Lëvizja FOL ka publikuar sot “Analizën për Ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik - në kontekst të Parimit të Transparencës”, e cila ka për qëllim të vërejë se deri në ç’masë ka arritur Ligji për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës të parashohë zbatimin e parimit të transparencës në procedurat e prokurimit publik.
Versioni i ri i ligjit, i aprovuar në gusht të vitit 2011, përsërit shumicën e të metave të ligjit të mëhershëm”, tha koordinatori i projektit, Armend Pajaziti.
Ai ka thënë se ligji është ende larg standardeve të BE-së në fushën e prokurimit publik, gjë që e konfirmon edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2011”.
Lëvizja FOL thotë se ky ligj nuk përmbush nevojat e kërkuara për procedura transparente, madje disa procedura të reja prokurimi janë rregulluar në atë mënyrë që edhe përjashtojnë mundësinë e informimit të publikut dhe lënë mundësi për përjashtimin nga konkurrenca të Operatorëve Ekonomikë.
FOL ka vënë në pah edhe paqartësitë e shumta që e karakterizojnë fushëveprimin e institucioneve kryesore të prokurimit, KRPP-së dhe OSHP-së.
Sipas lëvizjes, duhet të rishikohen kompetencat e institucioneve të prokurimit publik, duke qenë se ekziston një konfuzion i madh në mesin e KRPP-së dhe OSHP-së, se cili është interpretuesi përfundimtar.