriste që kanë ndodhur kohëve të fundit në veri të Mitrovicës kanë sjellë në një protestë në Prishtinë, një grup të organizatave joqeveritare me moton “Stop terrorizmit”, të cilët kanë theksuar se terrorizimi është i papranueshëm për shoqërinë në Kosovë.
Protesta është organizuar në shenjë përkrahjeje ndaj qytetarëve që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas organizatorët protesta kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësinë për moskujdesin institucional për t’u siguruar jetë të qetë dhe të sigurt për qytetarë në veri të Mitrovicës.
Bashkëorganizatori i protestës, publicisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë me këtë rast se, qëllimi i kësaj proteste ishte që ta luftojnë terrorizmin si metodë dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve, të paktën ndihmë morale, për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë viktimë e terrorizmit.
“Terrorizmi është i papranueshëm për shoqërinë tonë dhe duhet që ta preventojmë. Qëllimi i kësaj proteste ka qenë që të jetë një preventim i akteve të tjera të mundshme për të mos arsyetuar terrorizmin si metodë. Prandaj përgjigjja e qytetarëve në këtë ka këtë kuptim. Nuk duam t’i dhamë protestës një karakter tjetër, përveç kësaj, që ta luftojmë terrorizmin si metodë dhe natyrisht njerëzve të cilët janë viktima të terrorizmit në Kosovë dhe jashtë kanë nevojë për një përkrahje morale dhe kjo protestë është një lloj përkrahje për të gjithë ata të cilët janë të zhgënjyer nga mosveprimi i mekanizmave përkatës për mbrojtjen, për sigurinë e tyre, por të paktën ta kenë përkrahjen e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndonëse kishte numër të vogël të protestuesve, megjithatë Spahiu u shpreh i kënaqur dhe shtoi se tregon edhe numri i pjesëmarrësve në protestë se sa jemi të ndërgjegjshëm si popull.
Ndërsa Shemsi Reçica nga Këshilli Organizativ i protestës dhe ish i burgosur politik, pos kritikave ndaj organeve të shtetit, ai ka shprehur indinjatën e tij edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili nuk po bën asgjë për atë pjesë të vendit.
Ai ka thënë se ajo pjesë e Kosovës si dhe popullata e saj po mbahen peng i strukturave serbe, të cilat po dëshirojnë ta mbajnë atë pjesë të destabilizuar me synimin e vetëm që ajo pjesë të jetë e pastër etnikisht.
Reçica ka akuzuar edhe faktorin politik në vend se nuk janë unik në marrjen e vendimeve për Mitrovicën, duke bërë lojë me seanca të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, po përpiqen që të përfitojnë politikisht në atë pjesë të vendit.
Aziz Ademi, qytetar dhe pjesëmarrës në protestë i tha Kosovapressit se do të ishte mirë që Qeveria dhe e gjithë Kosova t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë asaj pjese, kur dihet se atje është pasuria e krejt vendit.

Në shtator fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës miratoi planin e veprimit me të cilin parashihen ndryshimet e 22 amendamenteve kushtetuese. Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami tha se me këto ndryshime, të cilat duhet të miratohen deri në 10 shtator, hiqet mbikëqyrja dhe Kosova do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të saj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, deri më 10 shtator të këtij viti, duhet t`i miratojë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në mënyrë që java e dytë e shtatorit të jetë javë përfundimtare e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky konstatim doli nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës.
Kryetari Arsim Bajrami e sheh interes vital përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë brenda këtij viti.
“Përgjegjësinë për ta qeverisur Kosovën do ta kenë institucionet tona. Ndërsa, prezenca civile ndërkombëtare ta marrë një rol këshillues dhe jo rol ekzekutiv. Jashtë kësaj skeme është çështja e EULEX-it për shkak se EULEX nuk ka bazë kushtetuese dhe për statusin dhe pozitën e tij do të adaptohet një marrëveshje e veçantë pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Bajrami, transmeton RTK.
Sipas Bajramit, me këto ndryshime kushtetuese dhe legjislative jepet një garanci më e lartë për respektimin e të drejtave të pakicave që jetojnë në Kosovë.
“Nuk ka asnjë ide që të zvogëlohet ndonjë e drejtë e paraparë me pakon e Ahtisaarit. Pakicat duhet të ndihen të qeta dhe ato janë aktive në këtë proces. Ato duhet ta mbështesin këtë proces dhe nuk duhet të përdorin kurrfarë refuzimi të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, tha Bajrami.
Pavarësia e mbikëqyrur nuk do të prekë mandatin e KFOR-it, sepse është mandat në kohë të pacaktuar, por mandatin e prezencës civile ndërkombëtare, udhëheqjen e institucioneve kushtetuese nga ana e tyre dhe institucione tjera që kanë prani të theksuara ndërkombëtare.

Autostradat "bashkohen" deri në fund të majit

Në zonën neutrale të pikëkalimit kufitar Vërmicë-Morinë, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota me drejtuesit e projektit të autostradës nga konzorciumi "Bechtel-Enka", të martën, kanë iniciuar solemnisht shkatërrimin e urës së vjetër dhe ndërtimin e strukturës së re, e cila do të lidh autostradat në të dyja anët e kufirit.
Edhe pse bëhet fjalë për zonën ndërmjet dy shteteve ky projekt do të realizohet në kuadër të projektit të autostradës Vërmicë-Merdarë dhe sipas vlerësimit të ministrit Mujota do të "lidh me një cilësi të re rrugën e kombit".
"Pas shkatërrimit të urës së vjetër do të nis ndërtimi i urës së re, që do të krijoj një qasje më të lehtë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ata të Republikës së Shqipërisë, në këtë segment të 'Rrugës së Kombit'", ka thënë ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili për disa sekonda ka drejtuar makinën e rëndë, që shërben për shpimin e betonit dhe asfaltit.
Sipas tij, akti i shembjes së urës së ish-sistemit, paraqet një simbolikë të veçantë, që tregon se perspektiva e integrimeve të Kosovës dhe Shqipërisë është në rritje e sipër, pasi që për "qytetarët e të dyja vendeve, për popujt e të dyja vendeve do të ketë gjithnjë e më shumë lehtësira të komunikimit që qojnë drejt integrimit të natyrshëm përmes rrugës, e cila tashmë po e dëshmon se ka qenë projekt më i duhur dhe më i qëlluar i lidhjes infrastrukturore të një shteti, një kombi dhe të popujve tjerë në rajon", raporton Koha.
Zyrtari i lartë i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se punimet brenda zonës neutrale pritet të përmbyllen në fund të muajit të ardhshëm, me synimin që të lehtësohet qarkullimi në muajt e verës.
Ndërsa drejtor i projektit të autostradës në kuadër të "Bechtel-Enka", Mike Mix, ka veçuar si interesante shembjen e urës së vjetër në prag të shënimit të dy vjetorit të fillimit të punimeve në autostradë. "Është një simbolikë që tregon lidhjen dhe kalimin nga e vjetra në të renë", ka thënë ai. Mix ka theksuar se konzorciumi është duke punuar ditë e natë dhe se do të punoj kështu edhe gjatë tërë verës me qëllim të shtrimit të sa më shumë kilometrave të autostradës.

Ambienti i Kosovës për investime po përmirësohet

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj gjatë një takimi me investitorët kroatë ka siguruar ata se Kosova është duke bërë ndryshimet e nevojshme legjislative në mënyrë që të krijojë një ambient sa më të favorshëm për bizneset e huaja.
Gjatë takimit që zhvilloi me drejtuesit e dy prej kompanive më të mëdha kroate të prodhimit të medikamenteve dhe pajisjeve medicionale, “Pliva” dhe “Llola Ribar”, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori kroat në Prishtinë, Zoran Vodopija, Beqaj ka marrë premtimin e tyre për një prezencë të shtuar në tregun e Kosovës. “Kosova konform politikave të saj zhvillimore konsiderohet si jashtëzakonisht progresive nga ana e këtyre dy ndërmarrjeve, të cilat vlerësojnë se Kosova mund të jetë një bazë për tregun rajonal dhe janë duke shikuar mundësitë dhe opsionet për investime afatgjate në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe mundësitë për prodhime të këtyre produkteve në tregun e Kosovës për tregun rajonal”, tha ministri Beqaj.
Ai theksoi se këto dy ndërmarrje janë prezente në tregun e Evropës Juglindore relativisht fuqishëm dhe biseda që ka pasur sot ishte një konfirmim për politikat ekonomike të Qeverisë, të cilat janë duke u bërë me tendenca për të tërhequr investitorë, që cilët e konsiderojnë Kosovën si hyrje në tregun rajonal.
Kurse, ambasadori kroat Zoran Vodopija u shpreh se është i kënaqur që dy kompanitë më të fuqishme kroate kanë ardhur në Kosovë dhe planifikojnë të investojnë.
Ndërkaq, Menaxheri Gjeneral i Kompanisë “Pliva”, Matko Bolanca theksoi se kompanitë Pliva dhe Llola kanë parë ndryshime në Kosovë, të cilat lidhen me ndryshimet legjislative drejt Bashkimit Evropian, që vlerësoi si ndryshime pozitive.

Ekonomia e Bullgarisë ngadalësohet në 1.2 %

Rritja ekonomike e Bullgarisë pritet të ngadalësohet në 1.2 për qind për ketë viti e ndikuar nga vazhdimi i krizës së Eurozonës dhe nga përkeqësimi i kërkesës së brendshme. Të dhënat janë bërë publike nga një studim i “Citigroup”. Studimi ka parashikuar se, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Bullgarisë për vitin 2013 do të rritet me vetëm 2.5 për qind.
Instituti financiar ka paralajmëruar se, zgjedhjet e ardhshme në vend mund të kushtëzojnë edhe zbatimin e reformave strukturore.
Më herët, Banka Qendrore e Bullgarisë parashikoi se, ekonomia e vendit do të tkurrej me 0.7 për qind përgjatë këtij viti, si pasojë e ndikimit nga kriza e borxhit në Eurozonë.

Puyol e Xavi i hapin telashe gazetës Sport (Foto)

Redaktorët e të përditshmes katalunase, Sport, janë detyruar ta ndërrojnë fotografinë në ballinën e gazetës për shkak të pozës së pakëndshme të futbollistëve të Barcelonës, Carlos Puyol dhe Xavi Heranndez.
Në fotografinë origjinale shihet Puyol duke festuar golin, me ç’rast ai kërcen lartë dhe me pjesën poshtë belit i afrohet fytyrës së Xavit, ndërkohë që mesfushori në atë moment ka nxjerrë gjuhën.
Për t’u bërë edhe më keq, në fund të ballinës gjendet një reklamë, e cila shkruan “Seksi është jeta”.
Për të shmangur aludimet e mundshme seksuale, redaktorët vendosën ta modifikojnë fotografinë.

Ramires shpreson që të luajë në finale

Mesfushori i Chelseat, Ramires, shpreson që skuadra e tij ta eliminojë Barcelonën dhe të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve.
“Varet nga motivimi. Varet nga ne, se sa e duam atë (finalen). Ndoshta është vështirë, sepse është një fushë më e madhe (në Camp Nou), por edhe te Benfica ishte fushë e madhe dhe atyre u pëlqen ta mbajnë topin, por ne arritëm sukses”.
“Ka të bëjë me fokusin dhe përqendrimin tonë, dhe dëshirën e lojtarëve. Kuptohet që është e vështirë, por ne e dimë se nuk është e pamundur”, ka deklaruara braziliani.
Të martën mbrëma, Chelsea e fillon ndeshjen ndaj Barcelonës me avantazh prej 1-0 nga sfida e parë gjysmëfinale që u zhvillua në Stamford Bridge.

Roma duhet të mësohet të luajë pa Tottin

Trajneri i Romës, Luis Enrique, ka thënë se Giallorossët duhet të përgatiten për të ardhmen pa Francesco Tottin, edhe pse ka theksuar rëndësinë e kapitenit.
“Ai është lojtari më i rëndësishëm për atë që prezanton, por fatkeqësisht është 35 vjeç dhe nuk do të luajë deri në moshën 50 vjeçare”.
“Skuadra nuk duhet të mendojë se gjithçka merr fund pa Tottin, sepse e ardhmja e Romës është pa Francescon në fushë”, ka qartësuar Enrique në një konferencë për media. 

Mourinho: Lojtarët të mos jenë egoistë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, u ka thënë lojtarëve se duhet ta sakrifikojnë veten në mënyrë që të arrijnë në finale të Ligës së Kampionëve.
Të mërkurën mbrëma, Los Blancos janë nikoqirë të Bayern Munichut që ka avantazh prej 2-1 nga ndeshja e parë gjysmëfinale, ndërsa Sergio Ramos dhe Xabi Alonso e fillojnë ndeshjen me rrezik se nuk mund të luajnë në finale nëse marrin kartonë të verdhë.
“Secili lojtar duhet ta dijë se arritja e Real Madridit në finale është më e rëndësishme, sesa të qenit e lojtarëve atje”.
“Lojtarët nuk duhet të jenë egoistë. Unë do të merrja që tash suspendim me qëllim që ne të arrinim në finale”, ka deklaruar portugezi. 

Ribery: Nuk mund ta mposht Realin i vetëm

Franck Ribery ka pranuar se ai është në një formë të shkëlqyeshme për momentin, por ka pranuar se ai ka nevojë për ndihmën e bashkëlojtarëve të tij të Bayern Munichut për të eliminuar Real Madridin në Ligën e Kampionëve.
“Do të jetë ndeshja më e rëndësishme në karrierën time te Bayerni. Unë jam në një formë të shkëlqyeshme për momentin. Megjithatë, nuk mund ta eliminoj Madridin i vetën. Kjo do të jetë një përpjekje e shkëlqyeshme ekipore”.
“Ne mund të arrijmë diçka të madhe nëse arrijmë të luajmë në të njëjtin nivel me të cilin luajtëm në ndeshjen e parë”.
“Megjithatë, ne e dimë se do të jetë vështirë. Madridi ka treguar se ata janë një skuadër e shkëlqyeshme. Unë isha i impresionuar me paraqitjen e tyre kundër Barcelonës”, ka thënë Ribery për L'Equipe.

Milani ta rikthejë Capellon?

Fabio Capello është duke u lidhur me një rikthim sensacional te Milani.
Ish-përzgjedhësi i Anglisë është përmendur si zëvendësim për Massimiliano Allegrin, nëse Milani dështon ta fitojë Scudetton këtë sezon.
Megjithatë, Gazzetta dello Sport shkruan se Capello mund të arrijë edhe si menaxher për të ndihmuar zëvendës-presidentin Adriano Galliani në tregun e transferimeve dhe për të menaxhuar stafin stërvitor.

Heynckes: Mund të shënojmë në Madrid

Jupp Heynckes është i bindur se Bayern Munich mund të kualifikohet për në finale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Realin e Madridit.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për një ose dy gola, edhe pse jemi të aftë ta bëjmë këtë pasi ne kemi sulmues të jashtëzakonshëm”.
“Por për ta realizuar këtë ne duhet ta ruajmë kompaktësinë dhe të qëndrojnë të ngjeshur, që do të na japë neve shanse të mira në ndërprerje”.
“Është tepër e rëndësishme që ne të shfaqim potencialin tonë të plotë. Ne duhet të japim 100 ose madje 110 për qind. 10 për qind të fundit vijnë nga energjia emocionale. Nëse e arrijmë këtë, ne kemi një shans të mirë t’ia dalim në finale”, ka thënë Heyncknes. 

Kuyt: Nuk i kemi plotësuar standardet e Liverpoolit

Dirk Kuyt pranon se Liverpooli nuk ka qenë i mirë sa duhet këtë sezon në Ligën Premier.
Redsat kanë fituar vetëm tre herë në ligë gjatë vitit 2012 dhe holandezi thotë se lojtarët nuk kanë ku të fshihen pas këtyre rezultateve të dobëta.
“Çfarëdo që ndodh nga tash dhe deri në fund të sezonit, ne nuk do të jemi të lumtur ose të kënaqur me pozitën në ligë. Ne po luajmë për FC Liverpoolin dhe këtu ju duhet të fitoni çdo ndeshje. Ne kemi humbur shumë ndeshje dhe shumë pikë në ligë”.
“Ndonjëherë ne kemi qenë shumë afër fitimit të ndeshjeve dhe jemi ndjerë se kemi merituar të fitojmë. Por ju nuk mund të ndjeni keqardhje për veten – ne duhet të shikojmë përpara”.
“Ne nuk mund të shikojmë prapa, ne duam t’i ndryshojmë gjërat dhe duhet ta bëjmë këtë tash duke fituar sa më shumë ndeshje që mundemi nga tash deri në fund të sezonit”, ka thënë Kuyt.

Higuain i hapur për PSG-në

Paris Saint Germain është duke kërkaur sulmuesin e Real Madirid, Gonzalo Higuain.

Edhe pse argjentinasi ka thënë se dëshiron të mbetet te Reali, kampi i tij e ka bërë të qartë se ai është duke u përgatitur të largohet gjatë kësaj vere.
Sport shkruan se Higuain është duke i menduar opsionet, me ofertën e PSG që është më joshëse për të.
Në dy ndeshjet e fundit Higuain ka luajtur vetëm tetë minuta.

Fejohet Nani

Futbollisti i Manchester Unitedit, Louis Nani, ka njoftuar në Twitter se është fejuar me Daniela Martins, me të cilën është në lidhje qe katër vite.
“Jam i lumtur t’ju njoftoj për fejesën tonë”, ka shkruar portugezi në rrjetin social.
Të shpresojmë që Sir Alex Ferguson nuk do të nevrikoset që lojtari i tij e ka vënë në rend të parë jetën private, vetëm disa ditë para derbit vendimtar për titull.

Ingrid Gjoni bëhet nënë

Këngëtarja nga Shqipëria, Ingrid Gjoni është nëna më e re në skenën e estradës shqiptare.
Bukuroshja ka lindur djalin Parid Mara gjatë orëve të hershme të së hënës, i cili është fryt i dashurisë gjashtëvjeçare të saj me partnerin Genti.
“Jam shumë e lumtur. Nuk m’a priste mendja të kishte edhe të tilla ndjesi. Emocionet kanë qenë shumë të forta, më të fortat që kam përjetuar. Kam menduar gjithmonë se dashuria për partnerin, të afërmit, miqtë, apo profesionin është shumë e madhe, por jo. Fëmija qenka mrekulli. Më duket sikur kam rilindur”, ka thënë këngëtarja për Gazetën Shqiptare.
“Emrin e vendosi Genti. Ishte dëshirë e tij që djali të quhej Parid”, ka shtuar Ingriti duke treguar se emri i tij është emri i një prijësi, siç djali i tyre do të jetë udhëheqësi i lumturisë familjare.

Argjentina probleme me të dashurin?

Lidhja e Argjentina Ramosaj me të dashurin e saj mund të jetë jo aq e qëndrueshme sa duket.
Këngëtarja së fundi kishte ndryshuar statusin e saj në Facebook në “single”, gjë që kishte nxitur huti në mesin e fansave të saj.
Duke parë reagimet e fansave, Argjentina më pas ka fshirë postimin, shkruan Koha Jonë, duke i lënë kureshtarë të gjithë ata që paraprakisht kishin parë ndryshimin në statusin e këngëtares.
Argjentina ende nuk e ka shpjeguar këtë, por kjo mund të ketë qenë ndonjë grindje kalimtare me të dashurin, ose ndoshta edhe ndonjë shaka për të parë reagimin e publikut. 

Kim: Interneti më bëri të famshme

Kim Kardashian është e bindur se fama e saj është rritur dukshëm falë internetit dhe rrjeteve sociale si Twitter dhe Facebook, pasi përmes tyre ajo lidhet drejtpërdrejt me fansat.
“Mendoj se shumë prej bazës tonë të fansave dhe shumica e lidhjeve tona me njerëz është e bazuar në internet”.
“Mendoj se interneti ka sjellë një lloj tjetër të famës. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kush jemi dhe ku është vendi jonë. Ne jemi shumë aktive në Twitter, në Facebook, ne përgjigjemi, ne jemi të lidhur. Ne kënaqemi”, ka thënë Kim.

Pse femrat flasin më shumë

Sepse, pjesët e trurit të ngarkuara për të folur janë më të zhvilluara së paku për 20 për qind më shumë tek femrat se te meshkujt.
Për këtë arsye llafazania ‘femërore’ është thjesht çështje e anatomisë. Për femrat, të folurit shumë është një çlirim stresi dhe u jep një kënaqësi të madhe fizike, ashtu siç japin drogat.
Neuropsikiatrja kaliforniane, Louann Brizedine, në librin “Truri femëror”, pohon se truri i një femre dhe truri i një mashkulli ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri për shkak të aktivitetit të ndryshëm hormonal. Progesteroni dhe testosteroni janë elementët bazë të sjelljes dhe identitetit, me të gjitha pasojat e mundshme.
Pra, le të sqarojmë një fakt të rëndësishëm: e folura është një tipar që natyra ia ka dhuruar femrës. Këtë e di mirë ish-rektori i Harwardit, Lawrence Summers, i cili rrezikoi vendin e punës sepse u shpreh që femrat janë aq pak të zonjat për të përballuar shkencën, saqë në fushën akademike kanë shumë pak sukses. 

Guaska për testikuj

Nëse me kujdes i shikoni guaskat, do të vëreni se si forma e tyre përngjan me testikujt. Guaskat janë burim i shkëlqyer i acidit folik, zinkut, hekurit, acideve yndyrore omega 3, proteinave dhe kolesterolit të mirë.
Janë të shkëlqyeshme për shëndetin e përgjithshëm dhe veçanërisht për shëndetin e testikujve.
Konsumimi i guaskave do të ndihmojë te përmirësimi i kualitetit të spermës dhe me këtë do të ndihmojë edhe tek përmirësimi i fertilitetit.
Guaskat do të nxisin krijimin e testosteroneve, reduktojnë rrezikun nga krijimi i kancerit të prostatës dhe përmirësojnë shëndetin e organeve reproduktive në përgjithësi. 

HTC zhvillon çipa mobil

HTC në telefonat e vet të ardhshëm mobil dhe në tablet mund të ndodhë të filloj të përdorë zgjidhjen e vet SoC.
Kompania sipas pohimeve në fshehtësinë qysh tani po bashkëpunon me ST-Ericsson dhe Qualcomm në dizajnin e procesorit për pajisjet e veta, e më vonë mund të ndodhë të formohet edhe një departament i posaçëm brenda HTC-së pikërisht për këtë qëllim.
HTC kështu po punon duke marrë yrnek nga prodhuesit tjerë më të mëdhenj të pajisjeve mobile (përveç Apple dhe Samsung), të cilët gjithashtu në top-modelet e tyre kanë çipat të cilët i kanë dizajnuar dhe/ose prodhuar vet. SoC zgjidhjet e para të këtilla pritet të paraqiten vetëm gjatë vitit të ardhshëm, por nuk dihet nëse kompania vet po i dizajnon çipat ose nëse thjesht ka kërkuar nga ST-Ericsson dhe Qualcomm dizajnin dhe prodhimin e SoS-së sipas specifikave të veta. 

I hakmerret burrit me pesë meshkuj

Një gjermane për dy vite me radhë ka bërë një ‘eksperiment’ të pazakontë – ka pasur njëkohësisht pesë dashnorë, ndërsa përjetimet e saj i ka shkruar në një libër.
39-vjeçarja nga Kylni pas 15 vitesh martesë kishte zbuluar se burri e tradhtonte me shoqen e saj më të mirë dhe i dha fund martesës.
Ajo e kishte të vështirë që të kishte lidhje me ndonjë mashkull tjetër, duke qenë se zemra e saj “nuk i takonte më asnjë burri”.
Gruaja gjeti pesë meshkuj të ndryshëm me të cilit nisi lidhje seksuale, ku nuk kishte vend për dashuri, ndërsa asnjërit prej tyre nuk i tregonte rreth aftësive të të tjerëve në krevat.
Tash, ajo i ka dhënë fund këtij ‘eksperimenti’, megjithatë akoma nuk e imagjinon veten me një mashkull të vetëm. 

I kujt është gjevreku?

Turqia dhe Greqia, dy rivalët historikë, të cilët nuk pajtohen për shumë çështje, tash kanë hapur një tjetër front: I kujt është gjevreku?
Shitësit e gjevrekëve në Stamboll kanë kërkuar që ky produkt të licencohet si turk, pasi që grekët thonë se është i tyre.
‘Lufta’ ka filluar kur një gazetë greke (Eleftheros Typos) ishte përpjekur të dëshmojë se gjevreku ekzistonte para erës së re dhe se ka qenë mjaft i popullarizuar në Selanik dhe Stamboll dhe se, sipas gazetës, ishte produkt bizantin e në asnjë mënyrë turk.
“Gjevreku është simbol i Stambollit. Është pjesë e kulturës turke edhe për të pasurit edhe për të varfrit. Ekziston dallim i madh mes gjevrekut turk dhe atij grek në mënyrën e gatimit dhe vendosjes së susamit nëpër të”, thonë ekspertët turq.
Të dyja palët kanë argumentet e tyre, përmes të cilave dëshmojnë se gjevreku (në Turqi – simite, në Greqi – koulouri i Selanikut) është i tyre.
Athina dhe Ankaraja nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për shumë çështje politike, siç është problemi i Qipros dhe hapësira detare dhe ajrore në Egje.

Prifti i dikurshëm shet lodra seksuale

Një ish-prift nga Holanda me emrin Marc Angenent, aktualisht ka për profesion shitjen e lodrave seksuale.
Der Spiegel raporton se Angenent ka krijuar një faqe interneti përmes së cilës shet vibratorë, kondomë dhe gjësende tjera seksuale.
Bëhet e ditur se për 23 vite ai kishte shërbyer si prift, ndërsa tani ka filluar një biznes skajshmërisht të pazakontë për të.
Ai ka thënë se është shqetësuar për jetën seksuale të besimtarëve të krishterë edhe gjatë kohës sa ka qenë prift. Ashtu që çiftet i kishte pyetur haptas: “A jeni të kënaqur me jetën tuaj seksuale?”.
Dhe, pasi me vite të tëra kishte marrë përgjigje negative, Angenent vendosi që t’i përkushtohej në tërësi kësaj pune duke u angazhuar në rolin e një lloj terapeuti seksual.