Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës miratoi planin e veprimit me të cilin parashihen ndryshimet e 22 amendamenteve kushtetuese. Kryetari i këtij komisioni, Arsim Bajrami tha se me këto ndryshime, të cilat duhet të miratohen deri në 10 shtator, hiqet mbikëqyrja dhe Kosova do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të saj.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, deri më 10 shtator të këtij viti, duhet t`i miratojë të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ligjet në mënyrë që java e dytë e shtatorit të jetë javë përfundimtare e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky konstatim doli nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës.
Kryetari Arsim Bajrami e sheh interes vital përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë brenda këtij viti.
“Përgjegjësinë për ta qeverisur Kosovën do ta kenë institucionet tona. Ndërsa, prezenca civile ndërkombëtare ta marrë një rol këshillues dhe jo rol ekzekutiv. Jashtë kësaj skeme është çështja e EULEX-it për shkak se EULEX nuk ka bazë kushtetuese dhe për statusin dhe pozitën e tij do të adaptohet një marrëveshje e veçantë pas përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Bajrami, transmeton RTK.
Sipas Bajramit, me këto ndryshime kushtetuese dhe legjislative jepet një garanci më e lartë për respektimin e të drejtave të pakicave që jetojnë në Kosovë.
“Nuk ka asnjë ide që të zvogëlohet ndonjë e drejtë e paraparë me pakon e Ahtisaarit. Pakicat duhet të ndihen të qeta dhe ato janë aktive në këtë proces. Ato duhet ta mbështesin këtë proces dhe nuk duhet të përdorin kurrfarë refuzimi të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë”, tha Bajrami.
Pavarësia e mbikëqyrur nuk do të prekë mandatin e KFOR-it, sepse është mandat në kohë të pacaktuar, por mandatin e prezencës civile ndërkombëtare, udhëheqjen e institucioneve kushtetuese nga ana e tyre dhe institucione tjera që kanë prani të theksuara ndërkombëtare.