Kosova lufton me drogat

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, organet e rendit në Kosovë kanë goditur dymbëdhjetë grupe kriminale që në lokacione të ndryshme në Kosovë janë marrë me shitje, blerje, posedim e shpërndarje të substancave narkotike. Nga dhjetëra aksione të ndara, kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, konfirmon se janë vënë prapa grilave gjithsej 65 persona.

Tërë këto aksione, që janë zhvilluar në bashkëpunim mes policisë dhe prokurorisë, të cilat Lumezi i vlerëson si sukses, sipas tij, janë arritur falë punës së prokurorëve, të cilët, duke e zbatuar Kodin e Procedurës Penale, kanë arritur që mes tyre dhe avokatëve të të dyshuarve të bëjnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, shkruan “Zëri”.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë, e cila ka nisur të zbatohet në Kosovë pas disa trajnimeve që kanë mbajtur prokurorët e Kosovës në Karolinën e Veriut të Shteteve e Bashkuara të Amerikës, sipas Lumezit, ndihmon në zbardhjen më të lehtë të rasteve. Personi që bashkëpunon me drejtësinë, sipas tij, edhe nëse është i implikuar në rast por që tregon për veprimtarinë e grupit kriminal, mund të marrë dënimin më të lehtë të lejueshëm për veprën e caktuar penale.
Duke e zbatuar këtë marrëveshje, Lumezi konfirmon se janë bërë edhe dhjetëra arrestime dhe janë konfiskuar dhjetëra kilogramë substanca narkotike.
“Kemi një rast ku pos të arrestuarve janë konfiskuar edhe 50 kilogramë marihuanë, rasti tjetër me 11, një tjetër me 4, por kemi edhe dy raste të ndara kur në njërin janë kapur 17 kilogramë e në tjetrin 5 kilogramë drogë të llojit heroinë”, thotë Lumezi.
Nga dymbëdhjetë rastet me më shumë se 2 kilogramë substanca narkotike, Lumezi konfirmon se dy nga to kanë kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, por mohon se mbrapa këtyre rasteve që cilësohen si krim i organizuar, qëndron ndonjë person i njohur në skenën e Kosovës.
“Në bazë të informacioneve, nuk kemi ardhur në përfundim që qëndrojnë emra të përveçëm të pushtetarëve”, thotë ai, duke konfirmuar ekzistimin e hetimeve edhe për raste të tjera të dyshimit për posedim të substancave narkotike.
FBI në Kosovë
Për arrestimet që janë bërë që nga fillimi i këtij viti, kryeprokurori Lumezi një pjesë të meritës ua dedikon edhe dy prokurorëve amerikanë dhe një hetuesi nga Karolina e Veriut të cilët për një javë të qëndrimit të tyre kanë rekomanduar hetuesit dhe prokurorët vendorë se si bëhen marrëveshjet për pranimin e fajësisë të cilat janë mënyrë më e lehtë për zbardhjen e krimeve.
“Kontribut të madh në zbulimin e kryesve të këtyre veprave penale kanë dhënë edhe SHBA-të, sidomos prokurorët e Karolinës Veriore, të cilët kanë qenë fizikisht këtu në Prokurorinë e Qarkut dhe kemi pasur me ta një bashkëpunim të ngushtë së bashku me policinë. Ardhja e tyre në Kosovë ka rezultuar pas një vizite që ne kishim atje ku jemi njoftuar me punën dhe teknikën e policisë dhe prokurorisë në rastet që kanë të bëjnë me trafikimin me substanca narkotike”, thotë Lumezi.
Prokurorët amerikanë, sipas tij, nuk kanë qenë të inkuadruar direkt në raste por kanë sugjeruar se si të veprohet në rastet konkrete.