Turqia dhe Greqia, dy rivalët historikë, të cilët nuk pajtohen për shumë çështje, tash kanë hapur një tjetër front: I kujt është gjevreku?
Shitësit e gjevrekëve në Stamboll kanë kërkuar që ky produkt të licencohet si turk, pasi që grekët thonë se është i tyre.
‘Lufta’ ka filluar kur një gazetë greke (Eleftheros Typos) ishte përpjekur të dëshmojë se gjevreku ekzistonte para erës së re dhe se ka qenë mjaft i popullarizuar në Selanik dhe Stamboll dhe se, sipas gazetës, ishte produkt bizantin e në asnjë mënyrë turk.
“Gjevreku është simbol i Stambollit. Është pjesë e kulturës turke edhe për të pasurit edhe për të varfrit. Ekziston dallim i madh mes gjevrekut turk dhe atij grek në mënyrën e gatimit dhe vendosjes së susamit nëpër të”, thonë ekspertët turq.
Të dyja palët kanë argumentet e tyre, përmes të cilave dëshmojnë se gjevreku (në Turqi – simite, në Greqi – koulouri i Selanikut) është i tyre.
Athina dhe Ankaraja nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për shumë çështje politike, siç është problemi i Qipros dhe hapësira detare dhe ajrore në Egje.