Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar të hënën se derisa Kosova përkujton masakrat serbe, Qeveria negocion pajtim me Serbinë. Për më tepër, sipas AAK-së, Qeveria e Kosovës, në dy mandatet e saj nuk ka mbledhë fakte dhe as që ka iniciuar aktakuza ndaj kriminelëve, në mënyrë që viktimat dhe familjet e tyre ta kenë më të lehtë jetën, duke pyetur kështu ministrin e Drejtësisë, se çfarë bën instituti, i cili është themeluar me qëllim të arritjes së rezultateve dhe të drejtësisë për viktimat në Kosovë.
Donika Kadaj-Bujupi në një konferencë për gazetarë theksoi se ata që mbijetuan, sot jetojnë të gjymtuar, me kujtimet e tmerrshme të thikave e dhunës. E, mbi të gjitha jetojnë me padrejtësinë që vazhdon nga mungesa e ndjekjes dhe dënimit të kriminelëve.
“Sot e kujtojmë Krushën, Fortesën, Celinën, Suharekën, Izbicën, Belegun, Lybeniqin, Mejen e dhjetra masakra të tjera, në të cilat makineria policore-ushtarake serbe vrau mijëra gra, fëmijë e pleq... Kjo situatë e rëndë po e dëmton jo vetëm të kaluarën, por edhe të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Ndër të tjera e dëmton edhe rrugën tonë drejt zhvillimit dhe idesë së bashkëjetesës, për faktin se aty ku s’ka drejtësi për viktimat, nuk mund të pritet gatishmëri për falje. Në Kosovë, statistikat flasin për mbi 15 mijë të vrarë, rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe shumë e shumë të tjerë të gjymtuar”, u shpreh Bujupi.
Pavarësisht kësaj, sipas saj, Serbia, po vazhdon me politika armiqësore ndaj Kosovës, po futë në lista të fabrikuara qytetarë të Kosovës, të cilëve po iu pamundësohet edhe liria e lëvizjes.
“Dy rastet e fundit të persekutimeve dhe pamjet e ish-zëdhënësit të regjimit kriminal milosheviqian, kanë bërë që qytetarët e Kosovës, ish-ushtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre të ndjehen në panik. Këto persekutime janë politike dhe i dëmtojnë të arriturat e deritanishme, në të ashtuquajturat negociata për fqinjësinë e mirë, që nisën teknikisht dhe po ‘përkthehen’ politikisht”, shprehet ajo.
Sipas saj, kur flasin për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dialogu, i maskuar si teknik, i cili në fund u vërtetua dhe u pranua edhe nga ndërmjetësuesi Cooper si politik, është papjekuri e radhës e Qeverise Thaçi, ku mungoi dialogu për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Kosovës, nuk u ngrit kurrë tema e dënimit të dhunuesve dhe vrasësve të njerëzve tanë.
Me këtë rast, AAK kërkoi nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht ta adresojë problemin e aktakuzave të falsifikuara nga ana e Serbisë, përmes të cilave po persekutohen edhe më tutje qytetarët e Republikës së Kosovës dhe po iu pamundësohet lëvizja e liri.
“...Së dyti e pyesim publikisht ministrin e Drejtësisë: Çfarë bën instituti, i cili është themeluar me qëllim të arritjes së rezultateve dhe të drejtësisë për viktimat në Kosovë, përderisa në shënim të përvjetorëve, përveç dhimbjes dhe traumave vazhdojmë të bartim barrën e rëndë të ankthit për mosdhënien e dënimit për të gjithë ata kriminelë serbë që masakruan popullin tonë?”, tha Kadaj-Bujupi.