Mohojnë ndërhyrjet e politikës në hetime

Prokurorët e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, Ismet Kabashi dhe Ina Rama, hodhën poshtë sot mundësinë e ndërhyrjes së politikës në punën e prokurorisë. Gjatë një takimi që patën në Prishtinë, kryeprokurori Kabashi tha se nuk ka pasur rast të ndërhyrjes së njerëzve të politikës në procese të caktuara.

Edhe prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë Ina Rama mohoi të ketë ndërhyrje të politikës në punën e prokurorisë, megjithatë nuk përjashton problemet dhe tensionet që shkaktohen herë pas here.
Gjatë takimit të sotëm Kabashi e Rama kanë diskutuar edhe rreth zbatimit të marrëveshjes midis dy prokurorive lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë për luftën kundër krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.
Ina Rama premtoi se Shqipëria do të ndihmojë integrimin e Prokurorisë së Kosovës në organizatën ndërkombëtare të prokurorëve, me qëllim të shtimit të efikasitetit dhe bashkëpunimit të prokurorëve në nivel ndërkombëtar.
Prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë Ina Rama do të qëndrojë dy ditë në Kosovë. Ajo është takuar sot edhe me presidenten Atifetet Jahjaga dhe me zëvendëskryeministrin dhe ministër i drejtësisë Hajredin Kuçi.
Kuçi me këtë rast e ka njoftuar me punën që po bënë Qeveria, respektivisht Ministria e Drejtësisë, në reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovës.
Ministri i Drejtësisë ka kërkuar nga kryeprokurorja Rama ndihmë në ato fusha ku Republika e Shqipërisë me suksese e ka kaluar reformimin në sistemin e drejtësisë, si dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë në Kosovës.
Ndërsa, kryeprokurorja Rama ka ofruar mbështetjen e Prokurorisë shqiptare për projektet e Ministrisë së Drejtësisë, në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe në krijimin e Akademisë së Drejtësisë.