Jahjaga: Nuk do të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,në takimin me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith, deklaroi se zgjedhjet lokale të Republikës së Serbisë dhe çfarëdo zgjedhjesh të një shteti tjetër, nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Presidentja Jahjaga dhe Feith diskutuan për situatën e përgjithshme në Kosovë, për përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe plotësimin e legjislacionit, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, që parasheh afatin kohor për përfundimin e kësaj faze.
Presidentja theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës e njohin të drejtën e dyshtetësisë dhe angazhohen për respektimin e normave dhe të konventave ndërkombëtare në rastin e dyshtetësisë, ndërsa duke folur për zgjedhjet lokale serbe në Kosovë tha se nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetit, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial dhe provokojnë rritje të tensioneve ndëretnike në Kosovë.